E premte, 26.04.2024, 12:09 AM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Sokol Kushta

E shtune, 06.05.2006, 01:47 AM


Gjysma e Beogradit bënë tifo për Flamurtarin

Ish-yllin e kombëtares shqiptare, vlonjatin Sokol Kushta, është vështirë ta shtrosh në tavolinë, kur i thua se do ti bësh portretin. Jo se e ka të vështirë të flasë, por i duket se kthehet në rolin e Belulit, ngaqë vetë karriera e tij futbollistike ka qenë aq e larmishme dhe me shumë ngjarje befasuese, sa që atij i duket e tepërt ti bëjë komente të mëtejshme. Ai është mbajtës i disa rekordeve të pashkruara në librin e futbollit shqiptar dhe ka qenë dhe mbetet pasqyra e futbollistëve të pas-historisë së tij. Në vetëm 34 ndeshje të luajtura me kombëtaren shqiptare( dhe duhet theksuar se ka luajtur me ekipe prestigjioze dhe asnjëherë me Andorrën apo Kazakistanin) ka shënuar plot 11 gola, rekord më vete ky në raport ndeshje –gola. Një thes me gola ka shënuar për Flamurtarin e zemrës, për Partizanin, në Greqi e Qipro, e po ashtu edhe me kombëtaren e të rinjve dhe Shpresat e atëhershme të Shqipërisë. Ka qenë një nga sulmuesit me sprint të fuqishëm dhe gati në çdo ndeshje, mbrojtësave kundërshtarë u ka treguar vetëm numrin e fanellës. Kushta ka shënuar gola deçizivë, që kanë ngelur në historinë e futbollit shqiptar e më tej, ku duhen veçuar ata me Partizanin e Beogradit dhe Barcelonën e Spanjës. Si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, provoi të luante me shumë sukses në Greqi e Qipro, por asnjëherë nuk u tundua nga ofertat e majme për të ndryshuar emrin apo kombësinë. Kudo ku shkoi, luajti si Sokol Kushta dhe për këtë ndjehet krenar dhe gëzon edhe pas shumë vjetësh të largimit nga fusha e futbollit, respektin e atyre me të cilët luajti dhe të publikut të gjerë Ndonëse dikur e kishte ëndërr ti shënonte gola të madhit Perlat Musta, bashkëqyetarit të tij, ai e provoi në praktikë jo thjesht si eksperiencë por edhe mbresëlënëse, sepse ka shënuar në portën e Partizanit nga një distancë që në vijë ajrore shkonte përtej 50 metrave. Për të, kjo ka qenë e dhimbshme por edhe entuziaste përtej një gëzimi të zakonshëm, sepse atë profesion ka pasur dhe atij i`a ka bërë yzmetin me talentin dhe vullnetin që sot nuk e gjen askund. Aktualisht, ai është shef i sportklub “Flamurtarit”, por njëherazi pranon se përveç kënaqësisë që i ka dhënë ekipi i zemrës, është edhe i zhgënjyer me futbollistët e sotëm, që më shumë mendojnë për para dhe qejf e pastaj për futboll, kur ai në kohën e tij, ashtu si edhe futbollistët e shquar të botës, këtë sport e quanin sport të sakrificës. Me këtë rast, Kushta kujton thënien e të madhit Johan Krujf që “me futbollin humba rininë, por fitova shumë më tepër”. Megjithatë, është optimist për Flamurtarin e tij dhe futbollin shqiptar në tërësi. Sepse Vlora e tij ka qenë dhe mbetet një fidanishte e futbollit lokal e kombëtar dhe ka nxjerrë edhe futbollistë që shkëlqejnë në Europë.
-Më së fundi të detyrova të ulesh në tavolinë dhe të më flasësh për futbollin dhe për veten...
-Ti je mësuar me komanda, por duket se ke fituar dhe këmbënguljen dhe durimin që i duhet një gazetari. Nuk m`u shqite derisa vërtetë më detyrove të flasim për atë që unë e kam pasur dhe e kam të shenjtë, por që më duket pak e tepruar për të treguar sepse historia është aty dhe gjithkush mund ta lexojë.
-Dakort, dakort, por keni kohë që jeni zhdukur nga shtypi, kur jashtë modestisë, keni shumë për të treguar dhe për të folur...
-Unë kam folur përmes punës, golave dhe vetë jetës, ndaj kjo gjë më duket si Beluli, por nuk po ta prish, meqë të kemi edhe mik në qytetin tonë.
-Jo vetëm kaq, por jam një nga ata që për pak më ke futur edhe në burg...
-Unë ty? Nuk më kujtohet ky fakt, sepse ne pak muaj kemi që njihemi bashkë.
-Po, po por kur i bëre gol Partizanit të Beogradit dhe që për ne veç një fitore futbollistike ishte edhe një fitore politike dhe kombëtare, unë kam zbrazur pistoletën në shenjë gëzimi dhe në fije të perit shpëtova nga biruca....
-Nuk e kam ditur këtë rast, por dua të them se ai gol ka hyrë në memorien time si nga më të bukurit dhe nga më të shenjtët.
-Pa shkuar deri tek ai gol i mrekullueshëm, kush e mori prej dore Sokol Kushtën dhe e çoi tek fusha e blertë?
-Sado të duam të dukemi e të mburremi me mundësitë që na jep familja apo talenti, gati të gjithë futbollistët tek futbolli i çon ai që edhe nga Pele i madh e Maradona legjendar, është quajtur “futbolli i rrugës”. Sepse askush nuk mund të thotë se kam mësuar futboll shkollor, përpara se të shkelmojë një top në rrugën e lagjes. Edhe unë kështu kam filluar të luaj futboll, me shokët e lagjes dhe të fëmijërisë. Aty pastaj, duket se u dallova nga shokët dhe nuk i thashë dot “jo” Besnik Elbasanit, trajnerit tim të parë, i cili kur isha në moshën 14 vjecare, dëshironte që të më kishte sulmues në skuadrën e tij të pionerëve të atëhershëm. Vrapova drejt fushës së blertë pa e ditur se do të bëhesha pjesë e saj dhe ndonëse kisha plot ëndrra në sirtar, nuk mund ta mendoja dot atë që realizova më tej në jetë. Dhe nëse do të vazhdoj më tej historinë, në vitin 1978, në spartakiadën e atëhershme të pionerëve, isha kapiten i skuadrës që doli në finale të këtij kompeticioni. Aty kishte qenë edhe i famshmi Gjergji Thaka, i skuadrës së lavdishme të Partizanit që këmbënguli për të shkuar në shkollë ushtarake, në mënyrë që të isha kontingjent i skuadrës së tij.
-Ju keni qenë në shkollën time?
-Vajta por vetëm për gati një muaj e gjysmë As sot nuk e di të them se më trembi rregulli e disiplina ushtarake, apo më tërhoqi vendlindja, por di të them se erdha dhe u ingranova me ekipin e Skënder Elmazit që ka bërë histori në futbollin vlonjat.
-Mesa di unë ai kishte ekipin e të rinjve. Kur u thirrët aty?
-Po, me atë ekip u aktivizova që në vitin 1979 dhe ndeshjen e parë e kam luajtur kundër Vllaznisë në Shkodër. Vetëm për gati një vit e gjysëm luajta me atë ekip, se pa i mbushur akoma 17 vjeç, më tërhoqi menjëherë në ekipin e parë të Flamurtarit Agron Sulo i pavdekshëm. Dhe çuditërisht, edhe ndeshjen e parë me këtë ekip e kam luajtur kundër Vllaznisë, ku ne fituam 3-1 dhe unë u aktivizova në 45 minutat e dyta. Në ndeshjen e dytë ndaj Tiranës, kam shënuar golin e parë në atë takim që përfundoi në barazim 3-3, bile mbaj mend se shënuan edhe Taho e Braho. Qysh atëherë kam qenë shënues i pamëshirshëm dhe nuk kam vënë re se kë portier kam pasur përpara.
-Keni shënuar ndaj Perlat Mustës dhe të madhit Zubizareta, por pak më vonë m`i trego këto. Tani dua të më flasësh për kalimin me Partizanin?
-Përpara kësaj dua të them se kur luajta me ekipin e parë, kisha në krah ustallarë të vërtetë të futbollit vlonjat dhe kombëtar, si Uran Xhafën e Kreshnik Çipin, vëllezërit Leonidha e Spiro Curri, etj si dhe gati moshatarët e mi Taho, Bubeqi, Gjondeda e Canaj me shokë. Mirëpo nuk më ndahej Partizani që më kërkonte me insistim, ndërkohë që më duhet ta pranoj se edhe unë e kisha ëndërr të luaja me atë ekip, që ka qenë superkampioni shqiptar i atyre viteve. Në vitin 1983 shkova në IKF “Vojo Kushi”, por luajta për ngjyrat e kuqe të Partizanit. Kanë qenë vite që nuk shlyhen nga kujtesa asnjëherë, sepse janë vite të konsolidimit si lojtar për të mos thënë të shkëlqimit tim. Janë vite që shënojnë edhe arritje që mbahen mend gjatë. Janë vite për të cilat ende debatoj me shokun tim Sulejman Demollari, që më bënte atëherë ofertën dhe ftesën e tij dhe që edhe sot më kujton se do të isha mirë tek Dinamo e tij. Por unë nuk jam bërë asnjëherë pishman. Partizani më dha reston e asaj që i dhashë. Unë iu përkushtova me gjithë talentin dhe mundësinë time dhe ai më dha emrin dhe lavdinë që në atë moshë të gjithë e kishin ëndërr. Partizani që drejtohej nga Neptun Bajko dhe Gjergji Thaka, ishte një shkollë më vete e futbollit shqiptar, me nam edhe më të madh se kufijtë e vendit. Partizani im me Skënder Gegën e Ylli Shehun me shokë, e çoi më tej atë histori të lavdishme të emrit që kishte. Partizani im i atyre viteve ishte furtuna që merrte përpara të gjitha ekipet që i dilnin dhe e mbushte stadiumin “Qemal Stafa” plot e për plot. Mendo vetë se si mund të luaje përpara gati 20.000 vetëve që duartrokasin për ty. Partizani im dhe i Perlat Mustës, ishte njëkohësisht edhe baza ku furnizohej kombëtarja që ndeshej denjësisht me ekipe me emër në Europë. Partizani im dhe ...
-Për të cilin ju shënuat gjithsej ?
-Shënova 31 gola që i dhanë Partizanit fitore jo të pakta. Fituam kupën e Shqipërisë, kampionatin kombëtar dhe bëmë ndeshje mbresëlënëse në Europë.
-Po atëherë pse nuk qëndruat përgjithmonë me Partizanin?
-Sepse Vlora është qytet magnet për bijtë e vet. Sapo mbarova shkollën më ka thirrur vetë ministri i mbrojtjes së atëhershëm, Kiço Mustaqi, i cili më afroi mundësi qëndrimi në Tiranë, por unë renda në Vlorën time. Dhe me Flamurtarin tim po ashtu bëra gola deçizivë dhe vendimtarë, ndërkohë që ndjeva kënaqësinë e të qënurit i përkëdheluri i tifozëve të zjarrtë vlonjatë, që e shqyenin stadiumin tre apo katër orë përpara se të fillonte ndeshja. Ty do të të duket çudi kur të them se për të parë Flamurtarin tim, vinin tifozë edhe deri nga Fieri, Lushnja e Berati. Atëherë, 2-orëshi i ndeshjes sonë ishte gëzimi javor i qytetit. Flamurtari im ishte ai që bëri historinë e pavdekshme të futbollit vlonjat, jo vetëm se bëri të dridheshin ekipet e kryeqytetit, që mbaheshin si të pathyeshme, por edhe ekipe me emër në Europë e më tej, si Partizani i Beogradit dhe Barcelona e Spanjës. Flamurtari im ka shënuar emrin me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar dhe ja rriti lavdinë dhe emrin Shqipërisë edhe në arenën ndërkombëtare. Flamurtari i shpirtit të sakrificës dhe rezultateve domethënëse ka hyrë në legjendë.
-Meqë jemi tek Flamurtari, pse ky i sotmi është larg atij tuajit, ndonëse jeni ju përsëri në krye të tij, por tashmë si drejtues?
-Ka shumë arsye dhe unë nuk desha të ndalesha tek shkaqet e kësaj diference, sepse sapo kemi siguruar hyrjen në Superligë dhe në këtë atmosferë feste, unë nuk dua të bëj kritikun. Por për futbollin shqiptar në përgjithësi, do të thosha se është larg parametrave bashkëkohorë, sepse ndërsa për ne ishte sakrificë dhe pastaj kënaqësi, për lojtarët e sotëm është xhep i mbushur me para dhe qejf, e pastaj në fund është lodhje dhe sakrificë.
-Mund të flasim më vonë për këtë gjë, sepse unë doja të vazhdonim me Sokol Kushtën futbollist. Po, pas Flamurtarit, me të cilin shënuat gjithsej ...?
-Shënova 76 gola dhe jam ndër shënuesit më të mirë në vite për këtë ekip. Shkova pastaj edhe unë si gjithë të tjerët për të treguar veten në Greqi.
-Por me sa di unë, ju kishit oferta që nga ndeshjet në Barcelonë?
-Unë po pres të më pyesësh edhe për ato ndeshje të famshme, por meqë po e kalon pak radhën e bisedës po të tregoj se është e vërtetë që qysh në Barcelonë na u afruan, mua dhe shumë shokëve të tjerë të ekipit menaxherë të Real Betisit apo Atletikos së Bilbaos, që të vazhdonim karrierën futbollistike në Spanjë. Por në ato vite as që bëhej fjalë për gjëra të tilla. Kështu që mundësia na erdhi në fillim të viteve ’90 dhe ne e shfrytëzuam këtë mundësi. Unë shkova fillimisht tek Iraklisi i Selanikut, ku firmosa kontratë të rregullt.
-Në fakt, unë di një të vërtetë që mund të ma konfirmosh. Jeni shqiptari i parë me kontratë të rregullt në këtë shtet, apo jo?
-Po, është e vërtetë se në ato vite shumë shqiptarë shkuan dhe provuan fatin në vendin fqinj, por kush ndërroi emrin e kush kombësinë. Asnjëherë nuk kam pranuar që ta bëj këtë gjë. Kam luajtur si Sokol Kushta nga Vlora dhe edhe tani ndjehem krenar për këtë gjë, sepse ndonëse kanë kaluar vite qysh atëherë, edhe sot më telefonojnë shqiptarë, grekë e qipriotë, që më falenderojnë për këtë që kam bërë.
-Atëherë kam të drejtë të të them një batutë të një filmi shqiptar: Na dalke patriot i flaktë?
-Quaje si të duash, por e vërteta është e vërtetë, edhe në atë vlerësim që e emërtove ti.
-Edhe në Greqi kam mësuar se ke qenë sulmues kryesor ose “bombardues”?
-Nuk e di nëse quhen ashtu. Por di të them se kam shënuar në këtë kampionat, për aq kohë sa luajta, 28 gola gjithësej.
-Dhe pastaj karriera juaj vazhdoi në Qipro?
-Po, shkova në këtë ishull piktoresk, sepse nuk mund të refuzoja kërkesën e Olimpiakosit të Nikosias. Edhe aty shkova për të shënuar dhe bëra në tre vjet 25 gola.
-Përvecse me këto ekipe ju keni qenë edhe kontingjent i përhershëm i kombëtareve zinxhir në Shqipëri. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
-Po, është një kapitull më vete. Unë kam qenë qysh herët pjesëtar i ekipit kombëtar të të rinjve dhe kam shënuar për këtë ekip kombëtar 22 gola.
-A mos është ky fakt një rekord më vete?
-Nuk jam historian futbolli që të bëj krahasime, por di se kam luftuar dhe shënuar gola për të nderuar ekipin dhe fanellën që vishja.
-Pastaj vjen aktivizimi me Shpresat?
-Po, më pas u aktivizova me kombëtaren e Shpresave dhe dua ta shënosh faktin historik që dolëm deri në gjysëmfinale të Kampionatit Evropian, duke mundur edhe Gjermaninë e famshme dhe jemi eliminuar po nga një ekip i famshëm si Italia.
-Pastaj vjen periudha e artë me Kombëtaren e “madhe”.
-Kam luajtur me këtë ekip plot 34 ndeshje, që për kohën kur jetonim ishin shumë dhe kam shënuar 11 gola për ngjyrat e vendit tim. Të thashë që në fillim se do më keqkuptosh, por unë do ta them të vërtetën deri në fund. Në krahasim me ndeshjet e luajtura dhe golat e shënuar, mbase do të jem për shumë vite i paarritshëm në Shqipëri. Sepse ne atëherë jo vetëm na mungonin ndeshjet miqësore, por ngandonjëherë nuk luanim edhe në kompeticionet evropiane, vetëm se na binte të luanim me Izraelin apo Anglinë. Pastaj dua të them se luanim me ekipe kampion si Gjermania, e ekipe të forta si Uellsi dhe asnjëherë nuk na ra rasti të luanim me Angolën apo Kazakistanin, sepse po të ishte se do të luanim me këto ekipe, me siguri them se do ti kishim mundur fare lehtë dhe unë do të kisha sot në biografinë time dyfishin e golave që kam shënuar me kombëtaren. Megjithatë, nuk jam pishman sepse ne e kemi jetuar kohën siç na ka ardhur dhe kemi bërë detyrën tonë.
-Në këtë kuadër, unë do të thosha se keni në arkivin tuaj gola që ngelen në kujtesë. Ti përmend unë apo do të na i kujtosh vetë?
-Po e bëjmë si në konkurs. Kë mbani mend ju?
-Unë mbaj mend golin që i ke bërë Perlat Mustës nga pothuajse 50 metra kur luanit me Flamurtarin, golin në Beograd ndaj Partizanit vendas që i dha kualifikimin Flamurtarit, golin ndaj Moldavisë, etj...
-Mos e vazhdo më listën.
-Të dhëmbi apo u gëzove kur i bëre gol Perlat Mustës?
-Përse të mos më dhembte dhe përse të mos gëzohesha. Ti bëje gol të famshmit Perlat Musta ishte ëndërr, por edhe më dhimbte sepse e kisha shok.
-Po goli në Beograd që ishte njëkohësisht eurogol, por edhe një fitore politike...
-Unë e kam parë në aspektin sportiv, por edhe si një fitore të dyfishtë, sepse përvecse një gol i bukur ishte edhe me vlera kualifikuese për ekipin tim të Flamurtarit. Me këtë rast dua të them se kemi festuar në hotel për orë të tëra dhe qysh atëherë, më ka bërë përshtypje një fakt: Ndonëse ishim pothuajse armiq me Jugosllavinë e atëhershme, vinin shumë tifozë të Crvena Zvezdës dhe na përgëzonin, ngaqë kishim mundur një ekip rival të tyre.
-Kurse goli ndaj Moldavisë...
-Ishte si të thuash një kopje e atij në Beograd dhe i treti në fitoren e thellë ndaj atij ekipi.
-Sikur thamë më parë se do të flasim edhe përse ka diferencë midis futbollit të kohës tuaj dhe atij të sotmit...
-Edhe unë të thashë se nuk dua të bëj rolin e kritikut, por do të jap vetëm një shembull: Në kohën e futbollit tim, siç po e quan ti, metrazhi mesatar për një lojtar tonin në një ndeshje ishte 8 deri në 9 km, kur për lojtarët botëror ishte 10-12 km. Sot këto raporte janë: për lojtarët tanë 4 deri 5 km kur bota ka shkuar në 14 km. Pra, bota ka shkuar më përpara, kurse lojtarët tanë gjithnjë poshtë e më poshtë. Nëse në kohën time pothuajse 95% e lojtarëve që luanin futboll kapnin normat e vëna nga Federata, sot jo vetëm që nuk ka më norma, por sikur të kishte jam i sigurtë se rezultati do të ishte kokëposhtë, 95% e lojtarëve nuk do ti kapnin ato norma. Lojtarët e sotëm e quajnë futbollin argëtim, kurse ne e quanim sakrificë. Besoj se edhe ju e keni lexuar thënien e famshme të Krujfit legjendar “futbolli më mori rininë, por më fali shumë më tepër”, që të rinjtë e sotëm as që duan ta dëgjojnë. Konkluzionet nxirri vetë pastaj.
-Ju mbaheni mend si një sulmues sprintier ...
-Shiko, secili lojtar ka specifikën e tij. Sa për të konkretizuar mendimin tuaj, unë do të bëja një krahasim me shokun tim të “armëve”, Sulejman Demollari. Nëse ai i linte mbrojtësit kundërshtarë pas me fintet dhe triblimet që vetëm ai dinte ti bënte, unë i lija pas me sprintin e fuqishëm. Të dy ishim të suksesshëm, ndonëse kishim stil të ndryshëm.
-Përvecse një sportist yll, ju keni qenë edhe një djalosh simpatik. A dinte të bënte gola edhe në shoqërinë e moshës Sokol Kushta?
-Sikur të ma bëje këtë pyetje 20 vjet më parë, do të jepja një përgjigje që do të kënaqte edhe ty edhe lexuesit e gazetës suaj. Meqë po ma bën tani, mund të them se je vonë shumë dhe kjo pyetje ngelet pa përgjigje.
-Kur do të ndahet Sokol Kushta nga futbolli?
-Atëherë kur të ndahesh ti nga lapsi dhe gazetat.
-Unë nuk kam asnjë plan për këtë gjë.
-Atëherë jemi njëlloj.
-Faleminderit dhe suksese në sport dhe në jetë.
-Faleminderit edhe juve dhe më harro për disa vjet. Gjithmonë në kontekstin e profesionit si gazetar, pasi si Vangjel je i mirëpritur çdo ditë në lokalin tim “Kampionët”.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora