E hene, 20.09.2021, 04:14 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Hapni dosjet! (8)

E hene, 30.03.2015, 08:44 PM


SHKENCËTARI  I  URITUN

TEK  GRUMBULLI  I  PLEHUT !

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

Pjesa VIII

HAPNI DOSJET E SHKENCËTARËVE...

Me 3 Kallnduer 1948...Procesverbal gjykimi, Trupi gjykues i përbërë nga: Kryetar Kap. II Përtef Alizoti; Anëtarë N/toger Anastas Koroveshi, N/toger Xhemal Bejtja dhe ndihmës prokurori ushtarak i zonës së Shkodres, Toger Zurdi Shehu... Vendosi:

At Mark HARAPI, 10 vjet privim lirije... Mbasi plotsoi dënimin u interrnue 5 vjet...

Në vitin 1963, lirohet dhe këthehet në Shkoder, ku me 10 Shkurt 1974 ka vdekë...

La porosi me u varrosë në vendlidjen e Tij në Shirokë, dhe nën kujdesin e At Ferdinand Palit dhe At Gjergj Vatës, iu plotsue deshira e varrimit. Për këte veprim u arrestuen të dy, me akuzen “krim kunder shtetit” dhe u dënuen. Nëpunësi i varrimit të komunales së Shkodres, Luigj Bushati per lejen e varrimit atje, u pushue nga puna...

Kush ishte jezuiti At Mark Harapi?

Ishte i biri i Dodë Harapit nga Shiroka, familje e varfen por fisnike, dhe kishte edhe dy vllazën, At Antonin frat e Zefin, nëpunës. At Marku asht le me 25 Mars 1890. Misionarët shetitës në Shkoder i ndihmojnë dy vllaznit Harapi me ndjekë shkollat në Shkoder, dhe mbasi i perfunduen shkelqyeshem, shkuen me vazhdue studimet e nalta në Austri.

At Marku ka perfundue në Seminarin Papnuer Shqiptar gjimnazin klasik per filozofi. Ndersa në dy vite ka studjue edhe teologji. Vazhdoi studimet në Innsbruck të Tirolit, dhe erdhi e tha Meshen e Parë në Shkoder në Gusht 1913. U emnue në Pog – Mgullë, ku ka sherbye 7 vjet, kohë në të cilen shpetoi fshatin pa u djegë nga malazezët...

Shkoi në Itali dhe u doktorue në Filozofi në Universitetin Gregorian në Romë. Atje mori liçencë e doktorat, dhe me kenë se ishte në Vatikan, kerkoi me pa librin e “Mesharit” të Buzukut, per të cilin ato ditë “Hylli i Dritës” dyshonte se nuk gjindej. At Marku e gjeti librin dhe biblioteka e Vatikanit ia dha në dorë me e pa per knaqësinë e Tij. At Marku, bani edhe njoftimin e kenjes së Librit “Meshari” në revistat e kohës.

Erdhi në Seminarin Papnor si professor i gjuhës shqipe, dhe antar i gjyqit kishtar.

Në Firence mbaroi mësimet e Urdhnit Injacjan, dhe bahet antar i Misionit Shetitës, tue sherbye në Rrëshen, Bishkash, Shna Prende, Delbinisht, Zhejë etj...Vazhdoi sherbimin në Elbasan, per unifikimin e Kishave dhe vazhdoi misionin e vet në Sarandë, Delvinë dhe Gjinokaster. Viziton burgjet e Jugut...dhe qendron edhe në Berat, kohë në të cilën përgatiti “Pergjegjen katolike Katekizmit ortodoks”...

At Marku ka refuzue të gjitha detyrat e nalta kishtare tue pranue me vazhdue në vitin 1936 në Shkoder, profesor i Seminarit Papnor per filozofi, teologji, dogmatikë dhe besim. Ai në Kolegjin Saverian ishte i njohun nder teologët ma të përgatitun që ka pasë ajo shkollë. Përgatitja e tij ishte në disa fusha ku la gjurmët e veta si shkencëtar.

Adaptoi në alfabetin e sotem librin “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum)...

Perkthei librin e Manzonit “Të fejuemit”. Boton në revistat e kohës artikuj filozofik dhe shkencor. Vazhdon deri në vdekjen e Norbert Joklit korespondencën shkencore me Te.

At Mark Harapi ishte një dijetar në fushen e botanikës, njihte mirë ate në zonat ku ka sherbye dhe kryesisht pasioni i Tij lidhej me zonen e panjohun të Dukagjinit, ku me një kujdes të madh mblodhi bimët e panjohuna të asaj zonë dhe krijoi koleksionet e plota.

Komunikonte në këte fushë me Dr. Margraf, profesor në Universitetin Botanik Berlin. Gjatë kohës që shkonte per me mbledhë bimë të panjohuna në Dukagjin dhe në zonat e nalta Malore të Veriut, At Marku, studjonte edhe insektet e shpendët e atyne fshatrave.

Në muzeun e Shkollës së Jezuitëve, Ai me ndihmen e Fratel Salës (italian), arrijti me plotsue me punime allqije disa nga shpendët e rrallë, insekte dhe lule, të cilat plotsonin fondin shkencor të atyne studimeve aq me vlerë per shkencen Shqiptare, deri atëherë, jo vetem e panjohun, po edhe e pa prekun me dorë nga askush.

Në vitin 1946 At Mark Harapi kishte studime, dorshkrime dhe koleksione shkencore të panjohuna (ndoshta edhe në universitetet Europjane), tri valixhe të mbushuna dhe të ruejtuna në Muzeun e Shkollës Jezuitëve, të cilat u sekuestruen nga sigurimi i shtetit, kur u mbyll shkolla dhe të gjitha ju kaluen Instituti të Shkencave në Tiranë...

Po, kush i shfrytzoi ata punime shkencore, e kush vuni emnin e vet me titull “Dr. Prof” mbi kopertinat e dorshkrimeve të shkencëtarit At Mark Harapi ?...

Edhe kjo asht një “Dosje” tjeter e pahapun ende per “Dr...Prof...e Akademikët” tanë!

***

Ishte një ditë me diell korriku e nxehtë...në Shkoder.

Enver Hoxha me “Fjalimin Programatik” të 6 Shkurtit 1967 topiti gjithë Shqipninë.

Shkodra u mbush me “Fletë Rrufe”... Komiteti i Partisë i Rrethit filloi organizimin e disa mbledhjeve per demaskimin e Klerikëve Katolik të Shqipnisë, në Institutin Pedagogjik ku, strehohej si hije anadollaku Ramiz Alia, i ndihmuem prej Xhemal Dinit e Musa Krajës, të cilët PPSh, edhe sot i konsideron “Bashkautor të Gjenocidit komunist”, madje Musa Kraja mori edhe titullin “Akademik”, tue u vlersue dhe nderue edhe nga Pekini e Stambolli, per meritat e zhdukjes Klerit Katolik Shqiptar në Revolucionin Kultural 1967.

Nën lëvozhgen e Frontit Demokratik u demaskuen të parët: At Gegë Lumaj, At Mark Harapi, At Frano Kiri dhe At Gjergj Vata... Filluen edhe njëherë arrestimet si në 1945.

Kalvari i At Mark Harapit ishte i pafund! Ai ishte edhe vllau i At Anton Harapit...

Dijetari e shkencëtari i heshtun At Marku, kalonte rrugëve të Shkodres pa folë me njeri nga frika se mos i sillte pasoja njerzëve të vet dhe qytetarëve të Shkodres. Më kujtohët aty nga viti 1969 kur po kalonim në lagjen Serreq, tek kryqzimi i Kishës Katedrale, ishe me mësuesin dhe mikun tim Sander Troshani, u ndaluem të dy dhe të stepun, nuk po i besonim syve... po vrojtonim At Mark Harapin, i veshun me rroba të vjetra dhe të zeza, me një shkop dhe një strajcë që kishte në dorë, po kerkonte në grumbullin e plehut pranë shtëpisë së të ndjerit Shan Deda, sigurisht, “dishka me ngranë...”.

E tmerrshme! Shkencëtari, dijetari, botanisti, perkthyesi...

I uritun tue kerkue një kafshatë bukë nder grumbujt e plehut perballë Kishës Kathedrale!

Mësuesi i Rinisë Shkodrane...tue kerkue me shkop në pleh buken e gojës!

Vazhdon Pjesa IX...



(Vota: 3 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora