E shtune, 20.04.2024, 06:27 AM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Jules Simon - Harun Bej shqiptari

E diele, 03.05.2015, 07:44 PM


Harun Bej shqiptari -

ose Orientali shpirtçilter përballë shtetit të së drejtës

Nga Jules Simon

Jules Simon (1814-1896), politikan eseist, historian e filozof, ka qenë kalorës i Legjionit të Nderit të Francës, anëtar i Akademisë franceze, anëtar i Akademisë së shkencave morale e politike, si dhe senator nga viti 1875. Ka shkruar shumë vepra politike, filozofike dhe të ekonomisë shoqërore, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shumë organe të shtypit të kohës. Në librin "Kujtime për të Tjerët" botuar në Paris më 1890, trajton me humor të hollë figurën e një inxhinieri shqiptar në Parisin e gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Në Paris harrohesh shumë shpejt. Askush nuk e njeh më Harun-Beun. Para pesëmbëdhjetë vjetësh për të nuk flitej veçse bulevardeve dhe gazetave. Udhëtimi i tij në Francë të kujtonte udhëtimin e Çiltërorit[i] por ndryshe nga ky, Harun-Beu ishte një shpirtçiltër shumë i qytetëruar.

Nuk qe turk i Kostandinopojës apo i Azisë së Vogël, turk i mirë i shkollës së vjetër. Ishte një turkoshak i Ballkanit, lloj njeriu që po bëhet përherë e më i rrallë për shkak të dyndjes dhe gëlimit të serbëve e bullgarëve atyre viseve. Nuk gjen qenie që të të ngjallë më shumë kërshëri nga ai, sepse nuk ka njeri më të ndërlikuar dhe më të veçantë se një banor i atyre anëve të Ballkanit ngritur mbi nivelin e shtresës së mesme të shoqërisë.

Ai kishte së pari një origjinalitet të tillë shumë më të rrallë nga ç'mund të merret me mend. Ishte i krishterë nga të Kishës armene [ortodokse]dhe duke qenë se kishte lindur në Shqipërinë e Jugut, e mbanin për grek, europian për nga përkatësia fetare dhe turk për nga politika që sundonte në vendin e tij. Ky gjysmëbarbar kishte lëkurën e një të qytetëruari, madje edhe të një të rrahuri me vaj e uthull. Kishte përfunduar plotësisht studimet në kolegjin Karli i Madh, duke marrë aty edhe çmim të veçantë, si dhe studimet në Institutin Jauffret të rrugës Culture-Sainte-Catherine, ku kishte qenë shok me Louis Ulbach.[ii] Pikërisht, Louis Ulbach-u dhe ai kishin qenë poetët kryesorë të asaj Shtëpie; gjykuesit e paanshëm shpreheshin se vargjet e tyre qëndronin shumë më lart nga ato të Laurent Pichat.[iii] Sukseset që Haun-Beu korrte çdo mot në rrethin letrar të Shën-Karlit të Madh dhe në atë të Shën-Maksensës (Shën Maksensa ishte padronia e Zonjës Jauffret), nuk e penguan Harun-Efendiun të regjistrohej edhe në Shkollën qendore[iv] dhe të përfundonte studimet pas tre vjetësh, duke rrëmbyer një nga çmimet e para të atij institucioni me emër.

Me diplomën e inxhinierit të xhep, ja ku njeriu ynë zhduket befas në çast; dua të them zhduket nga Parisi dhe nga faqja e dheut, siç thoshim në atë kohë, për t’u varrosur në Shqipëri. U varros në kushtet më të hatashme të dynjasë, me një pasuri si ato të Njëmijë e një netëve dhe në një pallat mrekullor, midis detit e maleve, nën një qiell të kaltër. Se ç’ndodhi atje me të për vite me radhë, në jetoi si turk që e kish kaluar rininë e hershme në Paris, apo si parisian që fati e mërgoi në Trurqinë Europiane, as që ia kam haberin. Po ja ku ai vetë u kujtua për mua aty nga fundi i Perandorisë Osmane, dhe zu të më shkruajë letra të gjata për çështje filozofike.

E kuptonte filozofinë si shqiptar. Trajtesat e tij veçse më lodhnin; por shoqëroheshin nga vëzhgime rreth gjithçkaje që e rrethonte dhe nga mendime për vetveten, gjë që më interesonte tej mase dhe i gjegjesha me rregullsi, edhe pse përtesa nuk më shqitej. Letrat e tij krijonin pirgje që i quaja "letërkëmbimi nga Turqia". Dhe jam i sigurt se me pak përkushtim, do mund të hartohej me to një vëllim i bukur; po ja që jam tepër i zënë;veçse,nga ana tjetër, do të isha edhe tepër kaqol të veja e të merrja përsipër një detyrë të tillë. Dhe faji i takon në këtë mes Harunit të shkretë që vajti e më zgjodhi mua për letërkëmbyes, kur do të duhej të kishte zgjedhur Ulbach-un. Më shkroi më 1873 se ishte përpirë nga një mërzi e tillë sa gati po ia merrte frymën në atë Orient të shkretë dhe se më në fund, kishte vendosur të rikthehej në parisian.

“Ju keni lirinë me vete, më shkruante, se keni Republikën. Dhe liria përherë ka qenë idhulli im; do ta kërkoj këtë liri pikërisht aty ku ndodhet. Këtej e tutje, Franca do jetë atdheu im. Ubi libertas, ibi patria.”[v]

Pesëmbëdhjetë ditë më vonë, e shoh tek hyn në kabinetin tim të punës, me një thjeshtësi të tillë si të ishim ndarë jo më larg se një ditë më parë. Ndërkohë që nuk ishim parë që prej njëzet e pesë vjetësh. Prisja ta shihja tullac e barkkacek. Sepse as vetë s’e di përse i parashoh përherë turqit me bark të madh dhe me leshra të rëna. Mendoja gjithashtu se duhej të ishte i mbështjellë me çitjane të kaltërreme dhe këmishë mbërthyer gjer në grykë dhe përmbi krye t’i qëndronte një çallmë. Por jo, para meje u shfaq një njeri i zakontë, madje me pamje nga sërë e lartë, krejt i veshur allafrënga, me shtat të hajthëm lastar dhe me një bukuri plastike, gati ideale. Kishte prej Orienti vetëm mjekrën e mrekullueshme, pisë të zezë, të mëndafshtë, të dendur, aq sa mund të ngjallte edhe smirën e një arkimandriti a peshkopi të Levantit. E doja, nisur nga letrat që këmbenim, por tashmë, e doja edhe më shumë tek e pashë nga aq pranë dhe tek munda të gjykoj për mendjemprehtësinë që e karakterizonte dhe sigurinë që shprehte për çështje të tregtisë. Kaluam së toku në intimitet të plotë muaj të tërë dhe ruaj për të kujtimin më të dashur.

Mendova fillimisht se kishte ardhur në Paris për të shijuar një periudhë të këndshme. U paraqit në ndoca sallone mondane, por më shumë për t’u përshtatur si i huaj, se sa për të qenë pjesë e tyre. M’u lut në po këtë frymë ta vija në lidhje me shkrimtarët dhe artistët tanë më të shquar. Por shumë shpejt vura re se tek ai u rizgjua jo poeti i viteve të tij të rinisë, por inxhinieri i Shkollës Qendrore.

- Harun-Bej, i thashë një ditë, - sikur të mos ishit disa herë milioner, do të arrinit të bëheshit industrialist i zoti.

Më nguli vështrimin gjithë buzëqeshje dhe më vuri në dijeni se kishte marrë përsipër zgjatimin e bulevardit Haussmann. Ky bulevard duhej të lidhej me Boulevard des Italiens, por duke krijuar më parë një shesh të gjerë dhe duke anashkaluar godinën e Operas dhe atë të Teatrit. Më foli me hollësi për shumë gjëra të bukura që do të shfaqeshin mbi dhé falë zërit të tij. Dhe ai qoshk i qytetit do të shndërrohej në një nga më të bukurit, duke zotëruar mrekulli të tilla që zor se do t’i hasje gjetkë nëpër Paris. E dinte që do shpenzonte shuma të mëdha, por ai do bënte biznes për biznes, sikurse të tjerët bëjnë art për art. Do t’i bënte kështu, thosh ai, një dhuratë Republikës.

Fillimisht, zuri një banesë së bashku me familjen, si dikush që s’pyet për të holla, tek i futet një ndërmarrjeje afatgjatë. Dhe qëlloi mirë, sepse Z. Pozzo di Borgo sapo ishte larguar nga Parisi për disa vjet, duke ia lënë atij të drejtën e qirasë për pronën që zotëronte në Saint-Cloud me tërë ato kopshte të mrekullueshme, nga ku, me një vështrim të vetëm, rrok krejt Parisin dhe rrjedhën e Senës, gjer në Sharenton.Shtëpia kishte qenë e mobiluar nga një fisnik shumë i madh, me shije të përkryer; po prapë, Orientalit tonë, kjo nuk iu duk e mjaftueshme; grumbulloi në të gjithë ç’gjeti nga më të bukurat tek artistët dhe tregtarët tanë të objekteve të rralla, në mënyrë që të krijonte kështu një mjedis përrallor. Shërbehej vetëm nga shqiptarë e shqiptarka, sepse ishte parisian gjer në majë të thonjve për aq kohë sa ndodhej mes nesh, por shndërrohej në turk dhe kaluar turkut me të kaptuar pragun e shtëpisë.

Kishte tri gra për kënaqësi të syrit, dhe një mori shërbyesesh, luks disi i veçantë për një të krishterë; dhe lypset të them kalimthi se nuk qe një i krishterë i rëndomtë, nga ata që hasen me bollëk nëpër Paris, dhe që janë të krishterë thjesht nga pagëzimi. Sepse, gjëja e parë që bëri sapo mbërriti, ishte të mësonte se ku ndodhej kisha armene. Ndodhej tepër larg nga Saint-Cloud; atëherë, thirri një prift enkas për vete, dhe i kërkoi nga ana tjetër Charles Garnier-it[vi] t’i skiconte projektin e një kishëze që do kishte qenë vërtet një stoli. Mirëpo i thanë se, përderisa kishëza duhej të ishte publike, duhej marrë paraprakisht leje për ndërtimin e saj. Kërkoi lejen, nuk ia dhanë.

- Çudi, më tha, e ç’punë ka qeveria nëse njëqind e pesëdhjetë apo dyqind armenë që banojnë në Paris kanë qejf këtë apo atë kishë ortodokse për të pagëzuar fëmijët e tyre apo për të shenjtëruar martesat?

Por ajo çka synonte në radhë të parë, ishte të lartësonte gjithë madhështi kultin ortodoks. E donte pompozitetin, si tërë Orientalët.

- Do bëjmë, thosh, kremtime të tilla që të mos jenë parë kurrë në Paris e të mblidhen njerëz nga janë e s'janë.

Kishte porositur flamuj, banderola e zbukurime kur e vunë sërish në dijeni se as ajo fantazi nuk ishte më e realizueshme nga projekti i parë. Gjithkush është i lirë të ushtrojë kultin e vet në Francë; por ama, brenda katër muresh. Qëkurse kemi Republikën, Pelletan dhe Pressensé ç’nuk bënë për të zgjeruar disi lirinë fetare; për shembull, të njihej liria për të ngritur kisha pa autorizim të Ministrisë së Brendshme; apo të bëhej predikimi i moralit të krishterë duke u mbledhurrregullisht rreth njëzet veta. Këtyre projektligjevetë tyre s’u mbeti as nami, as nishani; dhe në fakt, qëlloi keq, përderisa sivëllazëritë po shkrihen dhe kishave po uvihet dryni; ngaqë hajt t’u jepet kuvendeve fetare e njëjta liri si e mbledhjeve elektorale, apo e klubeve socialiste. Harun-Beu, që ishte një fanatik i lirisë, nuk kuptonte asgjë nga tërë këto pengesa. Më thosh një e dy:

- Po pse të ndodhë kështu?

- Sepse kanë frikë - i thashë -, se mos ata njëqind e pesëdhjetë armenët e tu ortodoksë venë e përmbysin Republikën duke vajtur në meshë, apo se mos njëqind e pesëdhjetë jezuitë venë e turbullojnë shtetin duke u mësuar nxënësve rrënjën greke të fjalëve.

Aq bindej si fëmijë, sa nuk ngurrova ta pyesja se si mund të ndodhte që, edhe pse ishte një i krishterë i mirë, kishte po aq gra sa një mysliman. Ia dha gazit:

- Kam vetëm një grua, më tha, një grua të ligjshme, që është nëna e tim biri. Po në dheun tim të Shqipërisë ku jetoj, kisha arsye ta fshihja fenë time. E ushtroja me dyer të mbyllura, si ndodh edhe tek ju; dhe, për t’u maskuar sa më shumë, vija dy zonja të shoqëronin time shoqe; kështu që në sytë e miletit, ato kishin namin si gratë e mia e dyta dhe e treta. Ky lloj maskimi bënte që unë të shfaqesha sa më origjinal.

“Në vendin tim, - vijonte ai -, askush nuk është beqar. Sepse të vënë menjëherë nofkën e kodoshit, po qe se nuk ke grua, apo të shohin si të krishterë në ke vetëm një. Andaj edhe jam pështirosur nga Orienti. Këtu, të paktën, jam zot në shtëpinë time. Mund të kem gra sa të dua, a të kem një të vetme, apo edhe hiç fare. Ja që ju e keni këtë liri, miku im, ndonëse nuk i kini tërë liritë që pandehja.

- Po, - e miratova -, për aq kohë sa gruaja jote e pranon një gjë të tillë, je i lirë të mbash në shtëpi të dy zonjat që i cilëson si shoqëruese; veçse lypset doemos pëlqimi i saj, në s’do që ta shohësh veten rrasur në hapsanë sikur t'i hipë në kokë të vejë e të denoncojë se mban dashnore nën çatinë bashkëshortore.

- Në mos i hiptë në kokë të më zhdëpë edhe në hu! - ma ktheu duke u shqyer gazit. - Po nga kjo anë, s’e bëj qejfin qeder: Fatimen e kam gruan më të mirë në botë, që nuk shpreh kurrfarë xhelozie. Vetëm se nuk ia përtoj për t’i thënë që sikur po plaket.

E regjistroi të birin në kolegjin e tij të dikurshëm Karli i Madh, që sot është shndërruar në gjimnaz. E kisha paralajmëruar se s’kish për të gjetur më aty as Jauffret e as Massin.

- Nuk është se ndjej ndonjë keqardhje, - më tha. - As që do doja që im bir të ishte konviktor e të njihte një jetë veç me rregulla e disiplinë të ashpër, gjë që s’i ka hije shkollës së lirisë. Le të mësojë që i ri të mbështetet te vetvetja.

Vuri në dijeni kujdestarin e shkollës, që në atë kohë ishte i shkëlqyeshmi Z. Broca, se e kishte bërë tashmë përzgjedhjen e lëndëve që figuronin në program, dhe se nuk dëshironte, për shembull, që i biri të mësonte latinishten. Z. Broca nuk mungoi të ngrejë zërin. Po Harun-Beu nguli këmbë në të vetën:

- Jam unë që vendos për tim bir, apo jo!

- Jo, - ia ktheu Z. Broca -, përderisa na e besoni neve, jemi ne që vendosim dhe jo ju. Nuk jeni aspak ju, po është Z. Batbie (në të kohë ministri i Arsimit Publik) që vendos se çfarë duhet të dijë dhe çfarë nuk duhet të dijë biri juaj.

Një e folur e tillë iu duk krejt e pazakontë.

- Shpjereni atëherë në shkollën Chaptal - i tha Broca për ta zbutur; - atje po, mund të zgjedhësh në do apo nuk do të mësosh latinishten. Është kolegj që u përshtatet kërkesave të prindërve. Dhe po deshët, si i huaj që jeni, mund të mos e regjistroni në asnjë shkollë dhe të mos i jepni asnjë arsimim. Por ama, po të ishit francez, do viheshit para detyrimit që biri juaj të mësonte edhe këngën, edhe plastelinën, edhe ushtrimet ushtarake.

Kishte sjellë nga trojet e tij punëtorë.

- Janë punëtorë të zotë - thoshte -, kokulur e pa fjalë. Punojnë njëmbëdhjetë orë në ditë gjatë verës dhe janë mësuar të më respektojnë e të më binden. Më duan, ngaqë i paguaj mirë dhe e dinë se kurrësesi nuk do t’i braktisja, ndërkohë që janë aq shumë nevojtarë.

I dhanë urdhër se duhej t’i paguante gjashtëdhjetë cent ora, në vend të pesëdhjetë, sikurse ishte marrë vesh me ta.

- Po pagesa pesëdhjetë kacidhe - tha -, është më se e përshtatshme për punën që bëjnë e që s’kërkon aftësi të veçantë profesionale. Është e mjaftueshme dhe ata janë të kënaqur.

- Ashtu është -, gjegjën. - Po ja që këshilli bashkiak ka miratuar tarifa fikse dhe ju jeni i detyruar t’i zbatoni.

- S’i kisha bërë kështu hesapet, - tha. - Po shyqyr që kam prona në Shqipëri e në Epir për të përballuar gjithçka.

Tetë ditë më vonë, një çështje e re. E thërrasin në prefekturë:

- Keni në kantiere - i thanë - nëntëqind punëtorë, dhe nga këta, treqind janë francezë dhe gjashtëqind shqiptarë. Ktheni nga kanë ardhurtreqind shqiptarë dhe zëvendësojini me treqind francezë. Lejoheni të keni vetëm një të tretën e krahut të punës të huaj, dhe po ju bëjmë edhe për këtë një lëshim të madh. Duhet të kuptoni se po jua bëjmë këtë lëshim nisur nga traditat mikëpritëse të kombit tonë dhe në bazë të parimit të demokracisë, që shprehet edhe në himnin e famshëm: Gjithë popujt për ne janë vëllezër (Tous les peuples pour nous sont des frères).

Madje magjistri që i dha këtë urdhër, u kujdes që t’i linte të kuptonte se një lëshim i tillë nuk do zgjaste shumë; se do t’ia shkurtonin ende numrin e të huajve që po i lejoheshin, ndoshta deri në dhjetë përqind.

- Dhe prapë, ky numër i zvogëluar nuk do ketë sigurim, - i tha. - Sepse vërtet ligji dhe rregulloret e lejojnë këtë përjashtim, po ne nuk mund të përgjigjemi për ç'ka mund t'u ndodhë punëtorëve. Mund të qëllojë fare mirë që tanët t’u rrëmbejnë veglat e punës shokëve të tyre shqiptarë, gjë që është në të drejtën e tyre, - sqaroi magjistri mendjendritur -, apo të bëjnë befas grevë; dhe po qe se ia nisin grevës, këshilli bashkiak e ka për detyrë t’i paguajë, dhe në fund, do jeni ju që do të shlyeni tërë detyrimet. Madje, e mira është që t’ia nisni që këtej lidhur me detyrimet që duhet të përmbushni.

U shtrëngua t’i plotësojë një më një, duke psherëtitur thellë.

Ishte muaji gusht. Punëtorët ia nisnin punës nëpër kantiere që në agim rreth orës gjashtë për të vijuar gjer në orën gjashtë të mbrëmjes. Duke hequr një orë për drekën, kjo do të thoshte se punohej njëmbëdhjetë orë rresht. Drejtuesit e punimeve e vunë në dijeni se tanimë puna niste në orën shtatë, dhe në orën pesë ndërpritej. Shkoi fill e mes punëtorëve për të diskutuar me ta.

- E po rregulli, padron, është të punohet nëntë orë, jo më shumë, - i thanë.

- Po pse, ç’ju kushton të punoni njëmbëdhjetë orë, përderisa keni mundësi dhe paguheni për orët suplementare?

- Jo, nëntë orë dhe asnjë më shumë. Siç është vendosur. Kështu e ka rregulli i këshillit bashkiak.

- Atëherë, kot të vazhdojmë, - e preu bisedën Harun-Beu. - Kush do, le të punojë nëntë orë, të tjerët, po deshën të fitojnë më shumë, do të punojnë njëmbëdhjetë orë. E pra, rroftë liria!

- Kurrësesi jo! - gjegjën punëtorët. - Nuk keni dëgjuar të flitet për ditën e punës shtatorëshe nga Organizata e Punës? Është hedhur tashmë për diskutim, edhe pse sot në fuqi është dita e punës nëntorëshe dhe asnjë minutë më shumë.

Nuk e zgjati më tej, sepse s’kish pse prishte humorin.

Ishte përherë gjithë kujdesje ndaj aksidenteve që ndodhnin kantiereve. Kishte ndërtuar baraka të posaçme, plot higjenë e ndriçim për të plagosurit në punë a të sëmurët, gjithnjë me shpenzimet e veta. Bile, kishte sjellë që nga Shqipëria një mjek, të besuarin e tij, tepër i ndërgjegjshëm e i zoti, siç thuhej. Nuk qe një mjek sa për të shkuar radhën, po një njeri gjithë përvojë, i ngritur, që ishte formuar në Francë. Përmendnin tërë ato studime që kishte dërguar në Institutin dhe Akademinë e Mjekësisë. Mirëpo një ditë, atë e thërrasin në komisariat të policisë.

- Flitet,- e vunë në dijeni, - se ju ushtroni profesionin e mjekut, pa qenë mjek. A jeni i diplomuar?

Tregoi një diplomë të Universitetit të Beogradit.

- Nuk mjafton, - i tha komisari. - Duhet diplomë franceze, ose pasandaj barasvlefshmëria e saj enjohur nga ministri, pas vendimit të marrë nga Këshilli i lartë.

Mjeku u shtrëngua të heqë dorë nga të sëmurët e vet. Dhe Harun-Beu që u detyrua t’i paguante tjetrit shpenzimet e udhëtimit për t’u kthyer nga kishte ardhur, jo pa e dëmshpërblyer edhe me një shumë të majme.

E merrni me mend se nuk po i rrëfej një për një të gjitha. Po i them siç më vinë në mendje tërë telashet që po njihte Shqiptari. Edhe pse me karakter të fortë dhe me prirjen për të parë anën e mirë të gjithçkaje, miku, prapëseprapë, sikur zuri të acarohej disi.

- Fundja, - tha ai, - nuk jam as francez, as parisian. Po i shpie milionat e mia gjetkë. E punë e madhe për Parisin se ngeli pa u shpënë deri në fund bulevardi Haussmann.

Dhe një incident i papritur do ta përshpejtonte vendimmarrjen e tij.

U kishte dhënë urdhër muratorëve të përdornin vetëm litarë të rinj, me një diametër të posaçëm për varjen e skelave të lëvizshme. Por një brigadier theu urdhrin kategorik dhe vuri në përdorim, si gjoja për kursim, litarë aspak të përshtatshëm, gati të kalbur. Dhe e pësoi vetë i pari, sepse, sapo u ngjit mbi skelën ku do punonte së bashku me disa shokë, veç kur litari këputet dhe bie skela e ai nxjerr shpatullën nga vendi. As që qe vendi për ta qortuar për fajin e bërë. Harun-Beu kërkoi në çast t’i shkonte pajtoni i doktor Nachtel-it, përcolli të lënduarin në ambulancë, i qëndroi te koka kur e vunë në allçi (fashimi sipas mënyrës Guerin dhe jo tjetër!), u sigurua që i plagosuri s’kish nevojë për asgjë dhe u largua veç për ta mbajtur vrapin në familjen e brigadierit, ku nuk e kurseu dëmshpërblimin dhe fjalën ngushëlluese.

Të nesërmen, e thirrën në gjykatën ndëshkimore, duke e dënuar të paguante një shumë të majme si dëmshpërblim për punëtorin e plagosur në kantierin e tij në punë e sipër, si dhe për paaftësi të përkohshme pune të tij (kur në zanafillë, vetë punëtori e kishte fajin).

- Po iki, - më tha. - Po kthehem në Shqipëri. Nuk e gjeta në Francë çka kërkoja.

- Pse, ç’kërkoje, i dashuri mik?

- Lirinë, - ma pat. - S’po e gjej askund. S’kam as liri për çerdhen familjare, as liri ndërgjegjeje, as liri pune. Edhe ju vetë, që jeni francez, nuk jeni i lirë. Qeveriseni dhe qortoheni rreptë.

- E keni gabim, - i thashë. - Vërtet ndodh të merren masa që nuk më pëlqejnë. Ndodh të më thërrasin në gjyq e të më ndëshkojnë. Por gjyqtarët, anipse s’më kënaqin, janë emëruar, në fund të fundit, nga ministri i Drejtësisë; ministri i Drejtësisë është emëruar nga Presidenti i Republikës; Presidenti i Republikës është emëruar nga Kongresi; Kongresi përbëhet nga anëtarët e dy Dhomave; dhe anëtarët e dy Dhomave janë emëruar nga kuvendet e votuesve të popullit francez, ku kam të drejtë të votoj. Tërë këta njerëz përbëjnë pushtetin kushtetues; dhe unë vetë i përkas një të dhjetëmiliontës këtij pushteti. Jam pjesë e sovranit. I vënë nën fre, nën haraç, në hapsanë. Po i lirë, ja që jam.

Përktheu: Fotaq Andrea


[i] Tregim filozofik i Volterit, Candide ou l'Optimisme, bot. i parë 1759.

 

[ii] Louis Ulbach (1822-1889), gazetar, romancier dhe dramaturg francez.

 

[iii] Laurent Pichat (1823-1886), politikan, pet dhe letrar francez.

 

[iv] Ecole centrale des Arts et Manifactures në Paris, është një nga shkollat më të mëdha e më në zë të Francës për inxhinieri.

[v] Latinisht:  Ku është liria, atje është atdheu im. 

 

[vi] Arkitekt i njohur francez (1825-1898).



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora