E premte, 19.04.2024, 04:30 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Dardhaxhiu po vjen me na shit dardha

E hene, 06.04.2015, 01:25 PM


DARDHAXHIU PO VJEN

“DARDHA” ME NA SHIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Populli shqiptar nëpër shekuj, është mësuar t’i hipë dukushi në shpinë. Herë Nastradini, herë Nastradinica. Imzot, kurrë deri më sot nuk e ka pasur më së vështiri, kur kohën e fundit përpiqet t’i hipë mbi samar me gjithë barrë edhe Dardhaxhiu. Përsëgjalli, nuk mund t’i harroj vargjet e këngës popullore të cucave me dajre në Katund: … Po vjen dardhaxhiu, dardha me na shit./ Dardha jena vetë/ të bukura jena vetë/ ik o dardhaxhi, mos na i luaj mendtë e kresë!

Amani, le t’i hipë në shpinë kush të dojë: Dexhalli e Shejtani i Allahut. Vetëmse, jo edhe Dardhaxhiu! Shekuj me radhë i kanë hipur “vëllezërit” e halldupët. Paknevojë, ka t’i hipë mbi samarë si cung shelgu, shalojë me të katra edhe Dardhaxhiu. Kalorësi i arratisur, që brez pas brezi bënë luftë për Dylqinenë e Tobozës. Edhe, siç thotë Fishta i Madh:

 

Jo pse ju Shqipninë doni.

Jo pse ju ndo‘ send kuptoni

Shka asht Atdheu e shka është Lirija.

Shka asht Vllaznija e Parasija

Përpraimi e Qytetnia.

Por, veç pse ende der më sot

Një tyran s’po e gjeni dot.

Nën këmbë t’cilit ju me u shtrue.

 

Filip Shiroka shkon edhe më larg si poet:

 

Nji natë, n’javën, rash në shtrat me fjetë,

Zembra, m’ish helmue, gjumi m’kishte tretë,

Mejtoshe ç’po vuejnë tash burrat e Shqypnisë

Prej disa halldupve n’sherbim t’qeverisë.

 

Dardhaxhiu, gjatë këtyre “ndryshimeve demokratike” i ka shëtitur gati të gjitha partitë politike shqiptare. Herë mësues, herë si “miku” librit, herë këshilltar, e herë si nënpunës në Qeverinë e “vëllazërim-bashkimit”. Dardhaxhinë një vit ma dërguan edhe si “mësues vullnetar” mes maleve të Shkupit. Ditarin e rroku nën sjetulla. Thashë, me vete: më në fund ra në “Din e Iman”. Me siguri, kësaj radhe do të ecë rrugës drjetë të pejgamberit të fundit Muhamedit a. s.

Vite më vonë do t’ia shoh sherrin këtij “mësuesi”. Një ditë e kuptova qëllimin e këtyre “misionarëve” të arsimit shqip, gjatë një “bisede informative” në polici (1993). Akuza të rënda kishin kurdisur kundër meje ai armik i Shtetit të “përbashkët”: Gjoja se, unë isha i dërguar nga Kosova për të vepruar në këto anë, dhe Çështjen shqiptare doja ta zgjidhë me luftë. Përmëkeq, edhe unë isha ai kryesori i “Organizatës terroriste”. Tashti, më plasi perdja, siç thotë populli shqiptar. Ia përplasa në sy inspektorit policor maqedonas që më mori në pyetje: Unë dua të jem ai “Kryesori”, edhe më vjen mirë si shqiptar, por fatkeqësisht nuk jam aq patriot i madh me dosje policore. Porosia e fundit: kurrë më mos më thirrni në kësi biseda “informative”! Inspektori, uli kryet dhe më shikoi me habi nën vetulla. Mos herro, më tha: Aktakuzën e kanë nënshkruar edhe njëzetë “intelektualë” shqiptar. A, do t’i shohësh kokë më kokë me emra dhe mbiemra në listë? Jo, nuk ka nevojë. Moti i di me emër dhe mbiemër dardhaxhinjtë. Dorën në zemër, edhe e kanë mbajtur fjalën: nuk më kanë thirrë më në “biseda informative”.

Dardhaxhiu e ka dalldisur edhe Kryetarin e Komunës Shqiptare, krye më vete shkollat shqipe t’i emërojë me emëra të personaliteteve të historisë shqiptare: “Ismail Qemali”, “Jashar Bej Shkupi”, “Adem Jashari” dhe “Imri Elezi”. Personalitete historike, që aspak nuk i takojnë fushës së arsimit, por historisë shqiptare. Edhe, atë: kohë kur ne kemi me qindra personalitete në fushën e arsimit, që kanë derdhur djersë dhe gjak gjithë jetën deri në vdekje: Ernest Koliqi, Mahmut Dumani, Nexhat Pustina, Llaq Prenqi, Petref Pereteli, Mehmedali Hoxha (babai i “Fatosit” dhe “Gëzimiti” etj. Pishtarët e parë të arsimit shqip, që i hapën shkollat e para shqipe edhe në këto anë të egëra malore. Emra të cilët do t’i mbanin me nderë shkollat shqipe dhe do t’u kishin hije përtej kufinjëve politik.

Fatkeqësia shqiptare, ende emrat e tyre nuk qëndrojnë në ballë të shkollave tona gjysëm të varrosura për së gjalli. Vallë, a nuk e meritojnë sot shkollat shqipe t’i mbajnë me nderë këto emra të pishtarëve të parë të arsimit shqiptar?! Ende, nuk e dëgjoj zërin e halldupëve. Nëse, ju e dëgjoni, më tregoni në mjetet e “pavura” të informacionit! Ose, në ndonjë portal elektronik. Vërtet, më vjen çudi.

Hije do t’u kishte sot, emrat e tyre t’i bartin shkolla shqipe, institucione shtetërore e rrugë kombëtare. Emrin e Adem Jasharit, patjetër me krenari ndonjë kazermë ushtarake, në Shkup. Aspak, këto veprimtarë historik nuk kanë nevojë për kujdesin e këtyre dardhaxhinjve të Shkupit. Aqmëpak, të mbesin në mëshirën e tyre si halldupë, kur ato burra e kanë Shqipërinë dhe Kosovën. Hiç, nuk e kanë vra mendjen se, pakrëndësi ka sesi do të emërohen sot këto vatra arsimi në gjuhën shipe. Qëllimi, është: këto shkolla shqipe të kenë kuadër në nivel të arrirë arsimor, tekste shkollore, lektyra shkollore e revista për fëmijë. Kushte arsimore, sesi mbahet ora e mësimit.

Dardhaxhiu, nuk merret me arritjet e arsimit që duhet t’i ketë populli shqiptar në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”, po merret me emërimin e shkollave shqipe?! Problem me të cilin duhet të mirret dhe ta ketë në përkujdesje Shteti i  “përbashkët”. Qorrsokak, në të cilin e kanë shti edhe kryetarin e komunës shqiptare. Nyje arsimi, të cilën sot duhet ta zgjidhë ministri shqiptar. “Pedagogu”, i shëtitur nëpër disa poste ministrore partiake, që kurrë në jetën e vet nuk ka kapur ditar në dorë. Kulminacioni i ironisë: ministri që me qindra kilomatra është larg Ministrit të parë të arsimit, Ernest Koliqi. Ministër i asaj kohe, që i hapi shkollat e para në gjuhën shqipe dhe i mbuloi përveç Shqipërisë me mësuesë vullnatar nga Shqipëria: edhe, Kosovën, IRJ të Maqedonisë dhe Malin e Zi.

Vitet e ’80 – ta, kur erdha nga Prishtina dhe mezi u punësova si mësues mes këtyre maleve, përçudi ende i gjeta gjurmët e Rilindasëve si pishtarë të arsimit shqiptar. Emrat e shkollave fillore mes atyre maleve ende të emëruar me personalitete historike shqiptare ngrenin zërin, natën ma prishnin gjumin: “Skënderbeu”, “Ismail Qemali”, “Naim Frashëri”, “Asdreni”, “Faik Konica”, “Gjergj Fishta”, “Liria”... Revistat për fëmijë, dhe posta ende më arrinte mes këtyre maleve në adresë të emrit të këtyre personaliteteve shqiptare. Fatkeqësia: banorët e këtyre katundeve ende merrnin frymë të regjisturar si “turq” me shkolla shqipe, pa e ditur së paku një fjalë në gjuhën turke. Viti 1981, në këto anë malore do ta bëjë të veten, shqiptarët e këtyre fshatrave do të regjistrohen si shqiptar. Zot t’u dalin trojeve të tyre etnike. Im Atë, shpeshëherë thoshte: Besë ki, por Besë mos i zi askujt! Gështenjaxhinjt, kur vinin të shesin gështenja në Katund,  kurrë nuk i fuste t’i strehojë në shtëpi, konak u bënte në fund të Lëmës, në kasollë.

Fatkeqsisht, politikanët shqiptarë gjatë këtyre viteve të “ndryshimeve demokratike” u zunë Besë “vëllezërve”. Njëzetë vjet me radhë “vëllezërit” nuk u ulën me shqiptarët në një sofër ta ndajnë pasurinë. E morën Shtëpinë, arat, malet e Babait dhe pasurinë e Shtetit të “përbashkët”. Shqiptarëve u thanë: me ju do t’i ndajmë lugët dhe enët. Herë pas here, u montuan edhe proçese politike: Aferën e armëve, ngjarjet e Bit-Pazarit, Iliridën, ngjarjet e flamurit kombëtar në Gostivar dhe Tetovë, Brodecin, Monstrën dhe burgosjen me vrasjen e komandantëve të UÇK – ës. Përçudi, “vëllezërit” ende kërkojnë “Besë” dhe ndihmë nga poulli shqiptar. Flamurin kombëtar shqiptar ta lidhin në ballë të protestave me atë shtetëror maqedonas. Zaevi, shqiptarëve u kërkon falje publike për gabimet e LSDM –ës në të kalurën, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. Angellovi, “Besë” dhe përkrahje për t’i nxjerrë në rrugë si kope të deleve, me budallakitë e tia të sëmura psikike para RTVM -së: “Qeveria ka paguar 2 milionë euro për të provokuar konfliktin ndëretnik, kurse për atë qeveria e ka akuzuar dhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev.

Dikush në vendin tonë ka bërë një plan monstruoz për konflikt ndëretnik dhe kemi informacion se u janë dhënë 2 milion euro shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK-në, siç thot ai disa kriminelëve nga rajoni i Lipkovës. Detyra e tyre ishte të paraqiten si UÇK dhe të bëjnë vrasjen e disa pjesëtarëve të policisë apo të ushtrisë dhe të shkaktojnë konflikt ndëretnik. Prandaj duket se deklarata monstruoze e nënshkruar nga Netpres që Angelov dhe Zoran Zaev përgatisin skenar të përgjakshëm. Dikush tjetër ka përgatitur një skenar të tillë, për ate dola me këtë deklaratë, ditët  e ardhshme mundet të ketë përshkallëzimit të situatës, por këtë gjë nuk e lejojmë”, tha Angelov.

“Gjenerali” i arratisur dhe shashtrisur, Stojançe Angelov para RTVM -së ka porositur qeverinë që “as të mos mendojë ta arrestojë liderin e opozitës Zoran Zaev, sepse do të ketë gjak. Kërkojmë qeveri teknike, zgjedhje në atmosferë demokratike, dhe më pas populli le të vendosë nëse në pushtet do të jetë Zaevi, Angellovi apo Gruevski. Nuk ju frikësohemi, nuk turpërohemi”, deklaroi Angellov.

Mendimi im si shkrimtar: shqiptarët nuk duhet t’ua zgjasin dorën asnjërit nga këto të mbytyr me pak shpirt në hurdhë. I mbytyri ka rrezik të të tërheq me vete në rrymën e ujit, fundosë në fund të hurdhës mes rrënjëve të shelgjeve. Edhe pse i mbytyri tri herë delë mbi sipërfaqe të ujit. Herën e tretë, mos ia zgjatë dorën, por duhet t’i mëshosh sa të mundesh me të dyja duart në kokë të mbytet në hurdhë. Arsye: fjala e urtë popullore: E kalova zallin (lumin), ta shkrëdhevsha kalin.

Atëherë, o dardhaxhinj dudumë me hebet e arnuara arnë përmbi arnë në krah, a nuk është më së miri ta mbyllni gojën në Ditën e Sotshme Historike?!... Shkaku,  se: Dardha jena vetë,/ të bukura jena vetë/ ik o dradhaxhi, thyej qafën në Qeveri!/ Ngriti këmbët përpjetë mbi tavolinë! Edhe, mos na shit shumë mend për Shqipërinë!...

Mendoj se po, ky është realiteti i “vëllezërve” në Shtetin e “përbashkët”. E thashë me argumente. Shkaku, se: asnjë stuhi, dëborë e madhe nuk mund t’i fshi gjurmët e thella që lanë pas Rilindasët tanë edhe në këto troje shqiptare…



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora