E premte, 29.03.2024, 08:26 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Washington Post: Kosovarët myslimanë rizbulojnë rrënjët e tyre të harruara katoliko-romane

E enjte, 07.05.2015, 06:15 PM


Nga Lediona Braho

Në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër, njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve, por çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët

Prestigjiozja amerikane, “The Washington Post” ka hulumtuar rrënjët fetare të shqiptarëve të Kosovës. Nga hulumtimi del se rrënjët e hershme të myslimanëve kosovarë i përkasin besimit katoliko­-roman. Në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër, më shumë se njëmijëvjeçare, e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve. Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët, të cilët thonë se u përket atyre, mirëpo banorët atje thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam.

Një banor i këtij fshati,  Don Albert Jakaj, 36 vjeç, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me besim katolik dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijëvjeçar të Perandorisë Romake. Pasi Kosova u vendos nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam. Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre pothuajse të harruara.

“Kjo është historia e kombit tonë,­ ka thënë Ademi, ­paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai. Zyrtarisht 90% e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3% e tyre atij katolik. Mirëpo, ndryshe nga këto të dhëna, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10% e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë. “Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji.

“Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për “Washington Post”. Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit. “Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai. Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike. Agron Bytyçi, ish-­ushtar i UÇK­së, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babanë katolik dhe nënën myslimane.

“Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar në vitin 1995. Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjes në shtëpi sipas traditave katolike. Një “Laraman”, Rexhep Sejdiu, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një pompe të benzinës.

“Ndjehem katolik”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë rrallë e diskuton çështjen e besimit jashtë familjes së tij. Ai e viziton kishën në Jakaj fshehurazi gjatë natës ndërsa ditën bëhet mysliman. “Laramanët frikësohen të deklarohen si katolikë”, ka thënë prifti. Sipas priftit, kjo ndodh sepse nëse e bën publik që i takon besimit katolik mund të shkaktojë probleme, një ndër të cilat është privimi nga martesa i fëmijëve të tyre. “Laramanët” nuk deklarohen si katolikë për shkak se mendojnë se nuk do të mund të jetonin në stilin e jetës që dëshirojnë.

http://shekulli.com.al/



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora