E premte, 06.12.2019, 06:18 PM (GMT)

Sporti » Sporti

Besnik Dizdari: Rruga “Belul Hatibi” dhe vlerat e pavlerësueme të sportit kombëtar

E enjte, 17.07.2008, 09:10 PM


Rruga “Belul Hatibi” dhe vlerat e pavlerësueme të sportit kombëtar

Nga Besnik Dizdari

Pak ditë më parë një rruge të Tiranës i është vënë emri i një prej figurave më të mëdha të historisë së sportit kombëtar: Prof. Belul Hatibit. Kur kujtoj se përvçse sportist i madh, Belul Hatibi qe dhe mësues, pedagog, edukator i qindra e qindra të rinjve, më duket se emri i një shkolle do t’i shkonte më për shtat. Kur mendon përshembull, se në Tiranë ka shkollë “E kuqe”, “Partizani”, “Kushtrimi i lirisë” apo “1 maji” me gjithë respektin e madh që kam për “të kuqen” si e flamurit kombëtar (ndonëse emërtuesit e kanë pasë fjalën për një të kuqe tjetër), me gjithë respektin e madh që kam për partizanët që rrëmbyen pushkën kundër pushtimit fashist, me gjithë respektin e madh që kam për lirinë si e drejtë bazike e njeriut, me gjithë respektin e madh që kam për 1 Majin si një ditë e luftës për të drejtat e punëtorisë, them se shkojnë më pak kësisoj emërtime-fjali e gjuhësisht mbiemërorë, teksa dihet se ka emra të përveçëm njerëzish të cilët kanë bërë shumë për atdheun e tyre. Sidoqoftë, edhe emri te një rrugë të nderon. Pra, edhe kështu mirë. Sepse nderime për njerëz si Hatibi, janë ende të rralla në Shqipërinë tonë, sidomos përsa i përket sportit kombëtar.

Nuk kam mundur të jem në ditën e emërtimit të kësaj rruge, ndonëse prof. Hysen Çobani, i kunati i protagonistit tonë të madh, më kishte ftuar të ndodhesha në ceremoni. Shkova tek Rruga “Belul Hatibi” mbasi ishte zhvilluar ceremonia dhe ishte vënë pllaka emërtuese. Dhe u gjeta para një befasie të vogël. Fotoreporteri i shquar i “Sportit popullor”, Besnik Vrapi, kishte biznesin e tij mu në krye të Rrugës “Belul Hatibi”. Atëherë unë ia lashë atij në dorë aparatin fotografik që me këte rast të kujtonte profesionin e tij të dikurshëm të qindra e qindra fotove të mrekullueshme sidomos të viteve ’80 (shfletoni “Sportin popullor” të periudhës– sot “Sporti Shqiptar” i yni). Besniku është njeriu i cili ka fiksuar me fotoaparatin e tij kampionët olimpikë dhe të botës, Pirro Dhimën e Luan Shabanin qysh kur ata ishin fëmijë 14 vjeçarë, duke i pararendë të ardhmes si tyre të nivelit botëror. E, për çudi tash që e kishte lanë këte profesion, papritmas po i takonte të bënte mbas gati 20 vjetëve një foto sportive. Sepse për te dhe për mua fotografimi i pllakës dhe rrugës “Belul Hatibi” vetvetiu shkonte te një përmbajtje sportive.

Për fat i ndodhur aty, Besnik Vrapi kishte ndjekur gjithë paraceremoninë dhe ceremoninë e emërtimit. Në fillim me nuhatjen gazetareske që i është ngulitur, ai kishte pyetur disa kalimtarë që ishin ndalur aty duke i pyetur se a e kishin dëgjuar apo njohur Belul Hatibin. Për fat, shumica nuk ia kishin dëgjuar emrin profesorit të madh. Kjo nuk mund të ndodhë në asnjë vend modern evropian sepse njohuritë historike bazojnë zhvillimin e të ardhmes së tij. Sigurisht, Profesor Hatibin e njohin qindra njerëz, kryesisht ata që kanë një kulturë sportive dhe kombëtare, të vjetrit po dhe nxënësit e tij. Tjetër punë të sotmit, brezi më i ri i sotëm, të cilit nuk i tregohet se kush ishte, në rastin tonë, një Belul Hatib. Dhe për fat të keq nuk iu tregohet sidomos në shkolla. E pse jo as dhe në shtyp apo TV.

(Nuk pamë askund të jetë dhënë një lajm rreth kësaj ngjarjeje, ndonëse Shqipëria mban rekordin botëror të gazetave sportive të përditshme: plot 7!).

Atëherë, Besnik Vrapi kishte filluar, aty në krye të Rrugës “Belul Hatibi”, t’iu tregonte se kush kishte qenë Belul Hatibi, jo vetëm sepse me kohë ishte njohur prej tregimeve tona për te në ditët e netët e mundimshme të gazetës sonë, por sepse kishte pasë fatin ta njihte edhe vetë ai, kur profesori i pashlyeshëm vinte jo rrallë në redaksinë e “Sportit”.

Kaq pra. Bashkia e Tiranës kishte bërë kësisoji një gjest kuptimplotë duke i vënë një rruge të thjeshtë, mbrapa Shkollës së Bashkuar të Oficerave, emrin “Belul Hatibi”, sportistit të madh, njeriut i cili i ka dhënë sportit shqiptar medaljen e parë ndërkombëtare (lexoni shkrimin tonë shoqërues), djaloshit të viteve ’40, kampionit dhe rekordmenit të shquar, modelit të një fiziku që për vite u mor si shembull përngjasimi prej të rinjve shqiptarë, profesorit, model i një poliedriciteti sportiv, të kulturës fizike, të edukimit, të mësimdhënies, të studimit shkencor, të trajningut. Dhe mbi të gjitha, qytetarit nobël të Tiranës, të një kulture, edukate dhe njerëzie, të cilat mund t’i ndjeje qysh në takimin e parë me te. Ky protagonist vetanak (unikal) në portretin e tij, i cili e dha shembullin edhe më tej, duke i blatuar sportit kombëtar edhe fëmijtë e tij sportistë të njohur, e pati sportin jo thjesht një hobby, por kulturë, edukim, histori, formim, personalitet, shëndet, qytetari, humanizëm.

Dhe për ate që ia di peshën shumanshmërisë të personalitetit të Belul Hatibit, jo vetëm si atlet i shumë garave, por dhe si skermist e skiator ndër të parët, ajo që duhet ta gëzojë duhet të jetë sa dhe titullimi i një rruge me emrin e një prej herojve të sportit shqiptar të Sportklub Tiranës, por dhe gjesti i një kujtese kombëtare të kësaj fushe që mungon ende ndër ne.

Italianët i kanë hequr mbas 60 vjetëve një stadiumi madhështor në Milano emrin "San Siro", për t'i vënë atij emrin e një “shéjti” të futbollit: "Giuseppe Meazza". E nuk mund ta harroj, siç e kam treguar me kohë, kur më 1995 kam parë të ulet në tribunën qendrore të stadiumit të Kaiserslautern në Gjermani, kampionin e Botës të 1954-trës, legjendarin Fritz Walter. Dhe emri i stadiumit për të gjallë të tij, ishte "Fritz Walter Stadion"!

Ndër ne ende vlerat e historisë kombëtare në të gjitha fushat, janë keq të ngatërrueme. Deri aty sa që përshembull, Ismail Qemalin, kryeministrin e parë që shpalli Shqipërinë të pavarun, në kryeqytetin tonë mund ta gjesh vetëm një herë të përkujtueshëm, ndërsa një pjesëmarrësi të ri të rënë në Luftën e dytë botërore, mund ta gjesh edhe katër herë mbrenda një qyteti të vetëm. E kur i afrohemi mandej sportit shohim se problemi vjen e ndërlikohet, madje deri te nderimet që vitet e fundit iu janë bërë, ndoshta edhe për shkak të këshillave të gabueme, disa prej figurave të sportit kombëtar qoftë dhe në dekorimet e nivelit më të lartë shtetëror.

Për fat, Shqipëria Demokratike ende ka klube sportive e skuadra tipike të punës “ndërtimtare” mashtruese të regjimit komunist si Naftëtari apo Çlirimi, sepse Partizani e Dinamo përbëjnë një temë të shtérun prej nesh. Apo deri te rasti i Gjirokastrës, që rikthen emrin e “Luftëtarit” duke hequr “Shqiponjën” themeluese. E plot të tjerë…

Nuk na e merr mendja ndërkaq, se do të jetë ende në qarkullim si tekst mësimor “Historia e edukimit fizik dhe sporti”. Dhe jo thjesht ngaqë kapitulli XII i cili i kushtohet sportit të Regjimit titullohet politikisht me djallëzi “Konsolidimi mbi baza metodike e shkencore i edukimit fizik e sporteve gjatë gjysmës së dytë të shek. XX”, por sepse pasqyron në mënyrën më të përciptë e më të dyshimtë të mundshme të vërtetat e këtij zhvillimi. Duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm dhe frenues në këte mospasqyrim, edhe në mbështetje të jopak funksionarëve apo mbrojtësve të gjithçkasë po regresive të Regjimit.

E kemi thënë me kohë dhe e përsërisim: është çasti i duhur tashmâ që sporti i sotëm shqiptar që flen i kalamendun në histori, të rishikojë gjithë “historizimin” e deritashëm, që ka vërtetuar pamjaftueshmërinë e tij, për shumë shkaqe, por jo pak edhe për forcimin e nostalgjive të sportit të regjimit të kaluar, jo në sukseset e tij të mirëfillta sportive që nuk kanë qenë të pakta dhe që duhen të respektohen fort, por në mostregimin e të vërtetave të plota të tij, qoftë dhe për shkak të mosguximit të ne gazetarëve të asokohe,pa shkuar te historianët.

Mu për këte edhe në Shqipëri, nëse ngrihet një Muzeum i Komunizmit, do të duhej që të ngrihej ngjitur me te, ose si pjesë e tij, edhe eksponati tronditës i sportit të komunizmit në Shqipëri. Kur të bëhet kjo, siç e kemi thënë edhe këte me kohë, atëherë me siguri tribunat e nderit të stadiumeve shqiptare, forumet drejtuese të federatave sportive të Shqipërisë Demokratike, por sidomos historia e vërtetë do të pastrohen e do të mbajnë në poltronat e tyre të pastra, në kronikat e arkivat vërteta pikërisht Njerëzit e Nderit.

Vendimi i bukur, kuptimplotë për t’i vënë një rruge të Tiranës emrin “Belul Hatibi” na e çon edhe një herë kujtesën te një grup i pafund emrash, themeluesish të sportit shqiptar, të cilët po aq nuk i njeh sidomos rinia jonë, të panderuar, të pashpalosur, të papërfshirë në histori: Izedin Beshiri, Princesha Myzejen, Aqif Përmeti, Oakley Hill, Said Toptani, Dr. Vasfi Samimi, Luigj Shala, Riza Lushta, Naim Kryeziu, Musa Juka, Nush Bushati, Ragip A. Hoxha, Eqrem Stërmasi, Azis Rexhepi, Niko Açka, Malo Kodra, Teni Frashëri, Hajdar Jakupi, Mendu Agolli, Myfid Halimi, Xhevdet Skilja, Mirash Ivanaj, Pjetër Guraziu, Qemal Omari, Vangjel Turtulli, Prof. Ratti, Prof. Lissoni, Taip Shkodra, Sulejman Karkini, prof. Aqif Domini, Mihal Kosta, Samo Singer, Tom Gjiri, Ndoc Gera, Stefan Shundi, Anastas Koja, Telemak Nushi, Teki Selenica, Peter Andoni, Ymer Sharra, Gaqo Gogo, Anastas Koxhaj, Taq Pizha, Bexhet Jolldashi, Ragip Meta, Paç Koliqi, Asim Golemi, Alush Leshanaku, Halim Begeja, Abdurrahman Toptani, Sabit Çoku, prof. Rexhep Krasniqi, prof. Besim Qorri, Rudolf Gurashi, Nefise Kokobobo, Adem Karapici, Ilia Likoka, Haki Korça, Tomor Ypi, Feti Dizdari, Ibrahim Dizdari, Hasan Maluçi, Abdulla Shehri, Sejfedin Biçaku, Rafael Dishnica, Fori Stasa, Ragip Lohja, Ilia Likoka, Nebi Faslliu, Sandër Kraja, Kol Trebicka, Ali Haveriku, Jonuz Gjylbegu, Ndue Pali, Myzafer Pipa, Vllas Arapi, Dervish Efovia, Akil Derani, Bahri Kavaja, Qamil Teliti, Giacomino Poselli, Vasif Biçaku, Dodë Tahiri. Sa për të përmendur vetëm disa prej atyre që nuk jetojnë më.

Midis tyre ka drejtues të sportit kombëtar para vitit 1944, pra themelues të tij. Ka dhe rekordmenë e kampionë të shquar, pedagogë dhe instruktorë që kanë bërë sportin e Shqipërisë, shumica prej tyre të flakur tej nga historia. Ka dhe trima që guxuan të mbanin në shtëpitë e tyre deri një Alush Leshanak, kur ai kërkohej orë e çast për t’u zhdukur, siç u zhduk në të vërtetë ky pedagog e themelues i madh i edukimit fizik. Ka pra prej atyre të cilët janë rrëzuar përtokë edhe prej plumbit, madje duke i treguar të vrarë në mes të qytetit si rekordmeni i madh i trehapëshit, atleti Sejfedin Biçaku. Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e Mbasluftës që ka pushkatuar kampionë e rekordmenë të shquar!

Javën që shkoi në Angli në praninë e vetë portjerit Kampion i Botës (më 1966) me Anglinë, 71-vjeçarit Gordon Banks, u përurua statuja kushtuar Gordon Banks-it. Statujën e zbuloi Madhëria e tij Edson Arantes Do Nascimiento– Pele.

A mund të shpresojmë më së fundi, se ne në Shqipërinë tonë të vogël, nuk do të mbesim vetëm me rrugën që mori emrin e njerit prej korifejve të sportit kombëtar, të paharrueshmit Belul Hatibi?...

Belul Hatibi - sensacioni 110 metrave me pengesa…

Nga tregimet e Ballkaniadës ’46: Medalja e parë ndërkombëtare e sportit shqiptar

… Sensacioni shqiptar në atletikë do të personifikohej nën emrin e Belul Hatibit, atletit universal të Shqipërisë, i cili në 110 m. me pengesa renditet i dyti me rezultat të barabartë (16.1) me kampionin jugosllav Srb. Dhe e gjitha ndodhte në një turne atletike ku nëse ylli i Ballkaniadës është Ioan Moina i Rumanisë që fiton 4 tituj të Kampionit të Ballkanit (100, 200, 400 metra dhe së gjati), Belul Hatibi i Shqipërisë, Nënkampioni Ballkanik i vetëm shqiptar, është gjithashtu befasia e madhe: pjesëmarrës në pesë gara: 110 m/p, 400 m/p, 4x100 m, stafetë ballkanike, kërcim së larti dhe me 3 rekorde kombëtare: 110 m/p, stafetë 4x100, së larti! Shqipëria shkon kështu në plot 8 rekorde kombëtare të saj: 200 metra, 400 metra, 1500 metra, 110 m/p, 4x100 m, kërcim së larti, gjyle, si dhe së gjati për femra - shtatë prej të cilëve përbëjnë thyerje të rekordeve të Paraluftës, çka asokohe përbënte ngjarje të jashtëzakonshme, qoftë dhe më fort për arsye politike dhe demostrim force të regjimit të ri, se sa sportive.

Mbi të gjithë Belul Hatibi – Nënkampion i parë në historinë e Shqipërisë i një gare ndërkombëtare në një sport individual. Shqipëria “e re” e përjeton këte ngjarje në një eufori të plotë. E justifikueshme natyrisht, sepse kishim të bënim me një sensacion të vërtetë.

Belul Hatibi (1922-1996) ishte një sportist universal dhe përfaqësues i denjë modern i kohës që përjetonte, madje duke mbetur i këtillë gjithë jetën. Shtatlartë, i një fiziku skulptural dhe i një elegance të rrallë, ai qe kampion, rekordmen i atletikës, i skive, i skermës, gjimnast i shquar, pedagog universitar i një kulture e formimi të lartë, marrë në universitete jashtë vendit (Itali, Kroaci, Bullgari), trajner dhe edukator i brezave të tanë të arsimit kombëtar në edukimin fizik po dhe të trajnigut, studimit shkencor. Sot e kësaj dite Hatibi përbën një legjendë për sportin dhe kulturën fizike shqiptare.

E vërteta është se sensacioni i tij ballkanik nëse nuk pritej deri në një rivalizim barazpeshe të plotë me atletë të një përvoje shumë më të madhe, më e pakta pritej pjesëmarrja dinjitoze e tij. Tre muaj më parë, në qershorin e vitit 1946 ai kishte thyer në mënyrë të ndjeshme rekordin kombëtar të Paraluftës në 110 metra të profesorit të tij Luigj Shala, vendosur qysh më 1933, duke e ulur deri në në 16.1, shifër që do të bëhej mitike për te në Ballkaniadën e Tiranës.

“Rekordi i ri që shënoi Hatibi, - shkruan gazeta “Sporti” e Tiranës në numrin e saj të 15 qershorit 1946, - përmban një kohë shumë të mirë që i jep Shqipërisë mundësinë me shënue drejt për së drejti në fitimin e kësaj gare në Ballkaniadën e këtij viti. Mjafton me pasë parasysh në kët rasë se rekordi i jonë i vjetër ka qenë 17”6 dhe se Kampionati jugosllav në vrapimin 110 m me pengesa është fitue me 18”4 prej jugosllavit Skupin. Por ajo që ka rëndësi ma tepër, asht fakti se athleti jonë, asht i pajisun me cilësi fizike dhe përdorim stili fare të mirë, dhe shpresojmë të mrrijë për së shpejti me e zbritë rekordin edhe më pak se 16”. Hatibi gjithashtu, sot për sot asht kandidati i parë për të shënue rekord të ri, sidomos edhe në së nalti e vrapim 200 m.”

Parashikimi është vërtet prej specialistëve të aftë shqiptarë, të cilët merrej me mend se ishin universitarët e edukimit fizik të viteve ’30, të cilët mbasi do të shfrytëzoheshin për këte Ballkaniadë do të flakeshin radhazi. Sidoqoftë, në këte garë klasike olimpike, Jugosllavia e cila mëtonte titullin për vete, nuk do të dremiste mbi shifrat e 18 sekondave të Kampionit të saj Skupin, sepse atleti tjetër i saj, Srb, kishte mbërritur deri në 15.7.

Ndërkaq, në gusht, në Kampionatin Kombëtar, Belul Hatibi fiton titullin e kampionit të Shqipërisë në hudhjen e çekiçit, 400 metrave me pengesa, 110 metra me pengesa, duke paraqitur tashmâ edhe portretin e një dhjetëgaristi të talentuar. Ndonëse ylli i Kampionatit Kombëtar do të ishte një tjetër: Skënder Begeja, kampion kombëtar në 100, 200 metra si dhe në kërcimin së gjati, me dy rekorde të reja kombëtare në dy garat e para, duke u vënë ai në krye të mëtimeve shqiptare për Ballkanidën, sidomos me shifrat 10.9 në 100 metra që përbënte një befasi të madhe për sportin shqiptar, sepse për herë të parë rekordi ulej nën 11 sekonda, shifra ndërkombëtare rajonale këto përderisa rekordi ballkanik ishte 10.6.

Por tetori do të tregonte diçka më ndryshe dhe protagonisti do të kishte një emër të vetëm: Belul Hatibi.

Eshtë 12 tetor 1946. 24 orë para se Shqipëria të bëhej Kampione e Ballkanit në futboll. Ose ndryshe: është ora kur Shqipëria kërkonte të paraprinte me një titull të Kampionit në atletikë.

Në startin e 110 metrave me pengesa janë gjashtë atletë: Hatibi (Shqipëri), Srb (Jugosllavi), Sarchev (Bullgari), Romaski (Bullgari), Gergevski (Rumani), Trioca (Rumani). Tashmâ gjithçka dihej: mëtuesit e titullit do të ishin vetëm dy: Hatibi i Shqipërisë dhe Srb i Jugosllavisë. Ata do të përligjnin gjithçka, gjithë vullnetin, forcën, pasionin, talentin e një gare që për historinë e sportit modest shqiptar do të shndërrohej gati në një legjendë. E pra çka ngjet?

Le t’ia lëmë përcaktimit fjalë për fjalë të kronikës së kohës përmbledhjen e kësaj gare të jashtëzakonshme për kohën:

“Gara më e bukur në atletikën e lehtë qe vrapimi i 110 m. me pengesa. Në këte garë Srb e Behluli shënuen një kohë 16”1. Srb ishte një athlet i mirë, i shpejtë, porse në krahasim me Behlulin i mungonte teknika e kërcimit të pengesave. Behluli ka prirje natyrale për këte garë dhe një teknikë për t’u admirue. Ky nuk merr në konsideratë të 10 pengesat, por i konsideron këto sikur rastësisht i dalin përpara. Ka pra cilësi fizike dhe gatishmëni mendore mjaft të përshtashme për këte garë, mbasi vrapimin e mban prej fillimit deri në mbarim të pandryshueshëm. Në këte rast pati fatin e keq që ta rrëzojë pengesën e parë, gja që i shkakojë humbjen e ekuilibrit deri në kalimin e pengesës së pestë. Mbas kësaj pengese Behluli u vue krah për krah me Srb dhe po të mos kishte ba ngritjen e krahve dhe hapin natyral në mbërrijtje, do të kishte marrë vendin e parë me kranuer. Behluli premton shumë për këte garë.”

“Në garën e 110 metrave me pengesa, - shkruhet në një tjetër kronikë të kohës, - athleti Behlul Hatibi korri një fitore tjetër të re për athletikën Shqiptare. Behluli u mat me athletët Srb, Sartchev e Gergevski, të cilët janë jo vetëm specialistë të këtij lloji vrapimi, por dhe me një vjetërsi të konsiderueshme në praktikën e kësaj gare. Në nisje konkurentët e Behlulit, janë shumë përpara, mirëpo ky rregulloj hapin dhe i len mbrapa kundërshtarët me rradhë. Britmat e turmës arrijnë kulmin kur Behluli arrin gjoks me gjoks me athletin Srb, i cili merr vendin e parë po me atë kohë që Behluli merr vendin e dytë. Behluli theu rekordin e para luftës me 1” 5/10 kohë kjo që do të thotë shumë për teknikën e athletikës Shqiptare, mbasi nuk janë vetëm centimetrat dhe sekondat që e ngarkojnë progresin e athletikës së lehtë, por asht edhe zotësija me e hedhun të tanë fuqinë në vrapim, gja që dëftohet me disiplinimin teknik. Behluli këte e vuni në veprim dhe prandaj përmirësoi kohën e tij të parë.”

Përse u rendit i dyti Behlul Hatibi, (siç i shkruhet emri asokohe me bashtingëlloren “h” në mes) kur në foton e famshme të mbërrijtjes shihet se mu në vijën e bardhë ai është një këmbë para jugosllavit? U tha se mbërrijtja e Srb-it ishte tejet më e pasforcuar se e Hatibit. Por u tha se edhe forcës së autoritetit jugosllav në Juri nuk mund t’i bëzante askush. Sidoqoftë, edhe me kaq Belul Hatibi– Nënkampion i Ballkanit, ishte një Kampion moral i Ballkaniadës. Kishte marrë pjesë në pesë gara: 110 e 400 metra me pengesa, në kërcimin së larti, në stafetën 4x100 metra dhe atë ballkanike (800 + 400 + 2-- + 100 metra) dhe po të flisnim me gjuhën e sotme kishte fituar dy medalje: të argjentën në 110 metra me pengesa dhe të bronztën në stafetën 4x100!

Renditja e garës historike të 110 metrave me pengesa paraqitej kështu:

1 Srb / YUG 16” 1

2. Hatibi / ALB 16” 1

3. Sartchev / BUL 16” 5

4. Romaneski / BUL 16” 6

5. Gergovski / ROM 17” 2

6. Truica / ROM 17” 2

Belul Hatibi mbeti kështu, një legjendë për sportin shqiptar.

Pjesëmarrës i pesë garave, ai arriti edhe 1.75 metrat në kërcimin së larti duke barazuar rekordin kombëtar të Paraluftës, synoi pa ia arritur edhe finalen e 400 metrave me pnegesa dhe e la stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” si protagonist i madh i Lojërave Ballkanike. Nuk do të ndalte këtu Belul Hatibi. Do të jetë kampioni kombëtar i Shqipërisë në çekiç, 200 metra, 110 m/p, 400 m/p, kërcimin së larti, dhe deri në dhjetëgarësh. Do të mbante rekordet kombëtare në 200 metra e 110 m/p, por dhe në kërcimin së larti. Më 17 qershor 1948 në garat e Pragës ai arrin në 15.1 në 110 m/p – rekord kombëtar që do të jetonte plot 17 vjet, deri më më 1965 kur ate do ta thyente rekordmeni Ilia Mazniku (15.1). Kësisoji, mbasnesër jemi në 60-vjetorin e rekordit të madh të mjeshtrit Belul Hatibi.

Vitet kaluan e së bashku me te edhe dekadat. Herë mbas here diçka përmendej për “legjendën” e Nënkampionit tonë të parë në mbretëreshën e sporteve. Por gjithnjë pak e më pak. Thuajse deri në harresë. Eshtë e vërtetë, më mbas, vonë, shumë vonë, Shqipëria pati Kampionët e saj të Ballkanit në atletikën e lehtë të cilëve iu prapriu i famshmi Ramazan Driza qysh më 1963 në hudhjen e gjylës – Kampion i Ballkanit me të rinjtë, për të mbërritur me ata të rritur: Ilir Xhanin në 400 metra më 1997, Krenar Meçanin në 3000 metra me pengesa më 1989, Anila Kasatin në 3000 metra më 1996, Donika Hanxharën në 10.000 metra më 1988, Alma Qeramixhi në shtatgarësh më 1989 dhe 1990, Mirela Manjanin në hudhjen e shtizës më 1994, Klodiana Shalën 200 metra më 2005. Por Nënkampion i Ballkanit i vitit 1946, Behlul Hatibi ka përmasa të tjera që kanë të bëjnë mbi të gjitha me kontekstin e kohës kur u arrit, me rëndësinë e veprimtarisë së parë ndërkombëtare të Mbasluftës të tipit evropian që zhvillohej në Ballkan e Evropë dhe me mundësitë tejet të vogla të Shqipërisë së vogël. Ishte një fillim sensacional, një arritje përtej çdo befasie.

Ndërkaq, nga ana e gjeopolitikës, kishte filluar vërtet bukur mirë mu në këte tetor ’46 ndërtimi i “sportit popullor socialist” në Shqipëri. Vulën do t’ia vinte futbolli më 13 tetor 1946…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT