Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: ''Turqit'' e Shkupit

| E merkure, 15.04.2015, 08:07 PM |


“TURQIT” E SHKUPIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti kohë kaloj nëpër Çarshi dhe i vizitoj lokalet e mia të preferueshme. Herë nën hije e herë në diell. Edhe pse, kohën e fundit, shumë pak gjej hije për strehim nga vapa. Përpiqem t’i ik Diellit me rreze. Drunjtë një nga një po zhduken nga Çarshia e Shkupit.  Gjelbërimi. Vendin e tyre e zë betoni. Anembanë, në të katër anët e qytetit brenda një nate po mbijnë si këpurdha pas shiut përmendoret. Bërlloku mullarë – mullarë na ka vënë pusi pas dere. Skënderbeun e kanë rrethuar dudumët jashtë Kalasë Dardane. Rrapi me këmbët në beton e kokën në qiell, ujë djersitet në diell. E vajton pronarin, që papritmas iku nga kjo botë. Miken me dy shtamba verë. Dhe, në heshtje pret sëpatën shqiptare.

Një ditë, thashë me vete: përgëzime, organizmi kërkoi raki rrushi “hallall”. Patjetër, duhet t’ia plotësoj dëshirën. U lodha më me çaj rusi “haram” nëpër Bit-Pazar. Mendja më shkoi te lotët e Shën Mërisë Virgjër. Rrugës u ndala te lokali i mikut të studimeve. Burrit, që në një kohë të vështirë, kur i kalova dy-tri pusi në rrugë e “Bozhur”, nga Prishtina më solli me makinë në Shkup. Studenti i Prishtinës, që edhe pse vinte nga një familje e pasur dhe me emër, nuk e gjeti veten gjatë “ndryshimeve” demokratike në vendlindje. I provoi të gjitha profesionet: mësuesit, profesorit, pa edhe të “tregtarit”. E hapi një butik në Shkup për rrugëdalje. Mallin po të thuash e merrte nga Turqia.

Kamerieri erdhi saora, urdhëroni, zotëri?

-Raki rrushi “hallall”, bre burrë, se vështirë sot e gjej nëpër Çarshi?! Në çdo qoshk, çajtore. Dyqane vetëm “hallall”, që u shkruan në ballë… “Sulltan” e Hamam…

-Fatkeqësisht, as ne nuk e kemi momentalisht “ilaçin” tënd, raki rrushi “hallall”. – u përgjigjë kamarieri me ironi.

- Halli?!

- Halla, do burrë!

- E, ku t’i gjejmë burrë hallës në Ditën e sotshme?! Zjarr, kur na digjet mbi krye.

- Problem i yti është, he burrë i penës.

E kuptova përgjigjen. Atëherë, çka keni ju sot për sofër? Hë për hë, kemi birrë “hallall Skopsko”. Përpak, plasa nga inati. I thashë kamarierit: ma sjellë një birrë Shkupi!

Kamarieri ende pa ikur pas porosisë, veshin ma vrau biseda e tre-katër “turqve”, matanë në tjetrën tavolinë: Njëri, “turk” nga Shkupi, e tre të tjerët “biznesmenë” nga Turqia. “Biznes” bënin për blerjen e një objekti tregtar, në Shkup. Herë pas here, “turku” në gjuhën zyrtare komunikonte përmes telefonit me një “biznismen” maqedonas. Gjatë gjithë kohës i shanin “arnautët” si fajtorë. Armiq të këtij Shteti të “përbashkët” dhe Turqisë “mike”. Banditë, që e granatonin Qeverinë e “përbashkët” maqedonase. Dorën nuk ia zgjatnin Zaevit në hudhjen e “bombave” politike para kamerave televizive. Përndryshe, po të mos ishin “arnautët”, Turqia “myslimane” ende do ta kishte Shkupin e Rumelinë nën sjetulla. Vetëmevete, thashë: me siguri është ai “turku” i Shkupit, që mu paraqitë me një koment teknefes nën shkrimin tim publicistik.

Kamarierit, një djalë i ri shqiptar i erdhi më te hunda me “biznismenët turq”, që gjithë kohën i shanin shqiptarët. E, në këtë takim pune pinin vetëm ujë dhe çaj rusi. Aty për aty, ua përplasi në sy gjuhën shqipe. “Kardash”, këtu i thonë Shqipëri!... Fjalën turke e theksoi zëshëm në dy pjesë: “kar” dhe “dash”… Nuk jetohet gjithë kohën me ujë çeshme dhe çaj rusi. Skënderbeu, “tradhtari” juaj historik, nuk ka pi çaj rusi dhe ujë çeshme, po e ka pasur si ushqim kryesor në sofër: përsheshin me mish qengji.

“Turqit” me habi, pasi u shikuan sy më sy mes vete, përsëri vazhduan me të veten se, fajin ua kishin “arnautët”. Skënderbeu, që i kishte lënë në baltë, dhe papritmas i “tradhtoi në luftë” kundër shkaut. Rilindasët shqiptarë, që me vjersha e kishin sharë Turqinë, thirrë popullin shqiptar në kryengritje kundër Baba Dovletit. Çajupi, që e kishte shkruar një poemë kundër lartëmadhërisë të Perandorisë Osmane: “Sulltani”. Përmëkeq, “arnautët” tashti u ishin ulur edhe këmbëkryq në Bit – Pazar. Rrezik, për Turqinë.

Autori i këtij shkrimi publicistik, me vite nuk e kishte dëgjuar gjuhën pershesh turke në Bit – Pazar, që nga koha e bangave të shkollës së mesme “Zef Lush Marku”, në Shkup. Edhe pse, probleme kishte edhe asaj kohe me “vëllezërit turq” nëpër Çarshi dhe lokalet e natës. Gjuhën turke përshesh, të cilën ua bëri letrare Sami Frashëri. Kohë, kur përveç dashnoreve maqedonase, kishte edhe një dashnore “turke” Lijen. E dinte se, në Shkup nuk ka turq, prandaj edhe më të shumtën e kohës e kalonte me Lijen. Përfitimi i asaj kohe, pati mundësi ta mësoj edhe gjuhën turke, por nuk e përvetësoi edhe sot e kësaj dite. Fajtorja dihet, ishte “turkesha” Lije. Gjithë kohën bisedonte me të në gjuhën shqipe.

Vite më vonë, do ta mësojë edhe të vërtetën për “turqit” e Shkupit. Edhe atë, pasi u kthye nga Prishtina si mësues në fshatrat e malësisë të Shkupit (1980). Vendbanime shqiptare, ku gati të gjithë fshatrat e Shkupit, ishin të regjistruar si turq pa e ditur së paku edhe një fjalë në gjuhën turqishte. Regjistrimi i popullatës në vitin 1981, deri diku do të sjellë një pasqyrë reale për shqiptarët si pronarë të këtyre trojeve dhe prezencën e pakicës “turke” në IRJ të Maqedonisë. Shqiptarët e asimiluar. E vetmja shkollë në gjuhën turke “Tefejuz” në Shkup dhe ndonjë tjetre në Tetovë dhe Gostivar me mësusë dhe nxënës shqiptar denbabaden, dita-ditës filloi t’u paksohet numri i nxënësve.

Papritmas, erdhi në vete si kalimtar rasti nëpër Çarshi. Trutë i dordhi mbi tavolinë. Biseda e “turqve” në tavolinën tjetër për “biznes”, e ktheu prapa me vite, tek koha e Babait, kur me dhunë deshën me gjithë familje si “turk ehamdurila” ta përzënë në Turqi. Karavanet e “turqve” të Kosovës, që e prisnin me muaj e vite në Shkup trenin për në Turqi. Marrëveshjeve mes Turqisë dhe Jugosllavisë për shpërnguljen e shqiptarëve. Prishjen e asaj marrëveshje të fundit mes dy shteteve aleate për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Fjalën e urtë popullore: mos ia bën gropën tjetrit, se bie vetë brënda bythekrye. “Turqit” e Kosovës mbetën në Shkup edhe sot e kësaj dite pa nënshtetësi. Turr të hapim fabrika, vende pune t’i sjellim fshatrat maqedonase në Shkup. Kryeqytetin me shumicë shqiptare ta shpëtojmë nga shqiptarët. Katundet shqiptare, që me shekuj e kanë rrethuar nga të gjitha anët malore. Kokës i ra me të dyja duart me grushta.

Ndalë, o burrë! E gjithë kjo, nuk është ëndërr. Zgjohu! Matanë maleve lindi dielli. Skënderbeu u ringjall si Krishti edhe në Bit - Pazar. Azreti Isai fluturoi nga minarja e xhamisë në qiell. Poeti, që vdiq në Voskopojë u ringjall po të njëtën ditë në Korçë.

E shkundi veten nga mendimet. Historitë. Xhindet, që nateditë e hudhnin dorë më dorë majë lisave mbi çati. I hapi sytë: kamarieri i rrinte mbi kokë. Zotëri, i tha: merre pagesën! Tek tashti, iu kujtua borxhi i tavolinës.

Dhe, ia ktheu prapa përgjigjen kamarierit: kurrë, mos u merr me histori, humbë kot kohë me këto halldupë Bit-Pazari! Dudumë, që shqiptarët pesqind vjet i mbajtën gjallë në këto troje me tru dhe forca ushtarake. U dhamë: dijetarë, agallarë, bejlerë, pashallarë e kryetar shteti. Sami Frashëri, u krijoi gjuhë letrare. Ataturku i bëri shtet demokratik. Shpërblimi, i asaj kohe: Edhe, në Ditën e sotshme “vëllezërit” turq përpiqen të na e kthejnë borxhin me asimilim si në Perandorinë e dikurshme osmane…

Mendjen, sot për sot nuk e kemi t’ua zgjasim as dorën. Qafën le ta thejnë “hallallët” në përrua!... Histori… Dita e Nesërme u takon shqiptarëve. Shkaku, se: shqiptarët të gjithë popujt i bënë shtete, e veten e lanë pas dore  copë-copë nëpër shekuj…

Koha është: sot o kurrë, shqiptarët ta shpallin Shqipërinë Etnike…