E enjte, 25.04.2024, 11:09 AM (GMT+1)

Faleminderit

Xhuvani, themeluesi i albanistikës dhe pedagogjisë

E shtune, 19.07.2008, 01:53 PM


Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Nënë Tereza kërkoi që të mos prishej shtëpia e prof. Xhuvanit, në lagjen “Kala” në Elbasan 

Drejtori i Normales shkëlqeu në gramatikë, leksikologji, leksikografi, studimin historik të shqipes, në sintaksë, etj

Nga Artan LEKA

Aleksandër Xhuvani është personalitet i shquar i gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Ai ishte veprimtar i denjë politiko-shoqëror dhe mban titujt: Profesor, Mësues i Popullit.
Prof. dr. Aleksandër Xhuvani u lind në Elbasan, më 14 mars 1880. Mësimet e para fillore i mori në shkollën greke, në qytetin e lindjes dhe kishte mësues Tush Pinën që fshehtas u mësonte nxënësve edhe gjuhën shqipe. Aleksandër Xhuvani mbaroi gjimnazin grek në Cotil të Maqedonisë dhe studimet e larta i kreu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës në vitet 1902-1906. Që kur ishte nxënës e student nis të shkruajë për gjuhën shqipe. Në gusht të vitit 1906 shkon në Napoli dhe njihet me Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin. Me ndihmën e tyre zë punë në kolegjin arbëresh “Shën Adriani”. Këtu krahas punës nis veprimtarinë patriotike dhe studimore, shkruan në shtypin e kohës artikuj gjuhësorë, letrarë dhe artistikë, ndonjëherë edhe politikë. Njihet mirë me gjuhën arbëreshe. Pas shpalljes së Kushtetutës së Perandorisë Osmane, më 23 korrik 1908, problemi i organizimit të shkollës në gjuhën shqipe del në plan të parë. Më 2-9 shtator 1909, u mbajt Kongresi i Elbasanit, i cili vendosi hapjen e shkollës Normale. Prof. Aleksandër Xhuvani u thirr si mësues në këtë shkollë. Në këtë kohë, ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Shkolla Normale mbyllet pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kajro, ku emërohet redaktor i gazetës “ Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A. Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”. Kthehet në atdhe pas shpalljes së pavarësisë dhe emërohet drejtor i Normales në vitet 1913-1914 dhe 1917-1920. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 është kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922, punon në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929.

Pjestar i lëvizjes së forcave demokratike

Në vitet e luftës politike 1921-1924, merr pjesë aktive përkrah forcave demokratike. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938-ën ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Në këtë vit shkon sërish në Ministrinë e Arsimit, por për ndjenjat e theksuara patriotike, në vitin 1940 u nxor jashtë kuadrit, duke mbetur në dispozicion për një kohë të gjatë. Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Familja dhe prof. Xhuvani e pret me urrejtje pushtimin fashist. Ai përkrah luftën antifashiste. Njëri nga djemtë e tij, Ptoleme Xhuvani bie heroikisht si dëshmor, në korrik të vitit 1943. Vdekja e djalit e hidhëron, por nuk ndal profesorin në lëmin e kërkimeve dhe studimeve në fusha të ndryshme. Menjëherë pas luftës thirret në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Bëhet anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit ‘47 deri në shtator ’53, punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Institutit të Shkencave. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1954, nën kujdesin e prof. Xhuvanit realizohet hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Në vitin 1945, ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor, ku për disa vite me radhë zgjidhet edhe si nënkryetar. Aleksandër Xhuvani vdiq më 23 nëntor 1961.

Aleksandër Xhuvani, personalitet poliedrik

Aleksandër Xhuvani nuk ishte thjesht studiues i një fushe të caktuar. Ai u shqua edhe në realitete të tjera shkencore. Veç gjuhësisë dhe letërsisë, ai shkëlqeu edhe në: pedagogji, psikologji, histori, tekstologji, memorialistikë. Në të gjitha këto shkenca, ai njihet si themeluesi i parë shkencor. Disa nga librat mësimorë të prof. Xhuvanit përmenden: “Libri i Gjuhës dhe Gramatikës 1919-1920., “Njohuritë e para të Sintaksës Shqipe” (për shkollat e larta të fillores), “Sintaksa Shqip”, (për shkollat e mesme botuar më 1931), “Fillimet e Pedagogjisë”, (për shkollat normale dhe mësuesit e filloreve më 1933). Bashkë me K. Cikon hartoi librin “Fillimet e Stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme”, përshtati “Historinë e Letërsisë Greke”, për kurset e larta të liceut viti 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme më 1946, botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë, si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Aleksandër Xhuvani kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si: “Jeta e Pirros” etj. Këtu duhen përmendur edhe dhjetëra artikuj në shtypin e kohës.
Fushë tjetër e rëndësishme ka qenë gjuhësia. Ai studioi dhe lëvroi gjuhën shqipe i frymëzuar nga rilindësit. Punoi për pasurimin dhe ngritjen lart të kësaj gjuhe, e aktualizoi atë, e vuri në praktikë dhe e kulturoi shqipen e sotme. Në këtë drejtim Xhuvani la një sërë studimesh, tekste, monografi, artikuj shkrime dhe recensione me vlerë. Vepra gjuhësore e prof. Xhuvanit shquhet për qartësinë dhe vlerën shkencore. Ai shkëlqeu në: gramatikë, leksikologji, leksikografi, studim historik i shqipes në sintaksë etj. Studime me mjaft interes ka kryer për: parafjalët, ndajfoljet, përcjelloren, paskajoren etj. Por nuk ndalet me kaq. Bashkë me studiuesin e famshëm, Eqrem Çabej, ai i kushtoi kujdes fjalëformimeve të reja të shqipes. Ai është një leksikograf i talentuar i shqipes. Me një përkujdesjeje të veçantë realizon ribotimin kritik të fjalorit shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit, duke e bërë atë më të kuptueshëm dhe të lexueshëm për lexuesin. Studimi historik i shqipes, studimet etimologjike dhe gramatika historike mbajnë firmën e prof. Xhuvanit.

Vlerësimet shkencore

Profesor Aleksandër Xhuvani cilësohet si personalitet më i shquar i arsimit, shkollës dhe pedagogjisë shqiptare. Periudha në të cilën jetoi përkoi me ngjarje të rëndësishme të popullit tonë, siç ishte periudha e Rilindjes Kombëtare, shpallja e Pavarësisë, zhvillimet demokratike, monarkia, Lufta e Dytë Botërore dhe vendosja e sistemit totalitar. Ai nuk qëndroi pasiv, por i përjetoi aktivisht këto periudha historike, duke qenë gjithmonë në krahun përparimtar dhe demokratik. Ai ishte njohës i thellë i traditës shqiptare arsimore, shkollore e pedagogjike, si dhe i pedagogjisë perëndimore. Vepra e tij ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve të ndryshëm. Kur ishte gjallë albanologu N. Jokli i shkruante “Ju keni vue themelet e terminologjisë pedagogjike e psikologjike”. Ndërsa M. Lamberci e vlerëson si “njeri me dije filozofike e gjuhësore me vështrim të gjerë”. Njohësi më i mirë i visarit leksikor të shqipes, profesor Eqrem Çabej, e ka vlerësuar kështu veprën e Xhuvanit “Veprimtari e A. Xhuvanit në fushën e gjuhësisë mund të përfshihet me binomin, gjeografi gjuhësore, histori gjuhësore, përhapje e dukurive gjuhësore në hapësirë e në kohë, si njeri përparimtar, si një ndër themeluesit e albanistikës, të lëvruar prej vetë shqiptarëve, një udhërrëfyes për kuadrot e reja”.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, qendër e arsimit të lartë

Në të vërtetë, Normalja në të cilën Aleksandër Xhuvani ishte drejtor për vite me radhë është universiteti i parë shqiptar. Normalja i çeli dyert në vitin 1909 dhe universiteti aktual konsiderohet si vazhdues i saj. Universiteti “Aleksandër Xhuvani” është i përbërë nga 6 fakultete, në të cilin mësojnë 8000 studentë të udhëhequr nga 250 pedagogë. Ky universitet mban lidhje me institucionet analoge në Francë, Danimarkë, Angli, Itali, Greqi, Holandë etj., dhe me universitetet e Ballkanit si Universiteti i Prishtinës, Tetovës, Shkupit etj.

Nënë Tereza: Mos e prishni shtëpinë e Aleksandrit!

Nënë Tereza ka kërkuar që të ruhet shtëpia e Aleksandër Xhuvanit. Ajo ndodhet në anë të rrugës në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit. Shenjtorja me origjinë shqiptare, edhe pse larg ka pasur vlerësim maksimal për figurën e Aleksandër Xhuvanit. Gjatë vizitës që kreu në Shqipëri, në vitin 1992 ajo kërkoi me këmbëngulje të njihej nga afër me shtëpinë ku u lind dhe u rrit njeriu i arsimit shqiptar. Në vitet 1991-1992, shtëpia e Aleksandër Xhuvanit u kërkua të merrej nga një prift italian. Duke vizituar shtëpinë e prof. Xhuvanit, nënë Tereza u shpreh: “Mos e prishni shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Portretin dhe veprat e tij, unë i kam ruajtur dhe i ruaj me shumë dashuri në Indi. Ai është thesar i çmuar për kombin shqiptar”. “Kjo ka qenë gjëja më e bukur e jetës sime”, shprehet Arjan Ndria, kujdestar i shtëpisë së Xhuvanit. “Kam 18 vjet që kujdesem për këtë shtëpi dhe kur mësova se po e kërkonin ta merrnin disa priftërinj, unë u trishtova shumë. Por u desh të vijë shenjtorja që të plotësohej dëshira ime. Unë kujdesem çdo ditë për mirëmbajtjen e shtëpisë. Ajo është shumë e vjetër, mbi 100-vjeçare dhe mbahet mirë”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora