E enjte, 25.04.2024, 09:59 PM (GMT+1)

Faleminderit

Jonuz Balla: U dënova 8 vite burg për gjuhën shqipe

E shtune, 19.07.2008, 01:19 PM


Jonuz Balla
“U dënova 8 vite burg për gjuhën shqipe”

Nga Ervin Toti & Emin Koçiu 

PORTRET/ Jonuz Balla, ish-normalisti i Elbasanit, i vetmi që jeton ende në Shqipëri “Protestuam kundër shkollave turke, Koliqi më çoi në Maqedoni”

Trokitja në portën e vjetër ishte e shkurtër. Derën na e hapi bashkëshortja e profesorit, e cila na ftoi brenda me shumë dashamirësi.

Profesori tashmë i lodhur nga mosha qëndronte në kolltukun e tij pranë zjarrit. Ai është i vetmi profesor, i cili ka dalë nga Shkolla Normale e Elbasanit dhe që jeton ende. Sapo na pa, na ftoi t’i uleshim pranë, duke nisur të tregojë edhe historinë e tij sa interesante, po aq edhe tragjike. Si mbaroi shkollën Normale të Elbasanit në vitin 1934, niset për të vazhduar studimet e larta për pedagogji në Firence, por i lë ato përgjysmë pasi fillon lufta dhe kthehet në Shqipëri. Këtu, së bashku me disa normalistë të tjerë i përgjigjet thirrjes së ministrit të Arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqi, për të shkuar në Maqedoni me qëllimin fisnik që të përhapte gjuhën shqipe. Nga këtu fillojnë edhe peripecitë e tij të shumta.

Profesor, përse vendosët të shkonit në Maqedoni për të dhënë mësim në gjuhën shqipe dhe nuk qëndruat pranë familjes?

Unë në atë kohë isha i ri dhe dëshira për të ushtruar profesionin tim, atë të mësimdhënies, ishte e madhe. Kur mendon pastaj se do të japësh mësim në Maqedoni dhe do t’u mësosh gjuhën shqipe shqiptarëve të cilët nuk e dinë atë, fisnikëria e këtij profesioni rritet edhe më shumë. Gjithashtu ndjenja patriotike në atë kohë ishte mjaft e madhe. Nuk mund ta refuzoja kurrë një ofertë të tillë.

Në ç‘vit u nisët në Maqedoni dhe ku punuat?

U nisa për në Maqedoni në vitin 1941. Si fillim shkova në Tetovë si referent i arsimit shqiptar në Ministrinë e Arsimit. Një vit më pas transferohem në Dibrën e Madhe, ku punoj si drejtor i shkollës 7-vjeçare “Skënderbej”, detyrë të cilin e mbaj për dy vjet, deri në vitin 1944. Në këtë vit kthehem sërish në Tetovë, ku punoj përsëri si drejtor i një shkolle 7-vjeçare që për koincidencë quhej po prapë “Skënderbej”. Punën e bëja me shumë dëshirë dhe luftoja që të mos mbetej fëmijë shqiptar pa mësuar shqipen. Por për fatin tim të keq kjo nuk zgjati shumë, sepse në vitin 1946 më arrestuan.

Për të qëndruar këtu profesor, e mbani mend cili ishte shkaku që ju arrestuan dhe me cilat akuza u përballët?

Sigurisht. Në këtë kohë, pra gjatë viteve 1945-1946, vinë një sërë udhëzimesh nga qeveria për t’i kthyer shkollat shqipe në shkolla turke. Arsyeja qe se Shqipëria ishte në kufi dhe Maqedonia mund të rrezikohej prej saj, ndërkohë që nga Turqia nuk kishte asnjë rrezik. Këtë sigurisht që nuk mund ta pranoja. Për këtë arsye shkoj dhe takoj ministrin e Arsimit maqedonas, duke i kërkuar që shkollat shqipe të mos mbylleshin dhe si mbrojtje përdora argumentin që le të hapen edhe shkollat turke dhe më pas prindërit le t’i dërgojnë fëmijët e tyre ku të duan. Pas tij takova edhe priftin e zonës dhe i kërkova që të lajmëronte të gjithë priftërinjtë dhe të mblidheshim në shkollën “Skënderbej”, për të diskutuar se si mund ta përhapnim gjuhën shqipe edhe më gjerë. Unë natyrisht lajmërova të gjithë mësuesit për këtë takim. Çuditërisht para shkollës ishin mbledhur edhe shumë shqiptarë, të cilët brohorisnin në favor të gjuhës shqipe, aq sa në një moment humbën edhe qetësinë. Për këtë arsye policia ndërhyn dhe arreston disa persona, një ndër të cilët isha edhe unë. Për një kohë të gjatë, rreth 4 muaj, qëndrova në qeli dhe u mora në pyetje nga policia. Kushtet e burgut ishin vërtet të këqija. Më ushqenin një herë në tri ditë dhe nuk më jepnin rroba. Më pyesnin shpesh nëse isha për një Shqipëri të madhe dhe nëse luftoja për një gjë të tillë. Sigurisht që nuk pranova asgjë, duke u thënë se isha thjesht një mësues. Në gjyq më akuzojnë për trafik armësh, më thanë se isha një element që luftoja për Shqipërinë e madhe etj, etj, dhe më dënuan me 8 vite heqje lirie.

Cilat kanë qenë peripecitë që ke kaluar gjatë viteve të burgut?

Pa diskutim që ato 8 vite kanë qenë shumë të vështira. Unë ia di për nder qytetarëve të Tetovës që më mbanin me ushqim, sepse po të ishte për ato 300 gramë bukë në ditë që ishte racioni i përditshëm, do të kisha vdekur me kohë. Por gjatë kësaj periudhe unë edhe kam punuar. Shumë shpejt mësova të qep në tezgjah. Në burg bënim tapete persiane, të cilat shiteshin shumë shtrenjtë. Për një kohë të shkurtër arrita të bëhesha edhe kryepunëtor. Po pavarësisht kësaj, edhe torturat nuk kanë munguar. Shpeshherë më fusnin në vaska me akull dhe më mbanin për një kohë të gjatë, duke më thënë se kisha ndihmuar shokët e burgut gjatë punës.

Po në momentin që u kthyet në Shqipëri profesor, çfarë ndodhi?

Këtu kemi të bëjmë me një tjetër paradoks. Direkt nga burgu në Maqedoni, më futën në burg në Shqipëri. Madje pas përfundimit të dënimit 8-vjeçar nuk kam vajtur as në shtëpi. Këtu më akuzuan si bashkëpunëtor i UDB-së dhe se kisha shkelur kufijtë e Republikës Popullore. Në burg më mbajtën katër muaj e gjysmë dhe më pas më caktuan mësues në Shtërmen e Cërrik, ku punova deri në vitin 1971, vit në të cilin dola edhe në pension.

DENIMI

Ka kundërshtuar me forcë që shkollat shqipe të ktheheshin në turke, ka mobilizuar popullatën, prindërit dhe kolegët e tij mësues, por kjo i ka kushtuar tetë vite burg. Jonuz Balla u arrestua gjatë protestave kundër mbylljes së shkollave shqipe në Maqedoni.

MATURA

Profesor Jonuz Balla, i cili ka rrëfyer për gazetën historinë e tij në përpjekje të mbrojtjes së gjuhës shqipe në Maqedoni, bën pjesë në brezin e maturës së vitit 1934 të Normales së Elbasanit. Më pas Balla është dërguar nga Ernest Koliqi në Maqedoni, për të dhënë mësim në gjuhën shqipe.

8 vite
burg ka qenë “dënimi” i dhënë për mësuesin shqiptar Jonuz Balla. Ai është arrestuar gjatë protestës së shqiptarëve kundër kthimit të shkollave shqipe në shkolla turke

1 vit
me radhë qeveria maqedonase ka dërguar në organet arsimore udhëzime, në vitet 1944-1945, që shkollat shqipe të ktheheshin në shkolla ku mësohej turqisht



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora