E enjte, 18.04.2024, 04:46 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: Marashi

E diele, 20.07.2008, 06:01 PM


At Zef Pllumi
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''

At Zef Pllumi

LIBRI II

MARASHI

"Ata dy fëmijët që gjatë funksioneve fetare i kishem veshe xhakoj, ishin shumë të zgjuet. Më vinte keq që nuk mund vazhdojshin shkollë. Fola me familje të tyne. Marashin ma dhanë, megjithëse jo fort me andje. I ati më thonte: “Po ku don me e çue, more zotni? Kjo shkolla e tyne asht shkollë e dreqit e del dreq!” Nji ditë shkova ndër zyra të lokalitetit në Breg të Lumit dhe fola për Marashin, me e dërgue Lokaliteti me bursë. Vetëm njani prej atyne zyrtarëve kishte krye shkollën e mesme; gjithë tjerët ishin me fillore. Si përgjegje përfundimtare kje kjo: “Po me i çue tanë fëmijët në shkollë, kush i ruen dhitë këtu në Dukagjin?” E pashë se nuk delte gja prej tyne e u ula në Shkodër. Bashkë me djalin shkova në seksion t’arsimit. Më thanë: ke ardhë vonë. Shkolla nuk kishte fillue ende, por regjistrimet kishin mbarue. Nuk ma pranuen kurrsesi. Bashkë me te u nisa për Tiranë. Shkova te nji konvikt. Fola me drejtorin. Ndodhi burrë i mirë e i kuptueshëm.
-Pse kaq vonë?
-Me e dijtë ti se prej kah vjen ky fëmijë, thue që asht tepër herët. Asht prej malsive të Dukagjinit, atje në krye të kufinit. Nana i ka dekë, baba i shkretë ke me mbajtë ma parë, ky asht djalë i zgjuet e dam me e lanë pa shkollë. Ti e din mirë se ato male duhet të bajne kuadrot e veta, si n’arsim, si në shëndetsi, n’administratë etj., e jo me i dërgue atje njerëzit me shkollë prej Tirane e Shkodre.
-Ashtu asht, ashtu, por halli se bursat shtetnore janë plotsue, kanë mbetë pak vende me gjysa bursash.
-Don me thanë që gjysëm me e pague familja?
-Po, duhen 9 mijë lekë për tanë vjetin, e verës kthen te shpija.
Un atëhere i pagova ato 9 mijë e djali u regjistrue. I dhashë të gjitha porositë që mund japin nji prind. Sado rrallë, i premtova, do të vij me të pa e me pvetë për mësime. Fola me drejtorin, të cilit nuk i kallxova se ishem klerik, dhe ai e muer ashtu si i takonte nji edukatori. Kurrë nuk e pveta si e kishte emnin.
Për katër vjet e mbajta atë djalë në nji konvikt të Tiranës. Gjatë verës rrinte ma shumë me mue se në familje. Shkollën e naltë nuk mund e nxuer kurrsesi. Duket se në biografi ia kishin shti informatën e marrun kushedi prej kuj se e kishem dërgue un në shkollë. Nji ditë prej ditësh po më thotë: „E shka m’u desht shkolla që bana? A veç me ruejtë dhitë ndër Rrosulla tv Palajt?”
-Mbasi nuk të japin bursë n’Universitet, së paku kërko punë n’arsim ose n’administratë.
-Gjithkund i kam drejtue lutjet, por ma mbyllin derën. Patër, të lutem, mbaje sekret: më kanë thirrë e më kanë thanë që ke me u çue e me folë kundra fratit në mbledhje të rinisë. Në mos e bajsh këtë, vazhdo ruej dhitë me shkollën që ke. Un kurrë nuk mund e baj këtë gja! Më del e keqe.
U trishtova pa masë. Nuk ishem i zoti me i thanë asnji fjalë, asnji mësim si me veprue n’atë ças aq të rëndësishëm për te: Jeta e Nderi.

