E premte, 19.04.2024, 10:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Bashkim Gollaku (Kadri Osmani): Banesa për punëtorë

E hene, 21.07.2008, 07:16 PM


Kadri Mani
Nga shtypi ilegal kosovar

 

Skicë

 

“BANESA PËR PUNËTORË”

 

Kur të bie përdhe, nëse më doni,

mos më qani- suluni përpara!

 

Nga B. G. Bashkim Gollaku (Kadri Osmani)

 

Mëngjes. Dielli është ngritur bukur lart dhe vesa tanimë pikonte nga fijet e barit, si lotët nga sytë. Mu si lotët e bashkëshortes dhe të fëmijëve të Manit atë ditë që jua rrëzuan shtëpinë me buldozer.

Punëtorët arritën. Ata shikonin diellin, shikonin njëritjetrin dhe fërkonin duart që t’i menin cazë në atë vjeshtë të vonë dhe t’ia fillonin punës. Sot duhet të punojmë më tepër se në ndërmarrje!

Duke ia qitur perin themelit të shtëpisë së Manit, panë se biri i tij arriti me cigare dhe hozetë nën sqetull dhe duke mërdhirë.

-O burra! – thirri Mani – uluni e ndizeni nganjë, dhe Idrizi na e lexon gazetën, pale...

Sakaq, Idrizi u ul i pari dhe ia rrëmbeu gazetën çunakut. Në faqen e parë, me shkronja të mëdha e të zeza dhe të nënvizuara me një vijë të trashë, të kuqe, shkruante: “Banesa për punëtorë!”

Punëtorët u ulën vrik, e ndezën nganjë cigare dhe filluan të bisedonin për artikullin në gazetë:

-S’është e vërtetë!

-Mund të ketë diç...

-Gënjeshtër me brirë!

-Marrëzi me bisht!

-Po si kanë fytyrë?!

-Deri kur do të pushojnë së lehuri he nënat e tyre?

-Mos nxitoni shokë – ndërhyri Mani – dhe ti pusho së shari!

-Po si, po si! Të pushoj?! Po deri ku më e...

-Pajtohem! Po ç’faj të kanë nënat e tyre?

-Po  kush dreqi ka faj? Edhe ato se pse s’i kanë plasë thonjë në fyt që në djep! Këta pisa të poshtër!

-Na e koritën fisin shokë?

-Na marruan!

-I marroftë zoti!

-Mos thoni i marroftë, po i çmarroftë! Se i ka marruar deri në maje të kresë.-Atëherë t’i matin forcat shokë?

-T’i matim!

-T’i matim!

-T’i matim!

Idrizi vazhdoi leximin:”... u diskutuar gjerë e gjatë, u tha dhe u konstatua se punëtori është lënë pas dore, pa kushte për punë, pa mbrojtje, pagesat e ultë, pa banesa... Në mbledhje të të gjitha dhomave u diskutua, konstatua dhe në mënyrë të gjithanshme u shoshit çështja e punëtorit tonë dhe gjendja e tij   “.

-A po kupton kush?

-lëri konferencaxhinjtë ore!

-Pijanecët!

-Bixhozxhinjtë!

-Kurvarët!

Pritni ta lexoj – ndërhyri Idrizi:”... u vendos njëzëri që të shpallet huaja e përgjithshme popullore dhe që të mos mbes asnjë punëtor pa banesë. Kjo konkluzë të zbatohet patjetër, domosdo dhe në afatin e paraparë me planin afatgjatë...”.

-A u kënaqët së dëgjuari?! Po edhe këtë hua e rrëmbëjnë si atë...

-More neve duhet kallëzuar me tupan! Po a nuk u mësuam deritani?

-Sa zgjat ky plan afatgjatë?

-Kallëzom ti sa zgjat plani afatmesëm po të kallëzoj se zgjatë i gjati!

-Unë nuk e di sa zgjatë as i shkurtri!

-Që të gjithë zgjatin njësoj: derisa të rrnojmë e të vdesim në mjerim...

-Çfarë huaje bre?

-Asnjë metelik s’e japim!

-Ç’po ndodh me ekonominë bujqësore të Kosovës?!

-E ku është Trepça!?

-E Obiliqi!?

-Po Novobërda!?

-Atëherë çka duhet bërë?

-Luftë!

-Luftë!

-Luftë!

Në mbrëmje kur shkuan t’i ndeshnin rrobat e punës dhe t’i vishnin të tjerat- gjetën ca trakte që ndër të tjera shkruante: Punëtorë, mos i besoni propagandës së armikut! As gazetave dhe as radiotelevizionit. Nuk u ngopëm që 30-vjet me demagogji revizioniste? Vetëm revolucioni shëron plagët tona...”.

Mirë pra, t’i gjejmë shokë[t e fjalës e të besës dhe të organizohemi... Mundësisht të bashkohemi me shokët e traktit...

Në mbrëmje duke u kthyer në shtëpi, punëtorët grupe-grupe bisedonin për luftën...

 

b.g. (Bashkim Gollaku)

 

(“ZËRI i KOSOVËS”, ORGAN I GRUPIT REVOLUCIONAR,

Nr. 2. prill, 1974, f. 40-41)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora