E premte, 29.03.2024, 12:43 AM (GMT)

Kulturë

Aristotel Mici: Jakov Xoxa si artist i fjalës

E marte, 21.04.2015, 06:11 PM


Jakov Xoxa si artist i fjalës dhe stilist  i letërsisë

Esse

Stili nuk është gjë tjetër, veçse fytyra e shpirtit të autorit.

Seneka

Nga Aristotel  Mici

Hapësira e paanë e fushës së Myzeqesë, psikologjia e qetë e njerzëve myzeqarë, ligjërimi popullor, humori i lehtë i kësaj treve, si dhe shpirt i butë dhe zemra e gjërë  e Jakov Xoxës janë tretur në veprën e tij përmes frymëzimit të vetë  në një stil original dhe tërheqës. Për stilin e këtij shkrimtari gjen shprehjen  thënia e lashtë e filozofit  romak, Seneka, se “Stili nuk është gjë tjetër veçse fytyra e shpirtit të autorit.”

Sa herë diskutohet për një vepër letrare, krahas problemeve të përmbajtjes, flitet edhe për formën e saj, që e shpreh  atë përmbajtje, ku në radhë të parë merren dy koncepte, “gjuha e autorit” dhe “stili”. Sado që kemi të bëjmë me dy nocione të përafërta, ata nuk janë e njëjta gjë. Në këtë çështje të teorisë së letërsisë, studiuesja Sh. Islamaj, tek analizon me një libër të vetë gjuhën e veprës së Xoxës,  thekson se  “termi gjuhë  nënkupton tërësinë e mjeteve shprehëse, që kemi në disponim, kur formësojmë një shprehje, ndërsa termi “stil”- aspektin dhe çilësinë e kesaj shprehjeje[1], pra nivelin  e mjeshtërisë gjatë ligjërimit  artistik. Dhe në këtë aspekt, të harmonizimit të gjuhës letrare dhe të stilit, Jakov Xoxa është mjeshtër në veprën e tij letrare. Xoxa jetoi dhe bëri letërsi gjatë kohës së diktaturës komuniste, kur  sundonte metoda e realizmit socialist me normat e saj të ngurta. Po me talentin e tij, me sa mundej në ato rrethana, Xoxa  përpiqej t’i shkiste skematizmit të asaj metode, duke krijuar tablo realiste me stil origjinal. Me veprën e tij Xoxa pasuroi dhe më shumë traditën e narracionit shqiptar. “Kjo është rrjedhojë e kulturës së gjërë teorike, e punës këmbëngulësë dhe pasionante, si  edhe e dashurisë që kishte ai per njeriun e tokës së tij, për  atdheun dhe kombin e vetë dhe ,si i tillë, ai është pjesë e ndërgjegjes së popullit, është shprehës i saj”.[2] Talenti i Xoxës duket sikur merr frymë nga goja e popullit.

Prirja e tij, për të vjelë bukurinë dhe spontaneitetin e ligjërimit popullor, dallohet qysh në novelat e para të botuara më 1949.  Në këto novela gjejmë shprehje plot me idioma karakteristike, që i japin stilit të tij letrar një ngjyrim të veçantë, siç mund ta shikojmë edhe në këto fjali të pakta, që po shenojmë, sa për konkretësi:

Frosina e ndjeu veten pendë…….. Ajo e bëri zemrën gur.

Më të mirë se xha Lipi, për punë druri, nuk gjeje të rrihje dhenë.

Plaku ndehu veshët big dhe hapi sytë katër.

Ata, mallakastëriotët,  nisën t’ia hiqnin fillin.

Shkrime të tilla me një gjuhë të rrjedhshme, si tek novelat  e para  të Xoxës, do t’i tërhiqnin vemendjen Prof. K. Cipos, i cili në librin e tij të gramatikës për shkollat unike në vitin 1949, do të vendoste një paragraf për ilustrim titulluar “Kallci i ri”, marrë nga novella “Kurorat e Masar Beut të J. Xoxës. Natyrisht, një libër gramatike nuk është antologji, ku vihen pjesët më të bukura, po sidoqoftë, për një shkrimtar të ri  ky  rast është  inkurajues, aq më tepër të ndodhesh midis  teksteve të tilla si “Kasollja” e V.B.Ibanez, e përkthyer nga  F. Noli; “Kënga e Skifterit”, e M. Gorkit, e përrkthyer nga Lame  Kodra; “Janari”, fragment nga Shollohovi, përkthyer nga  S.Caci. E thënë shkurt, Prof. Cipo, që ish një personalitet i gjuhësisë shqiptare, lajmëronte me gramtikën e tij , më 1949, se letrave shqiptare po u vinte një talenti  ri original.

Po në qoftë se në novelat e para, të vitit 1949, Xoxa  kish nisur të shquhej për një stil të vetin, me romanin “Lumi i Vdekur” talenti i tij do të shenonte kulmin e arritjes artistike. Ky roman qe një ngritje e re  në rrugën e zhvillimit të prozës së gjatë në letërsinë sonë. Siç shkruhet edhe në  Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, romani “Lumi i Vdekur” nëpërmjet subjektit, që shtillet në vitet  1938-39, rreth  kalvarit jetësor  të familjeve  myzeqare dhe kosovare të shpërngulura, ndriçon me një  realizëm tronditës dramën  e fshatarësisë shqitare të asaj kohe…J.Xoxa synoi të japë artistikisht të tërën e shoqërisë shqiptare nëpërmjet përqendrimit në vendoren përmes mënyrës dhe stilit të tij.[3]

Konsekuent me stilin e vetë, Xoxa do të shkruante edhe dy romane të tjerë shumë planësh, “Juga e Bardhë” dhe “Lulja e Kripës”, po tek “Lumi i Vdekur” stili i tij shenon formën më të përsosur dhe prandaj, për të evidentuar vlerat stilistikore të Xoxës, në këtë trajtesë jemi përqendruar kryesisht tek ky roman. Fakti, që “Lumi i Vdekur” deri tani ështër ribotuar trembëdhjetë herë, tregon më së mirë për vlerat  e qendrueshme të kësaj vepre. Studiesi Robet Elsie, do të shkruante për të: Jakov Xoxa nga Fieri, në fushën dikur  me këneta dhe mushkonja të M yzeqesë, dënoi  shfrytëzimin e fshatarësisë  së varfër nga bejlerët mizorë në veprën “Lumi i Vdekur”. Ky roman  është një nga veprat e rralla të kohës me merita artistike.

Ajo që bie në sy me një herë në rrëfimin romanesk të veprave të Xoxës është të treguarit realist e me detaje, po edhe me një gjuhë të pasur. Kurdoherë duket kujdesi i mjeshtrit të stilit, për të gjetur veçantinë e fjalës dhe të shprehjes. Çdo personazh flet e arsyton me nivelin e tij në përshtatje me moshën, synimet, ndjenjat, punën, po edhe ambicjen. Pra, në çdo faqe të veprave të Xoxës, po në mënyrë të veçantë tek “Lumi i Vdekur”, hasim tablo të  besueshme, pa sajime artificiale, me një fjalë kudo vërehet stili realist i autorit.

Xoxa i ndjek ngjarjet në vepër natyrëshëm, duke ruajtur gjithnjë unitetin e stilit, të kompozicionit, dhe të mënyrës së të folurit midis personazheve. Sjellim në mendje  një episode nga “Lumi i Vdekur”, dhe konkretisht,  bisedën midis Kozma Ndrekës, një djali qytetar të pispillosur, dhe Vita Shpiragut:

Ajo (Vita) u ndal në mes të dhënëve të trembura, dhe i tha:

-          Çdo që më ndjek?

-          Ja, dua të të bëj manare.

-          Sa për manaren që kërkon, shiko se mos e gjen në ndonjë kope tjetër.

Duke ia paguar hakun me të njëjtën monedhë tingëlluese, ajo e ndjeu veten më të larë ndaj tij dhe i erdhi  të mbahej paskëtaj edhe më të madh.

Pra, në këtë episode, si fjala manare  e thënë nga djali,që gjurmon një bareshë midis deleve, si dhe fjala “kope” e përdorur nga ajo, në batutën  kundërshtues, që të dyja, kompletojnë bukur skenën pastorale të romanit, duke e bërë stilin, ashtu, aq realist.

Natyra është tjetër tipar dallues i stilit të Xoxës në gërshetimin e ngjarjeve në vepër. Qoftë në situata tragjike, a po në episode lirike, peisazhi natyror jepet i ngjallë dhe si pjesë përberëse e ralitetit konkret. Për këtë le të kujtojmë kohën e frikëshme, kur u ngjall Lumi i Vdekur, që shkaktoi përmbytjen e madhe të Trokthit dhe gjithë fushave përqark. Atëherë, shkruan autori:

“Njerëzit me sytë përedhe, prisnin të shihej toka, po toka ishte kthyer në një kupë të dytë qiellore, nemitur si gjithë  bota për rreth dhe pikuar me yje si qielli që pasqyrohej në të.

Siç shihet edhe natyra e ka ndjerë mjerimin njerëzor. Edhe qielli me yje sikur merr pjesë në këtë fatkeqësi të njerzëve të varfër të Trokthit, ku sintetizohen tërë vuajtjet e fshatarësisë shqiptare të kohës .

Kurse në skenat lirike dhe të gëzuara, ku janë vendosur të të dy të dashuruarit e romanit, Vita Shpiragut dhe Adili, natyra  jepet si reflektim i pasionit  të dashurisë. Duket qartë në roman paralelizmi midis natyrës dhe idilit rinor.  Me një realizëm të hollë  psikologjik autori përshkruan gjendjen shpirtërore të çiftit të ri, që ka marrë arratinë dhe kërkon ta gjejë lumturinë në mes të natyrës magjepsëse të Pyllit të Madh, me pisha dhe vererinj.   Dhe në mes atij pylli me një atmosferë romantike, që të tundon, Xoxa realizon një skenë erotike të denjë me përmasa filmike.

Shpirti pasionant i Xoxës ndaj natyrës endet si eter  në roman përmes stilit të tij me anë detajesh aq të shumtë, që i gjen vetiu nga jeta e  përditshme e njerzëve, a po nga fauna dhe bota bimore. Kështu mund të përmendim së pari marinat, që janë  shkurre të zonave bregdetare, bimë me gjethe të holla, të tulta e për herë të gjelbërta,  të cilat ai i kishte aq për zemër dhe do t’i  quaj në vepër  jargavanët e Myzeqesë”.

Midis shumë bimëve, një kaçube tjetër që i ka tërhequr vemendjen shkrimtarit është  jamruku, të cilin ai e përshkruan me një animizim mbresëlënës: ”fletët kërxyell të jamrukut, të ngjallur e të rrumbullakosur si gishtrinj të fryrë, të djersitur nga vesa e njelmët e detit, kërcisnin nën nofullat mokër të qeve”

Në çdo vepër të  Xoxës gjen detaje të ndryshme që tregojnë  praninë e natyrës përzjerë me jetën e përditshme të personazheve në dimër dhe në verë, anës lumit, anës detit, në këneta, në ara a po në kullotë.

Humori i hollë ka qënë armë  e myzeqarit kundër  të keqes sociale, kundër padrejtësive  dhe veseve njerëzore. Duke qënë se humori i lehtë është cilësi e dukshme në ligjërimin myzeqar, ai natyrshëm  vërehet edhe në stilin letrar të Xoxës. Po këtë humor e shikojmë edhe në çështje të jetës intime të personazheve. Siç kemi rastin ta  gjejmë në  konfliktin midis Llaz Shpiragut dhe Kozma Ndrekës për shkak se ky i fundit i vinte anës Vitës. Dhe, kur Kozmai iu shmang pyetjes së Llazit lidhur me të motrën, së cilës, nga gojët e liga, i kishin dalë fjalë për lidhje me të, ai iu drejtua atij me fshikullimë humori:

Ti mos u hidh e u përdridh si plesht nëpër lesht…po përgjigju këtu, do ta kërkosh motrën time si ta do e si na do nderja, a po ç’ thua?

Po Kozmai i kundërvihet më hapur: “Pse flet kështu, o Llazi?... Pse bën sikur s’e di se    me kë e ka  pleksur jot motër.?

-Unë s’ dua të di se me cilë e ka pleksur, unë di me kë i kanë dalë fjalë e kush i vjen rrotull. Fjalët i kanë dalë me ty dhe ti duhet t’ia mbulosh..

Kur dëgjoi këtë kërkesë të Llazit, Kozma Ndreka e gjeti të udhës t’ia kthente edhe ai me humor:

-Ti thua që tjetri të hajë kumbullat e mua të më pihen dhëmbët.

Gjuha,  si tipari më dallues i stilit shprehës të Xoxës, ka qartësi logjike  dhe thellësi emocionale, që të prek në mendime dhe në zemër. Gjithë struktura  e njesive frazeologjike në ligjërimin letrar të veprës së tij , si nga ana semantike dhe shumëkuptueshmëria e fjalëve, pra nga ana e polisemisë, merr në vazhdimësi  nga ngjyrimi krahinor i psikologjisë dhe filozofisë myzeqare.

Po ndërkohe duhet theksuar se, krahas përfitimit që pati shkrimtari nga ligjërimi i të folmes  popullore, edhe ligjërimi krahinor  përfitoi nga pena e tij. Pra edhe e folmja myzeqare u bë më shprehëse. Për këtë rast poeti dhe studiuesi , Nuri Plaku, do të

shprehej më vonë: “Jakov Xoxa i dha bukurinë e përveçme kësaj të folme, duke e gjallëruar atë edhe nëpërmjet figuracionit artistik. Një nga perlat e këtij sistemi figurativ është padyshim metafora, me të cilën ai e quan Myzeqenë “Magje e Perëndisë”.

I mbrujtur në këtë  magje të ligjërimit dhe psikologjisë myzeqare, Xoxa do të end në kapitujt e romanit “Lumi i Vdekur” shumë tablo romantike dhe skena realiste, nëpër të cilat ndrijnë fjali dhe fraza brilante me nëntekste lirike dhe filozofike, siç janë edhe shprehjet:

Edhe në fjetësha, zemrën s’  ma ve dot njeri në gjumë.                                             Gurin  e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban.

U ngjall Lumi i Vdekur, mjerë të gjallët.

Dhembja qënka si retë e shiut. Sa më shumë zbrazen, aq më fort lehtësohen.

Dashuria është si grëmi, lidhet e shtohet më shumë nën dhe.

Mos ngit atje tek s’ të përket, se do ta gjesh nga nuk e prêt.

Vlerat  gjuhësore të veprave të Xoxës kanë tërhequr  vemendjen e mjaft  linguistëve. Me këtë rast më kujtohet se në një vizitë familjare në shtëpinë e akademikut Jani Thomai, kur ra fjala për  shkrimtarin  Jakov Xoxa, ai në bisedë e sipër më theksoi : “Vepra e Jakov Xoxës është një minierë në fushën e kërkimeve të mia për leksikologjinë”.

Xoxa si stilist  i hollë në veprën e vetë u dha jetë shumë fjalëve të rralla e gati të harruara, si : maja, majoke, gropëçele, brrylak, pllashtirë, dorak.  Në veprat e tij  mund të bëjmë një listë të gjatë fjalësh karakteristike, të cilat janë future e po futen  vetvetiu në fondin e gjallë të gjuhës së përditëshme, sidomos në pasqyrimin e motiveve të  ndryshme të fshatit, siç janë edhe këto fjalë:

ushtre (me theks fundor) era ushtre,ngëqez, gjoçinar, ovrat, mehu ( mehu kënga), shqekëza e buzës,  rurëz, gllomkë, halimuca, pethiti, gjetkëz, truska,  çartesh nga mendtë, upje të ëmbla, kopërmaçe, jamruku, vringthi, bësat ( ose bëset) e detit.

Ky leksik i pasur i Xoxës është një thesar në duart e leksikologëve tanë për studimin dhe pasurimin e vazhdueshëm të gjuhës sonë.

Për këto lloj falësh dhe shumë të tjera si këto, të vendosura mjeshtërisht në veprën e J. Xoxës, Prof. R.Qosja do të shruante se “tek Jakovi gjen një fond të pasur leksikor, po lexuesit nuk do t’i duhet fjalori që të kuptojë edhe ato fjalë që s’i ka dëgjuar, meqë  shkrimtari i sqaron në lidhjet e tyre figurative. Ai nuk kërkonte  fjalë që ta komplikojnë gjuhën , ta thajë atë e ta lëri pa lëng.”[4]

Në stilin gjuhësor të Xoxës vihet re synim i tij për të mbajtur gjallë përdorimin e disa formave të herëshme ligjërmi siç mund të përmendim rastet e mbiemrave të substantivuar në vend të emrave abstarkt:

Me të parë të syve”.

“Pilos iu err të parët”.

Këtu, në këto shprehje, mbiemri i substantivuar “të parët” ka kuptimin e emrit abstrakt  shikimi-n ”.  Siç  dihet kjo dukuri gjuhësore,  pra dalja e emrave abstrakt, që zëvendëson  mbiemrin e subtantivuar nga ana kohore  është më e vonshëme si fenomen, dhe  që nga ana emocionale nuk e zëvendëson plotësisht gjithnjë të parin, mbiemrin e substantivuar. Kjo është arsyeja që në veprën e Xoxës i gjejmë të dyja këto lloj variantesh të shprehuri gramatikisht natyrshëm.

Një veçanti tjetër në stilin gjuhësor të Xoxes është  të shprehurit e superlativit me fjali mungesore:

Gjithë Myzeqeja është e dëgjuar  për kallamat e saj, po hiq Grizën”

Pra fjalët e fjalisë mungesore   “…., po hiq Grizën” kanë kuptimin se Griza është mbi të gjitha vendet  për cilësinë e kallamit.

Kështu duket gjithandej në vepër intuita  gjuhësore e shkrimtarit për të thithur nga ligjërimi popullor thënie karakteristike dhe mënyra të shprehuri të veçanta, që pasurojne vetiu stilin e autorit.

Përmendim,  gjithashtu, dhe përdorimi i  pjesores mbiemrore për mbiemrin:

“Lumi Vjosa  ushqyer nga  ujërat e maleve.”

“Pilua pa bijën veshur nuse”.

Kur është puna për individualizimin gjuhësor të personazheve, Xoxa përpiqet të gjejë  jo vetëm fjalët më të përshtatshme,  po edhe modalitetin foljor përkatës në të shprehur.  Me këtë rast  kujtojmë  mënyrën e vjetër foljes, mënyrën Lidhoro-habitore të foljeve të gjuhës shqipe, siç e hasim tek e folmja e Pilo Shpiragut:


“T’ i paskësha vënë    gishtin kokës që aheraj kur më thatë dhe ju……”

 

Nga ky modalitet foljor, pra nga kjo lidhoro-habitore: “T’i  paskësha vënë,    ose  “Të paskësha vënë”, që del nga e folmja e Pilo Shpiragut, kuptojmë së pari synimin e autorit për të dhënë, edhe nga ana gjuhësore e të folurit, një karakter konkret dhe të besueshëm në roman;  po nga ana tjetër kuptojmë  edhe dëshirën e tij për ruajtjen e disa formave të herëshme të ligjërimit popullor, që kanë qënë një pasuri me vlerë e gjuhës sonë. Këtë dukuri gramatikore të modalitetit të gjuhës shqipe e shikojme edhe ne  kohën e Rilindjes Kombëtare, sidomos ne poezinë e Naim Frashërit:

“Të paskësha vrapn’ e veriout, të kisha krahë pëllumbi,…….”

(Varg i marrë nga poema”Bagëti’ e Bujqësija”)

Po kështu e hasim këtë lidhoro-habitore edhe tek poema “Histori e Skënderbeut”  të Naim Frshërit:

“A më sheh ti mua plakn’

Të qënkësha si ti djalë”

Edhe në fushën e sintaksës stili gjuhësor i Xoxës ka origjinalitetin  e tij, sidomos në ndërtimin e fjalive kohore të pashtjelluara.  Ky origjinalitet në lëmin e sintaksës në të gjithë veprën e tij, theksohet edhe më tepër kur hasim perdorimin e dy plotësve te ligjërimit popullor, që Prof. Cipo i quante emërore predikative dhe kallëzore predikative:

“Qielli atë mëngjes kishte marrë të kulluar qelq”

Zjarri i ndezur hamull

“Ua ka prerë pajën mëndafsh gjallë”

“Buronin puse me ujin brisk të ftohtë”

Një veçori tjetër që e thekson origjinalitetin e stilit të Xoxës është  përdorimi i idiomave në gojën e personazheve, gjë që shton freskin e të kallëzuarit, duke e bërë naracionin  edhe më tërheqës :

 

Të gjitha shtigjet m’i  zunë me drizë…..

Mos e zgjat dorën, tek s’të arrin krahu….

I zuri dhëmbi bukë…

Fshati ju paska marrë kaq për cep…..

Do ulim kokën nën naxhake (sopatë)….

Nënë  Konxhja  kyçi gojën.

Duke pritur me veshët big.

Ishin me një vështrim majë e brisk

Vazhdoi të shihte pil.

Iu pre fjala në buzë e iu këput koka

Pra, gjithë shembujt që  sollëm konfirmojnë të vërtetën se vepra  letrare e Xoxës, e dhënë me një stil origjinal, qe një arritje e ligjërimit tregimtar në letërsinë tonë.

Pasuria e jashtëzakonshme  leksikore me disa nuanca kuptimore, mendimet dhe  sentencat filozofike, që përcjellin jehonën  e mënçurisë popullore, tablot e gjëra tipike si dhe lirizmi  ndjenjavbe, i japin stilit të Jakov Xoxës një  ngjyrimi  të theksuar individual.

Kohë më vonë, krahas kritikëve e studjuesve, edhe shkrimtari Naum Prifti do të shkruajë  për veprën e Xoxës, kur vë re  se “tek romani “Lumi i Vdekur” shkrihet harmonishëm raporti ndërmjet  anës cerebrale dhe intuitive të krijuesit. Xoxa ka portretizuar në mënyrë të shkëlqyer  Myzeqenë e viteve  tridhjetë, me bukuri e vërtetësi që nuk e gjen te  asnjë autor tjetër. Romani ka diapason të gjërë, duke përfshirë shtresat shoqërore më të rëndësishme të kohës, ka personazhe të skalitur me psikologji shqiptare. Përshkrimet e natyrës kanë  freski, poezi,  njomështi  e bukuri mahnitëse. Karakteret janë plazmuar aq mirë, sa lexuesit i krijohet mbresa se edhe ai diku i ka njohur ata tipa….Në asnjë vepër tjetër  nuk jepet aq pikëllueshëm drama  e fshatarit pa tokë, vuajtjet e emigrantëve kosovarë, mashtrimet e tregëtarëve, arroganca e bejlerëve sa te kryevepra e Jakov Xoxës “Lumi i Vdekur”[5].                                                                                                             Nga gjithë sa kemi shkruar dhe paraqitur në këtë trajtesë, si edhe nga vlerësimet e mjaftë studjues të Jakov Xoxës, parë nga ana estetike, merret vesh se  vepra e tij  është një pasuri vlerash letrare- artistike, që e  lartësoi narracionin e romanit shqiptar. Kështu me veprën e tij Jakov Xoxa mbetet një mjeshtër i fjalës artistike dhe stilist i shquar i letërsisë.


[1] Sh. Islamaj, “Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000

[2] Sh. Islamaj, “Gjuha e J. Xoxës”, Prishtinë, 2000.

[3] Fjalori enciklopedik Shqiptar, Tiranë,  2008, f. 2938,

[4]  R.Qosja, “Gjuha dhe stili  i  romanit “Lumi I Vdekur”, (Letërsia e sotme), Prishtinë, 1971.

[5] N. Prifti, gazeta Illyria, dt. 11 janar- 2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora