Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Botohet në Francë libri Guri i Shpirtit, nga Fotaq Andrea

| E enjte, 23.04.2015, 08:15 PM |


Botohet në Francë libri Guri i Shpirtit - Kronika Shqiptare (1997-2004), nga Fotaq Andrea

Këto ditë u botua dhe doli në qarkullim në Strasburg, kryeqyteti europian, libri në frëngjisht i Fotaq Andreas Guri i shpirtit  - Kronika shqiptare (1997-2004). Libri, që përmban katërmbëdhjetë tregime në formë kronikash, është botuar nga Jérome Do Bentzinger Editeur, një Shtëpi botuese alzasiane, e njohur për botimet e veta në nivel kombëtar, por edhe me lidhje të fuqishme rajonale. Botuesi e prezanton autorin shqiptar te lexuesi francez si përkthyes, antologjist dhe eseist, që ka botuar në shqip mbi njëzet vepra dhe njihet për antologjitë e veta Libri i artë i prozës franceze, Pena të arta franceze për shqiptarët dhe Shqiptarët e Italisë.

Zemra Shqiptare ka botuar tashmë në shqip tregimin Guri i Shpirtit të të njëjtit autor. Po ashtu edhe forumi Alb-Shkenca ka botuar nga ky  vëllim tregimin Dine Doraci, të konsideruar si shkrim akademik.

Libri Guri i shpirtit në frëngjisht është i pajisur me parathënie nga Bruno Haller, ish Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Po japim më poshtë të përkthyer parathënien e këtij libri.

Parathënie – Guri i Shpirtit

Nga Bruno Haller - Sekretar i përgjithshëm i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës (1995-2006).

Fotaq Andrea  erdhi në Strasburg për të përfaqësuar vendin e tij në Këshillin e Europës në nëntor 1997, pas ngjarjeve  të rënda në pranverë të atij viti, kur rënia e firmave pramidale e çoi Shqipërinë në  krizë të thellë ekonomike, politike e shoqërore. Meqenëse vendi i tij ishte anëtar i Këshillit të Europës që prej vitit 1995, një procedurë monitorimi ishte vendosur për të ndjekur respektimin e zotimeve të marra, me qëllim që të përmirësohej gjendja dhe të forcohej demokracia ende shumë e brishtë.

Duke dozuar më së miri dy profilet e funksionit që mbante, për të përfaqësuar sa më denjësisht vendin e tij, dhe për t'u bërë avokat i Këshillit të Europës lidhur me  kërkesat e këtij Institucioni në fushën e demokracisë, të të drejtave të njeriut  dhe të shtetit të së drejtës, Fotaq Andrea u angazhua në këto dy drejtime duke dashur që vendi i tij, të cilin e do aq shumë, të jetë anëtar i respektueshëm dhe i respektuar në Strasburg.  Ai ishte plotësisht i bindur që kjo arrihej nëpërmjet realizimit të zotimeve të marra dhe nëpërmjet reformave të thella në tërë fushat. U përfshi edhe vetë personalisht në  hartimin e një strategjie kombëtare për fëmijën, gruan dhe kulturën në  Shqipëri, për reformat institucionale e juridike dhe, në mënyrë të veçantë, për heqjen e dënimit me vdekje në një vend të lidhur mjaft pas këtij dënimi, duke përkthyer vetë në shqip veprat "Para gijotinës" të Albert Kamysë dhe "Shkrime rreth dënimit me vdekje" të Viktor Hygoit.

Kur u detyrua të linte funksionin diplomatik, iu rikthye shkrimit, pas të cilit ishte tashmë i lidhur; por, edhe këtu, fusha që zgjodhi nuk ishte ajo e thjeshta. Ngulmon nga njëra anë për t'i shërbyer vendit të tij, për ta bërë të njohur e të vlerësuar në Europë, dhe nga ana tjetër, për  të mbrojtur vlerat universale që kanë të bëjnë me individin dhe me shoqërinë shqiptare, të cilën ai e dëshiron bujare e solidare.

Me shumë kënaqësi po hartoj parathënien e kësaj vepre shumë origjinale, duke qenë se shfaqen në të dhe pasqyrohen me talent e ndjenjë, fushat e veprimtarisë të Këshillit të Europës, si të drejtat e njeriut, minoritetet, emigracioni, margjinalizimi shoqëror dhe varfëria, rinia e pleqëria, kultura e fusha të tjera. Çdo tregim i këtij libri ka anën e vet tragjike që e prek lexuesin, dhe realizmi i tyre është i tillë sa të krijohet përshtypja se një kamera po filmon skenat  e rrugës, por edhe zemrat dhe mendjet e njerëzve të çdo moshe që hasen në libër falë tij.

Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar në vend, dhe demokracia po forcohet çdo ditë e më tepër. Shqipëria aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Është një vend i ri e dinamik dhe paraqet shumë avantazhe. I takon Europës ta ndihmojë që të realizojë ëndrrën e saj të përhershme.