E enjte, 18.04.2024, 12:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Nëpër udhët e palumtura

E enjte, 23.04.2015, 07:29 PM


NËPËR UDHËT E PALUMTURA…

Pa asnjë pikë dyshimi, në çdo pikë të jetës strehë, poeti mbledh pikat e gjakut nëpër shtjellat e kohës së myshqeve...! Vezir Ukaj, nuk e njerrë vargun nga mënga e këmishës por, nga shpirti i trazuar, tani dhe qëmoti. Vjershërimet e tij, na japin një paqyrim për vranësirat shpërthyese, të varura mbi vetullat e kohës së mërrolur dhe  tryezën e uritur për gjak njeriu...Eh... koha e poetit në fjalë, shkrepte aromë rinie dhe  shpesh i bëhej thikë në fyt… ia shtronte rrugën me jargë ujqërish...!!! Pra, poezia, e Vezir Ukajt është mjeshtrisht e veshur me metaforën e qartë, e cila, i jep gamën e ngjyrimeve të bukura, ku vargu shndërrohet në narracion figurativ, përplot  figura domëthënëse...!

Nga Remzi Limani

Në ciklin poetik (Punët tona), Vezir Ukaj nxjerrë gjakun në sy poeti – për të kapërcyer mbi të ligat e kohës dhe hapësirës së ngushtë, për një frymëmarrje të lirshme, për të cilën, jo vetëm  poeti i shqetësuar luftoi me të ligat e kohës por, edhe të tjerët që dhanë jetën dhe copat e mishit u mbetën nën nofullat e kohës së egër…! Pra, në këtë vështrim modest, do ta shpalosim duvakun e disa nga poezitë e shkruara mbi sypet e dhembjes nëpër kokë, nga të cilat, edhe sot, poeti Ukaj, ndjen sëmbimet që dalin nga thermat e kohës, të cilat, edhe sot kanë nxjerrë kokat nga nënsqetulla e qoftëlargut…!

PLAGË E RE…

Në poezinë " PLAGË E RE", nga poeti Veziir Ukaj, vazhdon me fashimin e plagëve të vjetra, marrë nëpër skëterrë kohësh, të cilat kanë çu kokë edhe në ditët e sotme, kur menduam, se ia dolëm të nxirremi nga balta e gjallë... dhe tani, Brengat marrin frymë sërish, siç shprehet poeti i brengosur - sepse, "Nëper copa Pasqyreje flet Plaga" shton poeti, Ukaj! Pra, shqetësimet sa vijnë e shtohen të paluara në mendjen e poetit të vrarë ndjenjash dhe të zhveshur nga shpresat e fshehura nëpër terrinat e djajve, të cilët luajnë shilarthi me kohën tonë...!

TAJFUN I EGËR…

Edhe poezina "Tajfun i egër", e ngjeshur fjalësh e shprehjesh, ku poeti Vezir Ukaj, nëpër udhët e palumtura, flet me vetveten, me kujtimet dhe frikën e dallgëve të kohës së tërbuar, sepse siç thotë poeti: Tajfun i Egër vjen/ Dallgë deti thyen/. Kështu, nëpër zigzake kohe, siç shkruan poeti, ai mundohej të gjej kompromisin e duhur, për t'i pashitur dallgët me tërbim të disponuar për të përpirë dhe rrënuar gjithçka brenda një fryme nate. Dhe, kështu, poeti Ukaj, mbetur udhëve, kastile, duke u munduar të negociojë me djallin - uzurpatorin e kohës dhe lumturisë sonë të ndryrë në kthetrat e thashethemeve të kohës së verbër në të dy sytë! Pra, në thesin e mbushur brenga ndër më të ndryshmet, poeti Vezir Ukaj, kohë pas kohe, thesit barrë mbi supe, ia zgjith grykën, për t'i flakur disa të pavlera, emra kohësh të mbytur, që njëkohësisht  lehtësojë barrën e tij, të cilën e bartë me gjithë thinjat e kohës, kohë e cila e takojë me djajtë që flisnin shqip...! Tani, ndjeshmëria e poetit Ukaj, me pezëm shkarkohet nga të marrët e kohës duke iu referuar njërit prej tyre me këto fjalë: Merre edhe ashtin tim të drobitur/ e me shpirtin tënd të shitur/tridhjet vjet të vonuar/ pa mua ndërroje petkun... Ja pra, këtu poeti ndalon hapin dhe merr kahe tjetër, krejt të kundërt si udhë dhe si ide, të cilës i mbeti besnik dhe nuk e ndërroi petkun siç bënë të tjerët, duke i shkelur premtimet dhe zotimet për një ide, ku të gjithë do t`i pushojnë shpirtërat e lënduar nën hijen Rrapit, ku tani, luan arushani nën tingujt e daulles me lëkurë njeriu...!

JETA FJALË RËNDOHET…

Në poezinë "JETA FJALË RËNDOHET" poeti Vezir Ukaj, i mbetet besnik shqetësimit të tij dhe, çdo gjë që ndërton në poezinë e tij, ai e peshon mbi Fjalët, Premtimet, Motet dhe Jetën si peshë e rendë mbi sypet e kohës. Ndaj, me frymë të sosur, poeti fjaloset me kohën e mërrolur, disfatat dhe takimet boshe siç thotë ai edhe për fjalën që dikah bredh, pa u ndalur të ngul këmbë aty ku fjala shtrydh djersën, për ta vulosur të sotmën dhe premtimet e dhëna para botës, sepse, poeti akoma ka drojën për shartimet e fjalëve, nga të cilat vonohet gjithçka dhe gjithë koha mbetet barrë mbi sypet e lodhura kohësh...! Në këtë kontekst, koha do të flas për të gjithë, edhe për stinët e egra edhe për argatin në pushtet, sikurse thotë poeti Ukaj, në poezinë e tij në këtë pritje kohe, "nëpër currilat rrjedh Stina" , duke i formësuar në fjalë dëshmie, të shkruara në vargje poetike, për ta kuptuar këngën e vrarë kohësh. Pra, në vjershërimin e tij Vezir Ukaj, ecën mbi kohët e moçme të shtruara me jarg bishash, nga të cilat, edhe sot e kap lemëria nga fosilet e mbetura kohësh, të cilët ia përkujtojnë kohën me dhëmbë bishe...!

DITA FJALË E LIDHUR…

Në vazhdën e ciklit poetit (punët tona), edhe në poezinë e radhës "DITA FJALË E LIDHUR" të autorit Vezir Ukaj, intensiteti i shqetësimeve të kohës nuk shqitet nga mendja e poetit, i cili bredh nëpër kohën e thyer, për ta kuptuar diagnozën e vërtetë të palcës së humbur dhe ashtit të thyer kohësh, nga gënjeshtrat e alkimistëve sharllatanë...! Pra, në mungesë të diagnozës, dhimbjet e kohës sa vijnë e shtohen, duke mos e marrë terapinë e duhur kundër dhimbjeve misterioze, të cilat bëhen krimba të organizuar dhe të trajnuar për rrëzimin e Lisit të Fisit...! Ndaj, shqetësimi i poetit, mbetet  kryefjala dhe kallëzuesi, për rrezikun e krimbave të organizuar....! Pra, sikur jeta jonë është mbet shtatzënë me barrën e fjalës së djallit, tani shndërruar në një bagazh portativ të humbur nëpër kohë, me të cilim bartemi udhëve të humbura...! Pra, bagazhi barrë kohesh, hiqet pas nesh deri në pijetoret e dehura Stinësh dhe Motesh, sepse, fjalët e mbështjella me të zezen e gënjeshtres, mbesin gjithnjë esëll, sepse, gënjeshtren se zë pija, pija i zë vetëm ata që i besuan gënjeshtrës...! Në këtë kuptim e më gjërë, poeti Vezir Ukaj, akoma është në kërkim të vetvetes dhe identitetit  të barrës kolektive, ngarkur mbi sype, mbushur me të ligat e kohëve tona. Ndaj, gjithçka ende përkundej në mendjen e tij të pa gjumë, mbetur rrugëve të panjohura, sepse akoma bagazhi hiqet udhëve dhiare ende të pa emërtuara, për ta kuptuar vendndodhjen e tij, akoma të pashënuara në gjuhën e tij, pa emra e numra të vërtet identiteti...!

KAQ VJET...

Kur koha flet e përmjerrur sikurse thotë poeti Ukaj, në poezinë e tij "KAQ VJET...", atëhetrë myshqet e kohës dhe aroma e të përmjerrurave, na bëjnë të mbajmë mbyllë gjithçka nga frika e ndonjë infektimi të mundshëm kohësh dhe humbja e besimit të fjalës së përmjerrë në sy të ditës. Pra, "Me lot dëbore ngrohet rrena" - thotë Vezir Ukaj, gjithnjë në kontekstin e një kohe rremashe, e cila jeton nga projekcionet e rrenave larashe, që ngjajnë në një kaliodoskom fëmijësh, të veshur ngjyrash rrotulluese, nëpër muret e ëndrrave marramendëse, të cilat nuk ngjajnë të jenë tonat, për të cilat i rjepëm lëkurat tona, për një të sotme me frymë jete. Ndaj, poeti ka drojë, se mos vallë, lëkurat tona i shitën në tregun e lëkurave të qenve...!

 

Vezir UKAJ

PLAGË E RE...

(Punët tona)

Stina terrinë Dite ngujohet

me Eklipsin gënjeshtër

ndërron Moti...

Vetmia burim Fjale lëkundet

ecën Brenga merr Frymë

e kthinave të fshehta

Plagë e Re vjetrohet...

Nëpër copa Pasqyreje flet Plaga

në Shami xhepi lahet Dora

Natyra fryen gjoksin...

Me mëkatin fillim e fund

Rruga Apoteozë e Vlerë...

Në Tryezën e Vjetër drekon Goja...

(20. III. 2015)

 

TAJFUN I EGËR...

(Punët tona)

 

Hije Stine përlotet Nata

Det zgjaten Udhët flasin

dallgët me rrebesh

thashetheme derdhin...

Fjalë mashtrimi bluhen kujtimet

Biseda Udhë kthimi ecën

pa lumturi e gaz përflakur

rrebeshi Dallgë e pamatë

në Sy Fjala ngrihet

lahen ujërat

vjetrohen...

Nata Rrugë zgjat Dorë

nëpër zigzage Kohe

me Ne lodhet...

Tajfun i Egër vjen

Dallgë Deti thyen...

(19. III. 2015)

 

JETA FJALË RËNDOHET...

(Punët tona)

 

Fjala Rrugë fjaloset

e nëpër takimet boshe

Disfata moliset...

Rrugëve udhëton Fjala

me sot e nesër Premtimi

Ditë tjetër ecën

ndërron Moti...

Fjala dikah bredh

në pëshpëritje rritet

Rruga zjarr Nate

shartohet...

Peshë e rëndë Jeta...

(17. III. 2015)

 

DITA FJALË E LIDHUR

(Punët tona)

 

Dita Premtim pa fund

Fjalë e lidhur vjen

e nëpër ecje

mbyll Gojë...

Në qetësinë e mbrëmjes

rrëfimi gënjeshtër ecën...

Ikën Stina ndërron Moti

diku tjetër ndalet

struket Dita...

Kur vjetrohet Fjala

Stinë përtypet Harresa

Nata Rrugë shkel...

Në Bërryl kthese mbërthyer...

(15. III. 2015)

 

KAQ VJET...

(Punët tona)

 

Rrugëve të pafund ikën Stina

me lot Bore ngrohet Rrena

e përmjerrë flet Koha...

Harrim as Ëndërr nuk është Jeta

nëpër dyert e mbyllura vërtitet

në rrudha Thithëlope fshihet...

Mugëtirë e Madhe lëviz Nata

e në fjetoret e lagjeve Pallohet

Sonte askush nuk fle...

Dimri Eklips i plakur stendohet

e në xhepa Pazari fsheh stuhitë...

Kaq Vjet me Rrugën në Sy...

(Tiranë, 13. III. 2015)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora