| E hene, 13.04.2015, 08:09 PM |
(ZH)VLERËSIMI
Nga Bedri TAHIRI
Secili që i ka dy kokrra mëndë në kokë, duhet ta ketë të qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qe e drejtë, çlirimtare, e pastër, e shenjtë. Atë e bën djemtë dhe vashat tona që vdekjen e shikonin drejt në sy dhe i thoshin: Plaq! Dihet, në këtë vazhdë, më meritorët janë ata që u bënë kurbanë të lirisë: DËSHMORËT. Paskëtaj vijnë me radhë luftëtarët sypatrembur, mbështetësit dhe përkrahësit e tyre dhe mbarë populli ynë liridashës. Tashmë, këtë realitet e ka pranuar edhe gjithë bota e civilizuar e globit.
Mirëpo, vallë, sa po e dimë ne vetë?!
Mjerisht,
fare pak, për të mos thënë hiç! Ah, më falni se u nxitova, sepse për dije nuk
na shkon asgjë huq, por interesi i shkretë na i ka verbuar sytë. Siç duket kot
na paskëshin mësuar etërit e stërgjyshërit tanë se çka ta bën vetja nuk ta bën
as jeta. Kjo u pa moti, por, së fundmi, me listat e veteranëve të UÇK-së, sikur
na doli boja fare. Aman, aman, sa poshtë kemi rënë, e zhvlerësuam vetveten!
Babëzia, kurdoherë ka qenë e dëmshme. Ani, kur kemi të bëjmë me vlerat kombëtare, me mundin, me sakrificën, me gjakun e me gjymtyrët e humbura të atyre që na sollën Ditën e Bardhë- LIRINË, kjo merr përmasat e një mallkimi të pamëshirshëm historik. Kjo që po ngjet sot në shoqërinë tonë, kinse të emancipuar, veç sa na e sforcon mendimin se paskësh pasur plotësisht të drejt mendjendrituri ynë, Faik Konica, kur thoshte: Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët!
Dorën në zemër, edhe heretikët më të mëdhenj, nuk do të kishin guxim të provonin përvetësimin e vlerave të të tjerëve e as të luanin me to, sepse do të kishin frikë nga bota e përtejme
Sidoqoftë, zhvlerësimi i luftës sonë më të lavdishme historike, luftës së UÇK-së, le të rëndojë si ndëshkim nopran mbi të gjithë ata që kanë hak e hile! Tekefundit, ajo është brilante dhe njollat nuk e përlyejnë dot.
U lumtë meritorëve, marri hileqarëve!