E premte, 29.03.2024, 10:11 AM (GMT)

Kulturë

Remzi Salihu: Poezi nga Ulla Hahn

E hene, 20.04.2015, 05:16 PM


Ulla Hahn u lind 1945 në Sauerland, Studioi letërsinë, historinë dhe sociologjinë në Universitetin e Hamburgut, Bremenit, Oldenburgut dhe Kelnit. Prej vitit 1979 punoi si redaktore e letërsisë në Radio-Bremen. Më 1981 laureohet për punën e saj në fushën e letërsisë dhe merr një bursë për në Villa-Mosinë të Romës. Poezitë e Ulla Hahnit edhe pse paraqesin tema të trajtuara kaherë, prapëseprapë në to hetohet një frymë e re. Poezitë e saj artikulojnë me shkathtësi të rrallë poetike, pritjet, plotësimet, afritë dhe distancat e njeriut në rrethin shoqëror. Madje, në poezinë e kësaj poeteshe gërshetohet një ndërgjegje dhe vuajtje reciproke, një spontanitet dhe virtuozitet i shkalafitur me një sens e stil të rrallë poetik. Veprat më të njohura të saj janë: “Zemra luan mbi kokë’’ poezi 1981, “Si me shaka’’ 1983, “Zjarr gëzimi’’ 1985, “Afria e paaprovuar’’1988, “Poezi dashurie’’ 1993, “Kopshti Epikurit’’ 1995, “Kaq e hapur bota’’ 2004 etj. Këto poezi janë të zgjedhura nga libri  “Zemra luan mbi kokë’’.

 

PAS NJË VITI E NJË DITE

 

Një vagon kalon këtej pari

Ai ka të ngarkuar qymyr

 

Burrat majtas gratë djathtas

Drejt banjave publike

 

Këpucët i lënë në një grumbull

Si në çmimet e lira të verës

 

Flokët do t’i presim

Sipas një frizure të re

 

Njerëzit shkojnë në banjë

Për ta larë veten

 

Një zjarr ndizet

Dhe bëhet shumë ngrohtë

 

Tymi ngrihet lart

Një kandil shuhet

 

 

LOJË DASHURIE

 

Po unë jam ende këtu. Unë e rrudhë

trupin tim nëpër të tëndin si në lutje

Tradhtia nuk shkruhet në ballë

Vetëm zemra ime është rrejtur dhe zemëruar.

 

Jo, unë nuk të dashuroj më. Ti shumë gjatë

më ke shkretuar me dhembje. Koha do t’i shërojë

të gjitha plagët e këqija brenda në blanë:

ajri më duket më i rëndë. Merre ofkëllimën time

diskrete si variant të lezetshëm.

Në lojën e dashurisë.

 

 

RRI

 

Tërhiqu. Unë e di,

ti e di

ti ke fituar

bëhu besnik

deri në shtegtimin e ardhshëm

Unë nuk dua të vete më tej

pjesën time e kam marrë

Tani ti je brenda

Unë bëhem shumë e lirë

 

 

VDESHJA E TË DYVE

 

Unë zhvishem pranë teje

Për të gjetur ngushëllimin

Po Ti kërkon ngushëllimin tënd te unë

 

Ja se si ia sqarojmë

Njëri-tjetrit luftën

E betejës së rëndë të zemrës

Për pushtimin e ngushëllimit:

 

Aty brenda besimi ndeshet kundër besimit

Malli im shpresën tënde të djegur

e ka mbytur në shpresë

 

Secili për vete në pafuqi

E gjunjëzojmë tjetrin deri në vdekje

Kurse ai tjetri e gjen ngushëllimin.

 

 

RREGULLA LOJE

 

Eja ta provojmë atë farsë edhe njëherë

ne e njohim rëndësinë e fatit

s’ka kurrgjë për t’u thënë këtë herë

pos të luajmë skenën e vjetër të teatrit

 

Gjithmonë vijnë të njëjtat hapërime

deri këtu dhe më tutje nuk shkojnë

gjithmonë ato të njëjta shikime

me fytyra tjera që në mua pushojnë

 

Gjithmonë të njëjtat psherëtime

më vijnë nga një gojë tjetër

përherë të njëjtat përfundime

nga çdofarë arsye e vjetër

 

Gjithmonë në fillim tufa lulesh

Kësaj radhe janë të gjitha për mua

Por në fund të akteve lot pikëllimesh

si përherë: por kësaj radhe pse të  dua

 

 

BURRI I MERMERT

 

Ky burë nuk jeton larg meje

Ai është nga guri i bardhë i mermerit

dhe kur unë nën trekëndëshin e tij bie

më shtrihet i lëmuar mbi këmbë dhe i fortë në kraharor

 

por prapë me atë shkëlqim mishi

dhe me atë zemër trokitje nga ndonjëherë

me djersë të forta nëpër shi

me ballë të lustruar: i torturuar përherë

 

jetën me torturë e ndjenë ai

si ndonjë stuhi të ndonjë lindjeje të re

nga qenia njerëzore trupi i tij

është refuzuar: gëzimi e dhimbja i bëhen fitore

 

Shiu nuk bie më e stuhia ka pushuar

I shkëlqyer e i fortë mbetet ai mermer i vetmuar

 

 

NË PËRDORIM

 

Mua më tepër nuk më duhet: pak

lëkurë dhe eshtra shtatëdhjetë

deri tetëdhjetë kile mish njeriu

ngjyrë-flok-përafërsisht-mjafton

një kokë këmbë thonj dhëmbë

gjuha e goja për nja gjashtë ditë.

Ah si e përshkrova këtë portret

në këtë  mënyrë është mirë para se

ta marrë në përdorim një burrë.

 

 

TRËNDAFILAT E FISHKUR

 

Në mëngjes fillojnë dridhjet e mia

Ti shqipton metafora të bukura. Jeta

Ngec sikur gjaku i tharë.

Por vetëm  kjo nën gjinjtë e mi kujton

Dhimbjen e vërtetë.

Lëngim i ëmbël ah

Lotët bien mbi dhembjet e botës

kërcejtë e trëndafilave thahen

dhe rrëzohen drejt meje.

 

 

PARA NDARJES

 

Pas atij kopshti pemët

Lulëzojnë si në stinën e Majit

Unë ëndërroj shtatorët

Sikur të ishin të një motit

 

A ke shkuar apo ke ardhur

Aje larguar apo je duke pushuar

A ke marrë a ke dhënë

A më ke përqeshur a më ke vajtuar

 

Borë e gjethe lulëzimi

Rrëzohen si puthje nëpër mua

Kodrat e largëta para shiut

Duken shumë afër sikur ti me mua.

 

 

FORMË URDHËRI

 

Flokët e mia

Thurin një

Rrjetë për ty

 

Goja ime

Vrapon nëpër

Labirinte

 

Lëkura ime

Djeg

Si lëkurë me hithër

 

Sytë e mi

Mbytin

Dy dete

 

Gjinjtë e mi

Kodra të bukura

Të qeta e të buta

 

 

KËNGA E GJUMIT

 

Netëve kur jam e pikëlluar

Dhe kur askënd s’kam pranë meje askënd

atëherë unë po të pyes ty

çka kërkon ti në këtë vend

 

ta tregon ty shkakun

edhe njëherë hidhërimi

që nga gërmadhat e veta

duket luginë dëshpërimi

 

thuaj atij unë nuk pres

nga fati i askujt

dërgoj atij nga hidhërimi im

fatkeqësinë që si takon çdokujt

 

dërgoja atij dashurinë e ndjeshme

fëmijën e mbretëreshës

për askënd s’është e besueshme

të kërkosh s’mund ta gjesh fjalën e besës

 

 

CIPA MYSHQESH

 

Margarina mbi bukë të zezë gërvishtet

një harengë e ndarë për katër persona

teshat për vete dhe fëmijët

nga thesi i kryqit të kuq honorarizohen

merr kostumet e mia të mbajtura në shpejtësi

burri dukej tip top nga arkivoli

 

Dhuratat e fëmijëve i tregon prapë:

Për mua shumë shtrenjtë. Në restorant

Hante vetëm vezë ruse.

 

Qysh kur kafshatat e tij u bënë të vogla

hapat e shkurtë, eshtrat e hollë

ia kanë gërryer rrjetën

Më në fund veten

e ka kursyer nga kjo botë.

 

Fëmijët e arkivuan atë

Në mëndafsh  dhe Palisander

Dhe ia hedhën myshqet prapa

 

Perktheu nga gjermanishtja: Remzi Salihu



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora