Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Atjon Zhiti: A jemi gati për atë që duam?

| E marte, 07.04.2015, 06:00 PM |


A JEMI GATI PËR ATË QË DUAM?

- në vënd të Traktatit të Parë –

Nga Atjon Zhiti

A është vërtet vëndi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjesisë së ambicies dhe të veprimit të duhur apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?  Një përgjigje e njëanshme nuk do të duhej, sepse o do ishte disfatiste ose optimiste në mënyrë trashanike, se ashtu siç ka faktore pozitivë ka dhe negativë. Unë kam një si kumt, të marrë herët. Po e tregoj si.

Kur isha fëmijë,

një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.

Me një çiltersi e thjeshtesi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në ate gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t'i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si para lirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.

Po a jemi gati për atë që duam?

Faktorët

pozitivë i njohin e i kemi dëgjuar shumë herë, si pozita gjeografike, pasuria natyrore, klima, fakti qe jemi popull i ri e energjik dhe që ka plot hapësira për investime etj, etj.

Por përsëri më lind një pyetje tjetër që a jemi ne ata, të cilët kanë krijuar këtë pozitivitet apo thjesht është nje dhuratë, të cilën o e kemi shfrytëzuar shumë pak ose e kemi shfrytezuar keqazi? Ndërsa faktorët negativë kërkojnë një listim më të gjatë, por do të zgjedh për t’i diskutuar e që me duken më të dhembshmit, sipas meje. Jemi një popull që na duhet më shumë kujtesë dhe si rrjedhojë edhe më shumë ndërgjegje që vjen prej saj, që të jemi më të ndërgjegjësuar mbi atë çka na ndodh rreth e rrotull e ky nuk është një proces i jashtem, të cilin ne duhet ta kërkojmë tek e nga te tjerët gjithmonë, por është një udhëtim i brendshëm. Mua më duket e habitshme si populli im është i gatshëm për të pranuar ofendime, shtypje e padrejtësi. Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot, në 2014 të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar. Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi. Sot globalizimi na ka kthyer në një “mega-qytet”, dhe ne hidhmërisht duhet të kuptojmë se jemi një rrethinë e erret e saj, që ka plot mundësi përmirësemi, që ka bërë hapa përpara e nuk është më geto, por është ende rrethinë e largët, gjithsesi.

Gjatë viteve të fundit,

po t’i hidhet një sy qendrës e rrethinës botërore, shohim se si ka tentativa të vazhdimta për përmiresim, e cila është gjë tipike e egoizmit pozitiv të njeriut, ndërkaq shohim lidera që arrestohen, psh kryeministri në Kroaci për korrupsion, në Gjermaninë-lider të Europës ministra dorëhiqen nga politika për skandale që u kanë ndodhur me diplomat, etj, etj, ndërsa ne bëjmë sikur jemi shumë engjellorë për të reaguar denjësisht mbi imazhe, video, shantazhe, kriminalitet e vjedhje, jo vetëm në bankën e Shqipërisë tonë dhe mekatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre. Shohim qeveri diktatoriale në vendet e magrebit që rrëzohen, shohim një popull të tërë të ngrihet që të mos eci me ritmet e korrupsionit e padrejtesive në Kiev, në kryeqytetin e një vendi ish satelit të ish “URSS”, ku problemet e vuajtjet janë disi të ngjashme me tonat.

Duket sikur në atdheun tonë rregullat e natyrës dhe ato primordiale të njeriut nuk funksionojnë si kudo, sepse ne si qenie njerëzore jemi të aftë të prodhojmë histori dhe ky është një proces shumë i rëndesishëm në evoluimin e vetë njeriut dhe të prodhosh histori, do të thotë të kesh kujtesë. Ne kujtesën kolektive e kemi të mangët, të dëmtuar keqazi, në disa fraksione mungon totalisht dhe nuk kemi bërë më të rëndësishmet për ta rikuperuar dhe nuk bejmë atë që duhet për të tashmen. Një mungesë e tille sjell pengesa të tjera dhe ngadalëson procesin tonë evolutiv si popull. Shqiperise, e po flas për atë realen, nuk duhet t'i mjaftojnë kryengritja e Skënderbeut e dalim tek Lidhja e Prizrenit, te Ismail Qemali e zbresim te dhjetori i '90-s dhe pavarësia e Dardanisë. Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë. E ardhmja është e sigurtë, po po, është e sigurtë që do vijë, ajo nuk vonon, por duhet t’i shtrëngojmë më fort frerët e fatit në duart tona me përvojën e asaj çka kemi mësuar këto njëmijë vitet e fundit. Po, fati është i shkruar e nuk ndryshohet, besojnë, por manipulohet. Dhe së fundmi kam një pyetje torturuese. Filozofi antik Plotini thoshte se që të duash të mirën, do të thotë ta njohesh të mirën (intelektualizmi etik). Po ne a e njohim?

______________________

Atjon Zhiti

Student në Filozofi,

Universiteti “Sacro Cuore”

Milano