***

Kishin kalue 6-7 vjet e gjindesha përsëri në Repartin e Riedukimit në Ballsh. Në nji lloj bunkeri katror çimentje, rrethue në të gjitha anët me tela, komanda na kishte izolue kund nja nandëmbëdhjetë të burgosun, me akuza nga ma të ndryshmet. Ngjitun me mue ishin Dom Nikollë Mazreku e Gjon Perjaku. Nji ditë prej ditësh lexova në „Zëri i Rinisë“ nji ngjarje të kobshme: në lagjen Palaj të Shoshit, ndërsa në mbledhjen e Rinisë bahej „puna politike“ (Kështu thirreshin ato mbledhje ku flitej kundra Zotit e fesë ose, si i thirshin ata në të zbutun, „kundra zakoneve prapanike“) Marash Miruku e i dërguemi i Partisë Dedë Sokoli kishin mbetë dekun, gjuejtun prej nji rrufeje, ndërsa të gjithë tjerët antarë rinije kishin shpëtue gjallë. E lexova disa herësh, tue hulumtue imtë atë artikull në çdo rresht të tij e tue krahasue të gjitha ato të dhana me vendin e ngjarjes dhe personat që përmendeshin aty. Sytë m’u mbushën me lot dhe me dhimbje e hodha gazeten tue ofsha: o i shkreti Marash! Mbeta shumë i përmalluem. Gjoni, që e kishem ngjitë, po më pvetë:
-Pse t’u mbushen sytë me lot? Për si thotë gazeta, e kjofshin të vërteta, ai komunist duket se asht kenë.
-Nuk e besoj, por edhe sikur t’ishte ba antar partie, un atë e kam pasë si djalë.
-Me shka kuptova prej gazetës, duket se kanë ndër mend me e ba „hero“, ashtu siç kanë ba „heroj kot“ njiqind tjerë, deri atë qorrin, si i thonë atij, që pa sy ban dy norma pune në ditë. Mos u ban marak për te!
-Jo, Gjon, - ia ktheva, - nuk asht ashtu. Dhimbja që kam sot për te më duket sikur vjen nga nji përgjegjësi shpirtnore që kam pase ndaj tij. E kam gjetë fëmi, posa kishte mbarue filloren. Ishte shumë i mprehtë. U përpoqa me e dërgue në shkollë, mos me e humbë atë talent natyre. Babai i tij më kundërshtonte me ngulm. „Nuk asht shkollë kjo që bajnë komunistat“, më thotë: „Këta u hjekin trutë që u ka falë Zoti e në vend të tyne ua mbushin rradaken fëmijve me shtupa gazetash që janë plot marrina: me sha Zotin, thonë, asht punë e mirë; me vra anmikun, thonë, punë e mirë; me grabitë tjerët, thonë, asht mirë, se këta vetë nuk të lanë gja mbas shpirtit; për këta asht keq vetëm me guxue të shajsh Enver Hoxhën ose Partinë!“ Kështu më thonte aq shpesh baba i shkretë, deri që nji ditë vetëm se nuk donte të prishej me mue, ma la e un me shpenzime të mija e kam çue në konvikt në Tiranë.
-Mire të paska thanë ai plaku; duke se atje asht ba komunist.
-Jo, jo, nuk asht ba atje. Kur janë mbyllë kishat më 1967, i kanë kërkue që të flasë kundra meje, por ai nuk ka pranue. Tashti shifet se çfarë presionesh duhet të ketë pasë! A e ke ndie kah thotë mileti se „Këta të bajnë me ia hypë nanës...“? Nuk mund i gjykojmë të gjithë njerëzit të këqij. Mandej shif se u ba nji kohë tepër e gjatë që po rrnojmë pa shpresë. Zoti na lshoi dore. Këta rrxuen të gjitha kishat, ne na shtinë ndër burgje. Ngjarjet u rrokullisën e kurrkuj në botë nuk i bjen ndër mend për ne. Nji kohë që të mbyt shpirtin, të ligshton. Prej ligshtie njeriu edhe dorëzohet; detyrohet me ba nji punë që nuk duhet e prandej i lutet Zotit që t’i dërgojë edhe vdekjen. Edhe më vjen dyshimi, kur e analizova ngjarjen te „Zëri i Rinisë“, të përshkrueme aq imtë: e njajta rrufe ka vra delegatin e partisë 200 metra larg, dhe Marashin, në mbledhje të rinisë, shi në mes të tridhjete vetave, në dhomën ku dikur banojshem un. Asht e çuditshme: vetëm këta të dy! Merr dukjen e nji mrekullie të vërtetë, prandej mendoj se kurrë nuk kanë me ia dhanë titullin e „heroit të kotë“. Kush i din punët e Zotit? Ndoshta Marashi, shi ai vetë, me lot ndër sy, i asht lutun Perëndisë që ma parë: më gjuej me rrufe prej qiellit, mbasi kështu nuk e donte ma këtë jetë.
Urdhëni i Zotit thotë: Mos gjyko!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora