E shtune, 20.04.2024, 01:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahtijar Kryeziu: Edhe një vepër e rëndësishme në fushën e Onomastikës

E hene, 21.07.2008, 07:07 PM


RECENSION

 

EDHE NJË VEPËR E RËNDËSISHME NË FUSHËN

E ONOMASTIKËS PËR FSHATIN BUSAVATË

 

Nga Dr. Bahtijar Kryeziu

 

Pas botimit të monografisë “Busavata ndër shekuj” (në botim të autorit, 2006), profesor Halit Sylejmani- Maliqi, para lexuesve të vet paraqitet edhe me botimin e dytë për këtë fshat “Onomastika e Busavatës”, Prishtinë, 2008. Kjo vepër është, siç thotë  edhe vetë autori në hyrje të saj, një plotësim i asaj të parës, “është një përpjekje dhe angazhim që më konkretisht dhe më gjerësisht të paraqiten mikrotoponimet, antroponimet, dhe patronimet e Busavatës, që në monografinë e botuar më parë, për shkak të vëllimit të veprës dhe përmbajtjeve të tjera të domosdoshme, nuk ka pasur mundësi të përfshihen”.

Edhe pse onomastika si degë e onomastika si degë e gjuhësisë është ndër disiplinat më të ndërlikuara gjuhësore e që paraqet një terren gjithmonë të vështirë e të rrëshqitshëm, këtë radhë, profesor Halit Maliqi, me entuziazmin, intuitën, dhe guximin e tij, objekt studimi ka bërë, emrat gjeografikë të Busavatës që të shënojnë: ara, livadhe, mullinj, shkëmbinj, lisa, troje të moçme ose çfarëdo vendi tjetër që ruaan në vete gjurmë lashtësie, si dhe emrat e familjeve, të lagjeve, të vëllazërive e të fiseve të kësaj popullate, siç ndeshim sot ose siç kanë qenë të regjistruar në disa dokumente të hershme. Nga kjo shihet se autori i ka hyrë kësaj puna me përgjegjësi të madhe, i vetëdijshëm se (mikrotoponimet, aantrotoponimet dhe patronimet (gjuha e tokës, siç po i thonë disa studiues tanë) është një lëndë e mirë dhe me shumë interes, jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për disiplina të tjera shkencore.

Disa nga mikrotoponimet e zëna ngoje në këtë vepër, dëshmojnë për një ngulitje të hershme të shqiptarëve këtu, për një popullatë e cila ka jetuar dhe jeton që moti në tokat e saj. Këtë e përligjin më së miri fjalët e hyra mjaft herët e që kanë fituar një shtrirje të madhe në mbarë shqipen, si gnomat: arë (me të cilën janë formuar një sërë mikrotoponimesh të kësaj ane); Balltaki, Gropishta, Guri, Ligata, Mali..., rrasa..., Rrahi..., Udha... etj.; mikrotoponimet e emërtuara me tema të bimësisë sonë, siç janë: bungu, lajthia, fieri, kullumbria, pastaj emrat topikë: çukë, kersh, kroni; disa patronime etj., te të cilat fjalë, modifikohet e shkaktuara nga proceset fonetike, nga bilinguizmi ose zëvendësimet e dhunshme i ka hetuar mirë profesor Haliti.

Si edhe në viset e tjera shqiptare, edhe në këtë hapësirë gjeografike, për shkak të gërshetimeve të mëdha ballkanike gjatë historisë që e kanë përcjellë etnosin shqiptar, ndeshen edhe mjaft onoma sllave, turke, greke e të ndonjë gjuhe tjetër, por gjithsesi më pak se ato shqipe, disa nga të cilat emërtime, edhepse dalin si të huaja, janë të formuara nga shqiptarët, të cilët nën ndikimin e popujve të ndryshëm e të gjuhëve të tyre, i ndodhur me shekuj nën ndikimin e administratave të huaja edhe kanë krijuar emërtime joshqipe.

Toponimet, mikrotoponimet, patronimet, antroponimet, materiali tjetër gjuhësor e historik, ashtu si edhe ai nga fusha e folkloristikës e etnografisë, përbëjnë lëndën e mjaftueshme dhe me interes të këtij libri, me të cilin autori, jo vetëm që mëton, por edhe ia arrinë ta analizojë, shpjegojë e sintetizojë drejt e mirë, e cila lëndë me shekuj nuk është prekur nga pena e gjuhëtari a historianit, e gjeografit a folkloristit, e etnografit a e arkeologut.

Lënda e këtij dorëshkrimi është shtjelluar në II kapituj kryesorë, me disa tituj e nëntituj (në rreth 100 faqe shkrimi) dhe, sikundër theksuam, paraqet një punë të lodhshme dhe të dobishme të autorit. Materiali, më shumë se nga burimet e tjera, është vjelë në terren dhe në kontakte të drejtpërdrejta me njerëz, kryesisht të moshuar, por me mbamendje të mirë. Po burim të mirë autori ka pasur, me sa duket, edhe një numër hartash, regjistrash e defterësh të periudhave të ndryshme kohore, si dhe literaturën relativisht të pasur në gjuhën shqipe, sllave dhe osmane-turke.

Në parathënie të dorëshkrimit, autori tregon arsyet përse ju ka qasur një pune të tillë, mënyrën e eksplorimit të materialit dhe disa të dhëna të tjera historike me interes, për t’u marrë më pastaj (te “Busavata në dokumentet e shkruara”) me prejardhje e oikonimit Busavatë, njl oikonim për ne jo aq i qartë, të cilin autori e shpjegon nga një fjalë shqipe: pus-at (me alternimin e p > b, si te posllomi – bosllomi etj.), ose edhe, mbështetur në mitologjinë popullore: vend ku janë ndërtuar “shtpi” nga basa dheu. Ky oikonim, sipas regjistrimit të përgjithshëm kadastral turk të vitit 1455, përmendet që në vititn 1455 si Pusotica – Busotica.

Në kapitullin “Busavata, pozita dhe kushtet fiziko-gjeografike”, autori, siç veprohet zakonisht te monografitë e fshatrave, ofron të dhëna të mjaftueshme për shtrirjene e fshatit, kufizimin e tij, shkallën gjeografike të pozitës së tij, për kushtet klimatike gjatë vitit, për sipërfaqen prej 10, 6 km që përfshin ky fshat, për florën e faunën mjaft të pasur të këtij areali etj.

Në kapitullin “Mikrotopnimia” që edhe është pjesa më e rëndësishme e kësaj vepre, profesor  Haliti ka sjellë një korpus të përfillshëm me mbi... mikrotoponime të këtij fshati. E vlen të theksohet se në kohën tonë, kur dialektet dhe pasuritë e tjera gojore të popullit, siç shprehej me drojë të dukshme profesor Eçrem Çabej “po shkojnë drejt tretjes si kripa në ujë”, edhe emërvendet dhe përgjithësisht lënda onomastike nga edhe një fshat i vetëm qoftë, është jo vetëm e vlefshme, por edhe e atillë që kërkon ta mbledhim, ta studiojmë e ta botojmë sa më parë, duke e parë këtë lëndë me shumë interes, jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për disiplina tjera, si për gjeografinë, gjeologjinë, arkeologjinë, historinë, etnografinë, folklorin etj.

Rëndësi më vete për këtë vepër paraqet edhe vështrimi që i bëhet strukturës morfologjike, mënyrave të emërtimit, si dhe veçorive gjuhësore të mikrotoponimeve të Busavatës.

Meritë e shënueshme e veprës së profesor Halitit është se aty, përveç emërvendeve dhe topoleksemave të mirëfillta, me titull”Antroponimet – patronimet”, janë shënuar edhe emrat e familjeve, të lagjeve, vëllazërive e të fiseve të atij fshati, shpesh duke qëmtuar e cituar edhe dukjen e tyre të në disa dokumente të hershme. Krejt lënda, kur ka qenë e duhur, është kundruar edhe në aspektin historik dhe janë bërë edhe sprova të lëvdueshme me shpjegimin e gurrës mjaft prej toporrënjëve ose patronimeve që përbahen në të.

Lënda e veprës është shënuar sipas rendin alfabetik, jo rrallë, zërat janë trajtuar e shtjelluar gjerë, me mëtime e shtjellime të hapëta, plot përqasje, krahasime dhe, sa herë që e ka parë të mundshme autori, ka dhënë edhe ndonjë shpjegim rreth etimologjisë që atij emërvendi.

Me titull “Plotësim temash të veprës “Busavata nëpër shekuj” – autori ka sjellë të dhëna të reja për të kaluarën historike të familjeve Shala të Busavatës dhe të asaj të Kmetovcit të Gjilanit, për ndonjë person të dalluar, siçmishin: kaçaku Hajdar Hysku, pastaj burrat e ditur, trima e bujarë si Fetah Ajeti, Islam Ahmeti, Halit Hajredini e të tjerë. Me të dhëna të bollshme jepen edhe trimëria dhe rezistenca e busavataseve ndaj provokimeve të ushtrisë turke të vitit 1910 dhe ndaj bashkëpunëtorëve e mercenarëve – komitë serbë.

Për hartimin e kësaj vepre autori ka shqyrtuar literaturë të bollshme dhe të nduarshme profesionale e shkencore. Andaj ky botim është një vepër e llojit të vet dhe do të jetë edhe një ogur ndërtimi më shumë në kështjellën e dijes e të vërtetës shqiptare për këtë hapësirë. Sepse, “çdo pëllëmbë toke e Kosovës sonë është një motiv, çdo njeri është legjendë, çdo bjeshkë është një epope” – siç ka thënë dikush edhe para meje. E këto, shihet, i ka kuptuar mjaft mirë e drejt autori gjatë punës së bërë në fshatin e tij – Busavatën.

Me këtë botim, profesor Haliti, përveç borxhit të tij si intelektual që po e lan ndaj vendlindjes e banorëve të fshatit të tij, sikur edhe njëherë do të tregojë afrinë, ngrohtësinë e nostalgjinë që ka për lisat e malit, për burrat e odës dhe për ditët e ëmbla rinore të kaluara në vendlindjen e tij, e të cilat përmallime ai më së miri i shpreh në vargjet që vetë i këndon:

 

Edhe ëndrrat e gjumit – atje i shoh

Edhe lisat e malit – atje i njoh

Burrat e odës dhe t’nderit – atje i pashë

Ditët e ëmbla rinore – atje i lash.

 

E thënë shumë mirë, profesor, e Juve shëndet e vullnet edhe për punë të tjera kësodore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora