E marte, 19.03.2024, 07:48 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Një kujtim për patriotët çamë

E shtune, 02.05.2015, 05:00 PM


NJË KUJTIM PËR PATRIOTËT ÇAMË

Nga Adil FETAHU

Pozita e volitshme gjeostrategjike e trojeve shqiptare ka qenë “fatkeqësi” gjatë historisë, sepse ka nxitë lakminë e fqinjëve për pushtimin dhe zotërimin e saj. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (1912), nuk e zgjidhi problemin kombëtar, por dha shkas që fqinjët tanë: serbë, grekë, malazezë, por edhe italianë të nxitojnë ta pushtojnë, ta copëtojnë e kush më shumë të merr dhe aneksojë për vete trojet shqiptare. Konferenca e Londrës (1912-1913) caktoi vetëm parimisht, në hartë, kufijtë e Shqipërisë së pavarur, por, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila zgjati katër vjet (1914-1918), ngjarjeve që ndodhën në ndërkohë dhe intrigave e marrëveshjeve të fshehta e të hapta të fqinjëve tanë, por edhe të disa fuqive të mëdha (Itali, Francë, Angli), çështja e Shqipërisë dhe shqiptarëve u komplikua aq shumë, sa që rrezikohej të fshihej krejtësisht nga harta politike dhe nga  faqja e dheut.

Lufta e Madhe mori fund më 11 nëntor 1918, kur u nënshkrua akti i armëpushimit. Përpos 15 milionë të vrarëve, 20 milionë të plagosurve dhe shkatërrimit të shteteve dhe të ekonomisë,  lufta shkaktoi rënien e Perandorisë Osmane dhe  të Austrohungarisë, prej të cilave u formuan ose u rritën shtete të reja, sikurse që lindën edhe shtetet baltike pas Revolucionit të Tetorit (1917). Më 18 janar 1919 u mblodh në Paris Konferenca e Paqes, për të caktuar kufijtë e shteteve të reja e të vjetra. Në Konferencën e Paqes shkuan dy delegacione të shqiptarëve: njeni delegacion i Qeverisë së Durrësit, me në krye Turhan pashë Permetin, dhe tjetri ishte delegacioni i kolonive shqiptare në diasporë (Amerikë, Turqi, Rumani) i kryesuar nga Pandeli Evangjli. Më 7 mars 1919, delegacioni qeveritar i paraqiti Konferencës një Memorandum, me të cilin, veç tjerash, propozonte që në krahinat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, të vendoseshin forcat ushtarake të ShBA-ve për një mandat një ose dy vjet, që të siguronin plebishitin e deklarimit të lirë të shqiptarëve se në cilin shtet dëshironin të jetonin. Këtë protektorat amerikan mbi krahinat shqiptare e përkrahi edhe delegacioni i kolonive shqiptare (Pandeli Evangjeli, më 15 prill 1919). Më përpara,  shqiptarët e Amerikës, të tubuar në një kuvend të “pazakontë” në Boston (më 4 janar 1919), i bënë thirrje qeverisë së Amerikës dhe qeverive të fuqive tjera të mëdha, të rivendosnin pavarësinë e Shqipërisë dhe ndreqjen e kufijve, duke përfshirë krahinat shqiptare të cilat padrejtësisht ia kishte shkëputur Konferenca e Londrës, dhe që ato krahina të vihen e sigurohen nën protektoratin amerikan derisa të deklarohej popullsia për fatin e vet. Në ndërkohë, në Konferencën e Paqes në skenë e në  prapaskena zhvillohej aktiviteti, propaganda dhe intriga në dëm të Shqipërisë e të trojeve shqiptare jashtë shtetit. Propaganda dhe gënjeshtrat greko-sllave kishin arritur deri aty, sa ta bindin edhe presidentin amerikan Woodrow Wilson, se Vlora, Sazani me një rrethinë mbrojtëse duhej t’i mbetej Italisë, e cila veç gjendej në posedim. Po, gjithashtu rrezikohej që edhe pjesët veriore e jugore t’i marrin sllavo-grekët.  Delegacionet shqiptare, ndonëse ai qeveritar ishte i përçarë, megjithatë falë angazhimit të disa figurave autoritative, bënë çmos për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi, por edhe për përfshirjen e krahinave tjera shqiptare brenda kufijve të Shqipërisë. Nga të gjitha anët, pjesëmarrësve të Konferencës dhe qeverive të fuqive të mëdha, u dërgoheshin rezoluta, memorandume, deklarata, kërkesa në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare. Një kontribut të veçantë në demaskimit e propagandës greke dhe në paraqitjen e realitetit të popullsisë së Jugut të Shqipërisë, ka dhënë komuniteti ortodoks shqiptar i Amerikës dhe vëllezërit Konica. Shpresa e vetme ishte varur që  Amerika, dhe presidenti Wilson t’i mbronte interesat shqiptarëve në Konferencën e Paqes. Këtu po japim tekstin e një rezolute që patriotët çamë të Amerikës,  që ia kishin dërguar presidentit Wilson më 4 maj 1919 (sot e 96 vjet më parë), me të cilën i propozonin t’i mbronte kërkesat e drejta të shqiptarëve. Tekstin e Rezolutës, po e japim siç ishte shkruar atëherë.

“ Komisioni i Partisë u mbloth sot (4 maj 1919) në një mbledhje të jashtëzakonshme dhe duke  biseduar për mbi rekomandimin e Presidentit Wilson, që Vlora mund t’i mbetet Italisë,- me një zë vendosi t’i dërgojë Presidentit Wilson këtë rezolutë:

1.         Duke shtruarë edhe duke biseduar përmbi rekomandimin që bëri Presidenti Wilson, më 14 të prillit, se Vlora, vendi i shenjtë ku u prokllamua independenca e Shqipërisë është tërësisht e ndenjur prej shqiptarësh t’i jepet Italisë;

2.         Duke parë se ky rekomandim është në kundërshtim me parimet e kombësisë edhe të vetëvendosjes, edhe se viset edhe popujt nuk mund të dorëzohen nga një qeveri tek tjetra si  kafshët, kundër dëshirës së tyre;

3.         Duke marrë ndër sy se ky rekomandim është në kundërshtim me parimin “Ballkani për popujt e Ballkanit”;

4.         Duke marrë ndër sy, se po t’i jepet leje Italisë të mbajë Vlorën, jo vetëm shqiptarët, por tërë kombet e Ballkanit do të jenë , të thoni të paktën, nën zgjedhen ekonomike të pamohueshme të saj, sepse duke zotëruar të dy anët e Ngushticës së Otrantos, Adriatiku bëhet një liqen Italian,-

me zëra të përgjithshme votoi t’u lutet Shquanjësisë s’uaj t’a rekonsideroni këtë rekomandim, edhe nënë dritën e arsyeve më sipër emëruar t’a anuloni. Shqipëria, nuk është e mundur të rrojë pa Vlorën, sikundër njeriu nuk mund të rronjë pa mushkëri.

Shqiptarët, duke marrë ndër sy qëllimin për të cilin luftuan me anën të Fuqive Aliate, duke pasur  ndër sy deklaratat edhe betimet solemne që janë bërë për të drejtat të kombeve të vogla, duke marrë ndër sy drejtësinë e çështjes tyre,  kishin çdo arsye të besonin  se në këtë Konferencë të Paqes do t’i ktheheshin Shqipërisë tërë viset shqiptare, të cilat padrejtësisht u shkëputen nga trupi i saj prej Konferencës Londrës 1912-1913 edhe iu dhanë Malit Zi, Serbisë edhe Greqisë, dmth. Çamëria dhe Kosova , po në vend të kësaj, rekomandimet që po bëhen nuk qëllojnë tjatër përveç se ndarjen e plotë të atdheut tonë, midis fqinjëvet tanë lakmonjës.

E vetmja shpresë e Shqipërisë Shquanjësia juaj, edhe nxehtësisht u lutemi të mos e lini fatin e saj në duart e fqinjevet saj lakmonjës, po duke marrë ndër sy drejtësinë e saj, të hiqni rekomandimin që bëtë për Vlorën, edhe mbi themel të deklaratave solemne që keni bërë për të mbrojtur të drejtat e kombeve të vegjël të merrni përsipër barrën e ndershme edhe të punoni për tërësinë e Shqipërisë edhe për lirinë e plotë të vendit tonë të mjerë...”. (nga libri i Hajredin Isufit:”ÇAMËRIA”, fq.246-247).

Nuk duhet harruar përkrahjen dhe kontributin që dhanë për çështjen shqiptare edhe shume personalitete amerikane. Ndër ta, po përmendim Charl Telford Erickson, një personalitet me autoritet të pakontestueshëm amerikanë, i cili punoi si emisar i ShBA-ve në Shqipëri. Me një memorandum që Ericksoni i kishte dërguar presidentit Wilson (1919), propozone rivendikimin e kufijve të Shqipërisë të vitit 1913 dhe vendosjen nën protektorat të përkohshëm të ShBA-ve, për  të siguruar konsolidimin e shtetit. Në përkrahje të delegacionit të shqiptarëve në Versajë, Ericksoni  foli dhe protestoi kundër padrejtësive që Konferenca po u bënte shqiptarëve.

Angazhimi i patriotëve shqiptarë e ndonjë përkrahës i tyre, bëri që presidenti Wilson, që ishte autoriteti i demokracisë dhe drejtësisë botërore, të ndërrojë qëndrimin në favor të shqiptarëve, ashtu që Qeveria amerikane më 6 mars 1920 i dërgoi Konferencës së Paqes një notë, me të cilën këkonte që çështja shqiptare të mos përfshihej në diskutimet e përbashkëta midis Italisë e Jugosllavisë, të cilat në diskutimet e tyre për çështjen e Adriatikut bënin pazare në kurriz të  Shqipërisë. Vet presidenti Wilson, si personi kryesor  i Konferencës, nuk pajtohej që tokat shqiptare në Veri e në Jug t’i jepen Jugosllavisë e Greqisë, sipas planeve paraprake të fshehta e te hapëta.  Nota e qeverisë amerikane dhe qëndrimi  i vendosur i presidentit Wilson në Konferencën e Paqes ishin në harmoni me planin e njohur prej 14 pikash të presidentit Wilson (janar 1918) për zgjidhjen e drejtë dhe mbrojtjen e kombeve të vogla pas Luftës së Parë Botërore.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (17 dhjetor 1920), ishte një kthesë tjetër në favor të Shqipërisë londineze, pasi që kështu u njoh si shtet sovran dhe i pavarur, ndonëse territorin e saj e mbanin të okupuar Greqia, Jugosllavia, Italia, Mali Zi, dhe se caktimi i kufijve të shtetit  u bë me shume vështirësi , me marrëveshjes përfundimtare  për kufijtë e Shqipërisë, të cilën  më 26 qershor 1926 e nënshkruan: Greqia,  Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Britania e Madhe, Franca dhe Italia.

Në shenjë miradije për ndihmën e Amerikës e të presidentit Wilson, që kishin dhënë për shtetin, shqiptarët  kishin thurë vargje e këndonin këngë. Profesori amerikan Elmer J.Jons, asokohe ishte emisar në Shqipëri, kishte dëgjuar një këngë të tillë, që fillonte me vargjet:

“Thërresim rroftë Amerika, / Madhëria e tij Wilsoni,/ Me katërmbëdhjetë pika,/I thotë Evropës qendroni...”.

Profesori Jonx e kishte regjistruar këngën të plotë, i kishte përkthyer vargjet, dhe me një letër përcjellëse ia kishte dërguar presidentit Wilson. Pasi e kishte lexuar letrën dhe vargjet e këngës, presidenti i kishte  kthyer profesorit Jons letër me këtë përmbajtje:

Washington D.C., 26 janar 1922

I dashuri profesor Jones,

Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S’ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë ndaj meje në Shqipëri.  Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe, ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë mbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare .

Me urime të përzemërta,

Woodrow Wilson”

* * *

Ndonëse populli shqiptar është populli më dashamirës në botë ndaj  ShBA-ve,  dhe kurrë nuk e ka harruar përkrahjen, ndihmën, kontributin e popullit, të shtetit e të presidentëve të Amerikës për çështjen shqiptare, shpesh duhet t’i kujtojmë edhe personalitetet  e tjera,  për angazhimet dhe kontributin e tyre, atëherë e sot! Po nuk duhet harruar përpjekjet, mundin, sakrificën dhe kontributin  edhe të patriotëve tanë shqiptarë, për çështjen kombëtare në kohë të vështira e të kthesave të mëdha.

Unë këtë  e bëra sot, në 96-vjetorin e Rezolutës së patriotëve çamë të emigruar në Amerikë, që ia kishin dërguar presidentit Wilson, më 4 maj 1919, për shpëtimin  jo vetëm të Shqipërisë londineze, po  për të gjitha trojet  e banuara me shqiptarë. Po sot, në tryezat e bisedimeve të shumta ndërkombëtare, në diplomaci,  në media  e propagandë ndërkombëtare, a   po e përmendim e sensibilizojmë çështjen e Çamërisë, pjesës më të bukur të Shqipërisë etnike, çështjen e trojeve shqiptare të zaptuara  nga Mali Zi të cilat po  braktisën (ndërsa Mali Zi akoma don të uzurpojë territor të Kosovës), çështjen e Luginës së Preshevës (që Medvegja u shpopullua nga shqiptarët), çështjen e Iliridës (ku maqedonasit e pa identitet kombëtar bëjnë masakra mbi shqiptarët e përçarë nëpër parti politike)?!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora