E premte, 23.08.2019, 12:14 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Mehmetaj: Rugovën e çmuan njerëzit më të mëdhenj

E marte, 05.05.2015, 08:19 PM


Rugovën e çmuan njerëzit më të mëdhenj të planetit

Përgjigje shkrimit denigrues të Kristo Zharkalliut për personalitetin më të madh shqiptarë jo vetëm të pesëdhjetë vjetëve të fundit.

Nga Gani MEHMETAJ

Nuk kam lexuar tekst më të ulët e më denigrues në gjuhën shqipe se sa shkrimi i Kristo Zharkalliut, botuar kohë më parë në portalin Fjala e lirë. Nuk me brengos opinioni i tij për Rugovën, as pretencioziteti që t’u përgjigjet nga Athina Isa Mustafës e Gani Mehmetajt, sikurse thotë ai. Më irritoi gjuha staliniste, shkrimi i përçartë me një urrejtje patologjike për personalitetin të cilin në të gjallë e çmuan jo vetëm pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës e të territoreve etnike, por edhe disa nga personalitetet më të mëdha të botës: Klinton, Bush, Papa Gjon Pali i Dytë, Toni Bler, Holbruk etj. Sikur të ishte vetëm një për qind e asaj që shpif  kurbetçari i përjetshëm, mendoni ju se do ta takonin Klintoni, Bleri, Prodi e kreu i Vatikanit? Mendoni se do ta krahasonin Rugovën më personalitetet më të mëdha të botës? Kujt i shkruan Zharkalliu? Enveristëve, të cilët kurrë nuk e deshën Rugovën, sepse nuk pranoi të vinte kurorë mbi varrin e diktatorit më të urryer shqiptar?  Shikistëve të Fatos Klosit që vranë njerëzit e afërt të Rugovës e shumë “kosovarë” të tjerë?

Pse e ngatërron shtetin shqiptarë Zharkalliu me dy-tre emra të SHIK-ut? Pse mendon ndryshe nga Pandeli Majko, ish-kryeministër shqiptar, megjithëse unë mund t’i kem hyr në hak kur e ve në një listë me kriminelin Fatos Klosi?  Por ai atëbotë ishte kryeministër, ndërsa tash shihet fare mirë se nuk e kishte nën kontroll SHIK-un.

Që të mos e zgjas po ia citoj disa nga emrat më të njohur të planetit, të cilët menduan ndryshe nga Zharkalliu dhe, ndryshe nga enveristët mjeranë që shkarravisin me emra të shpifur nëpër faqe interneti pa marr guximin të thonë kush janë dhe çka përfaqësojnë.

Bill Klinton, president i SHBA-së: “Jam shumë i pikëlluar me rastin e vdekjes së presidentit Rugova. Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Milosheviqit inspiroi botën. Me presidentin Rugova jam takuar shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij. Vdekja e presidentit Rugova është humbje e madhe për Kosovën, por unë shpresoj se vdekja e dr. Rugovës do t'i inspirojë të gjithë kosovarët që të vazhdojnë të punojnë më me ngulm për paqe dhe liri".

Kryeministri Toni Bler: “Presidenti Rugova ishte një forcë e rëndësishme në jetën e Kosovës, për shumë vjet. Popullariteti i tij në mesin e popullit të Kosovës dëshmon për mbështetje të gjerë për përpjekjet e tij joviolente për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur që kam pasur rastin të takohem me të”.

Presidenti Bush:  “Presidenti Rugova për shumë vjet udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës. Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe i maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t'ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare”.

Presidenti Shirak, në një letër drejtuar zonjës së parë të Kosovës, Fane Rugova, shkruan: “Franca i bën sot homazhe rolit historik dhe kurajës politike që animuan Ibrahim Rugovën për të mbrojtur gjatë viteve 1990 të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe për të punuar në kthimin e paqes dhe pajtimit në regjionin tuaj. Mungesa e bashkëshortit tuaj, tani kur kanë filluar bisedimet për çështjen e statusit final, bëhet edhe më tragjike. Përgjegjësia tani u takon të gjithë përgjegjësve politikë për të marrë përsipër amanetin e tij dhe të shpien në të mirë procesin e negociatave me një shpirt realizmi, tolerance dhe dialogu siç e kishte ai. Franca shpreh urimin që Kosova do t’i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellimit të pajtimit, për t'iu afruar Bashkimit Europian, shkruan Zhak Shirak, president i Francës.

Bob Dol, miku i madh i shqiptarëve, senator shumëvjeçar amerikan, pas vdekjes së Rugovës shkruante: Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoj në aspektin profesional me dr. Rugovën dhe ta konsideroj atë një nga miqtë e mi më të ngushtë gjatë rreth dy dekadave që kur u njoha me të. 
Përpjekja e madhe e presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njëjtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

Riçard Holbruk, diplomat i njohur amerikan:“Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta shihte vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shihja më në fund në Prishtinë pa shallin e tij! Mbaj zi për ndërrimin e jetës, së bashku me tërë popullin e Kosovës. Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqjen e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pikë kritike, kur shumë punë mbetën për t’u bërë”. 
Stipe Mesiq, presidenti kroat. “Shqiptarët e Kosovës me vdekjen e Ibrahim Rugovës, kanë humbur udhëheqësin e tyre, politika e matur e të cilit ishte kruciale në momentin kyç politik në të cilin po futet Kosova. Shpresoj dhe besoj së përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës do të dinë ta vazhdojnë rrugën e nisur nga ai, duke marrë vendime të qarta për popullin e Kosovës, por duke i ikur ekstremizmit të mundshëm i cili do të ndalonte arritjen e qëllimeve të nisura.
Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu: “Humbja e presidentit Rugova është një humbje e madhe dhe e rëndë, jo vetëm për Kosovën, por për cilindo që flet shqip dhe aq më tepër në një moment kaq delikat, kur Kosova po hyn në fazën e negociatave për të fituar Pavarësinë e saj. Presidenti Rugova prej më se 20 vjetësh ka luftuar, është përpjekur dhe ka bërë çmos që problemi i Kosovës të dalë në rend ndërkombëtar... 
Gjithë populli shqiptar, gjithë shqiptarët ndjekin me dhimbje të dyfishtë humbjen e presidentit, e njeriut simbol për Kosovën, e njeriut flamur për Kosovën, e njeriut, i cili shkriu jetën, por fatkeqësisht nuk e arriti deri në fund të realizojë ëndrrën e tij të shohë me sytë e tij Kosovën e lirë. Kujtimi i tij do mbetet i paharruar”.

Kancelari Volfgang Shysel (Kancelar i Austrisë): “Ibrahim Rugova i dha trajtë politikës në Europën Juglindore me personalitetin e tij të fuqishëm. Ai promovoi zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë dhe punoi për të ardhmen e Kosovës pa menduar as për shëndetin e vet. Austria do të vazhdojë me gjithë fuqinë e saj t'i mbështesë përpjekjet për arritjen e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në Kosovë”.

Çka do t’u thoshte Zharkalliu këtyre personaliteteve?  Cilën gjuhë do ta vë në veprim në shkrimin vijues kundër tyre, sepse menduan e thanë ndryshe nga kurbetçari , të cilit ora i ka ngelur me 1945, në kohën e krimeve monstruoze të Enver Hoxhës e vëllezërve të tij M. Popoviqit e D. Mugoshës, që ia vranë edhe babanë presidentit Rugova, sepse ishte kundër pushtuesve serbo-malazezë.

P. S. Kur e lexova shkrimin e K. Zharkalliut me rrëqethi më shpifjet e denigrimet. Nuk e kuptova nga i merr këto informata të përmbysura.



(Vota: 11 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT