Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Liria e Shtypit, përparësi e politikës

| E marte, 05.05.2015, 07:01 PM |


LIRIA E MEDIAS: PËRPARËSI E POLITIKËS SË JASHTME TË SHBA

Nga Frank Shkreli

Si çdo vit edhe sivjet, 3 Maji shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.  Kjo ditë u shpallë si e tillë nga Asamblea e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me qëllim që anë e mbanë botës të celebrohen dhe të mbështeten parimet themelore të lirisë së shtypit, të vlerësohet gjëndja e lirisë së shtypit në mbarë botën, që të mbrohet media nga sulmet ndaj pavarësisë së saj dhe që kjo ditë të jetë gjithashtu një rast për të kujtuar gazetarët të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama kujtoi këtë ditë duke u takuar me tre gazetarë emigrantë, përfshirë edhe një gazetare të Zërit të Amerikës, Fatima Tlisova nga Rusia, gazetarë të cilët, tha presidenti amerikan, në vendet e tyre ishin objekt trajtimi të keq por që tani ushtrojnë lirisht profesionin e gazetarit në Shtetet e Bashkuara.  Ai theksoi se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, “është një ditë në të cilën ne ripohojmë rolin jetik që luan shtypi në një demokraci duke hedhur dritë mbi shumë sfida dhe barbarizma që ndodhin anë e mbanë botës, por edhe duke sjellur lajme të mira.”   Udhëheqsi amerikan lavëdori profesionin e gazetarve duke thënë se, “Gazetarët na japin të gjithë ne si qytetarë, mundësinë për të mësuar të vërtetën mbi vende të të tjera, të vërtetën rreth vetes tonë dhe të vërtetën mbi veprimtaritë e qeverive tona.  Kjo na bën ne më të mirë. Na bën më të fortë. Gazetarët u japin zë të pazëshëmve, ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës, udhëheqsit si unë.”

Presidenti Obama nënvijoi se, “Fatkeqsisht, në shumë vende të botës, liria e shtypit po sulmohet nga qeveritë të cilat duan të fshehin të vërtetën, ose sepse nuk u besojnë qytetarëve të marrin vet vendimet në lidhje me jetën dhe veprimtaritë e tyre.  Gazetarët kërcënohen, nganjëherë madje edhe vriten.  Enteve të pavarura të medias u ndalohet veprimtaria, kundërshtarëve u mbyllet goja dhe lirisë se fjalës po i zihet fryma”, theksoi Presidenti Obama.  Ai tha se liria e shtypit në botë është e rëndësishme për të gjithë ne, përfshirë shtoi ai, edhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara, “Por ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane.  Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një liri dhe e drejtë njerzore por njëkohsisht është edhe një e drejtë universale, liri zbatimi i të cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë”, për të gjithë.   Presidenti Obama ofroi mbështetjen e tij ndaj lirisë së shtypit kudo në botë dhe në emër të vendit që ai përfaqëson, deklaroi gjatë takimit me tre gazetarët imigrantë në Shtëpinë e Bardhë të shtunën që kaloi duke pohuar se, “Dua që t’a kuptojnë të gjithë se mbështetja jonë për lirinë e shtypit do të vazhdojë të jetë një përparsi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për arsyen se është e drejtë e doemosdoshme, por për më tepër, unë besojë se mbështetja ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës, është edhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”, përfundoi Presidenti Obama mesazhin e tij kushtuar Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Edhe Kongresi amerikan lëshoi një deklaratë mbi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.  Komisioni i Helsinkit i Kongresit amerikan u shpreh se “Në disa vende anëtare të OSBE-së, qeveritë po përdorin taktika gjithnjë e më të sofistikuara për të kërcënuar dhe për të diskurajuar gazetarinë profesioniste, duke burgosur gazetarët në përpjekje për tu mbyllur gojën kundërshtarve politikë.”  Kryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Kongresisti i Partisë Republikane Chris Smith tha se sjellje të tilla janë të papranueshme  nga vendet të cilat janë angazhuar të mbështesin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në bazë të Marrveshjes Përfundimtare të Helsinkit dhe u bëri thirrje sidomos Turqisë, Azerbaixhanit dhe Uzbekistanit që të lirojnë gazetarët që mbeten ende në burg.

Në një mbështetje tjetër ndaj lirisë së shtypit në botë nga ana e Shteteve të Bashkuara, Kongresisti Smith njoftoi se ka në plan që me 5 maj të paraqesë në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit, projektligjin “World Press Freedom Protection Act of 2015”, projektligj i cili sipas tij do të “autorizojë Presidentin që tu mohojë vizë hyrje në Amerikë individëve të cilët besohet se kanë kërcënuar lirinë e shtypit në vendet e tyre.  Projektligji do të kufizojë disa aktivitete të Shteteve të Bashkuara me drejtorët e enteve të mediave shtetërore nga vendet ku kërcënohet ose pengohen gazetarët amerikanë në kryerjen e detyrës së tyre.”  Dhe më në fund në projekligj i bëhet thirrje “Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që si pjesë përbërse e negociatave për traktate ndërkombëtare dhe marrveshje tregtare të përfshihet edhe liria e shtypit dhe liria e internetit.”

Ndërkaq, udhëheqsit e lartë të OKB-së në deklaratat e tyre me këtë rast thanë se liria e fjalës dhe liria e shtypit janë kritike për një qeverisje të suksesshme si dhe për zbatimin e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.  Ata i kujtuan vendeve të botës se liria e fjalës dhe liria e shtypit janë  gjithashtu jetike edhe për përpilimin e një agjende të re të një zhvillimi ekonomik global të qëndrueshëm.   Në një mesazh të përbashkët nga udhëheqës të lartë të OKB-së -- përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon -- thuhet se ushtrimi i një gazetarie me cilësi të lartë, "U mundëson qytetarëve që të marrin vendime të mirë-informuara rreth zhvillimeve në shoqërinë ku ata jetojnë", ndërkohë që gazetarët e mirë punojnë gjithashtu për të, "ekspozuar padrejtësitë, korrupcionin dhe abuzimin me pushtetin."   Zyrtarët e lartë të organizatës botërore theksuan gjithashtu shqetësimin e tyre të thellë në lidhje me mjediset e vështira të prekur nga dhuna e pasiguria në të cilat punojnë mijëra gazetarë çdo ditë anë e mabnë botës, duke nënvijuar se në zona konflikti dhe jo konflikti, çdo javë vritet të pakën një gazetar në krye të detyrës.  Në deklaratën e tyre me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit ata theksuan se, "Gazetaria duhet të lejohet të lulëzojë në një ambient që ua bën të mundur gazetarëve të punojnë  të pavarur nga influencat e ndryshme dhe pa ndërhyrje të tepëruar dhe në kushte sigurie", duke nënvijuar edhe temën e Ditës së Lirisë së Shtypit për këtë vit me pohimin se, "Ky është mesazhi ynë sot, që gazetaria të lulëzojë!"

Në mesazhin e tyre, ata theksuan gjithashtu se "Duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për zbatimin e së drejtës themelore të njeriut – e që është liria e fjalës dhe   liria e shtypit.”  Ndërkohë që kanë theksuar mbështetjen ndaj lirisë dhe të pavarësisë së gazetarisë tradicionale, OKB-ja theksoi edhe rëndësinë për të siguruar ushtrimin e një gazetarie të lirë, pluraliste dhe të pavarur, përball një bote digjitale që po ndryshon shumë shpejt.  Në lidhje me digjitalizimin e gazetarisë, në deklaratën e OKBsë thuhet se fatkeqsisht, "Teknologjia digjitale është shfrytëzuar për të përhapur urrejtje dhe për të nxitur dhunën, por ajo mund të përdoret edhe për të mirë, për të afruar popujt në një bashkbisedim global për ndërtimin e një bote më të mirë.”  Gazetaria e suksesshme, qoftë digjitale, qoftë tradicionale, tha udhëheqsi i OKB-së Ban Ki Moon, duhet të jetë e ankoruar në shkrime, raporte dhe informacione me cilësi të lartë gazetareske dhe si të tilla duhet të jenë në dispozicion të të gjithë shtresave të shoqërisë, përfshirë femërat.   Ai shtoi se "Femërat luajnë një rol kritik në fushën e gazetarisë, por që deri më sot ky rol është lënë pas dore".  Në lidhje me këtë, ai u bëri thirrje qeverive, shoqërive dhe individëve që të zbatojnë parimet universale të fjalës së lirë dhe të lirisë dhe pavarësisë  së medias e të cilat janë miratuar, tha ai, nga shtetet anëtare të OKB-së, me qëllim dhe si të nevojshme për shkëmbimin e lirë të ideve dhe të informacionit si mbrenda vet shteteve anëtare, ashtu edhe midis kombeve të ndryshme.

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, UNESCO-ja, që është enti i OKB-së i ngarkuar me mandatin për të promovuar dhe për të mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, emëroi -- njërën prej gazetareve më të njohura të botës dhe korrespondenten e cila mund të ketë kontribuar si asnjë tjetër në shkëmbimin e lirë të informacionit midis kombeve -- gazetaren dhe korrespondenten e shquar të CNN-it, Christiane Amanpour, si “Ambasadore të Vullnetit të Mirë për Lirinë e Fjalës dhe të Sigurisë së Gazetarve”, në mbarë botën.

Duke njoftuar emërimin e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Irina Bokova tha se gazetarja ndërkombëtare e CNN-it, Christianne Amanpour u emërua me motivacionin, “Në njohje të përpjekjeve të saja për të promovuar një media të lirë, të pavarur dhe pluraliste, me të drejtë veprimi të lirë nga dhuna, duke kontribuar, nepërmjet medias së lirë drejtë paqës, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, zhdukjes së varfërisë dhe ndaj respektit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut.”  Drejtoresha e UNESCO-s  vlerësoi punën e korrespondentes Amanpour duke iu drejtuar asaj se, “Në të shumtën e rasteve, përball bashkbiseduesve më të vështirë, ti ke vepruar me integritet dhe guxim, me bindjen se liria e fjalës dhe liria e medias janë të doesmosdoshme për shoqëri më të forta, për demokraci më të shëndosha, për paqë dhe pajtim, si dhe për një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm. Janë këto parime të cilat sot, më shumë se kurrë, duhet t’i mbrojmë-- ndërkohë që këto liri po kërcënohen sot anë e mbanë botës”, vlersoi ajo punën e gazetares Christiane Amanpour.

Ndërsa në fjalën e saj, pasi pranoi emërimin nga UNESCO si “Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lirinë e Fjalës dhe të Sigurisë së Gazetarve”, korrespondentja Christiane Amanpour theksoi rolin që luajnë gazetarët, të cilët ajo i cilësoi si, “shtylla të reformës, të lirisë dhe të demokracisë”, detyra e të cilëve tha ajo, është që të “përforcojnë shoqërinë civile.”   Gazetarja Amanpour u shpreh se si gazetarë, “Jemi në këtë botë për ta bërë atë një vend më të mirë, për të gjithë”.  Ajo bëri gjithashtu një thirrje plot pasion për lirimin e të gjithë gazetarëve të burgosur kudo qofshin ata dhe dënoi ashpër vrasjet dhe sulmet në rritje e sipër kundër përfaqsuesve të medias anë e mbanë botës.

Ndonëse tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit ishte, “Le të lulëzojë gazetaria”, si mund të lulëzojë gazetaria në një botë ku gazetarët në shumë vende   kërcënohen, sulmohen dhe burgosen dhe madje edhe vriten në raste kur ekspozojnë abuzimet dhe korrupcionin në nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore si edhe kur preken interesat e oligarkëve?  Prandaj, thotë Komisioni Për Mbrojtjen e Gazetarve, le të shërbejë “Dita Botërore e Lirisë së Shtypit” si një rast i mirë për gazetarët, për entet e ndryshme të lajmeve si dhe për organizata të të drejtave të njeriut kudo, që të pakën për një ditë të përqendroinë vëmendjen e tyre mbi rëndësinë e  lirisë së shtypit, e cila përbën bazën e shumë të drejtave dhe lirive të tjera bazë të njeriut. Me fjalën “shtyp”, nuk nënkuptohen vetëm lajmet e shtypura në gazeta, por i referohet vet funksionit që gazetaria luan në shoqëri  -- rol i cili duhet të mbajë pushtetarët dhe abuzuesit e pushtetit përgjegjës para popullit dhe njëkohsisht të informojë qytetarët mbi të drejtat e tyre dhe se si t’i ushtrojnë ato të drejta universale të garantuara nga ligjet e mbrendshëme si dhe nga konventat ndërkombëtare.

Gazetarja Christiane Amanpour, djathtas, “Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lirinë e Fjalës dhe të Sigurisë së Gazetarve”