E enjte, 25.04.2024, 07:00 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Ujëvara e Sotirës, perla shqiptare

E premte, 08.05.2015, 09:09 PM


Autori i reportazhit pranë ujëvarës

UJËVARA E SOTIRËS,  PERLA SHQIPTARE QË TË BEFASON

NGA PËLLUMB GORICA

Një udhëtim drejt Ujëvarës së Sotirës së Gramshit pamvarësisht kapërcimit të shtigjeve të vështira herë- herë me pengesa të ngjan se hap brenda teje, një hapsirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapsirë e çuditëshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peisazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujvara, liqene. Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.

Vlerat e turizmit malor dhe infrastruktura

Pikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. High Albania Mountain Club, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr. Ndonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi bëhet e papërfillëshme çdo ditë nga qindra adhurues. Duhet thënë lexuesit, që krahinat e Gramshit janë një vend me kontraste gjeografike dhe peisazhe të mrekullueshme që dita ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ja shkatërrojnë, gurët po ja marrin. Ështe fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerëzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit ashtu si shoqëria, edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t'i thërrasin koshiencës dhe të ndalim rrënimin e natyrës, poe edhe shteti shqiptar duhet të mendoj më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj. Për mendimin tim sektori i turizmit mund të zhvillohet më shumë krahinat e Gramshit, të cilat janë një magji  pak e eksploruar. Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën karstike të Kabashit, Grabovën e krishterë, Kanionet e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastuktura e rrugëve me terrene të vështira e të pashkelura shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë  treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e merituar të vendeve turistike. Madje ka premisa të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që kanë mundësi të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve në shoqërinë tonë dhe në pushtet, që përpliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgun ujqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide.  Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim nga institucionet për ta bërë atë të vizitueshëm jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj.  Gjithsesi, duhen përgëzuar inisiativat e individëve nga Gramshi, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peisazheve të trevës. Është e vërtetë që emigrimi si gjithandej në Shqipëri në këto vitet e fundit ka tkurrur edhe fshatrat e krahinave të Gramshit, po përsëri këtu ka jetë. Këtë e tregojnë  arat që punohen, pemët me frutat e tyre, njerëzit që kryejnë punët e stinës. Këto janë përshtypjet e çdokujt që krahas vrojtimit të peisazheve, objekteve arkeologjike e ndjen këtë sidomos në stinën e pranverës. E kush nuk e lakmon këtë stinë plot ngjyra. Gjelbërimi dhe lulet kanë ngjallur ngrohtësinë njerzore dhe janë të papërsëritshme.

Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë që davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peisazhin që parakalon. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin gurgullojnë mes gurëve të lëmuar nëpër brigje të gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura,me ndjesinë e tyre madhështore, herë shfaqen e herë përhumben nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të borëzuar të përshëndet ngrohtësisht këtë mëngjes. Pasi përshkon rrugën, që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat e po konturohet si vepër energjitike e Shqipërisë, të shfaqet befasisht qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll  rrethuar nga malet hijerënda. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh e që e ka zanafillën nga fshati me të njënjtin emër. Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi  të pashembullt dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion e në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë. Në një pushim të shkurtër në qëndër të qytetit e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Grumbuj resh të bardha shtëllunga - shtëllunga rendin me revan drejt qiellit. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësin e tyre.

Relieve piktoresk rural

Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani më i moshuari i grupit të vizitorëve u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku dhe Dritani në rolin e ciceronëve tregojnë për ujëvarën, vendet ku do kalonim, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për tu përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe të shumta janë ato historike. Sulova ka këmbët në ujë. U jep të tjerëve të pinë. Për vete digjet në vapë. Një karakteristikë se rrjedha e dy lumenjve Devoll e Tomorricë kalon përbri saj dhe qindra përrenjve, duke krijuar një peisazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mëndjes, traditave të rralla e të admirueshme të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e këtyre anëve janë magjepëse dhe një përvilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash që zgjaten pa mbarim e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen fshatra me pamjeve mbresëlënëse, ku secili prej tyre paraqitet me veçanti karakteristike. Si kudo gjetkë në Shqipëri edhe shumica e shtëpive janë të mbuluara me çati tjengullash të kuqe dhe plot reflekse. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën një trevë të banueshme e të pandërprerë, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peisazhet e gjelbëruara dhe tokat i ka mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me resurset që ju ka falur natyra, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e ngushtë dhe e pashtruar ku nuk shkëmbehen dot automjetet. Rrugë e gjatë e lodhshme, që asnjë pushtet nuk ka arritur tua ndërtojë. Një rrugë gjarpëruese që ngjitet e zbret kodrave të buta, të cilat ngrihen e ulen shumë vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, ku kalon përmes zallishteve dhe të shoqëron për kilometra të tëra. Tomorri një nga malet më madhështore në Ballkan pamjen më të bukur e ka në fshatrat e Sulovës. Faqja e tij veriore veshur me pisha dhe majat mbuluar nga bora. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij u ka hedhur vellon shkëlqyese. I kam admiruar përherë këto vise dhe i kam shijuar peisazhet që në fëmijëri, duke ruajtur vahdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtimet më të mira dhe përshtypjet e mbresave këtu. Ndaj, nuk i shmagem dot emocioneve të mia kur shikoj këto peisazhe. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria.

Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatikuqe nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peisazhit të braktisur nga jeta e banueshme. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur shikon pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall trishtim me shtëpitë e saja të gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për tua përcjellë brezave dhe të ngjallin një zbraztësi në shpirt. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjëve, që e vrasin këtë qetësi, por edhe ndonjë  kumbim i zbehtë zile bagëtish. Ndoshta e vetmja gjë që kishin mundur të bënin këtu ishte kanalizimi ekologjik për të përfituar nga uji i Ujëvarës, duke krijuar pak kilometra më poshtë një hidocentral të vogël.

Bukuri që të le pa fjalë

Duke  ngjitur rrjedhën e të  lumit të Sotirës, që humbiste mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërinte lehtë, morëm rrugën për në Ujvarën e Sotirës. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peisazhin me një ndjesi të pakrahasueshme. Syri të mbushet me kënaqësi. Tingëllojnë ëmbël cicërimat e zogjëve përzier me zhurmat e tjera të stinës. Herë pas here ndalojmë dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peisazhit, lëndinat me bar, ajrin e pastër, blerimin e drurëve. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë veshur me bar e lule. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, ku edhe blerimi përthithës i pranverës të shfaqet akoma më i freskët. Kështu të  joshur nga pamjet e pashlyeshme. Tomorri madhështor me pamjen e tij mahnitëse kërleshur nga retë e bardha, të tërheq me madhështinë dhe bukurinë natyrore. I magjepsur s’ngopesh, duke vështruar këtë mal. Mahnitës e mbizotërues shpaloset ai gjithmon, por i mbuluar me qeleshen e bardhë të borës, pamja e tij e paharrueshme dhe emocionale është si një ëndërr. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë edhe me ujin kristal të burimeve të praruara dhe bukurive të pamata me pyje.

Karvane resh udhëtojnë qiellit dhe pylli i gjelbëruar fëshfërin e të çlodh. Lulet me ngjyrat e ndezura shpërndajnë aromën e tyre. Tinujt e paqtë  dhe flladi i freskët që vjen prej malit të japin kënaqësi të veçantë. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta e po aq të këndshme në këtë stinë janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peisazhin. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse.Venitet lodhja nga pesha e emocioneve e sytë përplasen në masivin e mbuluar me borë të malit Tomorr. Shushurima e zhurmëshme e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepëse. Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje kënaqësie në shpirt nga magjia që të shfaqet. Nuk mund ta përfytyrosh kënaqësinë që ndjen, e yshqyer nga atmosfera magjike e ujëvarës së  Sotirës me mrekullinë e saj të veçantë. Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar nga kjo kënaqësi si pjesë e realitetit të një mrekullie. Padyshim rruga e gjatë e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese  me zhaurimën gurgulluese e të fuqishme të ujit të freskon ledhatueshëm e të heq si me dorë lodhjen. Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjen. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, një peisazhi të zemrimit të shkumbëzuar të ujrave, që vërshon me tërsëllimë prej barkut të shkëmbit e teksa rrjedh papushim shpërndanë përreth piklat. Përballë ujvarës hijëzimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi e çlodhje, ashtu si ajri i lagësht që drithërohet nga forca e ujit e i shpupurit flokët tanë.

Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujrave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjëve gëlqeror të malit të Tomorrit. Më shumë shton ai, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes dhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh. Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m dhe në fund të shkëmbinjëve mbi disa gurë të mëdhenjë, duke krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara krijonte edhe një lumë të vogël, por këto dy vitet e fundit pak metra më poshtë rrjedhës ujrat përfshihen në një kanal ekologjik të nëndheshëm që i shërben një H/C të vogël, duke e bërë më ekonomike atë me fuqinë prodhuese.

Epilog përshtypjesh

Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara, Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm, nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirseardhës të një lokali teksa pijmë kafenë e kthimit ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin shekullor dhe banorët e tij. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndëshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falenderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata, që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjeherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.

Rrrugës për tek ujëvara dhe në sfond mali Tomorr


Ujëvara e Sotirës, Gramsh


Fisniku jep këshillat para ngjitjes


Katarakti


Ujëvara me forcën e ujërave


Vizitorë drejt Ujëvarës së Sotirës


Ujëvara në pjesën e poshtëme


Lugina e lumit të Tomorricës


Mali Tomorr


Një kodër flishore e degraduar


Qyteti i Gramshit


Shtëpi e braktisur në Sotirë


Ujëvara dhe ujërat që rrjedhin me force



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora