E enjte, 28.03.2024, 06:32 PM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Ne shkruajmë për të thënë të pathënën

E diele, 19.04.2015, 11:03 AM


Bisedë e hapur...

Ne shkruajmë për të thënë të pathënën, apo fjalën e fund listës…

Esse nga Kristaq Turtulli

Vitet rrjedhin rrëmbimthi, flokët na zbardhen dhe vitet na rëndojnë mbi shpatulla dhe,  jo rrallë është pëshpëritur, andej nga toka mëmë, ngaqë nuk para kanë qejf të hapin krahët. Ata të pushtetshmit në para, në art dhe kulturë. Pas një copë herë heshtjeje kur ne kemi ngulmuar, i kemi dëgjuar haptas, të thonë me nënqeshje sarkastike nën buzë:

-Ah, më falni, dil pak në dritë, ky holli i flamosur është pak i errët. Të më falni hë, janë gjithë këto vite dhe për fat të keq nuk më kujtohesh. Pa thuaj edhe njëherë kush jeni ju lutem?! Ah po tani më kujtohet! Ah si ikin këto vite. Ju të mërguarit, që shkruani, mirë bëni, e dimë, bukur fort bukur...

Heshtje një copë herë. Puroja kubaneze përmbyt sallën me tym, më pas dëgjohet:

-Flitet, të na kuptoni, në koefindencë, ne këtej nga mëmëdheu nuk e besojmë. Por thuhet se ju mërgimtarët shkruani ngaqë nuk mundeni dhe nuk keni çfarë të bëni tjetër (përsëri në koefindencë) dhe ne bëjmë sikur ju ndjejmë me dollarët që na dërgoni për ti botuar librat tuaja dhe bëjmë sikur ju lexojmë. Mos harroni në tokën mëmë ka shumë halle dhe para. Heshtje dhe përsëri tymi i puros shtëllunga- shtëllunga.

-Sikur të ishte mirë për ju të zhvillonit ndonjë aktivitet më të suksesshëm në sfera  të tjera të jetës. Në perëndim a kudo gjetkë, mund të fitosh me çdo mjet, e fare lehtë dollarë, dollarë, dollarë. Nuk e shihni jeta ikën shpejt,  shumë shpejt, koha të lë mbrapa, të nxjerr aksidentalisht ndanë udhës, aty ku ka shumë pluhur, tym dhe mizëri makinash të botës së madhe?!

Ata u qajnë hallin me sinqeritet krijuesve të mërguar, u hipin pastaj makinave të markave të ndryshme dhe ngrysen lokaleve në shërbim të interesave të larta të atdheut dhe të politikës së madhe.

Po a nuk janë shumë prej këtyre politikanëve sharlatanë që me politikën diletante dhe hakmarrëse na detyruan shumë nga ne të merrnin rrugën e mërgimit?!

Sigurisht jo të nderuar ‘mëmëdhetarë të mëdhenj’. Ne nuk shkruajmë ngaqë nuk kemi ç’të bëjmë tjetër.

Jeta e mërgimtarit e të gjithëve ne tërësi është tmerrësisht e vrullshme e rrëmbyeshme, nuk ke kohë të marrësh frymë. E po ti thuash dikujt,  të flasësh për art, letërsi, libra dhe në përgjithësi mërgimtarëve kudo që ti ndeshësh nëpër botë. Të vështrojnë me habi nga poshtë lart, ngrenë supet dhe largohen me shikim te pjerrët, acarues, me mendimin shpartallues,si të thonë:

- Çi a ke ngenë dhe ti...

Sikur ke ardhur nga tjetër planet. Pastaj kthehen vringthi pyesin:

-Vërtet paska njerëz që shkruajnë akoma! Si nuk përtojnë! Oh! Ha! Prit një minutë të lutem. Unë mbaj mend vetëm ata të vjetrit, të lashtët, mjekërgjatët: kadaretë ,agollët, arapët.  Ah po, po. Me kujtohet, dale prit se koha bën të sajën, hë e gjeta, komisari  Memo që u vra  prej ballistëve që hanin pula dhe gjela, mos e ka bërë kadareja këtë? Më duket se njëri prej tyre e kish emrin Proto-papa, kam të drejtë? Hëm! Vërtet ia vlen te flasësh me gjatë miku im për kësi gjërash, hëm, nuk e di, nuk e di! Oh, ju lutem mjaft, kur ndërkohë kriza llahtarshme ekonomike ka mbërthyer botën si me darë! Ju lutem! Oh! Ika, nuk kam kohë...Kadareja e ka qarë me atë proto-papën!

Ndërsa disa nga të rinjtë, kuptohet që lexojnë, njohin; tek tuk libra me vampirë, pak Dan Braun, Danielë  Stel, Stefen King e ndonjë tjetër. Ata nuk dinë dhe nuk duan të dëgjojnë ne ekziston ndonjë letërsi shqiptare. Bisedon me prindërit, ata janë modernizuar mjaft, janë indiferentë, nuk duan të ndërhyjnë në jetën e fëmijëve.

Ndërkohë pyetjeve dhe veprimeve çmendurake nuk u kthejmë përgjigje, luajmë kokat ngadalë. Ne nuk mërzitemi, nuk ligështohemi.  U themi me modesti, kur të tjerët blejnë shtëpi dhe makina luksoze, ne shkruajmë dhe shpenzojmë për libra. A nuk është marrëzi, thonë.

Ne vazhdojmë të krijojmë me thjeshtësi pa zhurmë dhe bujë, sepse ndjejmë përgjegjësi morale dhe shpirtërore ndaj vetes qe gjendemi në mërgim, mërgimtarëve të tjerë, atdheut te dashur, ndaj të gjithëve. Është një zinxhir i trashë, i rëndë që na mban të pranguar pasgjishmërisht. Janë mijëra fije të ndehur në ajër, zëra dhe zhurma që ngrihen dhe ulen. Ne i ndjejmë dhe i përjetojmë, i mbartim pas ngado, derisa të marrim frymën. Dëshirojmë, shkruajmë pa mëdyshje me përkushtim, pa interesa, të bëjmë vepra të kohës dhe me cilësi që lexuesi të kthejë sytë, të afrohet, mbasi arti, kultura, gjuha, tradita përbëjnë identitetin i një kombi,është vetë jeta.

Ne morëm mbi supe peshën e rëndë të mërgimit. Shkatërruam gjithçka të shenjtë, shitëm shtëpinë për të siguruar biletat e shtrenjta të udhëtimit. Paratë e shitjes së shtëpisë prindërore përfunduan në një thelpi përkundrejt vlerës së lartë të dollarit amerikan dhe kanadez dhe zhvleftësimit të lekut shqiptar. Ne lamë pas gjithçka me zemër të plagosur; plaçkat, shtretërit, bufetë, komodinat, televizorët, jorganët dyshekët, dhe u thamë të njohurve dhe të panjohurve: ‘merrini nuk i duam, ju a kemi falur. Por tinës u përlotëm, kafshuam gjuhën deri në gjakosje, dhe kambana e nostalgjisë shungulloi ne gjokset tona. Por a mund të mbarteshin atë në mijëra kilometra së bashku me mallin e rëndë sa një mal?!

Grumbulluam rrëmbimthi ëndrrat e turbullta dhe ikëm në mëngjese të ftohta me shi dhe thëllim si shumë të tjerë, drejt një bote të panjohur, pa kthim, me zemër të ankthuar dhe frymë ndalur, Trupat tanë qëndronin të ndehur, fëmijët na përgjonin me sy, ata ishin të mbërthyer mbas nesh si zogj të vegjël me sytë e trembur, në to ishin përzierë pasiguria, frika dhe kureshtja e papërballueshme nga e panjohura.

Ne ikëm larg, shumë larg, me mendimin e ngulitur se atdheu ngeli pas, i lodhur, i munduar, i trishtuar. Ndërsa përpara kishte vetëm mjegull dhe re, re, re. Ëndrrat e bukura, plot fantazi i kyçëm në memorie dhe luajtëm kryet në heshtje...

Dihet prej te gjithëve e vërteta e pakundërshtueshme. Ne nuk ikëm se donim të iknim, nuk ishim dhe aq kureshtarë fëmijërorë. Ne ikëm sepse na detyruan të iknim. Shume arsye u mblodhën së toku të cilët lëvizën me zhurmë gurët e mëdhenj, të rëndë të ikjes, duke shkatërruar dhe përmbysur çdo gjë të shenjtë të vatrës qindra vjeçare prindërore. Ne nuk ishim të paaftë, por ikëm se ishin kushtet e tjetërsuara, të disfavorshme, kur mekanizmat e politikes pasioneve dhe të tensioneve marrake ishin dhe janë sot e gjithë ditën tejet të ndezura.

Te gjithë të ikurit u përballën me botën tjetër, dhe asgjë nuk u afrua si në tepsi të florinjtë. Paratë e shitjes së shtëpive fluturuan në krye të disa muajve. Ne vështruam duart dhe qytetin e madh që shtrihej përpara. Ulën kokat, pranuam pa kompromis punët më të vështira dhe të rëndomta. Vendi i huaj nuk kërkon, dekurajim dhe dorëzim pa kushte, ndryshe të shtyp si brumbull, ku lëvizin rrëmujshëm miliona njerëz nga të gjitha kombet, nacionalitetet dhe racat. Ne ishim një bulëz uji në oqeanin e madh të emigracionit, dallgët dhe uraganet të flakin shumë shpejt në breg, shtypesh, tretesh si një copës leshterik. Ndërkohë ingranazhet e jetës filluan të lëvizin me ngadalë dhe me këmbëngulje. Zhgënjimi, trishtimi janë bashkudhëtarë të jetës, por vendimi ish marrë njëherë e mirë,qysh se u vendos këmba në shkallinën e parë të shpendit metalik dhe të shkëputjes, ngritjes në ajër prej tokës mëmë:

‘Do të luftojmë me të gjitha forcat për të mbijetuar, por dhe mëmëdheun e shtrenjtë kurrë për të mos e harruar!’

Jeta rrodhi dhe vitet filluan të ndjekin njëra tjetrën gjithë ngutje dhe rrëmbim. Ndërkohë krahas luftës për mbijetesë mendonin për tokën që lamë pas, mëmëdheun e dashur, matanë oqeanit,qindra, mijëra kilometra larg dhe qindra male kaptuar si në legjendat e lashta. Mendimi i ngulitur qëndronte ndezur, krahas zgjimit të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së gjithsecilit. Ftillimi i realitetit, zbardhja e së  vërtetës bëhej ndalë ngadalë, graduale, por tërësore. Më pas vjen kthjelltësia, pa kompromis, pa oshilacionet dhe komplekset e mundimshme të trashëguara apo të krijuara prej pasionet e çastit,ose interesat e domosdoshme. Përgjegjësia dhe maturia ecin në të njëjtën kohë me zhvillimet e situatave.

Si gjithnjë, si dikur në rilindje me kolosët e mëdhenj të shqiptarizmës, vëllezërit Frashëri, Çajupi, Vaso Pasha, më tej Noli, Konica,Koliqi e të tjerë mund të merreshin me diçka tjetër por shkrinë jetën e tyre për rizgjimin Kombëtar. Letërsia e emigracionit ritet, zhvillohet në kushte dhe mundësi të tjera. Krijohen kështu dy shtylla të rëndësishme: letërsia që zhvillohet në mëmëdhe me letërsia e emigracionit, të cilat kanë të njëjtën qëllim dhe lidhen me shumë fije me njëra tjetrën. Mbasi nuk duan të pranojnë shurdhërinë, asimilimin e dhimbshëm, kur në të njëjtën kohë indiferentizmi, nihilizmi, kompjuteri, interneti, lojërat, facebook i merr rinisë kohën më të madhe.

Ndërkohë ngrihet pyetja e madhe:

’Emigrantët shkruajnë ngaqë nuk kanë me se të merren, apo ndjejnë përgjegjësinë e intelektualit të zhveshur nga interesat e ofiqit, të interesit, tarafit dhe parasë?

Të mbushur me ngjarje, fenomene dhe momente, të ikur shumë larg atdheut mëmë ne shkruajmë, botojmë dhe i shpërndajmë librat falas, ngaqë është tejet e vështirë të qëndrojnë në libraritë e vendlindjes të mbushura buzë për buzë me libra kujtimesh grafomanë për fshatin dhe letërsi të huaj të mbushur me ankth, drogë dhe letërsi nostalgjike.

Shkrimtari emigrant që e filloi jetën përsëri nga e para, lekët nuk i gjeti në rrugët e mëdha të botës së huaj, mbasi kriza ekonomike qëndron pezull si sfinks mbi kryet tona. Obligimi dhe përgjegjësia është më e madhe se interesat e vogla meskine, ndaj vetes që gjendemi në mërgim dhe mëmëdheut që ndodhet shumë larg, në largësi ajrore por shumë afër në fije shpirtërore. Shkrimtarëve emigrantë kontakti me botën, perëndimin, kulturën, përplasjen me jetën u dha mundësi dhe avantazhe të tjera, por njëherësh kthjelltësi mendimi veprimi për veten dhe për të tjerët, për të parë dhe analizuar situatat më qetë dhe gjakftohtë.

Mekanizmat e shpërndarjes, njohjes së kësaj letërsie të zhveshur nga klishetë, në mëmëdhe dhe kudo gjetkë janë të ndryshkura, ende të pranguar prej pasioneve dhe nostalgjive e së kaluarës. Një mjegull e dendur endet akoma mbi trurin dhe mendësinë shqiptare. Nuk ka letërsi të re të fuqishme, çfarë u bë u bë, kjo tani është periudhë impaku siç është në impak dhe shoqëria shqiptare. Këtë e thonë nën zë dhe me zë të plotë të djeshmit. Por harrohet, në situata të tilla krijohet dhe konsolidohet letërsi e fuqishme, por kjo duhet të evidentohet jo të shtyhet dhe të injorohet me qëllim.

Ku janë korifenjtë e lashtë të realizmit socialist, me mjekër apo pa mjekër, flokëbardhë, apo pa flokë, dredhin duhan sheldia, apo pinë cigare me filtër. Pinë raki rrushi dhe sjellin nëpër mend me nostalgji veprat e shkuara, dhe pinë koka-kola. Ku janë?! Sigurisht ata meditojnë, mendojnë për përjetësinë. Por kjo djall përjetësi është thikë me dy presa.

Ata heshtin, janë indiferentë se çfarë ndodh rreth nesh, fundja nuk u duhet atyre për çfarë ndodh. Mbrojnë me stoicizëm barrikadën e lashtë e cila ka filluar të ronitet, të pluhurëzohet dhe nuk e kuptojnë se po të kapesh mbas shtëpisë së vjetër humbet në të.

Hesht akademiku i respektuar, kritiku Rexhep Qose, nuk ka kohë sepse ka mprehur shpatën kundër shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Nuk ka kohë, u  plak, axhë Rexhepi, apo nuk i intereson arti e letërsia e fuqishme qe shfaqet në horizont. Kadare gjithashtu mpreh vigjilencën, nuk mund të shfletojë libra të kolegëve të rinj dhe të vjetër, emigrantë si ai, jo se nuk do,por nuk ka kohë dhe ai, debatet historike duan djersë dhe mund. Ai preh vigjilencën për çmimin e madh. Ndërkohë opinioni ngrihet në këmbë, ndahet në dy kampe kundërshtare, i mbrojnë dhe i kundërshtojnë.

Ndërsa plaku i mençur Dritëro Agolli replikon me bezdi për politikën, mbase ndjehet i lodhur, sepse edhe kjo shejtane politikë kërkon shkathtësi dhe mendim të ri. Nuk ka kohë dhe ai të lexojë letërsinë e re të emigracionit. ‘Eh, ku është letërsia e dikurshme, pra e tyrja dhe ku janë këta të sotmit! Ujëra të tëra rrjedhin në mes, thotë si mendimtar i madh dhe tërheq nga raftet shkund pluhurin dhe shfleton librat e zverdhura të tij.’

Sigurisht rrjedhin ujëra të tëra, të bësh letërsi tani kërkon bythë të forta, për të përballuar fluksin e tmerrshëm të letërsisë botërore, krisën, internetin, facebookun dhe indiferencën e përgjithshme.

Hesht Arapi me shokë, edhe ai ndjehet i lodhur. Të gjithë, sërish dhe  sërish janë të ngrehur, në pritje të dëgjojnë, të lexojnë çfarë thuhet për ta, ndonjë artikull, intervistë, lajm, etj, etj, etj. Një pjesë prej tyre marrin pozat e predikuesve, me petkun e rëndë të hipokrizisë. Dikush tjetër qëndron i varur, mbas një vepre të dobët puniste, por që u trumbetua si kryevepër për interesat e kohës dhe të partisë. Vallë akoma nuk janë të kënaqur  prej rëndesës së teksteve shkollore, të mbushur plot dhe përplot me krijimet e tyre në dhjetëra dhe dhjetëra vite që nga klasa e parë deri në tekstet e universitetit? Ata përsëri kërkojnë, vëzhgojnë dhe presin. Ndërkohë harrojnë se një brez ikën dhe një tjetër vjen. Të lindur dhe brumosur në të tjera kushte dhe mendësi. Një krijues inteligjent, Fatmir Terziu bën përpjekje serioze por është zë i vetëm.

Ne gjithnjë i kemi respektuar, ndjekur, adhuruar, të djeshmit. Ata gjendeshin kudo, në ëndrra, në diskutime, politikë dhe dashuri, ishin ndihmësit e partisë. Ata kanë qenë të pazëvendësueshëm si ajri, mbasi libri aso kohe ishte gjithçka. Me veprat e tyre na ushqenin çdo ditë, si me pikatore. Ne sytë tanë ata rriteshin-rriteshin, shumë mirë që u ritën, një komb ka nevojë për korifenj, për personalitete ku tu referohesh. Por gjithçka ish atëherë, situatat ndryshojnë dhe epokat gjithashtu...

Ne të mërguarit përsëri shkruajmë dhe shkruajmë. Librat tona që botohen në atdhe zverdhen nëpër shtëpitë e miqve se nuk ka kush të përkujdeset. Çfarë të bëjmë smund të harrojmë një të vërtetë të marrë, dy sy që nuk shikohen shumë shpejt harrohen. Së paku lexoni librat e tyre. Uh, ku kemi kohë dhe në atdhe çmimet, inkurajimet, lëvdatat dhe prezantimet lëmohen si gurët e zallit. Kot nuk doli Lipe Shtogu dhe prapa lista e tij, ai është origjinal sot e gjithë ditën...

Kalimtarët e zakonshëm sigurisht harrojnë se prapa rrugicës ka një kishë po të mos dëgjojnë kambanën që bie. Siç ra kambana për ta për pesëdhjetë vjet me radhë ore dhe minutë. Letërsia e mërgimit është e fuqishme, në to nuk flasin  dhe shkruhen interesat e ngushta meskine por atje flet me patos malli dhe zemra...

Fisnikëria e tyre dhe e të tjerëve ritet dhe riparojnë diçka me vlerë, e do vazhdojnë të respektohen, nëse do marrin pozicionin e vërtetë të krijuesit, të shkundin prej supeve petkun e pluhurosur dhe të vështrojnë përreth, të përdorin ato vlera,  që u dha koha dhe rastësia, të thonë fjalën e tyre ne se munden, sepse godina e letërsisë është e madhe dhe ka vend për të gjithë. Çdo gjë me vlerë nuk bëhet për krijuesit por për kombin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora