E premte, 29.03.2024, 06:10 AM (GMT)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Luftëtari i orëve të para në Artakoll

E hene, 30.03.2015, 08:16 PM


LUFTËTARI I ORËVE TË PARA NË ARTAKOLL

Me rastin e 16 vjetorit të vrasjes së Komandant Jashar Jasharit, dhe të 13-të dëshmorëve të tjerë të rënë në Betejën e Shishmanit të Gjakovës, në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, është organizuar një Akademi Përkujtimore, ku u tha se gjaku i dëshmorëve forcon themelet e lirisë.

Nga Bedri TAHIRI

Të nderuar familjarë të d?shmorit Jashar Jashari dhe të dëshmorëve që sot po e përkujtojmë!

Të respektuar luftëtarë, veteranë e invalidë të UÇK-së!

Të nderuar të pranishëm!

Të flasësh për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësi. Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj, ata nuk kanë nevojë për lavdata, sepse janë lavdia vetë, ata nuk kanë nevojë për ne, ne kemi nevojë të krenohemi me ta. Të tillë janë edhe dëshmorët që sot po i përkujtojmë. Në mesin e tyre, si kurorë lavdie, qëndron edhe trimi i Artakollit kryengritës, Jashar Jashari, i njohur më tepër me emrin luftarak Komandant „DURAKU“.

Jashar Jashari u lind më 16 mars 1962 në Strofc. Vendlindja e tij, dikur kryegjytet i lashtësisë dardane, në çdo periudhë, që nga koha e Azem Galicës e deri tek Adem Jashari, pushtuesi iu përgjigj përmes grykëhollës. Në atë mes ishte edhe gjyshi i tij, Jashari, një luftëtar i dalluar i Shaban Palluzhës. Edhe i ati, Zejnullahu, disa herë u keqtrajtua nga policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, madje, gjatë luftës së UÇK-së, me qerre kuajsh barti armë e municion për trimat e lirisë.

Jashari veçohej prej gjashtë vllezërve të tjerë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Dashuria e madhe për armën e shtyri ta regjistrojë shkollën ushtarake të aviacionit në Mostar, ku qëndroi pak. Kur cerberët e përtej Tunës tentuan t’ia ndërrojnë mbiemrin në Jasharoviq, djaloshi nuk u pajtua kurrsesi dhe e braktisi shkollën. U kthye në vendlindje dhe e kreu shkollën e mesme, dega e xehtarisë, në Kastriot. Më vonë u punësua në Mihjen Sipërfaqësore, në Bardh të Madh, ku punoi derisa hynë masat e dhunshme. Me të shpërthyer të demonstratave ’81 ishte ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesor të tyre në Kastriot e në Prishtinë, andaj  edhe të parin e largojnë nga puna...

Në vitin 1990 u detyrua të emigroi jashtë vendit, dy vjet në Suedi, një vit në Holandë e në fund, në Hagen të Gjermanisë. Kur u nis për mërgim, te Dheu i Bardhë qe betuar se kurdo që do të kthehej, do të kthehej i armatosur dhe me shokë për ta çliruar Kosovën. Dhe, e mbajti fjalën. Edhe në dhe të huaj nuk qëndroi duarkryq. Fill u vu në lëvizje. Përmes Shukri Klinakut ra në kontakt me LKÇK-në dhe zu të kontribuojë me mish e me shpirt për çështjen kombëtare. Sipas tij, në skenë ekzistonin dy forma për shpëtimin e vendit, e para me dy gishta dhe e dyta me një gisht. Ky besonte në këtë të fundit, andaj edhe e përqafoi pa hezitim. Në atë rrugë e ndihmonin, pa kursyer asgjë, edhe të tre vëllëzërit që punonin në Austri: Tefiku, Faiku dhe Mahmuti. Ata, pos tjerash, për Shtabin e UÇK-së siguruan numrin e telefonit (06643454781), shpenzimet e të cilit kushtuan 28 mijë marka gjermane.

Paraqitja e tri shqipeve të lirisë, në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë të Drenicës, më 28 nëntor 1997, ndezi edhe më zemrën e zhuritur të trimit sypatrembur. Ende pa u shuar beteja e lavdishme e Jasharëve të pavdekshëm, pra më 6 mars 1998, ai me një grup luftëtarësh dhanë betimin në tokën arbërore dhe veshen rrobat laroshe të UÇK-së. Pa humbur kohë u kthye në vendlindje, dhe, me Fatmir Humollin, me Arif Krasniqin e me djemtë më të zgjedhur e më besnikë të asaj ane, formuan celulat e para luftarake. Kthimi i trimit gëzoi të gjithë, edhe zogjtë e malit në Qyqavicë. Mësuesi dhe bashkëluftëtari i tij, Habib Mustafa, kthimin e tij e krahasan me kthimin e Skënderbeut në Krujë. Dhe, pati të drejtë. Brenda pak ditësh numri i luftëtarëve u shtua shumë, vetëm në Strofc mbi 80, nga të cilët 8 ranë dëshmorë të kombit.

Jashar Jashari ishte një strateg i zoti. Atë armiku nuk munda ta zinte beftë. Organizonte natë e ditë hapjen e kanaleve dhe istikameve mbrojtëse, vëzhguese dhe luftarake. Me ngulmimin e tij, në Strofc, hapet edhe Spitali i parë ushtarak, i përbërë nga dhoma e urgjencës, dy dhoma me shtretër dhe strehimorja. Pastaj një rëndësi të veçantë i kushtoi furnizimit të ushatrëve me armë e municion. E çmonte shumë edhe dijën, saqë, kur okupatori serb mbylli shkollat shqipe, i pari liroi shtëpinë për mësonjëtore.

Aksioni më i suksesshëm luftarak, që shënon edhe fillimin e luftës në Artakoll dhe në gjithë Zonën Operative të Shalës, padyshim është Beteja e Hamidisë.

...Muzgu i parë i ditës së 11 qershorit 1998 ishte ndryshe nga të tjerët. Mbi pesëdhjetë luftëtarë të lirisë kishin zënë pritë për ta mbrojtur fshatin Hamidi nga bishat gjakatare serbe. Bashkë me terrin ecte edhe kolona mortore prej disa pizgauerëve. Fati e deshi që armiku të bie në pritën e grupit të

komandant “Durakut”. Kaloi makina e parë. Arriti edhe e dyta. Sakaq u dëgjua komanda e tij: Zjarr! Dhe, vetë, si Mic Sokoli, iu hodh sipri me granatë dore. Nata u bë ditë nga flaka. Pizgaueri uturiu si bishë e plagosur e katër policët që ishin brenda mbesin të pashpirt. Rafalet nga të dy anët trazuan natën. Edhe shumë të tjerë, të përgjakur e të shashtisur. Këto humbje u pranuan edhe nga mediat serbe të Beogradit.

Komandant „Duraku” u bë tmerr për armikun. Atë e gjëje kudo në fronte, sa në Artakoll, sa në Drenicë, sa në Shalë. Dhe, sipas bashkëluftëtarëve, komanda e tij ishte e thejshtë: Ejani pas meje!

Lufta zgjerohej. Luftëtarët shtoheshin. Armët mungonin. Para ofensivës së madhe të shtatorit 1998 me një grup shokësh shkon në Shqipëri për armatim. Atje, një kohë të gjatë, punoi në organizimin dhe mobilizimin e rekrutëve të rinj, duke i ushtruar e kalitur në Kalimash...

Edhe marsi i trimërisë po rrokullisej në pakthim. Po errej dita e 28 marsit 1999. Dyzet e pesë shqipe të lirisë, të armatosur mirë e mirë, ia kishin mësyrë kufirit vëllandarës. Gurët e mallkuar do t’i shndërrojmë në lulëkuqe lirie!- u betuan të gjithë. Dhe, grupi luftarak, me nga një copë lirie në zemër, përparonte. Nata bënte qetë. Sakaq, në Shishman të Bokës, ngjau hataja. Prita kobtare, në Livadhet e Qershisë, bëri të veten. Mortaja e Durakut, në orën dy pasmesnatës, trandi në themel kodrën përplot shkëmbinj. Lubia shumëkrerëshe ishte maskuar mirë dhe gjaku i lirisë rodhi rrëke. Katërmbëdhjetë emra u skaliten në Altarin e lirisë:

Jashar Jashari,

Mehdi Zabeli,

Bujar Shala,

Nuhi Elezaj,

Jahja Danuza,

Kadri Berisha,

Mon Maqi,

Ibrahim Asllani,

Armend Qymyri,

Bujar Syla,

Xhemail Abdullahu,

Besim Rama,

Florim Sejdiaj dhe

Naim Lataj.

Barbarët nuk u kënaqen me kaq. Të gjithë trupat e tyre i dogjën me vaj motorri. Pas luftës eshtrat e mbetur u grumbulluan në një arkivol të përbashkët dhe me nderime të larta ushtarake u varrosen në Varrezat e Dëshmorëve, në Çabrat të Gjakovës. Më 1 shtator 1999 Jashar Jashari rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve, në Bletajë të Vushtrrisë, pranë të vëllait tjetër dëshmor, Jonuz Jasharit, i cili ra më 18 prill 1999. Emrat e tyre u përjetësuan në vargje, në këngë, në lapidarë, në rrugë, në institucione e më mirë se kudo, në zemrat e në mendjet tona.

Sot, në 16-vjetorin e rënies së këtyre 14 dëshmorëve të kombit kemi, obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që na solli Lirinë dhe Pavarësinë. Në të kundërtën, amaneti tyre mbetet peng dhe paskëtaj, na mallkon historia, na mallkojnë brezat e ardhmërisë!

Lavdi të gjithë të rënëve për LIRI!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora