E premte, 19.04.2024, 09:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Bujar Plloshtani: Pojanaku dhe Shkëlqimi i Veprës

E merkure, 01.04.2015, 07:31 PM


POJANAKU dhe “ Lumenjtë kthehen në shtëpi”.

Poeti i shquar i vargjeve lirike shqiptare, Dhimitër POJANAKU, Artisti i brishtë i Lirikës Shqipe, sapo botoi librin me poezi "Lumenjtë kthehen në shtëpi" ,publikuar nga Shtepia Botuese –Skanderbeg Books ,në Panairin e Librit,nëntor 2014. Eshtë autori i gjashtë vëllimeve poetike. POJANAKU, është Laureat i shumë Çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ndërkaq, POJANAKU është fitues i çmimit letrar "Penda e Argjendtë", akorduar nga Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve, për librin "Gurët zbardhin natën", në dhjetor 2003,me motivacionin:“Si një zë poetik i veçantë,tek i cili përjetimet emocionale dhe situatat shpirtërore shprehen përmes metaforash origjinale,mikrofabulash të goditura dhe një gjuhë  lakonike dhe sugjestionuese”. - Raimonda Moisiu

Dhimitër Pojanaku dhe Shkëlqimi i Veprës së Hapur

Nga Bujar Plloshtani

Në dyndjen e sotme të vëllimeve poetike,në këtë uragan letre të shtypur që synon të çmallë shpirtin e sa më shumë shkrimtarëve me këtë botë,- thua se na pret një tjetër shumë më e egër,- duket marrëzi të përpiqesh të zbulosh cila nga qindra llojet e poezisë do t`i qëndrojë kohës dhe cila do të bjerret bashkë me ata që  e shkruajnë. Nga kjo pikpamje,roli i kritikut është tejkaluar,ose është ngushtuar po aq sa roli i lexuesit të thjeshtë.Megjithatë,po të mos lemë mënjanë ‘fatin’ dhe misterin me të cilin librat e vërtetë arijnë të ngrihen mbi pjesën tjetër të letrës,mund të themi me bindje se vepra e poetit shqiptar Dhimitër Pojanaku, përfaqëson një përjashtim jo vetëm në letrat shqipe.Ajo që tek shumica e poetëve të tjerë është thjesht mungesë sistemi poetik,- me ravgime të dukshme për ta paraqitur si liri tematike e stilistike,- tek Pojanaku është vepër e hapur. Kjo vepër e hapur,duke përfituar nga hapësira e pamatë që i afrohet nga vetë hapja,por edhe nga forca,me të cilën një vepër e hapur pastron mëkatet e veta,të kujton një shpërthim ngjyrash e tingujsh antikë,ose një mozaik të gjallë,që plotësohet vetvetiu qysh nga lashtësia.Jo rastësisht poeti i shquar Kosovar Azem Shkreli,(në një letër,dërguar poetit Pojanaku, më 07.09.1993) e cilësonte lirikën e Pojanakut si një lirikë që shkruhet vetë,rrjedh vetë. Kjo vërejtje,pas leximit të lirikës në fjalë,na bind se autori dhe uni i tij poetik shndërrohen në Zë. Një zë që nuk mbart fort parasysh gjeografinë,shtypjen e ushtruar nga tekat e historisë,dhe që zgjatet deri në kufijtë e mbramë të shqipes,aty ku rrijnë të ngujuara fjalët e ndaluara dhe hapësirat e këtyre fjalëve.

Të rrallë janë poetët e shqipes,të cilët e shohin botën me një shqetësim kaq të rafinuar,me një ndjeshmëri që shpeshherë kap paroksizmin dhe që kanë me Vdekjen një afëri kaq të natyrshme. Nga kjo afëri ngjizen imazhe poetikë drithërues dhe me një fuqi të rrallë.Bjemë ndesh me një harmoni të epërme,ku ngjyra,tingulli dhe kuptimi i fjalës rrjedhin njëheresh dhe mbeten të paharrueshme.

Pojanaku nuk di të qahet,nuk di të ndërkryhet sipas kanuneve letrare tashmë të mykura,nuk synon ta shndërrojë këtë botë  të ndërtuar keq,apo për ta rrënuar mirë.Hidhërimi i tij krejt i veçantë,thelbësisht poetik,e fton lexuesin në fortesën e Poezisë dhe,që Brenda saj,i hap një sy nga ku bota mund të shihet  vetëm përmes shpirtit të poetit. Me këtë lloj të pari dhe të flijuari mes lexuesit dhe realitetit,Pojanaku shkëputet jo vetëm nga poetët bashkëkohës,por edhe nga një pjesë e mirë e paraardhësve.

I vetëdijshëm për rolin shndrrues që mund të ketë sot poezia e vërtetë,Pojanaku nuk e honeps as vetëvrasjen metaforike,- dhe kjo padyshim ngaqë metafora vendoset në shpirtin e të gjitha poezive të tij,- as murgimin elegjiak në pamundësi.Ai thotë,thuhet dhe njësohet me verbin poetik.

Një nga pikat kyçe të kësaj poezie është çiltërsia  fund e krye çarmatosëse dhe aftësia për të mbetur e vetvetishme gjer edhe në shënjat e pikësimit.Çiltërsia e poetit prek maja të cilave shumë poetë u ndruhen,se mos u sëmur imazhin që ata vetë  stërmundohen ta ngjizin në mendjen e lexuesit.Pojanaku e pranon haptazi se akti i krijimit poetik, sikurse qëllimi përligj mjetin,e merr përsipër edhe dështimin,edhe zhgënjimet e përbindshme,edhe kanosjen e përditshme të harmonisë së vrarë,edhe shkëlqimin e veçantë  të dhimbjeve të pathëna,të plagëve të parrëfyera,madje gjer edhe etjen paranoiake për lavdi.Në krijimtarinë poetike,çdo paranojë dhe çdo flijim janë pjesë të së tërës,domethënë janë veti mëse të natyrshme,të lindura të poetit.Fshehja ose arrnimi i tyre,e shpjenë lexuesin në qorrsokak.

Vetvetia e lirikës së Pojanakut jo vetëm që nuk cënon mozaikun fillestar,lindës,por e plotëson dhe i lehtëson frymëmarrjen.

Po i mbyllim këto radhë me një falenderim për kritikun Luan Topçiu,i cili po ia dhuron këtë poet shqiptar lexuesit rumun në një përkëthim të denjë për çdo lëvdatë dhe me bindjen se Dhimitër Pojanaku,poeti,të cilit i kërkojnë një epitaf për vete,qysh tani shkon nëpër botë i mbytur në shkëlqim, *  ndonëse syri i kritikës letrare,ndofta për faj të askujt,por as për faj të ndokujt,mbërrin jo rrallë , me mjaft vonesë, tek poezia e vërtetë.

Dr.Ardian_Christian Kyçyku,Bukuresht,2000.

(Parathënie  në librin “Shtëpia ime rrotullon qiellin” botuar ne Bukuresht,Rumani,2000)

*Perifrazë nga poezia”Më kërkojnë një epitaf per vete,”Xhindet kërcejne polka”,Onufri 1998,f.76.

Më kërkojnë një epitaf për vete

 

Po nuk e kapa në gjallje

Nepërkën

Famë,

Që brejtja

Mijushe,

Mos shkatërrojë

Varrin

Tim,

Shkruani…

Shkoi mbytur në shkëlqim.

…Një traktat intelekti prej poeti filozof

 

…. Edhe pse qielli e verbon shpeshherë, ai e adhuron atë, pastaj e shkruan nëpër poezi, duke e bërë më bindës ndaj tij. Nganjëherë, gjoja duket se është më kokëfortë se qiejt, ndofta poezia e krijon sipas llojit të vet, por fundja është poet i lindur, pra i talentuar për t’i përdorur tekat, që i ka si armë të fundit drejt kësaj ekzistence shoqërore. Poezia e tij është frymëzimi i natyrës, që e reciton kaq mahnitshëm me vlerën ngadhënjyese të vrullit krijimtari. Realitetin e kësaj ekzistence, ai pretendon ta ndryshojë me ironinë e tij poetike, ndryshe, turma i kupton si përherë poetët larg realitetit, ai përpiqet t’ua thotë të tjerëve, se poeti ndodhet kudo, thuajse dhe brenda çdo realiteti, pavarësisht lëkundjeve dhe lëvizjeve shpirtërore. Ai është poet fin dhe kapriçoz. Unë shpeshherë them, që, poezia është perëndi! Sepse lind prej një shpirti krijues, si krijim gjenial, dhe vjen nga ndriçimi absolut i shpirtit. Sa e ndërlikuar, po aq dhe e thjeshtë! Ndërkaq, poezia e Pojanakut është natyrë e gjallë që mishëron një qiell që shkoqit terrin verbues ndaj çdo trupi të humbur. Ai nuk mund të të shpëtojë nga e keqja, nga misteri, por mund të përshkruajë të keqen se si luan me fatin e njeriut të shkretë. Parulla e recitimit të tij, dhe e keqja sikur të mos përsëritet më! Këtu ka lindur dhe një pjesë e ironisë së tij ndaj vetvetes, turmës, qiellit. Prandaj, dhe e bukura kërkon nevojë shpirtërore të lindur, e cila dëshmon se nuk është bosh, andaj ka lindur nga nevoja. Poezia e tij është tepër njerëzore, pavarësisht ironisë therëse, tekave, naivitetit, këto të fundit kanë lindur te shpirti i tij si pasojë e fatit të hidhur shoqëror, por, megjithatë, në thelb poezia e tij përmban meditim kontemplativ mbi të drejtën e shoqërisë njerëzore, mbi të vërtetën humane njerëzore, mbi qiellin mistik, mbi shpirtin krijues, është si verë e kuqe, që noton drejt gjakut të tij si anija pa vela. Gati e vetmuar. Edhe shpirti i tij është i vetmuar, por jo dhe poezia e tij... Poezia e poetit Pojanaku është një gur i çmuar, i fshehur në brendësinë e tij si të jetë me vakum, duke rrezatuar natën, ndritjen e arsyes së fjalës. Poezi e thellë, bindëse, kurajoze, e ngjashme me vetveten... Pojanaku është poet i asaj gjeneratë që arrin të imponohet pranë lexuesit me një poezi të kulluar, të pastruar nga foljet e tepërta gati të bezdisshme që hasen shpesh në poezinë tonë bashkëkohore. Me kujtohet poezia “Dimër në lokalet e plazhit”. Në më pak se dy folje, Pojanaku krijon varg “horizontesh” shpirtërore tek lexuesi... Me anë të fjalës emocionale, poeti dëshmon kundrejt humbjes, trishtimit shpirtëror, ç`humanizmit njerëzor; mbase kjo është një veti e tij e mirë që shquan botën e shpërfillur nëpërmjet të drejtës natyrore, që është arsyeja ndaj të vërtetës njerëzore. Poezia e tij është një grusht i fuqishëm ndaj revoltës, ndaj turmës dhe ndaj trishtimit të verbër të shpirtrave të lirë, dhe nëpërmjet fjalës, tekave të tij hënore, ai mund çdo lakuriqësi mendimesh që mundohen ta zhveshin autenticitetin njerëzor.

Një traktat intelekti prej poeti filozof mund të vihet përballë çdo të mete që e ndikon botën dhe ligjet e saja fizike.

Bujar Plloshtani

Poet,filozof

Tetovë

Maqedoni



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora