E premte, 19.04.2024, 03:14 PM (GMT+1)

Faleminderit

Kadri Tarelli: Shpëtim Kodra, mësues e studjues

E hene, 20.04.2015, 06:33 PM


SHPËTIM KODRA

MËSUES E STUDJUES, QË JETON ME SHQETËSIMET E KOHËS

Nga Kadri Tarelli

Gazetaria më ka dhënë mundësi të bisedoj e të njoh shumë kolegë mësues të nderuar të Durrësit, të cilët kanë një modesti që s`e gjen kund tjetër. Nuk kam mëdyshje kur mendoj kështu, sepse kjo është natyra e vetë masuesit, që s`i pëlqen të duket, por këtu gjen vend edhe shpirti i durrsakut fisnik që i pëlqen të punojë në qetësi, pa bujë e mburrje. I tillë është edhe Shpëtim Kodra, me një jetë plot të papritura. Qytetarët dhe ish nxënësit e tij e vlersojnë mësuesin pasionant, nëpunësin serioz e studjuesin e përkushtuar, sepse edhe tani që është në pension, nuk heq dorë nga shkrimet dhe studimet.

Shpëtimi, pas shkollës 7-vjeçare, ndoqi gjimnazin “16 Shtatori”. Në vitin e dytë nuk u pranua në “Organizatën e rinisë”, për arsye biografie, sepse i ati Zija Kodra, tregtar, ishte burgosur që në ditët e para të çlirimit. Një masë politike vrastare për ardhmërinë e tij. Ishte fat për të, sepse kur mbaroi maturën, shefi seksionit të arsimit në Durrës u emrua Mustafa Gercaliu, mësuesi i tij i historisë, i cili e ndihmoi të ndjekë studimet e larta për gjuhë - letërsi në Universitetin e Tiranës.

Fill pas studimeve, nis punë në shkollën “Mujo Ulqinaku” në Durrës më 1964. Pas një vit transferohet në shkollën e “Mesme Mekanike Bujqësore”, Gjatë kësaj kohe, si mësues i aftë e serioz, u aktivizua nga Kabineti Pedagogjik me tema e grupe kontrolli. Shkroi disa artikuj në gazetën “Mësuesi” dhe “Adriatiku” (ishte gazetë lokale e Durrësit). Janë ngacmime të idealizmit të mësuesit intelektual, që ngre shqetësime lidhur me përmirësimin cilësor të punës në shkollë. Kjo duket që në titull të shkrimit: “Kërkesat e reja dhe puna e mësuesit të letërsisë”, ku ai shtron për diskutim: “Që të edukojë te nxënësit qëndrimin kritik ndaj veprave letrare, mësuesi duhet të japë vetë i pari shembullin e zbërthimit të analizës së veprave….”. Gazeta “Adriatiku”. Mars. 1968.

Është kjo periudhë që Shpëtimi, si intelektual i ri përpiqet të japë ndihmesë në zgjidhjen e problemeve që shtronte koha. Temat e gjuhësisë zinin një peshë të madhe në diskutimet e gjuhëtarëve dhe mësuesve, ndaj ai kërkon të thotë fjalën e tij. Kështu përgatiti një material mjaft të mirë e të dobishëm dhe e dërgon në Tiranë. Për t`iu shmangur kujtimeve, po citoj një dokument të vjetër, të zverdhur nga koha, ku shkruhet: “Ju falënderojmë përzemërsisht për vërejtjet tuaja të vlefshme që na keni dërguar në lidhje me “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”….”. “Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Komisioni i drejtshkrimit.. Tiranë: 27. 03. 1967. Drejtori. Androkli Kostallari.

