E merkure, 24.04.2024, 08:38 PM (GMT+1)

Mendime

Majlinda Bregasi: Shqipëria që pak i deshi gratë

E diele, 12.04.2015, 03:34 PM


Shqipëria që pak i deshi gratë

Nga Majlinda Bregasi

Po, pikërisht kjo klishe ndoshta do ta përmblidhte jo pa droje mesazhin që edhe një herë një grua ia drejton vendit “të egër” që nuk jepet aq përpara grave.

Në është ajo një “egërsi” e pafajshme apo një justifikim që ia japim shpesh vetëm se dashuria është më e madhe se mirënjohja, këtë nuk jam në gjendje ta them.

Por di që gratë që e deshën fort vendin tim, e deshën atë pa kushte, pa bujë, larg planeve të para të ekraneve, që tek e fundit, sot nuk di sa i meritojnë ato.

Në 2012, në një konferencë shkencore në Bruksel, në atdheun e Tintin-it, një zë gruaje pohon me siguri gati tronditëse, “mbretëria e Syldavisë flet për Shqipërinë.

Po, në letërkëmbimin që Hergé kishte me editorin e tij, gjeta pikërisht këtë: Syldavia është Shqipëria”. Ishte kjo italiania Olimpia Gargano, e dashura më e fundit e Shqipërisë, që ka vendosur të jetë zëri edhe i gjithë atyre studiueseve të tjera evropiane që Shqipëria shumë pak i njohu.

Ishte po Olimpia që këmbëngulte që Tintin-i të përkthehej sa më parë në shqip, përpara se vendet e tjera të Ballkanit t’ia grabisnin edhe këtë përkushtim që nuk i referohet vetëm Shqipërisë së sotme, por asaj të viteve ’30-a.

Dhe kur kjo vërtet ndodhi e Aventurat e Tintinit, përkthyer tashmë në 70 gjuhë të tjera, i pushtuan për disa ditë mediet shqiptare, askujt nuk i ra në mendje ta kujtonte studiuesen që kishte bërë zbulimin.

Ndoshta nuk ishte i rëndësishëm. A nuk është fati i hulumtuesit të punojë në heshtje e të mos e prishë spektaklin?

Tek e fundit a nuk është Shqipëria vetëm një vend i mistifikuar ku kërshëria e evropianëve merrte flatra për të zbuluar gjëra përtej imagjinatës së tyre? Burra me fustanella virile që Byroni-i i ngriti në panteonin e letërsisë evropiane, virgjëresha të përbetuara që ende tronditin Evropën, kanun të frikshëm, hakmarrje që ia kalon edhe vetë kodit të samurajëve, gjëma burrash si në epokën e Herodotit e vaje kolektive grash që i japin kuptim spektakolar dhimbjes?!

E ç’ishte kjo plediadë grash piktore, shkrimtare, etnografe, arkeologe, gjuhëtare, baronesha që guxonin të shkelnin në këtë vend “kaq të egër” në shekullin e XIX e fillim shekulli XX nëpër zonat më të izoluara të vendit? A mos donin t’i tregonin ato botës se vendi “misterioz” në zemër të Evropës ndoshta nuk ishte gjë tjetër, veçse një vëmendje e munguar?

Olimpia zhytet në botën misterioze që kishte zbuluar Durhami për të rigjetur me metodat krahasuese të sotme imazhin e vendit të “rrezikshëm”, atë imazh që kishte mbetur as më shumë e as më pak se në 1809, atëherë kur Byron-i e cilësoi si “çerdhe shkëmbore të burrave të egër”, por që megjithatë gratë e deshën.

Në krye të katër vjetësh pune hulumtuese nëpër arkiva e biblioteka nëpër Evropë, në gjurmim të shenjave të kulturës shqiptare, Olimpia Gargano prezanton në Universitetin e Nisës “Shqipërinë në udhëpërshkrimet e shekullit XIX e XX”.

Vetë poema e parë epike femërore e letërsisë evropiane, shkruar nga napolitania Margherita Sarrochi, kishte si protagonist heroin e shqiptarëve, Skënderbeun (La Skanderbeide, 1623) e ç’ndodhi pastaj?

Pse Shqipëria ishte zhdukur nga sytë e pjesës tjetër të botës?

Pushtimi otoman e kishe izoluar tmerrësisht vendin nga pjesa tjetër e Evropës. Gjuha unike së cilës i ishte ndaluar shkrimi nga administrata turke e bënte shumë më të vështirë komunikimin.

Megjithatë, në fillim të shekullit XX, Shqipëria fillon të rishfaqet në horizontin evropian e nuk është çudi që ajo atëbotë të flasë frëngjisht.

Romani i parë i letërsisë sonë “Bardha e Temalit’ do të botohet pikërisht në frëngjisht. Konica do ta botonte në frëngjisht “Albanien” e tij.

Në 1901, Degrand boton “Souvenirs de la Haute – Albanie”, një album rrëfimesh, ku vlerat e mëdha qëndronin te dokumentimi fotografik, mjaft i rrallë për kohën. Vetë francezët do të hapnin një domen të ri studimesh, të cilin konsulli August Dozon do ta emërtonte me termin Albanistikë.

Domen që do të tërhiqte studiues nga tërë Evropa si asnjëherë më parë.

Në fillim të shekullit XX një udhëpërshkrues do të shkruante “ Shqipëria është vend në Evropë, që nuk bën pjesë në Evropë”.

Edhe pas një shekulli jemi po këtu, por me një ndryshim substancial, kultura shqiptare është pjesë integrale e kulturës evropiane e studimet mbi të zhvillohen në qendrat më të rëndësishme universitare evropiane.

Si për të rilidhur fillin e holluar, këto ditë në Francë, në Muzeun Saint-Germain-en-Laye është hapur ekspozita mbi pasurinë arkeologjike të Kosovës, pikërisht në këtë muze ku Alexandre Degrand, gjatë misionit të saj diplomatik në Shkodër, dërgoi objekte të kulturës së Komanit.

Olimpia jo pa qëllim na rizbulon edhe një herë sot atë imazh “të vjetër” të Shqipërisë, për ta rinjohur brenda vetes, në mënyrë që ta shpiem në truallin ku e ka vendin.

E kjo s’mund të jetë veçse një letër e gjatë dashurie që edhe një herë një evropiane ia dërgon vendit tim.

E para këtyre grave që e deshën, Shqipëria nuk mund të rrijë kaq e heshtur.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora