Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Asgjë të re...

| E enjte, 16.04.2015, 07:52 PM |


... Asgjë të re...

Fragment nga libri i porsa botuar: "Puthje e pamundur''

Nga Kristaq Turtulli

I shkurtri i përkulur mbi trupin e përmbytur nga gjaku të flokëkuqes qante me dënesë. Pranë saj dergjej i gjati, që rënkonte dhe ishte në agoni. Doja ta përmenda të shkurtrin, ti thosha: Hej, lëre atë të gjorë dhe eja më ndihmo të ngremë të gjatin, i cili është akoma gjallë. Kuja e të shkurtrit më ngjethte. Nuk po kuptoja e çfarë kishte ndodhur. Nga u ndodh kjo vajzë, flokëkuqe në strofullin e gjatoshit! Cila forcë e solli? Ne e dinim se ishte përtej Adriatikut në ndonjë shtëpi publike, ku ushtronte zanatit më të vjetër të botës, prostitucionin.

Dashuria dhe sakrifica e saj për gjatoshin na marrosi. Flokëkuqen si një lëmsh me zjarr, e shkëputëm me përdhunë nga shoku ynë dhe e lamë në duar të huaja. Askush nuk e mori vesh si erdhi flokëkuqja në qytetin tonë, kur të gjithë qytetarët duan të ikin nga sytë këmbët. Flokëkuqja e qullur deri në palcë, prej shiut dhe borës, me fustan të hollë, ngjiti shkallët e pista dhe shkoi u fut në shtratin e të gjatit. E mbytur nga lotët prej mallit, u mbështoll rreth tij si gjarpërushe. Kur ata të dy ishin në krahët e ëmbla të dashurisë, dëgjuan që po u shkallmohej dera dhe të armatosur deri në dhembë, hynë në dhomë, tre kapuçonë të zinj, me kordele të verdhë të lidhur në ballë. Ata hoqën siguresat dhe zbrazën armët drejt trupave të zhveshur, që nuk kishin kohë të mbroheshin.

‘Mos,’ klithi flokëkuqja dhe si panterë mbuloi me trup të dashurin e saj. Trupi saj i brishtë dridhej dhe shkundej nga breshëritë e automatikëve. Ajo u ngrit në mbrojtje të gjatoshit,  e mjera dha shpirt në duar e të dashurit dhe i pëshpëriti me mundim: ‘Më puth për të fundit herë!’

Por siç morëm vesh më vonë fotoja e të gjatit kapërceu detin dhe ra në duart të vajzës flokëkuqe. Ajo hipi në të parin traget që të sillte në vendlindje, të jepte jetën për të dashurin e saj...

I gjati ngulmoi ta varrosnin flokëkuqen në varrin e familjes dhe deklaroi: Kjo është dashuria ime e parë dhe e fundit.

I shkurtri dëneste pak më tej pa zë. E motra e të gjatit mori pjesë në varrimin e vajzës fatkeqe. Vuri një tufë me lule të freskëta në varri i saj dhe siç erdhi, iku pa folur.

Disa orë pas vrasjes makabre të vajzës flokëkuqe u dëgjua një shungullimë e tmerrshme. Xhamat u thyen dhe muret u plasën. U trondit qyteti dhe rrethinat përreth. Kishte ndodhur një shpërthim i madh, dymbëdhjetë kilometra në verilindje të qytetit. Disa makina të forcave shumëkombëshe lëvizën drejt vendit të shpërthimit të tmerrshëm, që ishte rrëzë maleve të Domuzit. Dikush pëshpëriti me frikë, mos janë ata që u përfol atëherë?! Fjala "atëherë" jepte largësi të madhe. E panë me inat dhe ai e mbylli gojën, përderisa forcat shumëkombëshe ishin në gatishmëri të plotë.

Mbas disa orësh u mësua e vërteta. Rrëzë malit gjendej një tunel i mbushur me armatim të rëndë dhe gjyle të madhësive të ndryshme. Një grup i madh fëmijësh punonin me pagesë, qysh herët në mëngjes, hapnin predhat, hiqnin barutin dhe pjesët metalike prej bronci, i linin mënjanë. Ato grumbulloheshin dhe shiteshin jashtë shtetit, nga një firmë e huaj. Bronci i cilësisë së lartë së predhave përdorej si mjet zbukurimi. Me fëmijët ishin dhe katër gra. Gjithçka ndodhi nga pakujdesia, mosdija dhe moszbatimi i rregulloreve ushtarake. Nevoja për të fituar bukën e gojës shkaktoi dymbëdhjetë të vrarë dhe njëzetekatër të plagosur...

Ngjarja e rëndë e mpiu qytetin. Qytetarët dolën nëpër rrugë dhe kërkonin të mblidheshin të gjitha armët dhe të ruheshin me kujdesin më të madh...

Isha jashtëzakonisht i ngarkuar me ngjarje, me reshje të papritura dhe të ndryshme dëbore, llohe, shi, breshër dhe diell të vëngër. Me plagosje dhe vdekje të dhimbshme, ndaj e harrova vajzën që hyri befasishëm në dhomën time, në mesnatë.  Po të ishte situatë tjetër do të përdorja të gjitha mjetet dhe mënyrat të mësoja gjithçka rreth saj. Do hidhja në veprim të gjithë rrjetin e të njohurve, që shumë prej tyre janë ngujuar nëpër shtëpi, nuk guxojnë të nxjerrin as majën e hundës, dhe hyrjet e pallateve, janë të siguruara me dyer hekuri...

Arsyeja tjetër ish se ajo me la një ndjenjë të turbullt të pakapshme. Një përzierje midis reales dhe ireales. Tmerrësisht e bardhë. Mbështjellë me diçka të përafërt me çarçafin e bardhë. Mbase atë bardhësi çmerituese ia jepte mbështjellja e shfytyrëzuar, që të shkaktonte lodhje sysh dhe marrje mendsh.

Trishtimi i platitur në skutat e zemrës ngrihej dhe ulej si dallgë deti, fashitej një hop, për të marrë vrull dhe, përfshirë krejt trupin. Përpiqesha me të gjitha mjetet të mos lejoja këtë shkumëbardhë trishtimi që ngarendte ngado, derisa mundohej të më ndalte frymën, ndaj dëshirat dhe çastet liheshin mënjanë si relikt.

Me besohej që kjo nuk ndodhte vetëm tek mua, një qelizë e vogël. Me siguri masa e tërësishme provonte ndryshe. Ky ndryshim i ngjan dy skajeve të një litari të tendosur, që me të gjitha mundësitë përpiqesh të shtyhesh drejt qendrës.

Nga përvoja e hidhur e burgut, im atë vazhdimisht më porosiste, duke fërkuar lehtë sytë e bukur dhe të shkruar. Të mos isha në ballë, të mos kërkoja të dilja mbi të tjerët, por dhe në fund nuk duhej të isha. Ai heshte një hop, e kuptoja ndjente një farë rëndese për bisedën dhe porositë. Më pas vazhdonte ngadalë:Biro më e pranueshme është mezi. Ja, përfytyro një togë ushtarësh që marshojnë pa u ndalur drejt frontit. Ata janë në rresht dhe të disiplinuar. Objektivi i tyre është armiku. Ata pa e prishur rreshtin çajnë përpara në krye ecën prijësi. Dhe kundërshtari ka objektivë togën tuaj. Ai qëllon me breshëri, plumbat kapin që në fillim prijësin, më pas rreshtin e parë, të dytin, e kështu me radhë, plumbat tinëzarë mbërthejnë rreshtat e fundit. Grushti i ushtarëve të mesit u shpëtojnë plumbave dhe janë më pranë jetës... Përvoja e burgut i la babait shijen e zhgënjimit. Ai donte të mos provohej dhuna dhe trusnia në shpinën e djalit të vetëm. Më kujtohet, kur ai porsa kishte dalë nga burgu dhe ne shkuam nga varrezat e prindërve të tij. Babai ndezi një qiri dhe u gjunjëzua përpara tyre. Qëndroi një copë herë kokulur, në heshtje, të merrte prej tyre bekimin. Teksa ecnim ngadalë në rruginën e ngushtë të shtruar me kalldrëm dhe anës mbjellë me blirë, ai më hodhi krahun mbi shpatullat e mija të dobëta dhe më tha ngadalë: Njeriu duhet të përpiqet që në lindje dhe deri në fund të jetës së tij, të jetë i ndershëm, por kjo ngandonjëherë ka një çmim të madh të parashikuar...

Përpiqesha të shkëputesha nga ndikimi i këshillave të tij, sepse ishte prag jo fort i këndshëm, që më shtynte pa kuptuar në krahët e mediokritetit. Fillimisht qe një dyzim i vështirë dhe vrulli kërkonte shkëputje të pashmangshme, por vargonjtë e padukshëm të stresimit mbanin shpirtin dhe trupin të pranguar. Babai, thoshte që korrupsioni më i madh në një shoqëri është korrupsioni i njeriut, prandaj filtri për të parë vetveten duhet të jetë shumë i imët... Fajësimi është i shpeshtë për këdo, kur kërkon të ngrejë malin e madh të ankesave. Ndërkohë njeriu mbyllet në vitrinën e fildishtë dhe aktivizon pajisjet e alarmit.

S'do të më vinte mire, ose më saktë, ishte pamundësi të njësoja veten me Laookontin antik. Kurrkush se pa kalin e rishfaqur në sfond, ose së paku të dëgjonte trokëllimën e hapjeve të nxituara. S'do të ishte e udhës t'i risillesha këtij kali të stërlodhur nga shpërdorimet reale dhe letrare.

Këshillat e tim ati dhe Laookonti antik, ngatërrohen keqas në memorien time, janë dy rrugë paralele dhe, sigurisht në perspektivë takohen në një pikë... Megjithatë Laookonti antik e parandjeu dhe paralajmëroi. Ndërsa unë jam një grimcë që sjell dhe risjell kalin e zgërlaqur. Pa ditur duart që përgatitën dhe që prunë aq befas në këtë pranverë të tjetërsuar, kur vetë zoti nuk kurseu, por zbrazi të gjithë bataretë e tij.

Ndoshta ish një kërkim e tej lodhur ndaj pangopësisë dhe u ngatërrua qëllimisht ose aksidentalisht morali nga imorali...

Mendja përsëri më shkoi tek vrasja e vajzës flokëkuqe dhe rënkimet e tmerrshme të gjatit. Ne u munduan ta ngushëllonim. Ai ngrit në këmbë i përlyer fund e krye me gjakun e pafajshëm të vajzës flokëkuqe dhe syskuqur, ulëriti:

-Ju të dy qërohuni, mu bëni def nga sytë.

-Të bëhemi def,- hungëriti i shkurtri:- Sa për dijeni, flokëkuqen e kam dashur më shumë se ty, o buf kënete.

-I poshtër, përse me lidhe dhe atë e degdise, hë?!-gjëmoi i gjati.

-Të mos e kishte asnjë nga ne...dhe jam një koqe kandari. Më shkelmo, më bëj peshk, s’do them gje  kryevarur...