Më duhet të përmend edhe një shkrim tjetër, ku Shpëtimi përsëri ngre zërin. Është artikulli me titull, “Mësuesi i letërsisë duhet të punojë në mënyrë krijuese”. Duket sikur është shkruar për ditët e sotme, pasi aty thuhet: “Në hartimin e teksteve të reja, më bën përshtypje ky fakt: Autori që përpilon një tekst të ri, ndryshon krejtësisht tekstin e mëparshëm, duke injoruar anët e tij pozitive…. Mësuesi duhet të shmangë edhe një të metë, për mendimin tim, që në tekstet ekzistuese nuk është pasur parasysh, rritja e vështirësisë nga klasa në klasë”. Gazeta “Mësuesi”. Tetor. 1975.

Shpëtimi nuk mjaftohet vetëm me shkrime, ai shquhet edhe si një organizator i mirë i veprimtarive letrare e shoqërore. Më 1968 organizoi një takim të punonjësve të ndërmarrjes “N.I. Goma”, me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare. Ishte një formë pune që i pëlqente dhe që koha e kërkonte. E admironte poetin e madh, ndaj vite më vonë do të botojë shkrime kushtuar veprës së tij: “E lehtë të kritikosh. E vështirë të vlerësosh”. Gazeta “Standard”. Gusht 2009, ku ngre një problem që nuk po venitet nga koha as sot në demokraci: “Të çuditëshme, të papranueshme e të pajustifikueshme duken kritikat e sotme në sensin e kundërt. Në kohën e diktaturës anatemohej si i ndikuar nga borgjezia, ndërsa sot si komunist”. Më pas edhe një shkrim tjetër, ku titulli flet pa shumë fjalë: “Letërsia e Kadaresë ve në gjunjë tiraninë”. Gazeta “Shqiptare”. Janar 2013.

Mësuesi ynë i nderuar, ndoshta më shumë se të tjerët, ndjente peshën dhe forcën e thashethemxhinjve që ishin shtuar ca si shumë. Ata mund të marrin në qafë këdo e s`mund të mbrohesh dot. Ishte një lloj pështirosje ndaj këtij personazhi që jeton mes nesh, prandaj me përbuzje bën një portretizim model për një piktor apo artist skene, sepse gjendet e u vlen të gjitha kohëve: “…Thashethemet përhapen ashtu si era e gazit sulfuror në një ambient ku nuk lëviz ajri… Merret me thashetheme njeriu që shkon jetë të zbrazët, njeriu i paaftë në punë, i pacipë, i ngeshëm, përtac…që merr nëpër gojë të tjerët”…… “Fizionomia e një marimange – thashethemaxhiu”. Gazeta “Adriatiku”. Qershor 1972.

Në vitin 1973-75, është mësues në gjimnazin “N. Frashëri”. Çudi!? Ndërsa drejtoria e vlerësonte duke e vënë emrin dhe fotografinë në tabelën e nderit, pa pritur transferohet mësues në Leshten-Çollak, fshat pranë Luzit të vogël, në zonën e Kavajës, ku punoi disa vjet, deri sa u transferua në Durrës. Yani jo mësues, por me detyrën kujdestar konvikti në shkollën e ulët të ndërtimit në Shkozet. Kur e pyet Shpëtimin, pse? Ai përgjigjet thjesht: “Arsye biografie. Lufta e klasave”. Dhe ka të drejtë, pasi  i njëjti fat i ndoqi edhe kolegë të tjerë të të njëjtës shkollë, mësuesi Eqerem Shijaku dhe Fatbardh Nepravishta, për të cilët shkruan me shumë nderim edhe Astrit Hoxha, atëherë drejtor i gjimnazit. “Historiku i shkollës së mesme “N. Frashëri”. Durrës.

Pas shumë përpjekjesh në vitin 1983, u transerua në gjimnazin “GJ. Kastrioti”. Për punë të mirë, me rastin e 100-vjetorit të “Mësonjtores së parë shqipe”, më 1987 u dekorua me medaljen “Naim Frashëri”. Histori interesante e jetës. Ndërsa s`i shqitej hija e biografisë, nderohej e vlerësohej për punën cilësore e shembullore në çdo shkollë. Mësues që s`e kanë jetuar atë kohë, tani kanë të drejtë të habiten.

Njohës i mirë i italishtes dhe rusishtes, më 1992 shkëputet nga arsimi, dhe fillon punë si përgjegjës i personelit dhe arsimit në Komitetin Ekzekutiv Pluralist të qytetit, (më pas Bashkia e Durrësit). Që nga kjo kohë e deri sa doli në pension në viti 2001, ka kryer detyrën e shefit (drejtorit) për arsimin, kulturën, sportin dhe marrëdhëniet me jashtë. Gjatë kësaj kohe u rikrijuan lidhjet e këputura me bashkitë e qyteteve të huaja, veçanërisht  me bashkinë e Barit dhe Ankonës. Në fjalën e rastit në një takim miqësor në qytetin Pesaro, nuk nguron të ngrerë një problem shqetësues për qëndrimin e mediave italiane ndaj shqiptarëve: “Dua të nënvizoj një vërejtje që me duket e drejtë. Gazetat italiane shkruajnë shumë për faktet negative përsa i përket shqiptarëve në Itali. Të mirë e të liq ka në të gjithë botën, dukuri negative, si krimi, droga dhe prostitucioni ka kudo. Përse nuk hapin gazetat italiane edhe rubrika për qytetarët shqiptar të integruar mirë në punë e në shoqërinë italiane?”. Fjala e mbajtur në “Salloni Adriatik i binjakëzimeve”. Pesaro. shtator 1999.

Posti që mbulonte në bashki e ngarkonte të bënte shumë udhëtime jashtë vendit, pasi duhet të ishte i pranishëm në veprimtari të përbashkëta ose që i kushtoheshin vendit tonë. Kjo përbën një pjesë tjetër të veprimtarisë së ish mësuesit, tashmë nëpunës, ku nuk mungojnë takime, fjalime, biseda dhe njohje me personalitete të pushtetit, të artit, kulturës dhe jetës publike. Me nderim dhe admirim flet për një takim të tillë në Trieste, ku së bashku me historianin durrsak Sali Hidri, morën pjesë në një ekspozitë kushtuar artistit tonë të madh Aleksandër Moisiu. Autoritetet e vendit ndihmuan me material për hapjen e një ekspozite në Durrës dhe premtuan t`i venë emrin e A. Moisiut një rruge në Trieste, si dhe të ngrinin një bust për të.

Mes të tjerave po ndalem tek një shkrim me titull: “Udhëtime njohjeje e solidariteti. Bruno Braveti”, kushtuar librit të tij: “Njih botën dhe shpirtin që e banon”. “Adriatiku nuk është kufi”, kështu shprehet Bruno, kur gjykon lidhjet dhe bashkëpunimin që në lashtësi, mes popujve të të dy brigjeve të Adriatikut. Ndërsa Shpëtimi shprehet: Kjo vepër origjinale e fundit e dok. Bravetit (Shef i kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Ankonës), përbën një vlerë historiko-artistike, të shprehur thjesht në dy elemente: në mendim dhe në formë, në shpirt e në veshje, në të vërtetën e bukurisë, ku fjala e gjen veten ngushtë, ndërsa mendimi e gjen veten gjërë”. Ai që në hyrje të shkrimit thotë: “Për secilin, çdo ditë e jetës është një fletë biografie. I lumtur është ai që shkruan faqe të bukura”. Gazeta “Tema”. Qershor 2004

Është me interes të themi, se Shpëtim Kodra ka botuar dhe vazhdon të jetë i pranishëm në shtyp edhe tani, me plot shkrime e studime të dobishme, që përbëjnë një arkiv me vlera qytetarie, pasi pasqyrojnë kohën, shpalosin idetë, kundërshtitë dhe qëndrimet e tij.

Jetë të gjatë dhe krijimtari në fushën e letrave. Jam i bindur, se ky është urimi më i mirë për durrsakun Shpëtim Kodra, mësues, intelekual, veprimtar e studjues, që jeton me shqetësimet e kohës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora