E shtune, 20.04.2024, 02:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Kolec Traboini: Itaka grua - cikel vere

E premte, 18.07.2008, 06:55 PM


ITAKA GRUA- cikel vere - TRABOINI




Itaka grua
në ta gjendsha shtegun çelur
do të vi te fle me ty
të përkedhel si fllad i mbrëmjes
në qepalla e në sy

flokët do ti shtri si lirë
hëna tingujve t’i bjerë
do të pres të pikoj një yll
si nishan në ballë ta vë

në krahëror do të furfulloj
me gishtërinj si thëllënxë ere
frutat pjekur - gji gufuar
afshi i fundit i kësaj vere

do të bëhem lumë e krua
detit do t'i bëhem valë
si sirenë Adriatiku
të notosh ti nëpër dallgë

të më ndjellësh- të më çmëndësh
të harrohem i pa mend
se nuk dua tjeter Itakë
veçse trupin e gjirin tënd

bëj sikur - pakujdesia
shulin nuk ja vuri derës
e me vlagë të trupit tënd
t'ja shuajmë zhegun kësaj fundvere...

15 Korrik 2008


Dëshpërimi dhe lumturia

miku im i rinisë, Dante

gjithmonë në rini përsërisja një shprehje
që në Shkodër thonin e ka shkruar Dante
e ashtu gjysma gjysma ende e mbaj mend...
"... che ricordarsi del tempo felice ne la miseria".
në dëshpërimin më të thellë kujto kohën më të lumtur
më vinte çudi kjo shprehje. Më terhiqte si magji
e kisha në maj të gjuhës e në një cep të mendjes
me to flija dhe zgjohesha
prej ëndrrashte llahtarshme qe kam perjetuar
trauma psiqike për moshen 15 vjeçare në pranga
e më pas 19-vjeçar, ushtar në Tropojë
ku nje kapo sigurimi desh të më bënte spiun
( të gjithë djajt e ferrit tashmë kane vdekur
Kabashin vranë në nje skerkë e më s' jeton)
nuk kam pranuar paçka se më tmerruan
sa isha gati të bëja vetvrasje. Kohë demonësh
që sot kur tregohen duken përralla me xhind
ende të fshehur në ca dosje të zeza
dosje të bardha…
as vetvrasje bëra e as spiun i shokëve kurrë
shpëtova në saj të alteregos, të atij
me të cilin flisja përdite, vetvetja
që përsëriste ato fjalë të mikut tim të rinisë
Dante:
"che ricordarsi del tempo felice ne la miseria...".

si dallgë deti, sërish, më vinë ndërmend
ato fjalë, veç në këtë moshë disi ndryshe
si sintezë e jetës sime, gjysëm dritë gjysëm hije
tashmë si emblema, ndaj ju vini re
sa të zjarrta dalin vargjet e mia
për dashurinë e për jetën...

o Zot, rri e mendoj, pse ka plakje
më mirë të jesh gjithnjë i ri e të vdesësh
ashtu, i ngrirë e rinor në celuloid si Migjeni
si i miri Trifon Xhaxhika a si Drita Çomo.
nuk patëm atë "fat" të vdesim të rinj
për të mbetur perjetësisht të rinj edhe
pas vdekjes
mirëpo edhe pleqëria ka bukurinë e vet
mosha që çapitet me hapa dielli
ndaj kur me thonë ver një foto në të 20-ta
për librin tim të fundit, rri e mendoj, e pyes,
pse o Zot...pse na mohon e pohon njëkohësisht

kur isha njëzet nuk shkruaja aq bukur
të bukurën e kisha në trupin si dritë
tani në fund të jetës, e bukura
më rrëshqiti nga trupi në shpirt...

korrik 2008


Deti dhe gratë

sa herë shkoj me pushime në verë
lëshohem e marrakatem në dashuri me detin
nuk më shkon mendja për prapësi leshterikë
që deti i nxjerr në breg e unë jasht meje
as për maçoket e egër ëndrrimtarë për minj
që na u shtuan kaq shumë kësaj vere.

të shlodhem e tretem, të harroj vetveten
më duhet imazhi i një gruaje në breg
qoftë e pikturuar me re në qiell
shamikaltër që valevitet në erë le të jetë
drejt të cilës vrapojnë dallgët
nën veshtrimin tim ta puthin rreken
por nuk arrijnë veç deri tek kembët
i ledhatojne lekurën e butë
dhe perpiqen drejt thellësive ta marrin
në ekstazë me trupin e saj
të dehen e kaltërsive të treten...

s'ka rëndësi në është gruaja ime a e një tjetri
që, anipse pranë, ja ka harruar përkëdheljet
ta shoh si mollë e ndaluar Edeni
dëshira admiruese gjithnjë ndezur mbetet
sa herë shkoj me pushime në vere
s'e praj soditjen e grave dhe detit...

16 Korrik 2007




Ungjillorja e burrave të botës

O Zot, kryekrijesa jote hyjnore
nuk është Adami por Eva
asaj tek i falemi
nderojmë emrin tënd!
nën pushtetin e të bukurës
u nënshtrofshim
sot e përgjithmonë e jetës
o Zot, Amen!


18 Korrik 2008


T
rillet e ngjizjes

Ka ca trille në rrjedhjen kalimtare
ku era e gdhend kohën në shkëmb
e jeta mplekset me artin
puqur si dy lumej
ta zëmë si Drini i Bardhë e Drini i Zi
më tej Buna bën dashuri me Drinin Dyzak
Trizakja, si lind, shtrin
shpatullat e veta

e pa droje i futet detit në shtrat...



Miniaturë
pasi kanë lëvruar tërë plehrat njerëzore
e si të jenë ngopur e fryrë si kacekë
shtriqen në breg me barkun në diell
se edhe minjtë shkojnë në plazh ndonjëherë...

gjejnë ndonjë fletore a kalem të hedhur
e thonë, pse të mos bëhemi poetë
këmbë mbi këmbë përballë xhaxhit Diell
shkruaj e çkruaj për shtatpalëqejfe e... pjerdh.


Nga arkivi fotografik:



KOLEC TRABOINI  BLOG-PORTA 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora