E marte, 23.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Kisha e Shna Ndout - 20 vjetori i bekimit

E shtune, 02.05.2015, 06:01 PM


Kisha e Shna Ndout kremton sot 20-vjetorin e bekimit

Nga Albert Vataj

Kisha e Shna Ndout kremton sot në një ceremoni modeste 20-vjetorin e bekimit të saj. Përkujtimi i kësaj dite nis me meshën e shenjtë në orën 09:00, vazhdon me procesionin me reliken e Shna Ndout mbas meshës dhe mbyllet me një kokteil në "Sofrën Vllaznore". Një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të forcës së besimit, të ringritjes dhe të ngjalljes së shpresës, vjen në këtë përvjetor si një tempull i naltësuem. Mijërat e mijërat e besimtarëve që kanë prekur mrekullinë e këtij tempulli, qindra prej tyre që kanë gjetur paqe dhe shërim, në besimin e tyre dhe në vullnesën e shenjtë të Shna Ndout, janë dëshmi e patjetërsueshme mbi mrekullinë e shëlbimit. Shërbesa dhe hiri i hyut që ata kanë gjetur në themele të kësaj kishe, besimtarë të besimeve të ndryshme nga Shqipëria dhe nga vende të tjera, është emblematike. Kisha e Shna Ndout në Laç është tashmë në listën e vendeve të shenjta dhe mrekullibërëse. Shpëtimi i shpirtit dhe trupit, ngjallja e besimit dhe rifitimi i paqes, që ka prekur vullnesën për ndihmë të besimtarëve, ka bërë që kjo kishë, kjo shërbestore të kthehet në një strehëz të ngrohtë, e prehër i dashur për të gjithë ata që forca e tyre e besimit, Shna Ndou u ka dhënë energji dhe nxitje, ku më parë kishte zotëruar plogështia dhe dyshimi, ka dhënë shërim në atë trup dhe shpirt, ku lëngimi dhe vraga, dhimbja dhe pengimi kishin bërë strehë; aty kanë gjetur strehë dhe shpëtim ata shpirtra të pushtuar prej lakmisë dhe mëkatimit. Edhe vetë historia e Shna Ndoiut dëshmon përpjekjen dhe ngadhnjimin, rrënjët ku mbiu kjo shërbestore e mrekullibërjes që vjen sot në këtë kremte të hyjshme si dëshmi e forcës së besimit .

Të dhëna historike mbi ekzistencen e Shenjtërores

(mbledhur nga atë Donat Kurti ofm në vitin 1970)

“Âsht per t’u çuditë, se si Emz. Mark Skura nder rrelacjone Ndër kohët e hershme Sebastja ká kênë nji qytetzë me randësí në pikpamje strategjike. Germadhet e saja shifen edhe sot në nji maje jo fort naltë kah veri-lindja e katundit Laç në Kurbî. Qytetza ose Kalaja e Sebastes zotnon mbarë fushen deri në breg të detit. Ajo, pá dyshim ka kênë edhe në kohë të Rromakve; ketê e vertetojn edhe êmnat e shumtë latinisht, qi ruhen edhe sot rreth e rreth. Me qytetzen e Sebastes âsht e lidhun edhe gojëdhana e Shna Vlashit e 40 Martirve, si edhe historija e Kuvendit Françeskan në Sebaste e Kisha e vjeter, qi nderohet me titullin “Shêjtnorja e Shna Ndout” e qindron edhe sot në gjendje të mirë. Banorët e Sebastes kanë pasë banue malit rreth kalas; vonë e vonë fort, njandej kah gjysa e shekullit XIX filluen me u shumue familjet e ardhuna prej Mirditet e prej Kthellet, qi xûn vend poshtë në fushë, në Laçin e sotshem, e u vûn me punue tokët e me sigurue jetesen. Fretent Françeskaj kanë pasë në Sebaste nji Kuvend, qi permendet shpesh në Kroniken e Provinçes Françeskane të Shqipnís. Kuvendi ka kênë afer Shêjtnores së sotshme të Shna Ndout në nji brî malit, jo fort larg permbí qytetzë. Sigurisht Kuvendi ka kênë edhe në kohë të Gjergj Kastriotit; por nuk dihet, në se dikúr kanë pasë banesen aty Benediktinët…

Kisha, megjithse ká kênë në nji shpatinë malit e si e vetmueme, duket, se ká pasë randsí, pse kje shugurue në vj. 1557 prej Ipeshvijve të Shqypnís n’at rasë, kur ata po kthejshin prej Konçilit të Trentit. Dokumenti i ketij shugurimi shifet ende sot në fund të Kishës, në kór nalt në e djathtë, aty lexohet:

«HOC TEMPLUM CONSECRAVIT R. D. JOANNES

BRUNUS, ARCHIEPISCOPUS ANTIBARENSIS

ANNO INCARNATIONIS DNI MDLVII D. 2 DIMB»

Perkthimi:

«Kjo Kishë u shugurue prej Shum të ndertit Gjon Brunit, Arqipeshkëv i Tivarit në vjetin e lindjes së Zotit 1557 datë 2 Dhetor»

…Famullitarët e Kishës së Laçit, nen kujdes të cillave âsht edhe Shêjtnorja e Shna Ndout, janë mundue perherë e kanë bâ çë mos me i ardhë në ndihmë popullit n’at vend të vetmuem me shtrojë, me ujë, me dritë e me shërbimin fetár. Nji treme a hajat i madh, i punuem per shtegtarë qýsh në vj. 1940, kur ishte famullitár P. Klement Miraj, kje xêvendsue me shpenzime të Provinçjes me nji ndertesë të madhe e të bukur dykatshe, të projektueme prej Ingj. Franc Lufit, sá kje Provincjal i Nd. P. Kostantin Pistulli e famullitar në Laç P. Fillip Mazrekaj. Ndertesa-bujtore nuk mûjt me u krye, por vetem kjen çue muret e kje mbëlue. Mâ vonë mandej, si kje Provincjal P. Agostin Ashiku e famullitar P. Mark Papaj (1960-61) kje krye me të gjitha, perveç mistrís së jashtme. Ndertesa duel me të vertetë nji bûjtore e pershtatshme për shtegtarët e shumtë, me salona të mëdhaj, me dritsore të gjâna, me drita e me stufa per dimen. Shêjtnorja e Shna Ndout në Sebaste erdhi tuj marrë perherë e mâ randsí e lëmoshët e popullit erdhem tuj u shtue; per ket arsye Provincjali i Françeskajve, i Nd. P. Agostin Ashiku, e pá t’arsyeshme, e e ndjeu si detyrë kundrejt Shêjtit të Mrekullive, me e prekë Shêjtnoren e vjeter e me e shndrruenë nji Kishë mâ të dêjë e ma të bukur per sherbimin fetár; prandej qýsh në vj. 1965 dha urdhen, qi të bâheshin ndrrime mbrend e jashtë si mbas nji projekti të punuem me kujdes, sidomos prej P. Aleks Baqlit”

Rindërtimi (vitet 1992 – 2013)

Po sjellim një pershkrim shumë të bukur të Atë Zef Pllumi ofm, për rihapjen dhe fillimin e punimeve mbi rindërtimin e Kishës së Shna Ndout në vitin 1990:

“Më dt. 13 Qershor 1990 nga të gjitha anët e Shqipnisë vershuen besimtarët e të gjitha feve për me lutë të Madhin Zot e Shejtin Shna Ndue.Atë ditë nuk pat fuqi me i pengue as policia as organizatat e rinise komuniste. Mali i Shna Ndout në Sebaste u mbush plot me njerz, aq sa udhëheqja e partisë u shqetsue, dhe urdhnoi njerzit e vet që të vejshin në dispozicjon të gjitha mjetet e komunikacjonit, jashta çdo orari, mjaft që populli i mbledhun aty të shpërndahej sa ma parë. – Radio Tirana nuk mund e mshefte këte ngjarje të jashtëzakonshme në Shqipni dhe dha lajmin gënjeshtar: “Në malin e Laçit, dje, u organizue nji piknik i madh popullor nga të gjitha anët e Shqipnisë, ku muerën pjesë mbi gjashtëdhetëmij veta”. Ndërsa P. Leon Kabashi, plak 86 vjeçar, i cili shkoi aty i përcjellun prej shumë shtegtarve shkodranë, i lutun prej popullit që të tregonte nji mrekulli të Shna Ndout ai u tha:”Po pse? Cka kërkoni ju ma tepër? A nuk asht kjo nji mrekulli e madhe që unë , plak 84 vjeçar, me ju të gjithë të gjindemi sot këtu të bashkuem për me lutë Zotin e Shejtin Shna Ndue?” – P. Leoni, mbasi i bani nji lutje Shejtit Shna Ndue u suell e bekoi të gjithë popullin; mandej u tha: “Zoti e Shejti Shna Ndue ua plotsoftë dishirin!”. Dishiri i të gjithve ishte liria. Me të vërtetë, mbas aq vitesh të kalueme nën zgjedhën e robnisë ma poshtnuese të ndërgjegjes, kjo kje e para ditë që populli guxoi me kërkue së paku aq liri sa me lutë Zotin. Prandej për ne shqiptarët, pa dallim besimesh, ky vend e kjo datë e 13 Qershorit, janë edhe ma të shejta: Në krye të gjashtë muejve populli shqiptar hyni në rrugën e lirisë…. ”

Shejtërorja e Shna Ndout pas rindërtimit të saj si është në ditet e sotme u inagurua, e u shugurua nga ana e Arqipeshkëvit të Arqidioqezës Tiranë – Durrës, Imzot Rrok Mirdita, më 2 maj 1995. Pjesëmarrja besimtarëve në këtë ngjarje ishte e madhe, madje me perkatësi fetare të ndryshme. Me 9 maj 2004 u bë bekimi i Kuvendit të ri nga Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëvi Arqidioqezes Tiranë – Durrës, ku mund të banonin fretrit që sherbenin besimtarët shtegëtarë në shenjtëroren e Shna Ndout. Nga vitit 2004 deri në ditet e sotme janë bërë punime për përmirësimin e jetës së Shenjtërores.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora