E shtune, 20.04.2024, 07:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Jon Leka: Trashëgimtarët e Dantes

E premte, 01.05.2015, 07:46 PM


Trashëgimtarët e Dantes

Nga Jon LEKA

Valerio M. Manfredi, Umberto Eco dhe Alessandro Baricco. Tre autorë me tri histori, tre romane që sjellin imazhin e tre epokave dhe kulturave të ndryshme dhe që vetëm dy gjëra i kanë të përbashkëta: atdheun e tyre, Italinë dhe famën e arrirë ndërkombëtarisht.

Olimpia përpiqet t’i ikë kafshimit të një gjarpëri, i cili vibrueshëm sillet rreth shtratit të saj. Britma e saj për ndihmë çan murret memece të ëndrrës dhe tërbon pallatin. Filipi s’gjendet askund. Artemisia vrapon me pelena në duar për të sokulluar foshnjën. Lind Aleksandri, i biri i Filipit.

Nga koha aleksandrine në vitin 1154. Baudolino nga Aleksandria e Piemontit vjedh një tabak letre dhe një pergament nga kancelaria e peshkopit Otto – një ndërmarrje që mund t’i kushtojë me kokë – për të shkruar “Chronica” e tij mbi vrasjen misterioze të perandorit Fridrih Barbarosa.

Më se shtatë shekuj më vonë, në anijen luksoze oqeanike “Virginian” në një skaj të korridoreve të saja marinarët e gjejnë një fëmijë për të cilin mendojnë se është një qenie, si në legjenda, që ka udhëtuar nga një epokë tjetër në vitin 1900, prandaj edhe e pagëzojnë me emrin Novecento, pra me vitin e gjetjes së tij.

Aleksandri, Baudolino dhe Novecento. Valerio Massimo Manfredi, Umberto Eco dhe Alessandro Baricco. Tre autorë italianë që tre viteve të fundit nuk zbresin nga maja e listës së romaneve bestselerë. Të tre në të njejtën kohë dhe me të njejtin intensitet, gjë që le përshtypjen sikur një depërtim i tillë të jetë i programuar dhe atë për t’i kthyer Italisë famën dhe primatin dantesk në gjyrin e kulturës evropiane. Një spekulim – i përdorur nga ca kritikë anglezë e gjermanë – i kapur madje nga përtej zonës së qiellit.

Valerio Massimo Manfredi

Ai u bë vetëm tridhjet e tre vjeçar dhe me famë të amshueshme: Aleksandri i Madh. Menjëherë pas vrasjes së të jatit të tij Filipit, në mëshon njëzetvjeçare princi i bukur, karizmatik dhe tepër i zgjuar merr fronin, detyron grekët të shuajnë kryengritjet për shpartallim të perandorisë së Maqedonisë dhe nis ekspeditat për “pushtimin” e botës.

Trilogjia e Manfredit mbi Lekën e Madh (siç quhet shqip) “Aléxandros – Il Figlio Del Sogno” (“Aleksandri – i biri i ëndrrës” përkth. kalk) edhe pse është pasaardhës i një tradite të pasur sa i përket “romanit aleksandrin” sjell me vete detaje të reja në lidhje me jetën e perandorit legjendë të ngritur deri në shkallën e perëndisë: Që nga stacionet e para si fëmijë në mesin e katër shokëve të tij të ngushtë; dashuria dhe orgjitë e para; mësimet tek Aristoteli; roli i ndërmjetësuesit ndërmjet Olimpisë dhe Filipit; tërbimi pas lindjes së gjysëmvëllaut të tij nga Euridike e deri tek marrja e pushtetit autori mbrrinë të rrëfej historinë e mbretit të Azisë dhe sunduesin e gjithë botës me një gjuhë të pangarkuar shkencore, siç mund të pritej nga një arkeolog i njohur si Valerio M. Manfredi (1943 – Emilia Romagna), që ligjëron univerziteteve të Romës, Parisit e Birminghamit.

Në krahasim me Eco, i cili me sukses përvetëson gjithçka nga epoka për të cilën shkruan, Manfredi për ta bërë më të “kuptueshme materien” përdor një gjuhë duke iu përshtatur standardeve moderne të saj (si lochos në batalion ose strategos në gjeneral e të ngjajshme). Shihet qartë se vepra e Manfredit është një mozaik i kombinuar dhe rafinuar mirë i fragmenteve të lëna nga Plutarku, Diodori, Rufuzi, Pliniusi, Arstitoteli etj. për të ardhur deri tek një rrëfim i unjësuar, respektivisht duke u ikur kontradiktave që rezultojnë nga versionet e shumta të sagave mbi Aleksandrin. Romani është botuar disa herë në gjuhët kryesore të Evropës perëndimore dhe vazhdon të shitet me një intenzitet të madh.

Umberto Eco

Fshatari Baudolino nga Alesandria e Piemontit, ku më vonë do të lindë njëfarë Umberto Eco, i mbushur përplotë ide dhe kreativitet na sjell panoramën historike të një epoke e kulture me një shkathtësi gjeniale rrëfimi: se si në moshën trembëdhjetvjeçare adoptohet nga perandori Friedrih Barbarosa dhe bashkë me të merr pjesë në pagëzimin e tij si perandor në Romë për të udhëtuar pastaj në Vendin e Shejntë bashkë me kryqëzatat. Gjithë ato që i shkruan Baudolino në kronikën e tij i ka përjetuar. Mirëpo thelbi i rrëfimit të tij ka të bëjë me vrasjen misterioze të “prindit” të tij Barbarosa. Vrasjen e tij në një kështjellë të bukur mesjetare përderisa ai ka qenë duke fjetur. Një ndërmarrje tepër e rrezikshme në kohën kur edhe letra për të shkruar ka qenë e ndaluar.

Profesori i Semiotikës në Univerzitetin e Bolonjës Umberto Eco (1932) famën e tij në plan universal e arriti me romanin “Emri i trëndafilit” (1980). Që nga ajo kohë atij i përcillen të gjitha shkrimet dhe sidomos studimet si “Kërkime për një gjuhë të përkryer” etj. në shumicën e gjuhëve evropiane. Madje edhe artikuj gazetash si ato në “Katër shkrime morale” i mblidhen dhe i botohen në edicion të veçantë nga shtëpitë më prestigjioze evropiane. Eco, tashmë është bërë njëri nga intelektualët elitor në kontekst me strategjinë dhe ngritjen e mendimit për një kulture të përbashkët kontinentale. Gjatë eksurzionit nëpër botën shkencore për të zbuluar pikat e përbashkimit të çdo identiteti nacional në Evropë në një kulturë të vetme, shumëkush e festoi apo mallkoi ndarjen e tij nga letërsia, nga proza. Njëzet vjet më vonë, pas botimit të “Emri i trëndafilit”, Eco doli me romanin e tij voluminoz “Baudolino”. Roman, i cili jo vetëm për shkak të famës së Ecos qe dy vjet mban të pushtuara vitrinat kryesore të librit nëpër Evropë, por më shumë për shkak të stampimit edhe njëherë më shumë të vlerave të këtij rrëfyesi gjigant.

Edhe në këtë roman, si në atë të parin, Eco ndjek traditën e Sir Walter Scott (Waverly) dhe Alexander Dumas (Grafi nga Monte Kristo). Ose; ai i mbetet besnik romanit historik që në vete vazhdimisht jo vetëm se paraqitet si një dokument i detajuar mbi kulturën e epokës në të cilën zhvillohet ngjarja por është edhe një kombinim i shumë tipeve të prozës në një: “Baudolino” në të njejtën kohë është roman mbi një personazh real historik dhe roman që duket sikur është shkruar nga ndonjë Sherlock Holmes i mesjetës.

Autori futet aq thellë në ngjarjet e asaj kohe sa që djegia e Konstantinopojës, masakrat e zhvilluara nga kryqëzata e katërt e deri tek përpjekjet e Baudolinës për të denoncuar vrasësin e perandorit dalin si në një film, me fotografi fare të gjalla.

As kësaj here Eco nuk le anash pa involvuar teoritë e tij mbi kulturën evropiane, problemet e gjuhës dhe çështje të tjera që i japin prozës herë herë edhe karakterin e një eseu shkencor.

Alessandro Baricco

Më kot kërkojnë marinarët prindët e foshnjës së gjetur në bordin e anijes “Virginian”. Askush nuk bë zë. Asnjërit prej tyre nuk ia merr mendja se fëmiu, i pagëzuar me emrin Novencento do të bëhet njëri nga pianistët më në zë të historisë së muzikës dhe se kurrë nuk do të shkel më tokën. Novecento bëhet legjende dhe pagëzohet; “Pianisti oqeanik”. Ai jeton për muzikën e tij dhe me të ai ushtron mrrekulli tek të gjithë që i dëgjojnë të rënat e gishtave të tij në tastaturën e pianos. Novecento bëhet bëhet themelues i Jazz –it.

Alessandro Baricco (1958), shkrimtari italian nga Turini, ku edhe jeton, me këtë roman u bë autor-kult me famë ndërkombëtare. “Legjenda e pianistit”, siç quhet në shumicën e gjuhëve të tjera (ndërsa në origjinal “Novecento”) edhe si film pati një jehonë të jashtëzakonshme. Film, i cili u bë nga bartësi i oskarit Guisseppe Tornatore u konsiderua si njëri nga filmat më poetik të dhjetë viteve të fundit.

Muzikologu dhe filozofi Baricco, i cili punon edhe si moderator telivizioni dhe ka themeluar “shkollën për shkrim kreativ” ( e njohur poashtu edhe jashtë Italisë) edhe me romanet tjera si “Vendi prej qelqi” dhe “Mëndafshi” vazhdon të mbetet si njëri nga autorët më të lexuar. E veçantë tek ky autor është sidomos krijimi i romanit fare të shkurtë: Për shembull versioni gjermanisht i “Novecentos” i ka vetëm tetëdhjetë faqe dhe atë me shkronja të mëdha, një libër që sipas autorit, është bërë me qëllim për t’u vënë në skenë teatrale e që pastaj është riformuluar në formë romani.

Me një rrëfim poetik dhe një fantazi të merrekullueshme Baricco përbashkon muzikën, pasionin dhe miqësinë në një pikë, në atë të harmonisë ndërnjerëzore. Ndërkaq “Novecenton e paatdhe e lartëson në amblemë të epokës sonë” – shkruan një kritik gjerman në zë.

Tre autorë me tri histori, tre romane që sjellin imazhin e tre epokave dhe kulturave të ndryshme dhe që vetëm dy gjëra i kanë të përbashkëta: atdheun e tyre, Italinë dhe famën e arrirë ndërkombëtarisht si nga autorët më të lexuar. Kritikët në relacionin e gjuhëve italishte-gjermanisht- frengjisht -anglisht e spanisht i konsiderojnë si autorët “klasikë” të postmodernës. Me të drejtë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora