Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: G?nter Grass në dritën e amshimit

| E marte, 14.04.2015, 07:55 PM |


ME RASTIN E VAJTJES NË DRITËN E AMSHIMIT TË NOBELISTIT GJERMAN GYNTER GRAS

Nga Xhelal Zejneli

Gynter Gras (G?nter Wilhelm Grass, 1927-2015) lindi në Danzig, d.m.th. Gdanjsk, Poloni më 16 tetor 1927 dhe vdiq në L?beck më 13 prill 2015. Është romancier, dramaturg dhe poet kashub-gjerman. Studioi skulpturën. Ishte edhe piktor dhe dizajnues grafik. Deri në bashkimin e Gjermanisë jetoi në Berlinin perëndimor. Krahas tregimtarit gjerman Hajnrih Bël (Heinrich B?ll, K?ln, 1917- K?ln 1985; më 1972 mori Çmimin Nobel) ishte pjesëtari më i njohur i Grupit 47. Me romanin e parë Daullja prej teneqeje, (Die Blechtrommel, 1959), përnjëherë u radhit ndër tregimtarët evropianë më të shquar. Thelbi i veprës përbëhet nga ngjarjet e historisë gjermane dhe evropiane të viteve 1927 - 45, të ngërthyera në panoramën epike, me qendër në vendlindjen e autorit, Gdanjsk. Vepra është shkruar si pjesë e trilogjisë së Gdanjskut dhe është një nga veprat më të mëdha të letërsisë moderne gjermane të periudhës së pasluftës;

Personazhi kryesor i veprës Oskar Matzerath, i lindur në Gdanjsk në vitin 1924, flet për jetën e vet nga këndvështrimi i një fëmije trevjeçar. Që nga ditëlindja e tretë e tij, ai dëshiron që të mos rritet më dhe nga ajo ditë fillon rrëfimi i tij mbi pikëpamjet e të rriturve mbi botën. Për ditëlindjen e tretë, nëna i dhuron atij një daulle prej llamarine (teneqeje) e cila do të bëhet pjesë e pandarë e jetës së tij. Duke u rritur në Gdanjsk, qytet me popullsi të ndarë polake dhe gjermane, nga nëna me prejardhje kashub, Oskari e përshkruan qytetin, duke i paraqitur njëherazi, sikurse edhe tema e këtij romani, pikëpamje kritike të paevitueshme mbi fillimin e konfliktit luftarak në Evropë. Fjalët e nënës: “...Ne kashubët, nuk jemi aq polakë për polakët dhe nuk jemi sa duhet gjermanë për gjermanët...”, paraqiten në disa vepra të Gynter Grasit. Për këtë arsye, edhe daullja e Oskarit ngjyre të kuqe dhe të bardhë, e tregon përkatësinë e Oskarit Polonisë, të cilën e lë duke vajtur pas vitit 1945 në drejtim të perëndimit. Ky roman në të cilin autori e përshkruan jetën e një familjeje gjermane në Gdanjsk në gjysmën e parë të shekullit XX është përplot elemente fantastike. Sipas këtij romani, në vitin 1979, në regji të Volker Shlwndorfit (Volker Schl?ndorff) është xhiruar film.

Perspektiva tregimtare karakteristike e romanit varet nga personazhi kryesor, nga vogëlushi Oskar i cili, duke qenë i parritur fizikisht, botën e përjeton në mënyrën e vet: për veprimet dhe për botëkuptimet e të rriturve (kryesisht në një mjedis provincial) gjykon me një cinizëm therës, duke i demaskuar konventat, ideologjitë dhe normat shoqërore.

Shikuar “nga poshtë”, këto dukuri bëhen qesharake, njëherazi edhe demaskuese groteske. Me groteskun përputhen edhe disa aftësi joreale, të pazakonshme “të heroit”, të cilat i kundërvihen motivacionit realist të romanit.

Përzierja e realizmit dhe e fantastikes, e stilit sarkastik dhe e bizaritetit, e satirës agresive dhe e humorit të çuditshëm – të harmonizuar në mënyrë virtuoze – është karakteristikë edhe e romanit Vite qeni (Hundejahre, 1963) i cili përsëri e shfaq imagjinatën e shkrimtarit dhe për shkak të ngjashmërisë së temës, krijon përshtypjen e një parafraze më pak të suksesshme të romanit të parë.

Tregimi Macja dhe miu (Catz und Maus, 1961) për nga stili dhe lënda po ashtu është pasardhës tematik i romanit të parë. Në të vërehet prirja e autorit për t’i përshkruar veprimet fiziologjike tabu, por me një ironi që e neutralizon skandalizimin.

Me veprat e veta dramaturgjike (Gjinkalla, gjinkalla – Onkel, Onkel, 1957/8; Kuzhinierët e pamëshirshëm - Die bösen Köche, 1957; Përmbytja – Hochwasser, 1957; Tridhjetë e dy dhëmbë – Zweiunddreißig Zähne, 1958; Plebenjtë ushtrojnë për kryengritje - Die Plebejer proben den Aufstand, 1966) - Grasi është ithtar i  teatrit absurd.

Lirikat e tij janë origjinale. Në përmbledhjen Nyja e hekurudhave (Gleisdreieck, 1960), motivet e qytetit të madh paraqiten në një kontekst që në shikim të parë duken absurde, herë-herë të ndërthurura me shakara kabareje dhe me lojë fjalësh. Kuptimi që ngërthen e pakuptimta i godet kundërthëniet e qytetërimit bashkëkohor.

Në fazat krijuese të mëvonshme të Grasit mbizotëron romani si dhe eseistika e kritikës së shoqërisë, e përshkuar nga angazhimi për qëllimet politike të Partisë Socialdemokrate. Vepër kryesore e asaj periudhe është romani Der Butt, 1977 në të cilin autori me mendjehollësi dhe në mënyrë të thelluar e ndërlidh historinë e një përralle me historinë e problematikës feministe dhe me mite mbi raportin midis gjinive, e përcjellë me përshkrime të historisë së kuzhinierisë. Me pjesë fantastike është i pasur edhe romani Miu (Die Rättin, 1986), që përmban vizionin e tokës pas një katastrofe bërthamore.

Ndër librat e ri shquhen shqyrtimet mbi poetikën bashkëkohore Të shkruash pas Aushvicit (Schreiben nach Auschwitz, 1990) dhe romani Unkenrufe, 1992, një rrëfim tragjikomik për marrëdhëniet e gjermanëve dhe të polakëve. Pason Fusha e gjerë (Ein weites Feld,1997).

Shekulli im (Mein Yahrhundert, 1999) është një vepër tregimtare dhe dokumentare karakteristike, kronikë fiktive e cila, duke i radhitur vitet, flet për varësinë e ndërsjellë të ngjarjeve historike dhe të fateve private.

Në periudhën e viteve 1970-1993 në Gjermani vepronte organizata militante e ekstremit të majtë Fraksioni i Armatës së Kuqe (Rote Armee Fraktion), e njohur ndryshe si grupi Baader-Meinhof, sipas emrit të udhëheqësve Andreas Bader (Munih 1943-1977 vdiq në burgun e Shtutgardit) dhe Ulrike Majnhof. Ky grup kishte ideologji marksiste dhe maoiste dhe orientim antifashist. Veprimtaria formale e tij pushoi në vitin 1998.

Më 4 dhjetor 1974 shkrimtari dhe filozofi ekzistencialist francez, refuzues i Çmimit Nobël për letërsi Zhan-Pol Sartri (1905-1980) e vizitoi Andreas Baderin në burgun e sigurisë së lartë në Shtugart. Kjo vizitë shkaktoi sensacion në mbarë botën për arsye se, sipas qeverisë gjermane, Andreas Baderi ishte terroristi numër një i Gjermanisë. Pas takimit me prijësin e grupit – Andreas Baderin, Sartri u prononcua për mediumet botërore, duke e akuzuar politikën gjermane të kancelarit Helmut Shmit.

Sipas disa studiuesve, një prej frymëzuesve shpirtërorë të këtij grupi ka qenë edhe Gynter Grasi, me krijimtarinë letrare-artistike  të tij. Në vitn 1999 Grasi u laurua me Çmimin Nobël për letërsi.