E enjte, 28.03.2024, 05:30 PM (GMT)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Doshi, kupola shtrëngon radhët

E hene, 30.03.2015, 07:00 PM


RASTI DOSHI - KUPOLA SHTRËNGON RADHËT, POPULLI SHTRËNGON SHPIRTIN

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Pamë në Këshillin e Mandateve se si opozita bashkoi votën e saj me shumicën sunduese, ndonëse kjo e fundit nuk solli asgjë bindëse për të arsyetuar arrestimin e deputetit Tom Doshi.

Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që kishte uluritur në sallën e Kuvendit e në sheshe, mbrëmë vetëm cijati.

Popullit para ekranit të vogël të ABC News iu kujtua koha kur Partia dilte me radhë më të shtrënguara pas çdo goditjeje që ajo iu jepte armiqve të saj të brendshëm. Iu kujtua kjo kohë edhe popullit që ka lindur para vitit 1990, edhe popullit që ka lindur pas vitit 1990.

Sa herë që Partia shtrëngonte radhët e saj, populli shtrëngonte shpirtin, mos me i dalë atje në mjerimin e tij që vetëm shtohej, në frikën dhe pasigurinë që vetëm shtoheshin. Sa më e rreptë bëhej lufta e klasave në radhet e partisë, aq më shumë populli trembej dhe druhej për të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Sa herë që Mafia shtrëngon radhët e saj, populli shtrëngon përsëri shpirtin mos me i dalë atje në vendin ku më shumë se gjithçka mungon shpresa për të sotmen dhe për të ardhmen. Sa më egërsisht që Kupola i kërcëllon dhëmbët dhe vjell flakën, aq më shumë populli bëhet sus i mbështjellë në guaskën e tij të mbijetesës, e vetmja pasuri që trashëgoi nga diktatura.

Në një qëndrim të mëvonshëm, siç e pamë, opozita nuk do ta bashkonte votën e saj në Kuvend me shumicën, nuk do ta miratonte kërkesën e shumicës për arrestimin e dy deputetëve nga radhët e kësaj shumice. Opozita ka kërkuar gjithashtu publikimin e videopërgjimit, realizuar nga vetë prokuroria me vendim të gjykatës për krimet e rënda.

Meqë kërkesa për publikimin e videopërgjimit nuk iu pranua, atëherë iu krijua mundësia ta rezervonte qëndrimin e saj deri sa të realizohej kërkesa e saj. Ky qëndrim do të kishte një bazë të fuqishme parimore në favor të saj.

Me këtë veprim, ajo nuk u tregua e zgjuar as e vendosur. Kështu shumica do të jetë më e shfajësuar dhe më e rehatshme në sjelljet e saj të papërgjegjshme.

Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që mbrëmë vetëm cijati a do të fillojë të ulërijë përsëri?

A do të jetë e zonja opozita ta braktisë Kupolën? A mund ta përballojë e vetmuar opozita kundërgoditjen e Kupolës?  A mund t'i shikojë opozita interesat e saj të përfaqësuara jashtë Kupolës? Apo thjesht opozita do të japë ndihmesën e vet në shtrëngimin e radhëve të Kupolës dhe atje do ta presë duarkryq fatin e saj të përcaktuar nga Kupola?

Atë që bëri në Këshillin e Mandateve, opozita nuk mund ta zhbënte ne seancën plenare. Vetëm sa manifestoi në mënyrë konsekuente mungesën e koherencës në mes qëndrimeve dhe veprimeve, fjalëve dhe bëmave.

Mafia nuk lejon askënd të përpiqet për t'ia dobësuar radhët. Mafia duron vetëm forcimin e radhëve. Kush i bën dredha këtij ligji të Mafias, do të pësojë zvogëlimin e peshës dhe të rolit të vet brenda Kupolës. Do të përjetojë një nëpërkëmbje gjithnjë e më brutale.

Nëse opozita kërkon të ketë identitetin e saj, atëherë këtë mund ta bëjë vetëm duke i bashkuar interesat e saj me interesat e popullit. Nuk mund ta bëjë duke e quajtur veten opozitë dhe duke iu kundërvënë interesave të popullit, çka kulmoi gjatë tetë viteve të rikthimit në pushtet.

Muajt deri në 21 qershor, kur mbahen zgjedhjet lokale dhe kur testohet opozita e re, janë një kohë e shkurtër. Opozita e sotme do ta marrë mësimin e duhur përsëri e përsëri.

Kjo datë do të shënojë gjithashtu rënien përfundimtare të institucionit të zgjedhjeve në Shqipëri. Do të shënojë institucionalizimin përfundimtar të farsës në Shqipëri.

Edhe kur cijat, edhe kur ulërin, lepuri në barkun e kësaj opozite mbetet gjithnjë lepur, derisa Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, një opozitë të re, që nuk e shpërfill popullin, nuk e keqpërdor popullin. Një opozitë e re do të jetë ajo që do t'ua rikthejë shqiptarëve institucionin e zgjedhjeve.

Sa ishte në pushtet opozita e sotme ka manifestuar vetëm cinizëm ndaj popullit që e ka votuar.

Tashi do të korrë frytet e këtij cinizmi. Kjo e mbyll pa shpresë rrethin e saj vicioz brenda Kupolës.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora