Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Sherifi: Nuk ngadhënjen drejtësia në Kosovë

| E premte, 10.04.2015, 07:25 PM |


Me suprimim të sovranitetit mbi sistemin e drejtësisë nuk ngadhënjen drejtësia në Kosovë

Nga Bilall Sherifi

Çështja e krijimit të një mekanizmi që do të merrej me gjykimin e lëndëve që burojnë nga i ashtuquajturi Raport i Dik Martit për muaj të tërë kanë dominuar në opinionin publik të Kosovës. Sidomos nga publikimi i rezultateve të prokurorit të ngarkuar nga Këshilli i Evropës, Clint Williamson-it krijimi i “Gjykatës speciale” është temë e përditshme.

Ajo që unë dëshiroj ta trajtoj në këtë shkrim ka të bëjë me Vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 7 mars 2015 për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës në njërën nga parimet themelore të saj:sistemin e drejtësisë.

Përmes këtij vendimi Qeveria e Kosovës kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të miratohen Draf-Amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe shtimin e neni 162, të titulluar  “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”.

Meqenëse ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës janë rezultat i presioneve të jashtme (përmbushje e obligimeve ndërkombëtare që lidhen me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,  Dokumentin 12462, të datës 7 janar 2011,  neni 113 i imponon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të “vlerësojë përputhshmërinë kushtetuese të një amendamenti të propozuar kushtetues me marrëveshjet e detyrueshme ndërkombëtare” (Kushtetuta e Kosovës, neni 113, paragrafi 4). Ndërsa, paragrafi 9 i po këtij neni obligon Kryetarin e Kuvendit të Kosovës t’i referojë amendamentet kushtetuese të propozuara para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar i zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës.

Procedurat e ndjekura deri tani mund të krijojnë iluzionin se çdo gjë duket në rregull: Qeveria i dorëzon vendimet e veta Kryetarit të Kuvendit, Kryetari i Kuvendit ia përcjell Gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë.

Mirëpo, ndryshimet e kushtetutës, të themelit mbi të cilën bazohen të gjitha ligjet e një vendi, nuk mund të konceptohen në atë formë që të rrënojnë shtyllat mbi të cilat ngrihet sistemi politik dhe juridik i një shteti.

Vendimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese e ka sjellë Kuvendin e Kosovës, organin e  vetëm kompetent për të ndryshuar kushtetutën, para një situate kur duhet të vendoset për ndryshime që janë në kundërshtim të madh me shtyllat themelore të kushtetutës.

Mjafton të shihen vetëm disa shtylla themelore të Kushtetutës së Kosovës për të konstatuar se Draft-amendamentet, përmes shtimit të nenit 162, cenojnë rëndë kushtetutën e vendit tonë.

Në bazë të nenin 2,  paragrafit 2 “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm.” Duke u nisur nga fakti se sistemi i drejtësisë përbën njërën nga shtyllat e sovranitetit të një vendi rrjedhimisht del se ky sistem është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm.

Draft-amendamentet e propozuara nga Qeveria e Kosovës e cenojnë, e tjetërsojnë dhe e ndajnë sistemin e drejtësisë së Kosovës duke e bartur sovranitetin e kësaj shtylle themelore të shtetësisë së Kosovës në autoritete jashtë vendit tonë.

Kur ta shohim me vëmendje përmbajtjen e Draft-amendamenteve atëherë do të dalë në sipërfaqe se këtu nuk kemi propozime për të bërë ndonjë ndryshim që do ta përmirësonte sistemin tonë të drejtësisë, por ndryshime të tilla që sistemin tonë juridik e vënë nën tutelë të plotë ndërkombëtare.

Krijimi i “ligjeve të veçanta”, krijimi i “Dhomave të Specializuara”, krijimi i “ Zyrës së Prokurorit të Specializuar” dhe krijimi i “Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese” nuk janë asgjë tjetër pos suprimim i sovranitetit të Kosovës mbi fushën e drejtësisë.

Madje, qëllimin e krijimit të një strukture që do të qëndrojë mbi Kushtetutën e Kosovës në përgjithësi dhe mbi sistemin juridik të Kosovës në veçanti nuk fshihet as nga hartuesit e Draft-amendamenteve. Draft-amendamentet fillojnë me qëndrimin se “Pavarësisht dispozitave tjera të Kushtetutës së Kosovës” ligjet e veçanta, dhomat speciale, prokurorët special dhe dhoma speciale të Gjykatës Kushtetuese janë institucione të vetme që vendosin se si do të zhvillohen hetimet, ku do të zhvillohen hetimet, në cilën gjuhë do të zhvillohen hetimet, ku do të mbahen të hetuarit, ku do të vuajnë dënimin të dënuarit eventual (qytetarë të Kosovës) ...

Ajo që është më e keqe në tërë vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhet me kërkesën që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë Draft-amendamentet me pretekst se “nuk duhet të kemi frikë nga drejtësia ndërkombëtare”, se “Kosova nuk humb asgjë” e kështu me radhë. Kërkesa që deputetët e Kuvendit të Kosovës “vullnetarisht” ta heqin sovranitetin e Kosovës nuk është risi. Popullit tonë i kujtohet fare mirë periudha e Rrahman Morinës dhe politikanëve që propagandonin  një gjë të tillë siç i kujtohen edhe pasojat e veprimeve të tilla.

Të shohim nenin 102 të Kushtetutës së Kosovës që përcakton Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor të vendit tonë. Në paragrafin 2 të këtij neni precizohet se “ pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.”

Pra pushteti gjyqësor është UNIK. Dhe çdo gjë unike është e pa ndashme.

Në rast se deputetët e Kuvendit të Kosovë i miratojnë Draft-amendamentet atëherë ky nen i Kushtetutës së Kosovës do të duhej të hiqej. Ose të ndryshohet dhe të thuhet qartë se pushteti gjyqësor i Kosovës nuk është unik, se ai është i ndarë në mes institucioneve të Kosovës dhe Dhomave të Specializuara, Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi për Draft-amendamentet bie në ndesh edhe me pjesën e Kushtetutës së Kosovës që ka të bëjë me situatat kur mund të bartet sovraniteti i vendit. Neni 20 i kushtetutës që rregullon çështjen e Bartjes së Sovranitetit thekson se “Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare.” (paragrafi 1) dhe “Nëse një marrëveshje anëtarësimi e ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësisë miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.” (paragrafi 2)

Po t’i lexojmë me vëmendje këto dy dhe të vetmet paragrafë që rregullojnë çështjen e bartjes së sovranitetit, do të shohim se kompetenca të caktuara shtetërore mund t’i kalojnë organizatave ndërkombëtare vetëm në rast se bëhet fjalë për anëtarësim në organizata të caktuara ndërkombëtare dhe në asnjë rast nuk parashihet ndryshe.

Në rastin e kërkesë së Qeverisë së Kosovë për të bartur sovranitetin e pushtetit gjyqësor gjetiu nuk kemi asnjë anëtarësim të Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare dhe rrjedhimisht ky Draft-amendamentet paraqet shkelje të rëndë e Kushtetutës së Kosovës.

Bartja e sovranitetit të pushtetit gjyqësor shihet qartazi edhe në emërimin e gjyqtarëve të rregulluar me nenin 104 të Kushtetutës së Kosovës. Në bazë të paragrafit 1 të këtij neni “Gjyqtarët i emëron, riemëron dhe shkarkon Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.” Draft-amendamentet parasheh dy instanca që emërojnë, riemërojnë apo shkarkojnë gjyqtarët.

Edhe çështja e procedurave të emërimit të prokurorëve është e rregulluar me kushtetutën e vendit tonë ndërsa amendamentet e propozuara parashohin ligje të veçanta dhe instanca të veçanta për “Emerimin dhe mbikeqyrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, mbikëqyrjen dhe administrimin e Dhomave te specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar”.

Pra, bartja e kompetencave nga kompetencat që me kushtetutë i takojnë institucionit të presidentit në institucione jashtë institucioneve të Kosovës.

Edhe në rastet më të rënda të shkeljeve të të drejtave të njeriut qytetarët e Kosovës që bëhen objekt akuze nga Dhomat e specializuara apo nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund t’i mbrohen as nga Ombudspersoni i Kosovës e as t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për të qenë komplet suprimimi i pushtetit gjyqësor Qeveria e Kosovës propozon përmes Draft-amendamenteve krijimin e një “Dhome të Specializuar të Gjykatës Kushtetuese” të pavarur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe të një ombudspersoni të pavarur nga institucionet e Kosovës.

Përmes këtyre propozimeve për ndryshime të kushtetutës Qeveria e Kosovës propozon të abrogohen nenet: 112, 113, 114, 115, 116, 117 dhe 118 të Kushtetutës së Kosovës që përkufizojnë mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nenet 132, 133, 134 dhe 135 të Kushtetutës së Kosovës që përcakton çështjet me avokatin e popullit.

Me një fjalë, për të gjithë ata që i kanë lexuar propozimet për ndryshime të kushtetutës është e qartë se këtu kemi të bëjmë me suprimim të sistemit të drejtësisë së pavarur të Kosovës, si njërën nga shtyllat e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

U mbetet deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vendosin se si do të veprojnë. A do të suprimojnë me votën e vet sistemin e drejtësisë dhe një pjesë të sovranitetit të Kosovës apo do të hedhin poshtë vendimet e Qeverisë së Kosovës që bien në ndesh me pavarësinë e vendit.

Sido që të jetë, qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se kundërshtimi i suprimimit të sovranitetit të Kosovës nuk do të thotë se u iket ndriçimit të krimeve të ndodhura si gjatë luftës  ashtu edhe pas luftës në Kosovë. Përkundrazi, mbrojtja e sovranitetit të Kosovës dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor mundëson të sillen para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të implikuar, në cilëndo formë qoftë, në krimet e kryera.

Prishtinë, më 10 prill 2015