Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dukagjin Hata: Një realitet artistik

| E diele, 12.04.2015, 03:43 PM |


At e bijë rrëfejnë odisenë e emigracionit të ri shqiptar në Londër, në kërkim të Tokës së Premtuar

Një realitet artistik midis rrëfimit publicistik dhe atij romanesk

Rruzhdi e Greta Jata zbulojnë “kutinë e Pandorës” londineze

Nga Dukagjin HATA

Në vazhdën e asaj tradite ku kanë hedhur themelet e ngrehinës së estetike ikonat e letrave dhe kulturës shqiptare në diasporë, Noli, Konica etj. po ecin dhe krijuesit e rinj të kohës sonë, të cilët në një raport të ri psiko-gjeografik me “lëndën e parë” të frymëzimit, përcjellin në krijimtarinë e tyre metaforën e kërkimit të lirisë, realitetet e reja gjeopolitike dhe sociale, me të cilat ndeshet aktualisht emigranti shqiptar në rrugën drejt plotërimit të identitetit të tij në rrethana dhe kushte ekonomike e shoqërore të tjera. Këto shkrimtarë, dikush në një formëzim estetik e dikush në një tjetër, kërkojnë në vektorin e një realiteti global, në bashkësinë e pikave konverguese e diveguese të veçantat e botës shqiptare në përgjithësi dhe të atij që quhet “trungu amë” në veçanti. Në këtë shtrat narrativ dhe psiko-emocional e kanë ndërtuar fabulën romaneske at e bijë, Rruzhdi e Greta Jata, emigrantë në Angli, në romanin e tyre “Shpresa e Londrës”, një sagë realiste, plot dritëhije e befasime, që tenton të na përcjell një realitet sa të dyzuar e ankthioz, aq dhe të panjohur për një lexues që e vështron këtë tablo jetësore nga larg. Ruzhdiu dhe Greta, siç thotë gazetari i njohur Sami Milloshi,  kanë sfiduar në një farë mënyre teoritë stilistike mbi shkrimin e romanit, ku zakonisht ka një autor. Ata të dy, babë e bijë, kanë shkruar një roman që është një sagë e vërtetë e shqiptarëve që kanë emigruar këtë çerek shekulli qëkurse edhe në Shqipëri ra Muri i Berlinit.

Tema e emigrimit është e trajtuar dendur në letrat shqipe, brenda e jashtë kufijve administrativë, në trevat shqipfolëse e në diasporë, nga mjaft autorë të tjerë, por merita e Ruzhdi dhe Greta Jatës është se ata kanë sjellë një dëshmi estetike autentike, personale dhe njerëzore, një realitet artistik midis rrëfimit publicistik dhe atij romanesk. Thënë ndryshe, autorët, duken të përkujdesur po aq sa të japin dëshminë, edhe të kryejnë një akt rrëfimtar cilësisht estetik për fatin e njeriut shqiptar në epokën globale.

Rruzhdi Jata vjen në gjininë e prozës së gjatë pas një përvoje njëzëtvjeçare si gazetar profesionist në Shqipëri, në gazeta lokale e qendrore, çfarë duket se i ka dhënë intuitën dhe mprehtësinë për të kapur të veçantat, detajet dhe imtësirat, në shumësinë e fakteve që përzgjedh, në funksion të tematikës dhe mesazheve që kërkon t’i përcjell lexuesit. Gjithashtu ai nxjerr dhe në Londër prej disa vitesh një gazetë periodike në gjuhën shqipe, që iu adresohet kryesisht emigrantëve shqiptarë në tokën britanike. E bija, Greta, larguar me familjen në moshën dy vjeç e gjysëm nga Shqipëria, vjen në këtë roman si bashkëautore me babain, pas një përvoje të sukseshme si autore e katër librave me tregime, shkruar në anglisht, që kanë pasur jehonë në qarqet letrare e mediatike londineze.

Romani është një histori dramatike, mbresëlënëse, plot dritëhije dhe kontraste e një familje emigrantësh shqiptarë në Londër, që kanë lënë pas, në tokën e tyre dhimbje, dëshpërim, mjerim, kërcënim, mall, dashuri e iluzione, në kërkim të “Tokës së Premtuar” në dhe të huaj. Fati i asaj familje ka diçka nga fati i autorëve, por është më shumë se kaq; është një shumësi e përpjestuar fatesh, realitetesh, historishë, ku ka pak nga jeta e dhjetëra e qindra të ikurve nga vendi i shqipeve, përgjatë një tentative gati biblike për të kapur kohën e humbur.

Duke lexuar romanin “Shpresa e Londrës” të shkrimtarëve Rruzhdi e Greta Jata” të vjen parasysh, si në një ekran gjigand, fati i një populli ikanak, kalvari në tokën e tij dhe odiseja në tokat e huaja, dyzmi dhe drama e emigrantëve për të rigjetur kuintitetin shpirëtor dhe një jetesë më të mirë.

Në qendër të romanit është çifti Mali, të cilët sjellin me vete, në tokën lodineze ankthin dhe mungesën, vetminë dhe pamundësinë, por dhe shpresën për t’u kapur fort pas rrënjëve të jetës, edhe pse këto rrënjë qenë këputur përkohësisht, për shkak të atij soj kalvari që po pësonin shqiptarët në vendin e tyre, për të mbrojtur ekzistencën fizike dhe shpirtërore, kauzat e humbura në luftëra absurde.

Historia e tyre është një histori ku gjejnë veten shumë shqiptarë që kanë ikur në Angli për të ndryshuar cilësinë e jetës; në fillim, shqiptarët janë pritur me dashamirësi dhe janë ndihmuar me të gjitha mënyrat, siç del dhe në roman, por më vonë, pas kalimit të viteve, Londra zyrtare, me burkratët, aparatçikët, ingranazhet e paragjykimit, është treguar më e ftohtë, më e rezervuar dhe më cinike ndaj tyre. Por kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetë është se Londra zgjoi tek shqiptarët një shpresë të gjallë, një shpresë reale, që mbijetoi edhe në kushtet e atyre sajimeve dhe artificeve të emigrantëve tanë, që krijuan histori të paqena e identitete të paqena, për të fituar një staus qëndrimi ligjor në Angli.

Rruzhdi e Greta Jata e konturojnë historinë e tyre si një procedim publistiko-estetik të fatit të shqiptarëve përgjatë endjeve të tyre në kohën tonë, në kërkim të hapësirave globale të integrimit dhe plotërimit. Në këtë histori ka trill, fantazi, rebus, por kryesisht sundon realja, sundon përshkrimi i gjallë, vëzhgimi, analiza dhe sinteza mesazhore, si përcjellje e qëndrimit të autorëve ndaj realiteteve të shtjelluara në roman.

Tredimensionaliteti kohor, ku i vendosin autorët ngjarjet e rrëfimit të tyre, përfshin në mënyrë estetike ato ura të kujtesës shqiptare, ku prapa çdo trilli është një realitet estetik, historik dhe aktual, të vërteta të ndrojtura, të shpallura a të nënkuptuara, që ushqejnë pemën e dhimbjes, qëndresës e shpresës së një shtrese të shoqërisë shqiptare, që kërkoi të gjente modelet e një jete tjetër në toka e dhera të huaj.

Nuk është vendi këtu të rirrëfejmë ndodhitë e këtij libri, për të mos humbur interesi i lexuesit për një lexim të këndshëm të tij, por duhet theksuar, se e veçanta e romanit “Shpresa për Londrën” duket se është përdorimi i një materiali të gjërë faktik, si shtrati narrativ për ndërtimin e fabulës dhe aksesorëve të saj. Duke përdorur detaje të thjeshta por me peshë trillere, edhe pse realiteti i përshkruar në roman është thellësisht realist, autorët kanë bërë një autopsi të kohës dhe jetës në Londër, në Tiranë, në vendin e tyre, ku varfëria, dhuna verbale e reale kanë lënë gjurmë ankthi e dhimbje; tentativa për të gjetur vetveten e bjerrur në një vend që nuk është i tyre, por që bëhet i dashur për shkak të peshës së ëndrrës, shndërrohet në lejtmotivin rrëfimtar dhe paradigmën e shpresës, e cila mban gjallë shpirtin shqiptar në kryeqytetin britanik.

Baba e bijë depërtojnë në thelbin e raportit të shqiptarëve me emigrimin e tyre të ri: duke dashur të gjejnë “tokën e permtuar”, të paktën ata rigjejnë vetveten e humbur në iluzione të skajshme; gjejnë atë çfarë qe thërmuar nga lidhja e deformuar me vendlindjen, me atdheun, për të ndërtuar me të një raport të ri, real dhe të qëndrueshëm.

Romani “Shpresa e Londrës” lexohet me një frymë, sa për ngjarjet e ngjeshura, plot kontraste dhe befje, aq dhe për materialin jetësor e dokumentar, që kthehet në një dëshmi të jetës së emigrantëve shqiptarë në një nga kryeqendrat më kuptimplote e më të lakmuara të udhëtimit të fatit shqiptar në kohëra, në historinë e vjetër dhe të re.

Shkrimtarët at e bijë janë kërkues realistë në psikologjinë dhe shpirtin shqiptar, ku në rrëfimin e tyre ka aq origjinalitet e freski, aq sharm gjuhësor dhe teknikë rrëfimi, një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra.

Proza e Jatës na jep dimesionin e shpërfytyruar të fatit të shqiptarit në epokën e re të shoqërisë së hapur, që teksa lë pas dhunën, varfërinë, dyzimin, mosbesimin, iluizonet e thërmuara nën peshën e një kalvari të shumëfishtë, kërkon një shteg për të çuar ëndrrën, jetën e trazuar, dilemat dhe iluzionet. Kërkon një mundësi tjetër, të cilën nuk e gjen në vendin e tij të traumatizuar, të shpërfytyruar nga pesha e rëndë e një jete të jetuar për të tjerët, ose gjasme për të tjerët, por dhimbja ka qenë e secilit, vuajtja e secilit, poshtërimi që vjen nga varfëria, trysnia e gjithakahsshme dhe e gjithëfarshme, peshon në  psikikën e gjithëkujt, ku më shumë e ku më pak, por ama peshon dhe zkuzon.

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi me ngjyrimin letrar e tharmin gazetaresk, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, autorët na sjellin një prozë që lexohet me endje dhe me mesazhe për sot e për nesër.

Libra të tillë lexohen me një frymë dhe na bëjnë t’iu rikthehemi, ku pas çdo leximi gjejmë diçka të re, duke u kujtuar se gjallojmë në këtë botë, për hir të një ekzistence tjetër, që lidhet me kohë-hapësirën brenda shpirtit njerëzor, në hapësirën e pamatë të së cilit tentojnë ta ndërtojnë fabulën e tyre narrative at e bijë, Rruzhdi e Greta Jata, autorët e romanit “Shpresa e Londrës”.