E premte, 17.09.2021, 12:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Mamin tim nuk e ndërroj me asgjë

E premte, 17.04.2015, 08:07 PM


Mamin tim nuk e ndërroj me asgjë në botë...

Tregim nga Meri Lalaj

Gjëja, së cilës Rina i ishte trembur me vite të tëra, më në fund ndodhi. Këtë ajo e kish pritur dhe përfytyruar në mënyra nga më të ndryshmet, por kurrsesi jo në formën e kësaj letre që tani e mbante në çantë. Burri, prej të cilit kish pesëmbëdhjetë vite që ish ndarë, i shkruante: “Mendoj se je kujdesur shumë mire për Evën, vajzën time. Dua që tani e tutje, ajo të jetë më e lumtur e të mos i mungojë asgjë...”

Vallë a nuk ish e lumtur Eva?...  Përveç babait, asaj nuk i kish munguar asgjë. Rina mbante mend se e bija vetëm njëherë kur ish në klasën e parë e pat kërkuar të atin. Atë ditë herët në mëngjes, Eva ish ngritur nga shtrati i vet dhe ish futur në shtratin e mamit, aty e kish përqafuar me krahët e hollë e i kish thënë me zë të vendosur: “Dua të kem baba!” Rinës i pat përvëluar shpirti e nuk i ish përgjigjur dot. “Dua të kem baba!” kish përsëritur vogëlushja me këmbëngulje.

Si mund t’i shpjegosh një fëmije gjashtë vjeç se është më mirë të rritesh pa baba, se sat të kesh një baba të keq. Si mund t’i tregonte Rina vajzës së vogël se sa fyerje e poshtërime pat gëlltitur ajo kur jetonte me “atë babain” vetëm e vetëm që fëmija i saj të mos mbetej jetim me babën gjallë, vetëm e vetëm të mos vihej para përgjegjësisë “Po babi im ku është?”

Në albumin e fotografive të saj, Eva kish poza shumë të bukura, që foshnjë e porsadalë nga materniteti deri në maturë dhe kudo fëmijë e qeshur dhe e gëzuar. Shumë fotografi ishin të prera (natyrisht do të kish qenë edhe “ai” e gërshëra kish hyrë në punë për të zhdukur shëmbëllimin e tij). Vetëm një fotografi bënte përjashtim: në ditën e parë të vitit shkollor, aty Eva pat dalë me sy të trishtuar, vështrimin hedhur përdhe, veshur për herë të pare me përparësen e zezë e jakë të bardhë, me lule për mësuesen në njërën dorë dhe çantën e re në dorën tjetër. Ndoshta sytë e saj ishin trishtuar duke parë gjithë ata baballarë, që mbanin përdore fëmijët e tyre për t’i shoqëruar në shkollë. Sidoqoftë fjala “baba” nuk u përmend më midis të dyjave. Nga të gjithë vitet shkollorë, klasa e pare mbeti e paharruar: pena kërciste përmbi vijat e fletoreve dhe lëshonte njolla boje. Copat e bukës së mëngjesit të lyera me gjalpë e reçel apo vezë e djathë e të tjera, bënin shëtitje nga shtëpia në shkollë e anasjelltas, sepse Eva nuk kujtohej për të ngrënë. Nota e parë në aritmetikë dhe gëzimi i jashtëzakonshëm i Evës: “O, ma sa qejf, kemi marrë nota të kuqe!”

Atij viti Rina kish marrë përsipër projektimin dhe zbatimin e dhjetëra ndërtesave pesëkatëshe për të plotësuar me apartamente banimi një rrugë të tërë në qytetin e saj të lindjes.

Që nga klasa e dytë, Eva filloi të vizatojë kudo në copa letre dhe në fletore: kukulla, varka, lule, pemë, zogj e plot sende të tjera të fantazisë fëminore. Atëhere filloi të ndiqte rrethin e vizatimit, ndërsa Rina e priste dy herë në javë në krye të rrugës.  Ah, po në klasën e dytë, ajo u rrëzua edhe nga paralelet e shkollës dhe vrau nofullën. Rina u bë si e çmendur duke vrapuar klinikave për grafi e mjekime, por Eva pësoi vetëm një mavijosje të fortë të faqes, e cila i kaloi pas tri javësh. Njëkohësisht me vitet e shkollës vazhdonin edhe konkurimet në vizatim midis nxënësve të shkollës të saj, e midis atyre të shkollave të tjera, e kështu vijonin fletët e nderit dhe diplomat. Kur Eva ishte nxënëse në klasën e tetë, hapi për herë të parë ekspozitë personale me disa peizazhe, dy a tre kompozime dhe dy portrete të mamit dhe të sajin. Në shtator filloi mësimet në shkollën e mesme artistike në qytetin e tyre.

* * *

Pasi kish marrë letrën e tij, Rina u nis për në Tiranë. Takoi Evën. Ajo ishte mirë me shëndet dhe me seminaret. Më në fund, kur Eva po e përcillte tek treni për t’u kthyer në shtëpi, Rina ashtu si kot hapi çantën e nxori letrën dhe duke ia dhënë së bijës i tha:

-Lexoje! – Eva e lexoi me një frymë dhe e pyeti:

-E pastaj?

-Asgjë. Desha vetëm që ta dish.

Sa herë që vinte në Tiranë, Rinën e përcillte tek treni Eva, por këtë pasdite të vonë nëntori, kur treni u nis ngadalshëm duke u lëkundur Rina ndjeu një mall e ankth alarmi për të bijën sa desh zbriti nga treni në ecje e sipër. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë Eva nuk ndenji për ta përshëndetur me dorë që nga platforma, por e puthi me nxitim dhe iku. Rina e lodhur dhe e mërzitur mbështeti ballin tek qelqi i dritares e po mendohej se sa kohë i duhej Evës për të arritur tek konvikti para se të errësohej plotësisht. Vështroi qiellin e murrëtyer e u tremb se mos fillonte të binte shi e vajza e saj kish dalë pa çadër. Po sikur ta ndalte ndonjë djalë rrugës? Treni trokonte e Rinës i trokëllinin në kokë fjalët e letrës: “Mendoj se je kujdesur shumë për Evën, vajzën time...” domethënë se ai i vinte vetes detyrë vetëm të mendonte, vetëm të vinte në dukje këtë fakt se Rina ish kujdesur “për vajzën e tij”. Ndërsa kur jetonin të dy bashkë disa herë i pat thënë: “Mendoj se duhet të jesh e kënaqur dhe e lumtur që jeton me mua...” Asgjë nuk i mungonte jetës sonë bashkëshortore – po mendonte Rina – një cipë e hollë e bukur gënjeshtre ndërthurej në të gjitha marrëdhëniet e veprimet tona dhe sidomos ajo mburrja e tij: “Unë diskutova sot në mbledhje, ku merrte pjesë vetë Ministri... Drejtori i Drejtorisë në sektorin tonë gjithnjë miraton mendimet e mia... Ti je gruaja ime dhe duhet të më bindesh sepse unë di të gjykoj objektivisht mbi gjithçka...” E mënyra se si i shqiptonte tërë mendjemadhësi fjalët “gruaja ime” ishte njësoj sikur të thosh sa herë t’i tekej: “Ja, pizhamet e mia, hidhi për t’i larë...”

Pesëmbëdhjetë vite me radhë, ai asnjëherë nuk kish mundur ta takonte të bijën. Natyrisht kishte bërë disa orvatje, që i kishin shkuar kot. Njëherë kish ardhur në qytetin e tyre në kampin e pushimit me gruan e dytë, por Eva kish qëlluar e sëmurë me skarlatinë, e më tej, kur ajo ish në vitin e tretë të shkollës së mesme, kish ardhur nipi i tij për ta takuar, por nuk e kish gjetur. Kështu, ai dërgonte vetëm lekët e pensionit ushqimor muaj për muaj. Ai tashmë ekzistonte për Rinën vetëm si një emër i lexuar diku në ndonjë libër. Veçse tani këmbëngulja e tij për ta patur vajzën e vet ndryshonte nga përçapjet e tjera, të dukej sikur befas nga emër ai po rrezikonte të bëhej njeri dhe kërkonte “atë që i takonte”. Rina përfytyroi Evën si vajzë të vockël me flokët kaçurela e sytë e ndritur, kur e mbante hopa në krahë. Sa e lumtur pat qenë atëhere, e shtrëngonte në gjoks e vogëlushja ia hidhte doçkat tek supet duke bëlbëzuar: “O ma-mi im!”

Le të thonë ç’të duan të tjerët; Rina besonte vetëm në atë që është e vjetër sa bota: “Çdo nënë është e lumtur me fëmijën e saj vetëm atëhere kur e lan, e ndërron, e lidh me pelena, kur e ushqen lugë pas luge, kur ia mban me durim gishtin tek gërmat e abetares... se pastaj kur rriten, oh, çfarë hallesh e telashesh fillojnë ditë për ditë e çast për çast.” Ah, po si e thërrisnin Evën shokët e shoqet në shkollën e mesme “Fëmija e lumtur” se ishte gjithnjë shumë e gëzuar, shkonte mirë me të gjithë dhe kurrë nuk grindej: “Të lutem mami, mos i shaj shoqet e mia, ato janë shumë të mira. Unë nuk po ishaj shoqet e tua” i kish thënë Eva, kur ish në klasën e gjashtë në pranverë, sepse shoqet e thërrisnin për të luajtur me litar, ndërsa Rina donte që ajo patjetër të përfundonte vizatimin e filluar: dy degëza lule pjeshke në një gotë.

Ditë të lumtura për të dyja nuk ishin vetëm ditëlindjet, mbarimi i një viti shkollor, plazhi, fletët e nderit për vizatimet, por edhe librat e rinj. Në fillim të gjithë librat për fëmijë, pastaj ata për të rritur dhe fjalët e shkruara tek faqja e parë: “Evës, sot që pastroi shtëpinë...”, “Vajzës sime të vetme”, “Evës, që sot mbushi 10 vjeç dhe bën naze për të ngrënë”, apo “Evës, kur kërkon që toka të jetë e shtruar me sfungjer...”

Kur Eva ishte maturante, ato u bënë si dy shoqe të ngushta, kështu diskutonin për djemtë, për librat, për ekspozitat e pikturave e sa e sa gjëra të tjera. Tani Eva sikur e ndrydhte dashurinë për mamin e vet, ajo nuk llastohej, por kish filluar të kujdesej për të: “Mami, kësaj radhe qep fustanin e ri, me rrogën tjetër blejmë sandalet e mia. Mirë?” Pasi Eva fitoi konkursin në korrik, në shtator filloi mësimet në Tiranë, në Institutin e Lartë të Arteve, dega pikturë.

* * *

Po në këtë mënyrë pat qëndruar ai para pasqyrës disa vite më parë, kur mjekët gjinekologë i patën dhënë përfundimet e konsultës se gruaja e tij e dytë mjeke, nuk do të lindte më fëmijë pas abortit të tretë. Po kështu kish qëndruar edhe kur ish kthyer nipi i tij, Idliri nga qyteti ku banonte Eva, vajza e tij me gruan e parë, ai nuk e pat takuar dot sepse ajo pat shkuar në restaurimin e një kishe të vjetër.

Duke qëndruar tani para pasqyrës, vetëm me njërën faqe të shkumuar dhe me tjetrën të saporruar, po mendonte për ato gjëra, të cilat tashmë i ishin bërë si mendime të ngulitura në kokë. “Ja, po u afrohem të pesëdhjetave...” dhe shikonte me vëmendje flokët e rralluar dhe rrudhat në ballin e gjerë. Jam me gjithë të mirat, punë të rehatshme, një grua që bën ashtu siç dua unë. Në shtëpi nuk më mungon asgjë... dhe prapëseprapë seç kam diçka këtu brenda që nuk më le të qetë...”

Vite më parë, në biseda me njerëz që sapo njihej apo që njihej fare pak, kur e pyesnin në kishte fëmijë, thosh të vërtetën “Nuk kam fëmijë”, por më vonë duke vënë re keqardhjen që shprehte bashkëbiseduesi me atë “Më falni!” thënë sa për mirësjellje, vendosi që të përgjigjej shkurt “Kam një vajzë”. Nuk e pati fare të vështirë që t’i mbushte mendjen gruas së vet që ta merrnin Evën në shtëpinë e tyre. “Sa të adoptojmë një fëmijë çfarëdo, le të marrim më mire fëmijën tim.” Dhe gruaja e tij si fajtore, që nuk i bëri dot një fëmijë heshtte dhe pranonte kokulur. Ashtu siç pat heshtur e pranuar tërë jetën e saj gjithçka që i kish detyruar i shoqi.

Atij i paten treguar se vajza e tij qe shumë simpatike, e edukuar mire dhe mbi të gjitha talent në pikturë. Veçse ai nuk e kishte parë qysh atëhere. Sillte ndërmend si nëpër tym një fëmijë që bënte zhurmë dhe nuk e linte të ndiqte rehat ndeshjet në televizor. “Dhe atë Rinën si e pat futur në jetën e tij. Çudi e madhe apo grua e çuditshme!”

Rëndësi kish se po t’i duhej diçka, ai dinte si t’ia arrinte qëllimit, ta siguronte me të gjitha mundësitë dhe mjetet. Tani i duhej vajza, perse të mos i luante të gjithë gurët, të shfrytëzonte çdo mundësi e mjet e të bëhej me fëmijë. Ajo e kish rritur, tani ai do ta merrte, do kujdesej për të bijën e do ta martonte e do të gëzonte mundin e sakrificës të ish-gruas.

Dhe ja çfarë kish ndodhur? Pasi përcolli të ëmën, Eva menjëherë u kthye në konvikt. Aty Evës i thanë se e kërkonte një burrë. Pati një parandjenjë se mund të ish i ati (ashtu siç pat menduar me qindra herë, se cilido burrë në rrugë mund të ishte babai i saj). Dhe ishte vërtet ai. Eva e takoi duke i dhënë dorën fare e qetë. Kishte ardhur me taksi bashkë me gruan e vet dhe e morën Evën në shtëpinë e tyre. Natyrisht e dinin se Rina në atë kohë po udhëtonte me tren nëpër natë për në qytetin e saj jugor gati dyqind kilometra larg. Në shtëpinë e tyre, tryeza ishte shtruar si për ditëlindje: torta në mes, shishet e verës dhe qirinj në shandanë. Ai e përkëdhelte Evën duke i thënë “shpirt i babit”, i puthte duart, flokët e artë e përsëriste: “Tani do të rrish gjithmonë me ne,... kemi shumë vite që e prisnim këtë ditë,... se ne nuk kemi fëmijë,... por do të të kemi ty... Do të të mbajmë gjithnjë këtu... Që sot e tutje nuk ke nevojë që të rrish fare në konvikt!...

Ndërsa gruaja e tij vazhdonte:

-Dhomën tënde e ke gati... Magnetofonin e vogël e kemi ruajtur për ty... Do të të blejmë çfarë të duash për të veshur.

-Mamaja më ka plotësuar çdo dëshirë, - përgjigjej Eva.

-Të kemi blerë një komplet të bukur tualeti dhe një me bizhuteri, nuk duam të të mungojë asgjë. – Vazhdonte ajo. – Tani për tani ndoshta mendon keq për ne Eva, se kushedi si t’i ka treguar mami yt ato që kanë ndodhur, por më vonë duke jetuar me ne do ta kuptosh të vërtetën...

-Mamaja nuk më ka folur kurrë keq për ju... Ne nuk kemi pasur kohë për t’u marrë me thashetheme... Mami im – këtu Eva u ngatërrua pak, e kuptoi se tjetër donte të thoshte e tjetër tha (veçse atë minute kishte shumë mall për mamin e vet) e vazhdoi:

-Mami im...

-Natyrisht, ne jemi interesuar dhe e dime se mamaja të ka edukuara shumë mire, është kujdesur për ty, por tek ne ty nuk do të të mungojë asgjë...

-Telefonin e ke mund të bisedosh sa herë të duash me mamanë, ne nuk do të të pengojmë ta takosh atë kur të vijë në Tiranë. –Sqaroi gruaja e të atit.

-Duam vetëm që të jesh vajza jonë, të rrish me ne përgjithmonë. I tha i ati. Ne mund të të realizojmë çdo dëshirë, për shembull, për ditëlindje do të të blejmë një biçikletë me timon të lartë...

-Oh, mami im ka shumë frikë po të ngas biçikletën se mos më ndodhë ndonjë aksident nga makinat.

-Kemi porositur për ty edhe albume të piktorëve të njohur klasikë e modernë, besoj se do të të hyjnë shumë në punë.

-Babit tënd i shkon fjala kudo, ka shumë të njohur, edhe me provimet do ta kesh më lehtë me notat, kur ta marrin vesh pedagogët se e bija e kujt je...

-Provimet jam e zonja e i marr vetë, nuk jam mësuar që të ndërhyjnë për mua. – Eva e kuptoi se foli me ton të vrazhdë, por i vinte të bërtiste: -Ku keni qenë më parë!

Dy javë pas kësaj ndodhie, Eva po zbriste me mamin nga Qyteti i Studentit. Kish rënë shi. Rruga tek shkelnin ish e lagur dhe rrëshqitëse. Pasi zbritën deri poshtë, qëndruan përballë pallatit të Nertilës për të marrë një libër, e ndërsa po prisnin të dyja më këmbë mbështetur tek muri i ndërtesës, Eva tha:

-Kam takuar “atë”.

-Cilin? – pyeti Rina.

-Burrin tënd të dikurshëm.

Rinës iu duk sikur dikush e goditi poshtë gjoksit me grusht e mezi po mbushej me frymë.

-U shqetësove mami? – pyeti Eva.

-Jo, të pata thënë se një ditë do ta takoje... Unë nuk të ndaloj... Ti e di.

Pasi morën librin u kthyen duke ecur të dyja përgjatë rrugës me shelgje lotonjës. Eva e zuri të ëmën me kujdes përkrahu.

-Ti, mami, e merr me mend qëllimin që ata kanë për mua. Shtëpia e tyre ishte një luks i vërtetë me ca kolltukë të rëndë, abazhurë me dritë të pakët, por edhe librat sikur nuk ishin tamam libra, dua të them libra prej vërteti. Kujtoja se “ai”, “ai” si ta quaj... dhe vetëm për një çast, vetëm për një çast pata frikë se mos “ai” do të ish më i mirë nga sa e pata përfytyruar... Sidoqoftë, unë mamin tim nuk e ndërroj me asgjë në botë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora