E shtune, 20.04.2024, 12:16 PM (GMT+1)

Mendime

Bardhyl Mahmuti: Padia për gjenocid dhe reagimet

E marte, 07.04.2015, 06:09 PM


Padia për gjenocid dhe reagimet serbe

HESHTJA E KRIMIT TË GJENOCIDIT MBAN PLAGËT E HAPURA!

Nga Bardhyl Mahmuti

Secili që ka përcjellë me vëmendje rrjedhat politike në Kosovë ka mundur të vërejë se sa herë që është përmendur mundësia për ta paditur Serbinë për gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve në Kosovë reagimet serbe janë të menjëhershme.

Ju kujtohen reagimet e ashpra të Serbisë kundër deklaratës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Thaçi. Jo vetëm politikanët e Serbisë, por edhe ata që pretendojnë se janë “ekspertë të së drejtës ndërkombëtare” të këtij shteti pretendonin se Kosova nuk ka të drejtë të paditë Serbinë për gjenocid.

Reagime të njëjta u bënë edhe në raport me iniciativën e PDK-së që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë, përmes së cilës obligohen institucionet e shtetit të Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme përgatitore për ngritjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më i zëshmi nga reagimet serbe ishte Drejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriqi.  Në deklaratën e tij për Radio-Televizionin e Serbisë ai e cilësoi propozimin e PDK-së si “aventurë politike” dhe “hedhje e kripës mbi plagën”.

Sado që qarqet serbe përpiqen ta minimizojë faktin se në Kosovë po shtrohet domosdoshmëria e përgatitjes së padisë për krimin e gjenocidit, reagimet serbe nxjerrin në shesh frikën e pushtetit të Beogradit të përballet me akuzën për gjenocid.

Kjo frikë e ka burimin te faktet e shumta se Serbia e Millosheviqit kreu gjenocidin më të shëmtuar në fund të shekullit XX. Të gjitha provat që posedojmë dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se shteti serb ushtroi një fushatë të përmasave të mëdha dhe sistematike që kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht popullin shqiptarë të Kosovës, si të tillë.

Ngritja e akuzës për krimin e gjenocidit nuk është as “marketing për konsum të brendshëm politik”, as “aventurë politike” e as “hedhje e kripës mbi plagën”. Përkundrazi, heshtja e këtij krimi dhe mosndëshkimi i gjenocidit mban plagët e hapura .

Qeveria e re e Serbisë duhet ta pranojë publikisht të vërtetën se në Kosovë regjimi i Millosheviqit kreu krimin e gjenocidit dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të merr përgjegjësinë që i takon për riparimin e tërësishëm të dëmeve që ky shtet i shkaktoi popullit shqiptar të Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë do të krijoheshin parakushtet për të ngadhënjyer drejtësia dhe të mbylleshin plagët e hapura.

Bardhyl Mahmuti - Autor i librit «Mashtrimi i madh» në të cilin argumentohet shkencërisht se në Kosovë është kryer krimi i gjenocidit



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora