Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Mbas shtergatës

| E hene, 27.04.2015, 06:51 PM |


MBAS  SHTERGATËS...

Nga Fritz RADOVANI

?NË 100 VJETORIN E NJË YLLI TË KULTURËS SHQIPTARE...

Mbas një shiu që ra mbramë sikur, dikur në Shkoder, kur dola n’ oborr pashë se qielli ishte mbushë me yje... I shikova per pak minuta e menjëherë mu kujtuen disa Yje që shtërgata e vitit 1944 në Shqipni, nuk na lejoi me ua pa as xixllimin e tyne plot dritë...

A dishroni me u shmallue me burimet e gurrat e Gegënishtes Letrare të Shqipnisë ?

Çoni sytë nga qielli e në sejcilin Yll do të lexoni emnat e Guljelm Dedës, Nikollë Dakës, Henrrik Lacës, Mark Demës, Et’hem Haxhiademit etj., Emna të cilët as hetuesitë, as torturat dhe as burgjet e kampet e interrnimit, nuk mujtën me ua errësue shkelqimin e artë të Tyne shpirtnuer, shoqnor dhe kulturor me një persekucion gjysëshekullor.

?E pra, bashkë me Ata letrarë asht edhe Dedë Gajtani (Kola), që asnjëni nuk njiheshin as “profesora” dhe as, “akademikë”... sepse, shkruenin e flisnin Gegnisht e per pasojë u interrnuen, u burgosën dhe u trajtuen nga “lufta e kllasave” të “pakënaqur” e nënza... “reaksionarë të kulturuar në shkollat klerikale të Shkodres”! Sigurisht, “jo shumë kohë” po, nga 1944 e derisa mbyllën sytë e Tyne plot dritë që shkelqenin kulturen Shqiptare Europjane Perëndimore! Një brez intelektualësh i papersëritshëm në Shqipni!

?Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë,  shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët  i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë. Në vitin 1945 emnohet arsimtar në Fier. Ishte tue shetitë në Manastirin e Ardenicës në vitin 1946 kur e arrestojnë për disa muej në burgun e Beratit.

Me nderhymjen e nje shoku të tij, në Institutin e Studimeve, e lirojnë nga burgu. Ajo nderhymje ishte vendimtare që e çveshi nga akuzat e shpifjet si agjent i Vatikanit...etj.

Porsa u kthye në Tiranë, u dëbue politikisht dhe u emnue arsimtar në Maqellar të Peshkopisë deri në 1950. Prej këtej e transferojnë në Krujë, ku mbas një viti në 1951, e pushojnë nga puna me motivacion: “I pa denjë për të edukuar brezin e rinj”.

Detyrohet per kafshatën e gojës të punoi punë fizike në hidrocentralin Karl Marks, Ulzë, deri në 1954. Nga 1954 deri 1958 emnohet persëri mësues në shkollat fillore të Oroshit e Malaj të Mirditës...  Deda nder ato Malësi të egra, kishte përkrahu edhe zonjën e Tij të Nderueme Maria, një Burrneshë e daltueme nga Vetë Dora e Zotit, me të gjitha tiparet që pak gra Shqiptare i ruejnë prej rracës sonë Ilire... Një Fisnike, e gjatë, por gjithmonë me buzë në gaz dhe madhështore, aqsa i ka hije një grueje intelektuale. Në vitit 1958

ishin me 4 fëmijë kur i transferojnë në Dukagjin, kohë në të cilën i njoha edhe unë... Detyrohen me i ra kryqeterthuer edhe Malësisë së Dukagjinit... Abat, Gimaj, Theth...

Po, gjithmonë Ai Deda i thjeshtë, i dashtun, buzagaz e optimist: “E ban Zoti mirë...!

Ai na ka në kujdes!”... Gjithmonë i “heshtun” e me një shprehje fëtyre plot dritë...

?Kultura botnore që kalonte nder duert’ e Tij, kishte ba punën e vet! Ajo kishte depertue thellë në Shpirtin e Dedë Gajtanit, që mërrijti me pa vetem pak ditë shpresdhanëse  të asaj deshire të madhe sa vjeçare, per të cilën punoi gjithë jetën e vet pa ju ndigjue zani.

Bash atëherë kur një rreze drite e një Lirie mendimi e fjale të andrrueme filloi me freskue shpresën e mberthyeme nder prangat e heshtjes, atëherë, kur filloi me pa frutin e punës 47 vjeçare nder revistat e porsa daluna nga shtergata... Deda iku në Mbretninë Qiellore!

Me datën 7 Dhjetor 1993, Dedë Gajtani heshti përgjithmonë...Edhe né ashtu kujtuem!

?Po veprat e Tij në gjuhët e mbarë Europës, u zgjuen e na treguen se Dedë Gajtani asht i pranishem në sofrat e shkodranëve të Tij, nder sofrat e miqëve në Fier, nder ata gurë historikë të Bjeshkëve të Nemuna ku, dora e Dedës, gjithmonë e lëmueme nga një dashuni e thellë e Marijës, arrijti me daltue nder ata shkambijë dashuninë për Atdhe!

Aty nder ata male do të gjeni pranë krojeve nder Kryqat e pushimit perjetsisht tue folë në Gegnishten e bukur të At Fishtës dhe Don Ndre Mjedjës, në ambelsinë dhe rreptësinë e Don Lazer Shantojës e Don Ndre Zadejës, ase në rizat apo xhubletat shekullore të atyne Viseve, të shkruem per Ju o Rini Shqiptare: Poetët e Mëdhej Dante Aligeri, Viktor Hygo, G.Volfango Goethe, Federik Schiller, Aleksander Manxoni, Carducci, Leopardi, Marradi, Torquato Tasso, Ada Negri, G.Pascoli, Artur Graf, Zanella, Aleardi, Henrik Heine, G.Giusti, G.Caparozzo, Giovani Prati, Chateubriand, E.Longfellow, Domenico etj..., etj... E fëmijët e vegjel do të dëgjojnë përrallat e Ezopit e Fedrit në gjuhen Shqipe!

?E zemra e Madhe e Poetit të heshtun, aty ku prangat e robnisë u këputën, aty Ajo... shpertheu si vala e Drinit apo rrebeshi i Cemit, ashtu si dikur Ato Vise të Kastriotit nuk njohën turp dhe robni, ashtu edhe Shpirti i paster i Dedë Gajtanit na dhuroi poezitë e Tija origjinale si biluri: Malli, Ave Maria, Andërrime e vegime, Nanë Lamtumirë...

?Po, mbi të gjitha Dedë Gajtani sot në librin e Tij, na thotë mbas shtërgatës: Këtu jam!

Nuk jam ma Firsi...Nuk kam ma pseudonime! E as, nuk do të heshtë! Këtu jam!

?A dishroni me më ndigjue zanin tim tue këndue? Per Ju, o Shqiptarë, sot do t’i këndoj...

KALASË  ROZAFATIT

O mure të vranta të Rozafatit!

Që tash sa shekuj, ju besnikë mbrojës,

I patë sa orla të zezë mësyen këtij shpatit,

Çerdhen e shqiponjës.

 

Sa ushtri turke këtu e barbarë erdhen!

Sa herë o shqipe, me luftë të kanë mësy!

Por s’ muejt asnjeni, ta prishi çerdhen

As të pushtojë ty.

 

E njikëtu motit shqipet rromake

Fishkëlluen rreth teje, me të shkye me skjepa.

Por ti, o shqipja shqiptare i flake,

Copë, copë në këto shkrepa.

Sa herë t’ u sulen ndër kohna të vjetra!

Sa herë t’ u sulen ndër kohna të reja!

Ti, o shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,

Mu té foleja.

***

Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,

E ke asht afrue e ka djegë mbrendë.

Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit

E ka për të kênë.

 

U lëshuen të grabisin sa herë vandalët,

Rromakë e turq e serb, venedikë,

Por té, i to ledhe, u thyene valet,

Porsi té, i digë.

 

Ledhet hijeranda, të kalasë madhështore

Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare.

Porsi ma e bukra sot përmendore,

E tokës shqiptare.

 

O njato mure, e njato rrenime!

Mbulue prej myshqesh e shermashekut,

Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,

Të kohës Skanderbegut.

***

Po qeshi Shkodra, e bukur fare,

Rrethue prej malesh zbardhue prej bores.

Kur kënduene të lira vashat shqiptare

Kangët e fitores.

 

Kënduen fushat, malet dhe valet e Drinit,

Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen.

E ushtritë e hueja përtej kufinit

E thyene qafen!

 

Té ti, me njome të veta përdore,

Vijnë sot të mejtueme nanat shkodrane.

E u tregojnë fëmijve njimijë histore,

Mbi kalanë tande!

***

?Ishim me duer të shterngueme si burrat...

Ah Dedë Gajtani, si sot më kumbon zani Yt “nën za”... “Fritz, mos na ndigjoj kush!..”

– Vetem Rozafa!

Vetem Ajo, do të daltojë nder Gurt’e Saj... Emnin Tand për shekuj të shekujve!

Melbourne, 2015.