Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Shele: Hasije Kryeziu - “Hiri Hyjnor”

| E enjte, 09.04.2015, 09:00 PM |


“Hiri hyjnor”, si vepër  e dimesioneve të mëdha dhe sprovave të mbijetsës së një populli të tërë.

Referim rreth romanit “ Hiri Hyjnor”    autores Hasije Selishta Kryeziu

Nga Agron Shele

“Kosova është gjaku im që nuk falet” - Ali Podrimja

Sa herë që preket tematika e Kosovës mendja të shkon tek gjenocidi më i fundit që u krye nga ushtria dhe mercenarët serbë mbi këtë popullsi, tek krimet nga më makabret, tek të rrëmbyerit me forcë që nuk u kthyen më kurrë, tek dhunimet dhe ai marshim biblik i imponuar nga dëbimi masiv. Sigurisht që për këtë akt të pashembullt  dhe mesjetar  të ndodhur në miljeniumin e dytë në mes të Evropës është shkruar shumë, por zanafilla e një memorieje inteligjente dhe psiko-filozofike, gërmon nëpër këtë plagë të thellë dhe me bisturinë e mprehtë sjell jo vetëm klithmat e kësaj tragjedie, por dhe metastazat dhimbje të shkaktuar në mënyrë sistematike. Përbrenda kësaj suaze dhe me objeksion të qartë autorja  tashmë e njohur Hasije Selishta Kryeziu sjell për lexuesin romanin “ Hiri Hyjnor”, i cili për nga karakteri i rrëfimit, faktet rrëqethëse që sjell, stilistika e përzgjedhur, teatri i ngjarjeve dhe zhvillimeve, ndërtimi strukturor, si dhe trajtesa social-psikologjike, të bën të kuptosh se proza e shkruar vjen jo vetëm si gjurmë që do i shërbejë kujtesës historike, por dhe si vepër e mirfilltë letrëre që do ndriçijë në fonetekën e letrave shqipe. Që në fillim ndeshesh me realitetin e grishës të pasluftës, i cili në mënyrë koshiente përjetohet tronditshëm dhe plekset tek ajo e shkuar plot sakrifica e dhimbje, e cila duke kaluar para spektrit të moshës rinore, por me metastaza nga bota fëmijërore shpreh jo vetëm traumat e shkaktuara nga gjithë kjo tragjedi, por ngre dhe aktakuzën e madhe për denacimin e gjithë kësaj dhune dhe për më tepër mosreflektimin pas gjithë këtyre akteve çmendurie, akte që nuk kanë kriminalizuar instuticione ose segmente të veçanta të një shteti, por gjithë popullin e tij. Narrativiteti i këtij romani dhe mënyra e përshkrimit, i cili përbën dhe gjetjen stilistikore të autores, vjen larg shablloneve të krijuara, ose modeleve të ngurtësuara apo formave klasike, por në paratezë të zhvillimeve dhe marrëdhënieve që krijohen,  gërshetohet dhe krijon një trinitet rolesh (ai që e përshkruan, ajo që rrëfehet dhe personazhi kryesor) dhe e gjithë kjo në funksion të plotësimit dhe dhënies së hapësirës së duhur të shtrishmërisë së gjithë subjektit të veprës. Vlen të theksohet se në gjithë këtë shtjellim kemi format dualiste, të cilat vendosin përballë etikat dhe konceptet mentale-shoqërore, kemi përballjen e familjes që e solli në jetë Furtunën (Elizabetën)  dhe familjen adoptuese, që ka birësuar një fëmijë në mënyrë krejt spekullative dhe të pa arsyeshme, kemi nënën e vajzës, e cila për t’ u paraqitur si personazh sinjikativ plotësohet me elementët e natyrës ( furtunë dhe stuhi jashtë, furtunë dhe stuhi në shpirtin e saj), por  dhe Sllavicën, e cila në mënyrë krejt arbitrare, që me të drejtë alegorizohet nga autorja si shtrigë e djall, fshin jetët e lindura nga skedat e regjistrit themeltar, për ti shitur më pas tek birësuesit e mundshëm. Një tjetër pikë kyçe e këtij romani është dhe trajtesa metafizike dhe gati hipnotizuese e ndërlidhjes midis vajzës dhe babait (Yllit), ndërlidhje që në mënyrë subktive vjen nëpërmjet zërit dhe formave të çrregullta të imagjinatës, që shfaqet si hije netëve të tij të pafundme, e cila thërret pareshtur nga përtej koshiencat dhe kërkon ndjekjen e gjurmëve të jetës, rrënjëve të patjetërsuara të gjakut, vetë hirit hyjnor. Gjithashtu, veçanësia e kësaj vepre qëndron tek forma e komunikimit midis personazheve, konkretisht tek monologu, i cili rrit jo vetëm forcën artistike dhe prek pikat kulminante, por e bën dhe më identifikues dhe grishës për lexuesin, pasi nëpërmjet dialogut të përbrendshëm (Ylli, Shpresa, Elizabeta dhe Zhaku) ravijëzohet koncepti botëkuptimor dhe psikologjik i tyre, si dhe   jepet ideja bazë e hedhur  nga vetë autorja. Për të analizuar këtë vepër duhet të ndalesh tek aspektet kryesore    përbëjnë dhe thelbin e vërtetë të gjithë kësaj prurjeje prozaike, tek boshti qëndror që e përshkon, tek fryma angazhuese e autores, si dhe përqasja që përafron momentin tragjik e historik të një populli të tërë, sikurse ishte kalvari përjetues i popullit kosovar me refleksionin si proçes, por që fatkeqësisht nuk po ndodh me shkaktarët e vërtetë të saj dhe e gjithë kjo në funksion të qëllimit të madh e të shenjtë, që drama të tilla të mos përsëriten më kurrë.

Përshkrimi si editim i realitetit të përjetuar

Autorët janë ata që i përjetojnë dramat e popullit të tyre më shumë se kushdo. Në këtë kontekst, shkrimtarja Selishta paraqet tablon e gjallë të gjithë atyre ngjarjeve që kanë ndodhur para lufte, gjatë luftës dhe pas saj, përpjekjen e kahershme të një populi martir për të drejtat legjitime të tij. Nisur nga kjo tematikë ajo ndërton teatrin e gjerë të personazheve të saj dhe të gjithë këta të vërtitur rreth kryepersonazhes Elizabeta, e cila është jo vetëm pika referuse qëndrore, por dhe pika ndërlidhëse që i mban të bashkuar dhe pjesë të gjithë zhvillimeve në vepër.

Jehona është personazhi i ftillimit të gjithë fabulës, e cila për nga roli i vendosur ka dimesionin dhe figurën shumëplanëshe, figurë që deshifron dhunën dhe kalvarin e përvuajtjes së vajzës kosovare, figurë që deshifron dramën e Elisabetës, figurë që proklamon përditshmërinë e përjetimit të pasluftës, si dhe figurë që sjell nëpërmjet gjuhës së autores përnjohjen dhe dualizmin mes dy familjeve, të cilat për nga koncepti, hapësira kulturore dhe ajo gjeografike që i ndan përbën dhe pikat më të larta kulminante.

Nga njëra anë operojnë familjarët biokogjikë (Ylli me Shpresën), ndërsa në krahun tjetër familja adoptuese (Zhaku dhe Zhana), të cilët pas shumë peripecish dhe endjesh nëpër hulli botëkuptimesh të ndryshme, i japin zgjidhje problemit, zgjidhje që mjeshtërisht jepet në mënyrë të tërthortë dhe përbrenda vullnetit të vajzës.

Rrëfyesi i vërtetë i gjithë kësaj ngjarjeje, i cili sikurse e cituam edhe më lart plotëson trinitetin e strukturës së ngritur nuk është as mistik dhe as i fshehtë, por identifikohet në vetën e parë “unë”, i cili nëpërmejt epilogut, përpiqet që mbi gërmadhat e jetës së shkuar të ndërtojë një jetë të re (me persoanzhin dytësor Vila), larg dëshpërimit dhe depresioneve të luftës, larg trishtimit dhe dashurisë së humbur “Lamtumirë, Fjolla ime e dashur!  Lamtumirë!” .

Personazhi negativ dhe tipizues i gjithë atij pervesiteti  shoqëror është Sllavica, e cila me një të rënë të lapsit fshinte jetën e një krijese të lindur, vetëm e vetëm pse ishte foshnjë shqiptare, akt sa makabër aq dhe i tmerrshëm. Ajo që vlen të theksohet është se edhe pas gjithë kësaj drame të shkaktuar tek ky personazh nuk shikohet asnjë shenjë reflektimi, asnjë shenjë fajësie, ide e qartë kjo e autores për të zhveshur dhe diskretituar ligësinë njerëzore, e cila nuk ishte burim i kufizuar, por anë mentale e një shteti të tërë.

Aspekti psikologjik i veprës letrare

Një nga veçoritë kryesore të kësaj vepre letrare është trajtimi psikologjik që i bëhet realitetit shoqëror kosovar, realitet që përkon me fatalitetin dhe dhunën sistematike ekstreme të ushtruar, e cila ka lënë pasoja të shumta dhe përjetimë që ndoshta nuk fshihen kurrë nga kujtesa. Diku ndeshesh me vajzën e dramatizuar, që edhe zhurma më e vogël i humbet arsyen dhe e kalon në gjendje shoku, diku tjetër me babain që falet para bustit të heroit, si të jetë busti i djalit të tij, më pas ndeshesh me fëmijën jetim që falet para shtatores së Nënë Terezës, diku me gruan e leckosur që thërret birin e vrarë, diku tjetër me mësuesen që emërton lulet me emrat e fëmijëve që i kanë vrarë në orën e mësimit, e diku e diku pa fund… Përdorimi i monologut e bën shumë më të theksuar këtë aspekt dhe definiton katërcipërisht idetë dhe përjetimin njerëzor si qënie emocionale, qënie e arsyeshme, qënie humane, qënie shoqërore, por dhe qënie shtazarake. Efekti psikologjik jepet qartë nëpërmjet kryepersonazhes, Elizabeta,  e cila shpesh përjeton dualizëm ndjenjash, hera - herës kontradiktore, por bashkëshoqëruese dhe pjesë e pandarë e vizualitetit dhe konceptualiteve mentale të saj. Personazhi tjetër, Ylli, zhytet në iluzione të pafundme dhe ashtu në gjendje haluçinacioni ndjek parandjenjat dhe ëndrrën e tij, ndjek zërin hyjnor dhe imazhet e çrregullta, të cilat dhe ashtu të turbullta hedhin dritëhije mbi egzistencën e vajzës së tij. Monologu i Shpresës është sinjikativ dhe ndër më kulminantët, jo vetëm për trajtimin psikologjik si nënë, por edhe  për veshjen e botës së saj me elementët e natyrës dhe ajo që është më e rëndësishme për vetë ndërlidhjen që krijon në raportin si pacinete me  Sllavicën ( infermierie -shtrigë).

Shpresa donte që para syve të kishte vetëm një portret, atë të Furtunës së saj të dashur. Ndoshta kjo do e qetësonte, por nuk arrinte gjithsesi. Gjithçka ishte shndërruar në furtunë. Furtunë brenda, furtunë jashtë. Shpresa zgjaste duart në mënyrë krejt instiktive dhe të pakontrolluar, sikur  donte diçka të prekte. Po më kot. Tani nuk lutej më, por mundohej diçka të arrinte.

- Furtuna!

Në mendjen e Shpresës aq shumë ishte fanitur ajo natë e tmerrshme, sa e kishte ndjekur pas për tërë jetën. Në thellësinë e gjendjes së saj patologjike po ringjallej një Furtunë, që kaherë kishte vdekur, por që fatkeqësisht nuk i kishte lënë asnjë kujtim, që së paku ta kishte si shenjë që të ndante së paku ndonjë çast me të.

Fryjti një erë drejt saj, e cila i valëzoi dhe i fluturoi flokët nga supi. Më pas u shndërrua në uragan dhe filloi t' i tërhiqte më me forcë. Por kurrsesi ti shkulte. Ato ishin  ngulitur  mirë në kokë, aq thellë ishin rrënjosur, sa  dashuria e një nëne që mbetet në zemër për jetë. Ajo erë e tronditi Shpresën. Një pikë loti rrodhi faqeve të saj të purpurta dhe u shpërnda në tokë. Aq i madh ishte, sa që  njerëzit filluan të iknin tmerruar.  Ishte loti i nënës që mallkonte gjithkënd që i prek dhe i bën keq foshnjës së saj. Vendi përreth ishte boshatisur, aty mbeti vetëm Sllavica. Ajo i përulej Shpresës. Lutej dhe përgjërohej para saj. Shpresa nuk kishte fuqi që ta falte, por as të hakmerrej. Vetëm e shikonte me vështrim mëshirues.”

Fragmenti i shkëputur përflet shumë, rrëfen të parrëfyerën e një nëne, anën dramatike të përjetimit dhe çastin fatal, kur kupton se si dhe kush e ka rrëmbyer foshnjën dhe së fundi pas gjithë kësaj dhimbjeje ajo nuk është më në gjendje të urrejë (rrënjosje karakteri), por vetëm mëshiron.

Shtrishmëria e veprës kapërcen teritorin e vogël dhe të ngushtë dhe rifiton dimesionin e hapësirës, jo vetëm gjeografikisht por dhe atë kulturore, sikurse është Franca. Vendosja përballë e dy kulturave të ndryshme, imponon tek Zhaku trajtim tjetër mental dhe psikologjik të fenomenit, i cili ringrihet mbi veten, pasi si birësues mund të humbiste edhe vajzën, por me ndërgjegjie  të plotë ndërmerr gjithë hapat e duhur, që vajza të gjejë prindrit e vërtetë dhe së fundi ai të rifitojë paqen e humbur me veten dhe më pas me mjedisin përjetues.

Vepra e autores Hasije Selishta Kryeziu që në titull të grish dhe të bën të kuptosh se pas këtij hiri hyjnor fshihet diçka shumë më e thellë, shumë më e madhe, shumë më kuptimplote, shumë më identifikuese, ashtu sikurse është rrënja e gjakut që thërret dhe të rikthen tek trungu i etërve, të cilët ashtu nëpër përzhitjen e flakëve të luftrave kanë mbijetuar për të treguar të kaluarën, të sotmen por dhe të nesërmen patjetërsueshme të tyre.