E shtune, 20.04.2024, 12:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Zogkeqi mbi çati

E enjte, 30.04.2015, 07:50 PM


KALOSH ÇELIKU

ZOGKEQI

MBI ÇATI

 

(DRINI BARDHË DHE I ZI

E QEPË ATDHEUN)

 

Imzot, më vrisni mes dy shtambave me verë

Guxim, më japin për Liri, në prehërin e Mikes.

Gji kreshnikësh mes maleve. Fuqi për luftë

Përmes Çarshisë me dy “kashikara” raki rrushi.

Jo, si dikur Isë Boletini në Londër me dy kobure

Plumbat, e të cilit ishin  dum- dum. Patriotik.

 

Zogkeqin e ndjek si dikur Babai me pushkë

Pasmesnate, kur na ndjellë vdekje mbi Çati:

Bir, kënga e tij është kob, ndiqeni me armë

Matanë maleve të Çelëvjollcës, në errësirë!

 

Arma ime, është sot: Pena në brez me dy tyta

Rrapin ta marr nën sjetull, e të dalim malit!

Gëlasa politike para kamerave televizive

Dudumët na hedhin për të ardhë në pushtet!

 

Luftë në Bit-Pazar nuk bëhet me gota çai rusi

E, as me këmbët dhe trutë nateditë në legen.

Vera, kur rrjedhë lumë në Baba-Tomor.  Drini

Lumbardhë e i Zi, arnë mbi arnë qep Atdheun:

Zogkeqi me gëlasa, ende na këndon mbi Çati.

 

Imzot, e pi gjakun e Isu Krishtit (Azreti Isait)?!

Lotët e Shën Mërisë Virgjër (Azreti Fatimes)

Punemadhe. Nesër, do ta shuaj zjarrin e Ferrit…

 

(LIQENI)

 

Burrë i keq je ti Poet, i një Gruaje besnike

Më tha Liqeni: me një varg e kape Hënën.

Peshkun e artë e nxorre në breg. Tigan

Lumit malor ia zgjove dallgën. Këngën.

 

Verë e dimër e përkund barkën mbi ujë

Peshkatarin me dy shtambaverë në brez.

Djepin mbi dallgë në Lin. Qafëthanë

Poradeci, thirrë Diellin në Shën Naum.

 

Ditën. Dhe, natën Qiellin e tjerr tirqi të zi

Xhamadanë me dymbëdhjetë gajtana.

 

E kësulën e bardhë të Bajram Currit…

 

(ASKUSHJA)

 

Askushja, krah më krah hap derën e Shtëpisë

Dhe, më ulet këmbëkryq si “mike” në sofër.

Babai e di, do ta priste me bukë e kripë

E, unë Poeti: me një libër-poezi pas porte.

 

Kokë më kokë si “miq” do hamë bukë

Konak, sonte  nuk kam për mysafiren.

 

Pasmesnate, përkrahu e përcjell te porta

Qeni im e ndjek, ende jerm mbas Çuke…

 

(VETËVETJA)

 

E marr nën sjetull, e hudh në Dri të Zi

Matanë Urës Gurit delë në breg Qyqja.

Bit-Pazarin ditenatë shkelë më këmbë

Skënderbeu,  natën nuk ia jep kalin.

 

Shpatën s’e dua armë moderne, kam lapsin

Rrapin nën hije. Vera ku rrjedh si lumë.

Dudumët, që i rrinë gati me sharrë në krah

Pamëshirë ta rrëzojnë mes të Bit-Pazarit.

 

Shtambat e Mikes te kroni i theu Dexhalli

Skënderbeu i zbriti kalit mes Bit - Pazari

Shpatën namëmadhe vari në degë Rrapi.

 

Mikja ime i shkundi mollët mbi tavolinë

“Patriotëve” nën hije Rrapi ua theu kokën…

 

(VJESHTA TROKET TE PORTA)

 

Vjeshta ka ardhë te porta. Troket natën

Lëmën na e mbuloi me gjethe të verdhë.

Derën pret ta hapësh. Ulësh në sofër.

E di se, nuk ke bukë e kripë për miq

Zemrën moti ta ka marrë Dexhalli.

Miken  ta presësh në odë si shqiptarët

Babai: me bukë, kripë e zemër në sofër.

 

Megjithatë, Vjeshta të troket te porta.

E, ti vazhdon të plakesh mes poezive.

Derën nuk ia hapë Xhadisë si “mike”…

 

(DIELLI ZBRET ME RREZE

MATANË URËS GURIT)

 

Qiell nuk kam. Edhe një karrige nën Rrap

Vend, ku mund ta fsheh Hënën si Poet.

Diellin përpara Shtëpisë ma ka zënë Partia

Me ndërtime të egra. Dhe, përmendore.

Filipi Maqedonisë me grushtin te koka.

Përpjetë si Xhaxhi Enver m’i lëshon:

Diellin me rreze. Dhe, malin “Vodno”.

 

Unë, përball pi birrën time në heshtje

Dhe, e shkruaj jerm këtë poezi të egër.

Përpara meje, këmbëzbathur Olimbia

Ditenatë lahet me fëmijë në gji e prehër

Partizanët t’i shpëtojë nga Përmbytja.

Tambëlin, moti ia ka pi Bolla me flokë

Shtambave rrëke i gurgullon ujë Vardari.

 

Dhe, kurrë si sot nuk e kam parë në sy

Diellin me rreze, matanë Urës Gurit

Mes “bombave” politike të Dudumit...

 

(KRYENGRITËSI O MIK ENDE

S’I DORËZON ARMËT)

 

Nata e gjatë me Hënë. Dita jerm në gjumë

Diellit mbi Çelvjollcë ia kanë lidhur sytë.

Gjarpëri me shtatë kokë më rrok për fyti

I përvesh duart. E zgjidh kulaç në tokë.

Gjokut t’im i kanë rënë patkojtë udhës

Nallban s’ka t’ia mbathi këmbët për rrugë.

 

Zanat e malit, ende i mashtron Bajlozi Zi

Gji mos më japin nën Rrap. Fuqi për luftë.

Shtatë sahat larg, matanë ta fluk vargun.

 

Kryengritësi rrok shpatën, delë në dyluftim

Para jetën se armët, në fushën e majdanit...

 

(DITËT E PLAKAVE)

 

Rrapi mes Dimri. “Bombave” në Bit-Par

Gunën e bardhë hedhë krahëve. Akull.

Nateditë, pret e përcjellë miq rruge

Sorrat i lëshojnë gëlasa nëpër degë

Duart dhe këmbët t’i ngroh sot në vatër.

Marsi, Plakat i bën gurë majë Sharrit Plak

Veten rrok përdore, nxjerrë në Pranverë.

 

Rrapi verë e Dimër. Rrëzë, Kalasë Dardane

Rrënjët shtatë pash i ka shti thellë nën dhe

Kokën mbi minare me çallmë turku, në Qiell.

Verë e Dimër te pragu pret Lejlekun mbi çati.

 

Shtegtarin që iku. Dhe, nuk u kthy në çerdhe...

 

(HUTAÇËT E QYTETIT

TË QYQEVE)

 

Vite më vonë, e takoj një Mike Poete

Ende unë pa e hapur gojën, më thotë:

Posa kalova Urën e Gurit mbi Vardar,

Mendja më shkoi tek Ti, o Ujku Plak.

 

Qesha. Dhe, i them pas kaq viteve larg:

Asgjë sot nuk kam. As grua, as dashnore.

Përmëkeq,  dje e as sot një Parti politike.

Nateditë flej, zgjohem me Poezinë rebele.

“Bombat” politike, që ma prishin gjumin

Luftën për pushtet. Nuk i zbresin gomarit.

Përgjime hedhin në Vardar para kamerave

Me cilën Poezi kemi pritë Agimin. Ditën.

 

E pamundur, më përgjigjet. Ec pas meje, o Poet

Punemadhe, mua më ke në çetë. Unë jam poezia.

“Bombë”  politike s’jam. As “kashikarë” çaji rusi

Poetë jemi ne, sonte dalim kaçakë matanë Vardarit.

 

Fytas rrokemi me Hiena te Sheshi “Skënderbeu”.

Nën Rrap rrokullisim disa shtambaverë të kuqe

Vitet e ikura dje, sot me kalë në Qytetin e qyqeve...

 

(DRU I DREJTË NË QERRE)

 

Unë, nuk jam dru i shtrembër mes Pylli

Që, palohet lehtë në qerre. Po i drejtë lisi.

I cili e prish rendin. Nuk hip, sot  në koçi

Zjarrin ta ndez me flakë në  mes oxhaku.

Politikanët t’i ngrohin duart dhe këmbët

Trutë me saç e çerep, rreshkin mbi shpuzë.

 

Unë jam Kalosh Çeliku rebel. Poeti, kaçak,

Përinat, zjarrin ia vë sot Shtëpisë Publike...



(Vota: 39 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora