Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“La Traviata” personifikohet mjeshtërisht me madhështi nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në Madrid!

| E hene, 27.04.2015, 08:30 PM |


“La Traviata” personifikohet mjeshtërisht me madhështi nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në Madrid!

Prolog:

Kur pak ditë më parë, më erdhi në vesh gjysëm-rastësisht, se “La Traviata” do të vihej në skenë në prestigjiozin “Teatro Real” të Madridit (Teatrin Mbretëror pra, të inauguruar plot 165 vite më parë në 1850-ën, i cili konsderohet një ndër më të rëndësishmit e Spanjës dhe gjithë Europës); dhe se aty rolin e protagonistes Violeta, do ta luante me zërin e saj unik, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho; menjëherë u emocionova fort.

Atëherë, nga ngërthyerja e një sërë rrethanash përgjithësisht dashamirëse; lindën rreshtat që do të lexoni më poshtë; të përgatitur mjeshtërisht nga shija e hollë artistike dhe kritika e paanshme që buron nga përvoja e tij e gjatë në fushën e artit dhe të gazetarisë; të gazetarit të karrierës, reporterit dhe opinionistit spanjoll; kolegut dhe mikut tim Hose Katalan Deus; një personazh tejet eurdit, që akoma ushqen një ndjenjë të fortë dashurie të sinqertë për Shqipërinë dhe shqiptarët, qysh nga koha e jetesës së tij në Tiranë bashkë me familjen e vet, përgjatë disa viteve në dekadën 1970.

Ky përshkrim i takon natës së dytë të shfaqjes së Traviatës në Teatro Real të Madridit, të enjten e 23 prillit, pas premierës së të hënës së datës 20 prill.

Një Traviata e zymtë dhe njëkohësisht verbuese!

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në hapat e Maria Callas

Nuk ka sallone të mëdhenj luksozë e as orkestrime të zhurmshme. Një melodramë e mbytur mes perdesh të errta, në të cilën gjithçka përqendrohet tek historia e trishtuar e Violetës qysh nga jeta e saj e shthurur pariziene e gjer në shtratin e saj të vdekjes, një histori dashurie fatkeqe, egoizmi naiv përballë sakrificës sterile. Koproduksioni që shfaqet në Teatro Real (Teatrin Mbretëror) nënkupton një punë të jashtëzakonshme të drejtorëve muzikor dhe të skenik, por mbi të gjitha shpërfaq suprizën e madhe të mishëruar nga Ermonela Jaho si një aspirante e vendosur për t’u shndërruar në trashëgimtaren e veprës së divës së madhe të ndjerë (Maria Kallasit). Thënë kjo, duke mbajtur gjithësesi distancat e duhura.

Është një Traviata që mëton t’i përngjajë më shumë romanit origjinal “Dama me kamelie” i Aleksandër Dyma (biri), ndikimi tepër i madh i të cilit ndihet ende në ditët tona, dhe më pak montazheve të fryra operistike që janë më të zakonshëm aktualisht. Renato Palumbo dhe Daniel McVicar (Drejtori muzikor dhe drejtori skenik) kanë përkuar plotësisht drejt jetësimit të një ideje—falë të drejtuarit të muzikës dhe skenës nëpër shtigje vendosmërisht intimiste—qëllimisht të një profili të ulët, duke formësuar kështu një punë origjinale ndaj së cilës publiku dhe kritika ndajnë të njëjtin vlerësim të plotë pozitiv.

Palumbo është shndërruar në një drejtor verdian dhe belkantist prestigjioz, dhe me këtë ekzekutim të qetë ai i shton merita leximit të tij të heshtjeve, të nënvizimeve të imta dhe të frazave të pezulluara në kohë me të cilat i mbështjell zërat pa i eklipsuar ato përveçse në disa raste në aktin e dytë.

Mund të vërehet qartësisht se në shfaqjen e saj të dytë Ermonela Jaho e ka shtuar peshën e saj specifike krahasuar me natën e premierës. Gjithçka në performancën e saj dukej si një përkujtim i paracaktuar i atyre kohëve jo aq të largëta kur divat e mëdhaja akoma shkelnin skenat botërore. Kjo soprano lirike me origjinë shqiptare dhe formim akademik artistik në Itali faktikisht na e kujton në çdo aspekt Maria Kallasin. Figura e saj, fytyra dhe gjestet, forma e saj e të kënduarit. Ajo e nuk e fsheh aspak faktin se dëshira për të vijuar në këtë profesion asaj i pati lindur duke dëgjuar pikërisht Kallasin dikur, por gjithësesi ajo ngulmon se veçantia e një këngëtareje qëndron në të shprehurit e personalitetit të vet pa imituar askënd. Ajo beson se një teknikë e mirë është sigurisht thelbësore, por që nuk ka asnjë vlerë nëse asaj nuk i bashkëngjiten ndjenjat, nëse nuk përçohet emocioni dhe nuk preket dhe mallëngjehet publiku ‘nga zemra në zemër’... e jo mekanikisht.

“Përpiqem të jap më të mirën time më tepër sesa të jem thjesht kopja e ndokujt. Të kënduarit është terapia ime”, thotë ajo.

Ermonela Jaho i përshkoi tre etapat e njëpasnjëshme të jetës së kësaj Violete duke i përmbushur kanonet e rrepta vokale dhe aktoriale të Verdit në këtë opera; që nga euforia e deri tek analiza e vetvetes, që nga kthjelltësia e pashpëtueshme gjer tek agonia mizore. Zëri i saj, gjestet e veta, pamja e saj ishin në çdo moment në lartësinë maksimale. Ajo pati ardhur në sekondën e fundit për të zëvendësuar Patrizia Ciofi-n, pjesëmarrja e të cilës u pat anulluar, dhe siç duket, erdhi pikërisht në kohën e duhur. Timbrin e errët të zërit të saj, pavarësisht gjithë interpretimeve përkatëse, në përshtypjen tonë e mbart në vetvete shpirti i kohës së sotme përballë tonaliteteve të mprehta klasike të së kaluarës.

Ky është një koproduksion i Teatro Real të Madridit me Gran Teatre del Liceu të Barcelonës (Teatri i Madh i Liceut)—qytet në të cilin u pat shfaqur tetorin e shkuar dhe do të kthehet të shfaqet në korrikun e ardhshëm—, dhe me Scottish Opera të Glasgow, si dhe me Welsh National Opera të Cardiff, teatro në të cilët kjo opera ka kohë që është shfaqur po ashtu. Ndërsa në origjinë ky pati qenë një produksion interesant skocez xhiroja e të cilit përreth botës ka nisur prej kohësh.

Do të jenë 16 shfaqjet e Traviatës në Madrid, e cila vijon të mbetet opera që më shumë është vënë në skenë në botë. Në shfaqjen për të cilën po flasim në këtë recension, teatri ish mbushur plot e përplot dhe megjithëse shfaqja vijoi gjer në orën njëmbëdhjetë të natës, publiku nuk lëvizte nga poltronat duke duartrokitur me kënaqësi. Ermonela Jaho dhe Juan Jesús Rodríguez (në rolin e Giorgio Germont) morën ovacione nga publiku i pranishëm në sallë.

PS: Sopranoja jonë e madhe shqiptare Ermonela Jaho, do të jetë sërish në skenën e Teatro Real në rolin e Violetta Valéry në Madrid—përveç datës 29 prill—, edhe në datat 2, 5 dhe 8 maj.

Përgatitur nga Elvi Sidheri dhe Hose Katalan Deus!