E enjte, 25.04.2024, 06:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Marjan Sebaj-Sopi: Gjashtëmbëdhjetë vite nga lufta...

E hene, 30.03.2015, 08:46 PM


Gjashtëmbëdhjetë vite nga lufta dhe bombardimet e NATO-s në Kosovë. A i kemi harruar ato momente?!

Nga Marjan Sebaj-Sopi

Pritej ky moment shumë gjatë, por...!

Është mbrëmbje. Gjatë ditës qëndrova, si zakonisht, te prindërit në shtëpi, ku erdhën për t´i qarë hallet edhe nuni Froku, Çuni, baci Nikollë e të tjerë, që hynin e dilnin. Unë, në bisedë e sipër, u mundova t´i bindja se, ndoshta, minutat e fundit, Serbia do të pranojë marrëveshjen e paqes. As vetë nuk isha optimist, por thënë sinqerisht mezi prisja që të sulmohej e të shkatërrohej Serbia, sepse vite me radhë, m’u kishe lodhur shpirti me trillimet, mashtrimet e djallëzitë tjera të Serbisë, kështu që mendoja, le ta mbushin mend njëherë e përgjithmonë këtë far Serbie, e mos të mund ta çojë kokën kurrë më. Mirëpo, më dhimbsej populli shqiptar, sepse jam i vetëdijshëm se edhe po të mos e ngacmonte popullin askush (kurse ushtria, paraushtarakët e banditët serbë dihet se për kë janë stacionuar në Kosovë) vështirë do ta ketë.

Diku, rreth orës 16, i thashë motrës Violetë se do të jem në Razore, kurse për meshë do të dal në Kabash me karrocën time. Në Kabash gjithmonë kam përtuar të dal për meshë, e cila thuhet për çdo të enjte, mirëpo mendimi i motrës ishte që të dilja atje, sepse edhe ashtu, tha ajo, kanë mbetur pak besimtarë. I premtova se do të dal në Kabash. Dhe, siç e kemi zakon, para se të fillonte mesha u mblodhëm disa besimtarë, por meqë të gjithë kishim panikë, bisedonim e komentonim me zë të ulët, se çka mund të ndodhte. Reshati, të cilin e njoh si patriot e trim, sot m’u duk jashtëzakonisht i frikësuar, me siguri jo për vete, po për familjen, fëmijët, sepse, siç e tha vetë:  Marjan, më beso, frikësohem për fëmijët e gratë! Ti i njeh dhe e di se sa të poshtër, sa të pamoralshëm janë këta pisa! Besa, kishte plotësisht të drejtë. I thashë: O Reshat (për herë të parë e thirra me emër, se në kohë të mira, unë e quaj ndryshe) as që kanë me pasë kohë ata të mendojnë e të ndërmarrin diç, sepse do të humben!

Dr. don Lush Gjergji e tha meshën, kurse pas meshës edhe ai, si zakonisht, u ndal të bisedojë me besimtarët e shqetësuar e të frikësuar e t’u  japë zemër, siç di ai e duke përsëritur, si gjithnjë: Vetëm luteni Zotin! Ai është i madh e i mëshirshëm! Ai është me ne e nuk do të na ndodh asgjë. Mos kini frikë...! Pas një bisede të shkurtër, që bëmë me besimtarë, të cilët me vëmendje dëgjuan bariun e tyre të mirë e të përvujtur, u përshëndetëm. Unë vendosa të shkoja relacioneve të shkurtra me karrocën time, për te Kisha e Binçës. Motra Violetë, e frikësuar se mund të më ndodhte diç, pasi ushtria i kishte bllokuar rrugët (gjë të cilën unë nuk e dija, sepse kisha qenë në Razorë), për herë të parë në jetë, me zë dhe e mllefosur, më bërtiti: Unë po të them eja me ne në auto! Unë, me shaka, siç jam mësuar me motrën, ia ktheva: Ngadalë, motro, se më shumë më frikësove ti, sesa ushtria serbe! Ajo vetëm buzëqeshi lehtë e iu drejtua Gjergjit, vëllait të vet: Eja edhe ti me ne, se sonte do të jesh në konakun tonë! Ai kundërshtoi, por pasi motra më dha shenjë, unë e luta dhe ai hyri në auto, për t’u nisur rrugës: Viti – Binçë, pra rreth e rrotull. Me plot arsye, motra dronte për vëllanë e saj më të vogël, sepse ky, për shkak të aktivitetit të tij dhe pjesëmarrjes në demonstratat, kundër regjimit të egër serb, qysh më herët, ishte në shënjestrën e serbëve lokalë. Ai donte që, në ato çaste, të mos i linte të vetmuar dy pleqtë, babë e nanën. Sidoqoftë, e morëm edhe Gjergjin te Kisha, duke menduar se çkado që të ndodh, në vendin e shenjtë njeriu do të jetë më i sigurtë, sidomos sonte, nëse vie deri te sulmet ajrore, ndërsa më pas, sipas gjendjes, do të shohim e do të veprojmë...

Arritëm pas 20 minutave në Binçë. Çka të shohësh?! Rrugës vlonin ushtarët e paraushtarakët serbë! Kolona tankesh e gjithçka tjetër ishin drejtuar kah Debelldeu  dhe Korbuliqi,  pra shkonin në dy drejtime, mbi Binçë. Mezi kaluam me auto. Zbritëm në oborrin e Kishës dhe vazhduam bisedën me Gjergjin, rreth asaj se çka mund të ndodhte, se a do ta sulmonin sonte Serbinë etj. Diku, pas një ore e gjysmë, ai e hetoi se isha i lodhur, prandaj më tha:  Më dukesh i lodhur, shko e pusho pak, pastaj shihemi prapë!  Vërtet, ndihesha i lodhur, kisha nevojë për pushim, por e ftova edhe atë që të pushonte, duke i thënë: Gjergj, nëse ke nevojë, lirisht mund të flesh në dhomën time. Vend  kemi, mos kie dert!  Do të shohim më vonë, tha ai,  dhe u drejtua drejt kuvendit të motrave.

Unë, nga shqetësimi e nga mundimi i pritjes, se çka do të ndodhte, kurrsesi nuk mundja të flija. Shikoj televizionin, zakonisht tv. malazez, i cili është pak më objektiv dhe, herë pas here, edhe stacione tjera, të cilat flasin për gjendjen pandërprerë. Televizioni lajmëron se çdo gjë është gadi për t´i filluar sulmet ajrore, ndaj caqeve serbo – malazeze. (Kryetari i Malit të Zi,  pas luftës në Kroaci, ku njerëzit e tij shkatërruan qytetet bregdetare kroate, si Dubrovnikun etj. ,  tash është deklaruar për paqe e jo për  luftë. Një kohë të gjatë ka kundërshtuar S. Milosheviqin, kështu që kohën e fundit i kanë prishur marrëdhëniet, mirëpo ushtrinë ende e kanë të përbashkët, kështu që  edhe Mali  i Zi do të jetë në shënjestër).

Duke përcjellë televizionin, u njoftova se 100 %, lufta në Kosovë nuk ka gjasa të përfundojë pa intervenim ushtarak të NATO-s, i cili do të fillojë që nga nata e sontme. Këtë lajm e pranova me gëzim të madh, mirëpo mendja po më shkon te prindërit, te gratë, te fëmijët, te të sëmurit... Mendoj: si do ta pranojnë e përjetojnë gjithë këtë, çka do të ndodh, sepse jam i vetëdijshëm se detonimet do të jenë të fuqishme e, në anën tjetër, kam frikë se serbët, duke mos pasur çka t’u bëjnë forcave të NATO-s, do të hakmerren në popullin e pafajshëm dhe tërë mllefin do ta zbrazin mbi popullatën e  pambrojtur.

Se  do të jetë një vështirësi e rendë këtë e dinë të gjithë, por këtë e presim me gëzim, sepse më mirë është që kjo të ndodh njëherë, sesa përgjithmonë të jemi nën thikat e bajonetat e këtyre egërsirave. Të gjithë presim këtë moment, duke ditur se edhe serbët do të reagojnë me të gjitha mjetet që kanë dhe, siç e kam parë unë e të tjerët, ata kanë mjaft armatim, sepse gjithë armatimi i ish-Jugosllavisë është në duart e serbëve.  Shumë tanke, topa, mitrolozë e sisteme raketore, i kanë stacionuar nja 300 apo 400 m mbi ne, krejt afër Kishës, në kodër të Binçës  e përreth (strategjia e tyre mbrojtëse!). Pra, pritet edhe kundërveprimi  dhe reagimi i serbëve.

Mendoj, si do të jetë e tëra kjo, pasi  ndonjë luftë të tillë ende nuk e kemi përjetuar.  Si do ta përjetojnë këtë pleqtë, të cilët me zemër nuk i kanë punët mirë, si babai im etj. Mora telefonin e bisedoja me babën dhe shumë bashkëfshatarë, madje edhe  nga disa minuta, vetëm që t’u them se edhe nëse do të vijë deri te intervenimi, mos kini frikë, se serbët nuk kanë më punë me ne! Prapë, nga dëshira e madhe për ta sulmuar, jam pakëz skeptik e them, ndoshta NATO - ja vetëm dëshiron ta frikësojë Serbinë (Millosheviqin) ta pranojë pa kusht paqen. Duke menduar e duke mbajtur sytë në tv, u ndërpre programi i zakonshëm i lajmeve.  Televizioni malazez lajmëron atë, të cilën ne e presim vite me radhë: Aeroplanët e NATO-s u nisën për në drejtim të nënqiellit tonë dhe se brenda 45 min. përafërsisht  do të dëgjohen detonimet e para!, O, Zot, ç’ndjenjë që kam në shpirt. Besa, jam tepër i shqetësuar, vendi vend nuk më zihet! Si do të jetë kjo? Fillova edhe unë të ndjej frikë... Fillova ta qetësoj veten time në këto momente të vështira dhe mora librin ”Shpërnguljet e Shqiptarëve gjatë shekujve” të S.Rizës dhe ditarin tim të shënimeve. Duke shfletuar kalimthi edhe më shumë urreja serbët. Po, edhe bomba e parë le të bjerë në mua, vetëm le ta shkatërrojnë më këtë Serbi! Nuk durohet! Nuk durohet më!

Hetova se dikush ma hapi derën e hyrjes kryesore. Ishte motra Violetë, e cila më solli darkën e më tha: Më duket se do ta sulmojnë Serbinë. Do të ketë sulme nga ajri! Motra dukej krejt e qetë, mirëpo, sa me duket mua, është e frikësuar për popullin, po nuk po jipej, si zakonisht! Unë, duke menduar se ajo nuk e dinte se aeroplanët ishin  nisur,  i thashë: Jo, moj motër, nuk do të ketë gjë. Po ku është ajo e mirë me e shkatërrue, me i ra...

Ora është diku rreth 19:45. Dr. don Lush Gjergji është në darkë, në shtëpinë e motrave. Ai ngrën bukë atje, ndërsa mua  motrat ma sjellin bukën në dhomë, shkaku i skallëve.  Motra Violetë ndejti vetëm sa i ndërruam dy - tri fjalë dhe shkoi, duke thënë: O Zot, bëje mirë! Unë tash jam vetë në shtëpinë famullitare, duke përcjellë tv - në. Mbretëron një heshtje, një qetësi e pazakonshme, ndërsa libri, mbi mua, mbeti i hapur. Ç’lexim në këto momente shqetësimi e frike?! Vërtet, nuk di ta përshkruaj sesi e ndjej veten në këto momente.  Ndjenja të këtilla nuk kam pasur kurrë në jetë! Në mua janë mbledhur gëzimi, mllefi  ndaj serbëve, frika, shqetësimi, nervozizmi, pasiguria, urrejtja dhe, ndonëse dukem i qetë, zemra më rrah me të madhe. Ajo që më gëzon shumë është shpresa se ndoshta me këtë do të ndërpritet gjakderdhja në Kosovë, kurse ajo që më shqetëson e frikëson është mënyra sesi do të reagojnë serbët ndaj ndesh dhe çka do të ndodh me ne... Mendja më fluturon gjithkah. Mendoj për të gjithë ata që janë këtu dhe për ata që u larguan me mund ditëve të fundit. Mendoj për vëllezërit, të cilët sigurisht mendojnë se me sulmet e para, neve këtu, serbët do të na masakrojnë... Ata, ka kohë që nuk besojnë kur ju themi se jemi ende mirë. Nuk besojnë, sepse pandërprerë shikojnë televizionin dhe dëgjojnë lajme, të cilat i emetojnë televizionet e huaja, në saje të të dhënave, që i marrin nga brezi kuftar me Kosovën. Farë koncentrimi nuk kam. Trupi disi m’u ka lehtësuar. Nuk jam në gjendje të koncentrohem e të mendoj diç tjetër...

Ora është 19:55.  Malazezët lajmërojnë prapë se vetëm sa nuk kanë arritur aeroplanët dhe se në çdo çast  priten sulmet... Sekondat më duken orë, kurse, i shndërruar i tëri në veshë,  me vëmendje të madhe përcjell çdo lëvizje jashtë. Pas disa minutave, ja...

Filluan të dëgjohen detonime të fuqishme. Nuk e di se ku janë, vetëm nuk janë afër nesh. Kam ndjenjën sikur dridhet toka. O Zot, ç’ndjenjë të rëndë që kam. Tash më duket se m’u ka rënduar trupi... Do të më detyrojë ta kthej edhe ushqimin pa e ngrënë... Kam frikë!... Me vrap, si pa kokë, erdhën tek unë Gjergji dhe Igzidori, të cilët nga frika ishin  strehuar  në shtëpinë e motrave. Pas tyre erdhi m.Violetë. Dy djelmoshat ishin zbehur e ishin bërë dhe, si themi ne. Kur motra Violetë më pa buzëqeshi leht. Ajo dukej si rëndom, bile më dukej se e ndjente veten shumë mirë. Me butësi, duke njohur shumë mirë natyrën time, më tha: Marjan, të lutem, vetëm sonte eja në shtëpinë tonë, të jemi të gjithë së bashku, ndodhi çka ndodhi... Ja, edhe don Lushin do ta ndalim tek ne! Me insistimin e motrës dhe me qëllim që të mos i vonoj djelmoshat e shqetësuar, u ngrita dhe dolëm përjashta, për të shkuar te shtëpia e motrave, cila  është diku rreth 20 apo 30 metra larg banesës sonë dhe na ndan vetëm Kisha në mes. Dëgjoheshin detonimet, të cilat dukeshin sikur afroheshin dhe janë  në Viti ( 2 km, larg nesh ). Sa iu afruam derës së shtëpisë, dëgjuam të qarat e fëmijëve të trishtuar, të cilët ishin mbledhur te motrat! Barazi me ne, në hyrje, arritën duke qarë edhe gruaja e fëmijët e Andresë. Ishin të humbur tërësisht, dridheshin nga frika, bërtisnin e thërrisnin: Oj motër! Motrooo!... E dimë përse frikësohen e qajnë, por nuk kemi çka të bëjmë. Motrat, unë e Gjergji mundohemi t´i qetësojmë me fjalë se nuk kanë çka të frikësohen, por e kot... Edhe ushtria serbe reagoi, por jo me të shtëna të shpeshta. Aty - këtu gjuanin, shtinin në ajër... Shtëpia e motrave është përplotë njerëz të frikësuar. Të gjitha dhomat janë të mbushura. Shkallët përplotë njerëz. Të gjithë fqinjët përreth nesh kishin arritur e ishin strehuar këtu, ku e ndjejnë veten më të sigurtë! Gjergji më zbriti ngadalë poshtë. Rrymën nuk ka. I kanë ndezur qirinjtë. Motrat mundohen t’i qetësojnë fëmijët. Vrapojnë te çdonjëri, duke përkëdhelur e përqafuar fëmijët, të cilët, si duket, të vetmën siguri e shohin në përqafimin e përkëdheljen e motrave.

Në të hyrë, në dhomën e madhe, ishin tubuar një numër i njerëzve, përreth famullitarit tonë, don Lushit, i cili, me butësi e qetësi, luste rruzaren me ta. Unë i përshëndeta me kokë dhe u tërhoqa në kuzhinë, ku zura një pozitë, pranë aparatit telefonik, i cili cingërronte pa ndërprerë. Thërrasin besimtarët e frikësuar e të shqetësuar, të cilët kërkojnë herë don Lushin, herë motrat e herë mua. Motrat janë shumë të zëna me punë rreth qetësimit të besimtarëve. Motra Violetë bëri shaka me mua: Ja telefoni e përgjigjju njerëzve. Ti e di sesi dhe çka duhet bërë! Unë e shikova, buzëqesha e mendova çka kam për t´ju thënë, kur edhe vetë isha i humbur... Lutuni se e bën Zoti mirë! Këtë e thoshin edhe të tjerët...

Thirri edhe don Marjan Demaj, i cili tash shërben në Budisalc ( Klinë ) por para dy vitesh ishte kapelan e shërbeu në Binçë, gati pesë vjet. Pra, nuk na harroi dhe dashuria e tij ndaj famullisë së Binçës erdhi në shprehje dhe u tregua si shumë herë edhe tash, në këto momente të rënda. Ai bisedoi me motrën dhe më kërkoi edhe mua, pasi i tregoi motra se edhe unë jam këtu. Më përshëndeti e qeshi! Pasi pyeti sesi jemi dhe a po kemi frikë, ( duke njohur natyrën time ), pakëz u befasua kur dëgjoi se edhe unë jam strehuar te motrat. Ai, tash një vit, ishte mësuar të dëgjonte të shtëna të lloj-llojshme, sepse atje veç kishte luftë mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe për atë m’u duk se ai nuk kishte farë shqetësimi! Më foli e më dha zemër, më  forcoi, si zakonisht në besim e shpresë, duke më thënë: Mos u frikësoni se tash serbët (i njihte edhe ai serbët lokalë) nuk kanë më me ne asgjë... Po, po, i thashë, duke iu  falënderuar se na ka në mend e lutje ditë e natë, si gjithmonë, gjer më tani... Për të unë kisha gjithmonë frikë se mos e gjen gjë, sepse ai nuk ndalej kurrë, duke sulmuar pushtetin totalitar e vrastar serb. Bile, kohëve të fundit, këtë e bënte edhe përmes intervistave dhën gazetave tona, ku me një gjuhë të ashpër e mësime ungjillore, sulmonte e qortonte pushtetin okupues serb për krime. Mirëpo, edhe pse miqësisht ia pata tërhequr vërejtjen disa herë, se po e rrezikonte jetën e vet, ai me buzëqeshje të lehtë shpeshherë m’u pat përgjegjur se vetëm po e kryen detyrën e vet të shenjtë meshtarake, duke mbrojtur të pambrojturit, pleqtë, gratë, fëmijët, të varfërit e të sëmurët, të cilët i donte dhe i nderonte shumë. Thoshte unë jam meshtar dhe gjithmonë do ta ngre zërin kundër padrejtësive e të këqijave...

Nga serbët lokalë frikësohen edhe këto familje të strehuara sonte këtu. Po, një fjalë e urtë popullore thotë: Buka e jote të vret... Serbët e Binçës kanë jetuar vite me radhë nga puna dhe djersa  jonë...

Gjergji qëndronte me mua. Motra Miroljuba (Jellë) pasi nuk kishim rrymë, na solli një radio me bateri, nga me vëmendje përcillnim lajmet. Motra Jellë, herë pas here, vjen e na pyet sesi është gjendja. Informohemi se NATO - ja po qëllonte caqe të rëndësishme, si ishin aeroportet, sistemet raketore - kundërajrore, kazamatet, tanket nëpër male e punkte të tjera... Duke dëgjuar këto lajme, unë e Gjergji, shprehëm bindjen se, brenda 24 orëve, Serbia do të shndërrohet në pluhur...

Thirra edhe prindërit, babën (telefonat, sidomos ky i Kishës, përgjoheshin shumë qe disa vjet, punë që nuk më ka shqetësuar mua kurrë)  i cili, si zakonisht, m’u lajmërua dhe të cilin e pyeta për të e për nënën. Më tha se ishin mirë dhe se aty ishte edhe Nikolla, me të cilin po bisedonin. Dëshiroja t´i tregoja se i kanë rënë Serbisë, pasi nga biseda kuptova se ai nuk kishte hetuar asgjë të jashtëzakonshme, pak pse ishte mësuar me krisma, pak pse as me veshë nuk i kishte punët mirë. Por, si t´i tregoj kur e di  shëndetin e tij? Më në fund, i thashë: Si po duket, do ta sulmojnë sonte Serbinë, por ju mos keni frikë, nëse dëgjoni të shtëna! Babai heshti pakëz, gjëmoi dhe vazhdoi: Sa po e kuptoj, po më duket se i paskan ra Serbisë... Jo, jo, iu përgjegja, por ma jep bacin Nikollë. Ai e dinte se sulmet kanë filluar. I kishte dëgjuar të shtënat e fuqishme e detonimet e rënda, veçse nuk kishte folur asgjë, shkaku i fëmijëve dhe shëndetit të pleqve. Mua vetëm m’i vërtetonte fjalët me po, ashtu etj. U kuptua se lufta përfundimtare e NATO –s e Kosovës, kundër Serbisë, filloi, mirëpo jashtë lëkurës dhe realitetit nuk mund të dalë askush.

Rreth orës 22:30, përreth Binçës, nga kodra, detonimet, topat, tanket, mitralozët e raketat kundërajrore u zbrazën. Të shtënat ishin të mëdha, të forta e të pandërpra. Mua m’u duk se nuk dinte kush, ku e kah gjuan. Gjergji, sa e shihja, kishte mjaft njohuri për strategjinë ushtarake. Menjëherë, pasi i dëgjuam zhurmat e aeroplanëve, tha: Mos u frikëso nga të shtënat e serbëve, sepse tash këta do të reagojnë thuajse spontanisht, me tërë arsenalin që e kanë, ndonëse aeroplanët asi shohin. Ata gjuajnë ashtu, pa cak, sa për ta mbuluar hapsirën ajrore dhe vetëm rastësisht mundqëllohet ndonjë aeroplan. Kjo domethënë se mund të qëllohet vetëm ndonjë aeroplan që e humbë rrugën, a? – pyeta unë. Gjergji vetëm qeshi e shtoi: Po. Thuajse ashtu është disi! O Zot, mendova, po sa të çmendur janë këta serbë. Dëshirojnë luftë me ata që as nuk i shohin ku janë e as nga gjuajnë! Po, ata pranuan luftë me qëllim e plane të caktuara.  Në këtë kaos, ata kanë planifikuar të bëjnë atë që kanë planifikuar  decenie me radhë:  të shfarosin popullin shqiptar dhe të bëjnë pastrimin etnik të Kosovës.

Nga Austria, në këto orë të vonshme, thirri edhe don Albert Demaj, i cili interesohej për gjendjen aktuale e shumë e shumë çështje të tjera.

Ishte ora 00:45. Bisedonim me zë të ulët. Herë-herë, dëgjoheshin detonimet dhe të shtënat nga armët e ndryshme. Ne të rriturit e të moshuarit gjumë nuk kishim askush, gjersa fëmijët, nga frika e trishtimi, i kishte zërë gjumi, nëpër dhomat e motrave e nëpër dysheme, që i kishin përgatitur motrat. Motrat i morën edhe disa gra që ju kishin ndihmuar në punë, na përshëndetën dhe shkuan në dhoma e tyre. Këtë natë, të cilën nuk e kishte pritur askush se do të ishte e tillë, në kuvendin ( shtëpinë ) e motrave, ishin: Don Lush Gjergji, m.Jellë, m. Sidonia, m. Violetë, m. Otilia (e sëmurë), unë, nëna e motrës Dile, Viktor Gegaj, vëllai i tij, Adolf Gegaj (këta assesi  nuk mund  të qetësoheshin, pasi ishin shumë të frikësuar, gjë e cila ndikonte në shqetësimin e masës) Andre Nuja, me familjen  7 - 8 anëtarëshe dhe Silvester Ukaj, me familjen  6 - 7 anëtarëshe. Nuk kam fjalë për ata dy, edhe mua me shkonin në nerva, kisha bindje se, nga frika, janë çmendur. Ishte këtu edhe e veja, Kata Stoshiqi, me tre fëmijë, pastaj disa të rinj nga Vitia, kushërinj të Silvestrit (emrat e të cilëve nuk i di), Gjyska Zefi, me djalin Gjonin e disa të tjerë, të cilët janë në dy katet e sipërme dhe të cilët nuk i kam parë.                                                                                                                                                                             Unë e Gjergji bisedonim me zë të ulët rreth asaj se si mund të përfundojë e gjithë kjo situatë dhe, herë-herë, përcillnim besadat e të tjerëve. Në anën tjetër,  “ llafazanët”, me përrallat e tyre, e lodhnin don Lushin (edhe ashtu ai ishte i rraskapitur) sesi tërë jetën iu kanë ndihmuar serbëve, sesi e kanë pasur gjithnjë mirë me ta etj... Këto, më duket, i thoshin në afekt dhe si mekanizëm mbrojtës nga frika se mos po ju ndodhte gjë, pikërisht nga serbët lokalë. Duke treguar sesi e kanë pasur mirë me ta, dëshirojnë t´i japin vetes zemër e siguri (ata flisnin sikur të ishin prezentë serbët e të rrëfeheshin para tyre) dhe se për këtë nuk do t´u ndodhte asgjë! Thënë sinqerisht, mua, po edhe më shumë Gjergjit, na acarruan nervat dhe nga mosdurimi vetëm qeshnim. Gjergji nganjëherë s’përmbahej dhe ndërhynte e shtonte nga diçka rreth miqësisë së tyre me...

Rreth orës 02, erdhi m. Violetë e na tha se të gjithë gati janë rehatuar e qetësuar. Ajo na luti që edhe ne të mbështeteshim diku e të pushonim ngapak, nëse ishte e mundur. U morëm vesh që Gjergji të shkonte në dhomë të m. Violetë (motra e tij) sepse kjo ndiente përgjegjësi ndaj tij. Unë i thashë motrës se do të shtrihem pakëz këtu, në dhomë, ku qëndroja, në një shtrat të vogël, edhe pse fije gjumi nuk kisha. U përshëndetëm, duke bërë edhe hoka me Gjergjin: Natën e mirë e mirupafshim, nëse shihemi! Motra reagoi: Mos flisni  budallallëqe! Vërtet, ishte një shaka jona, por që shumë leht mund të bëhej realitet. Pleqtë thonë: Nata besë nuk ka! Po, kjo natë, e cila vetëm Zoti e di se çka mund të na sjell?! Dëshirova të qëndroja zgjuar e të vështroja çdo lëvizje. Mendimet m’u shkapërderdhën dhe më udhëtuan gjithkah...

Në ankth e frikë, kaloi disi nata e parë e datës 24 mars. Unë gjithnjë jam në mendime për atë se çka mund të na sjellë e sotmja. Janë orët e hershme të ditës së re, ndërsa unë jam kureshtar të dal sa më shpejt përjashta e të shoh reagimet e serbëve, të cilët, qe një kohë të gjatë patën marrë krah e zemër, duke menduar se kanë armë e nuk ka kush çka t´u bëjë. As për Zot nuk dëshironin të dinin.  Me Atë i kishin pas larë llogaritë qysh moti! Më shkojnë orët duke menduar për të gjithë në Kosovë, posaçërisht për fëmijët, pleqtë, plakat e të sëmurët, të cilët nuk patën mundësi të strehoheshin në ndonjë vend apo shtet tjetër, me kushte më të mira se Maqedonia e Shqipëria. Po e përmend Maqedoninë, sepse qysh para pesë – gjashtë ditëve, ushtria serbo – malazeze, me banditët e vet, filloi të zbatojë planin aq të dëshiruar shumëshekullor: spastrimin etnik, dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e veta!  (Këto ditë, sipas marrëveshjës së mëparshme, ndërmjet Serbisë e Maqedonisë, K. Gligorovit, filloi hapjen e korridorit, për  kalimin e shqiptarëve për Turqi apo Shqipëri). Se do ta bëjë këtë e pat përsëritur shpeshherë publikisht lideri i sëmurë serb, V..Shesheli. Nëse na sulmon NATO – ja, shqiptarët ose do të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna, ose do të vriten më se një milion, qe shprehur ai. Ishin këto deklarata të përsëritura shpesh, mirëpo bota këto nuk i mori me seriozitet, ndërsa tash është dëshmitare e asaj se çka thonë serbët për shqiptarët, atë edhe e  zbatojnë. Filloi pastrimi etnik ende pa e sulmuar atë! Kolonat e njerëzve të rrahur, të torturuar, të zbathur e të zhveshur, të etur e të uritur, tashmë po i sheh bota. Njerëzit, populli i pafajshëm, po vritet e po dëbohet nga shtëpitë e vatrat e veta. Po plaçkiten shtëpitë, më parë, pastaj po iu vihet zjarri. Fshatra të tëra, brenda 10 apo 15 min. , po dëbohen, po digjen e po zhduken nga serbët. Nuk do të mbetet asnjë njeri nëse vazhdon gjatë kështu. Fshatra, qyteza e qytete, po mbeten të zbrazëta. Nëpër fshatra po mbeten vetëm kafshët shtëpiake me bishat e egra – serbët! Më parë, unë mendoja se spastrimet e përndjekjet, do të ndodhin vetëm në ato vende ku është fronti i luftës, por jo. Tash lajmet tregojnë se dëbimet, vrasjet etj., po ndodhin anë e mbarë Kosovës, nëpër fshatra e qytete! Pikërisht, duke i parë këto skena, qe një kohë të gjatë, urrej botën e qytetëruar që nuk ndërmerr diç, sa më urgjentisht dhe , bile, flisja edhe në popull, kundër botës dhe e quaja atë sikur Atë Gj. Fishta dikur Evropën!  Bota e pa dhe e kuptoi të vërtetën, por kjo është shumë vonë, tepër vonë!

Kështu, duke i sjellë nëpër kokë pandërpre të gjithat këto, më kalon kjo natë. Po, të koncentrohem në mendime, më pengonte edhe Viktori, i cili, tërë natën bisedonte çmos me Gjonin (Shtoshiqin) ndërsa unë bëhesha se kam fjetur! Ndërkaq, Adolfi, i shtrirë në dysheme, klith në gjumë: Oh, kuku nane, oh nana jeme...Vërtet, më dhimsej në shpirt i gjori! Kështu po kalojnë minutat e pasmesnatës, me të shtëna, të cilat ma prishin meditimin dhe më ndërprejnë të menduarit, si edhe pyetjet e pandërprera të Viktori, që ia bën Gjonit:  Sa është ora? Ai, diku rreth orës pesë, të datës 25 marsit, u ngrit si pa kokë dhe doli përjashta. Me të hetuar se nuk është aty, duke sharë, u ngrit edhe Adolfi e u nis pas tij me vrap!

Qëndrova ashtu i shtrirë e në kujtime deri rreth orës gjashtë, kur erdhën edhe motrat, të cilat, poashtu nuk i kishin mbyllur sytë. U zgjuam ngadalë, thuajse të gjithë. Shumica prej tyre vështronin përmes dritareve se çka ka ndodhur në fshat, mos po lëvizte kush. Lëvizjet e ushtarëve ishin më të rralla. Motrat i lutën gratë e fëmijtë të mos dilnin përjashta, pa parë si ishte gjendja. Kështu edhe ndodhi. Ngrënëm pak mëngjes dhe vazhduam të qëndronim aty. Për habi, don Lushi ende flinte edhe pse ora ishte tetë. Me siguri, mendoj, kjo nuk i ka ndodhur brenda 25 vjetëve të fundit! Të flejë ai kaq gjatë?! E pabesueshme! Me motrën Violetë biseduam se mos është rastësisht i sëmurë, mirëpo, faleminderës Zotit, gjithçka ishte në rregull! Motrës Violetë, me të cilën bisedoj lirshëm, si me motër, i thashë: Motër, unë shkova në dhomën time!

Golgota jonë!

Dola në oborr. Moti ishte i vranët, i tmerrshëm, i turbullt e si në shi! Shikoj me dhembje fshatin. Nuk vëreja gjë, përveçse ato që ishin bërë të përditshme:lëvizje automjetesh luftarake; zhurma. Mirëpo, ato ishin të një intensiteti më të vogël, sesa ditëve të mëparshme! Gjergji më ndihmoi e më ngriti në ballkonin e shtëpisë sonë, nga kisha  mundësi t’i shihja shumë mirë disa shtëpi në pjesën tjetër të Binçës, në Razore. Unë u ndala në ballkon dhe çka të shihja?! Shtëpia e dajës tim, Frokut, ishte shndërruar në kazamatë, apo poligon ushtarak. Ngjajshëm ishte edhe me shtëpinë e dajës tjetër, Nikollës, e dajës Shefk, shtëpi këto që, nga Kisha, shihen për mrekulli, sepse janë në breg dhe kemi diku 150 - 200 m vij ajrore largësi. Ushtarët, me tanke e automjete të tjera ushtarake, silleshin oborreve, ndërsa një mori ushtarësh, endeshin nëpër ballkonet e shtëpive ose nëpër oborre! Mua, i humbur e i lënduar në shpirt, pas këtyre pamjeve, me shkoi mendja të hyja brenda, sa nuk më kishin marrë në shenjë me ndonjë snajperkë, sepse disa ushtarë përcillnin e ishin të kthyer kah unë! Zemra me dhimbte kah i shihja shtëpitë e bashkëfshatarëve të mi të mbushura përplot me djaj. Mendova e thashë: O Zot, faleminderit, e mirë kanë bërë që janë larguar, sepse po të ishin aty, çka kishte me ndodh me ta e  me fëmijët, të cilët do të luanin mendsh duke i parë ato fytyra djallëzore! Deri sa po thithja një cigare e po vështroja ende,  në oborr doli edhe motra Violetë, e cila, as ditëve të mëparshme, nuk i kishte ndalur punët e veta të zakonshme: pastrimin, rregullimin e kopshtit dhe zbukurimin e Kishave, si në Binçë, ashtu edhe në Kabash! Unë, që  paraqitesha si trim,  ashtu edhe si jam për nga natyra, tash,  më duhet të pranoj se edhe më shumë zemër më jepte kjo motër e palodhshme, burrërore e trimëreshë, e cila me dukej se as që po e dinte se çka ishte frika. Më jepte zemër, vullnet e forcë kah e shihja duke punuar, sikur të ishin ditë të rëndomta e të qeta! Kuptohej se motra, don Lushi, m. Sidoni dhe unë, kishim frikë, por për besimtarët tanë. Mendoja në motrën Jellë, e cila, kohën e fundit dukej mjaft e lodhur dhe e rraskapitur, sidomos nga vdekja e m. Mirjana, një vit më parë, me të cilën kishin shërbyer në Binçë bashkë  mbi 30 vjet.  Hetohej se vdekja e motrës e mundonte shumë, se pikërisht këta njerëz që enden këtupari, kishin luftuar edhe në Bosnjë dhe atje, vite me parë, ia kishin masakruar dhëndrrin e motrën e saj me fëmijë dhe disa të afërm të tjerë! Kur i mendoja të gjitha, prapë thosha me vete: po ajo mirë është tuj u mbajtë dhe, përkundër të gjithave, nuk ndalet, duke iu ndihmuar edhe vetë serbëve lokalë (si të sëmurëve nga kanceri duke iu pastruar e shëruar plagët) dhe, mendoja shpesh: çfarë zemre të madhe e bujare ka kjo motër, kur ndihmon dhe do edhe armikun?!  Vërtet, sjellje ungjillore! Po të isha unë në vendin e saj, nuk di sesi kisha mundur t´i pranoja e t’i përballoja të gjitha ato. E tërë jeta i shkoi duke i shërbyer Zotit, popullit shqiptar e të tjerëve, larg familjes, larg më të dashurve të saj, larg vendlindjes dhe tash, këtu, edhe jetën në rrezik! Kjo është thirrja dhe dërgimi i shenjtë, përkushtimi, flijimi e shërbimi për Zotin, përmes të afërmit! Mendova se qëndrova mjaft dhe që të mos e provokoj kë hyra brenda në shtëpi.

Lajmet tregojnë caqet e sulmuara serbe. Informacionet serbe tregojnë vetëm atë çka ju konvenon atyre, duke përdorur fjalë marroqe, me atë humorin e tyre të zakonshëm, të zi, kundër shteteve, antarëve të forcave të NATO – s. Meqë më bënin nervoz,  vendosa të mos përcillja thuajse asgjë nga lajmet, mirëpo...

Dr. don Lush Gjergji, i brengosur për besimtarët, bisedonte pandërprerë me ata që e thërrisnin në telefon! Ai i trimëronte, i përkrahte, iu jepte zemër e i ngushëllonte me fjalët:  Zoti na ka në duar, mos kini frikë, sepse shpejt do të përfundojë e gjithë kjo!... Do të bëhet mirë! Unë, gjersa i dëgjoja këto fjalë, nuk mundja të kuptoja sesi fliste ai, sepse të gjithë ishim të vetëdijshëm dhe dihej se Serbia, tashmë, pasi hyri në luftë me krejt botën, do të shkojë deri në fund, pra deri në shkatërrimin total të saj, për të cilën gjë serbët e mjerë nuk janë të vetëdijshëm! Unë mendoj se këtë e di edhe don Lushi, mirëpo ashtu si fliste ai e kërkojnë rrethanat, koha dhe momenti!

Pas pak, motra Violetë edhe unë vendosëm të dalim nëpër fshat, andej lumit, në Razorë, që t´i shihnim pleqtë, apo, siç thotë don Lushi ”, purgatorët e mi ”(të tij). Frikë nuk kisha fare edhe pse në të dalë nga oborri i Kishës, në rrugë, hasim në ushtarë serbë , të cilët endeshin poshtë e lart. Ne ecnim të qetë e ngadalë, duke biseduar me motrën. Vendi i stacionimit të ushtarëve ishte pikërisht te ura, në qendër të fshatit. Ata kishin hyrë në një shtëpi të vjetër dykatëshe serbe, e boshatisur shumë vjet më parë dhe në oborrin e shtëpisë së dajës tim, Nue Gjergjit, të cilën e kishte blerë para pesëmbëdhjetë vitesh nga një serb, por në të cilën  kurrë nuk kishte guxuar të hynte apo të ndërtonte gjë nga serbët. Oborri ishte i mbushur me tanke e ushtarë. Edhe shtëpitë tjera, përgjatë rrugës, ishin mbushur përplot ushtarë! Ishin ato fytyra të degjeneruara, që na shikonin sikur të ishim ujqër! Motra as që e bënte mend se kishte ushtri dhe mbahej aq burrërore, sa dukej edhe në të ecur… Disa nga ata edhe përshëndesnin me kokë! I thashë motrës: Me siguri, disa nga këta të mjerë, i kanë mobilizuar e i kanë sjellë me dhunë këtu. Në Razorë, pothuajse nëpër çdo shtëpi, hymë nga pesë minuta. Motra, edhe me herët, vizitonte po ashtu familje, si në Razorë, Binçë, Kabash e Viti. Nuk kuptoj nga e merrte gjithë atë forcëi! Po ashtu, edhe don Lushi vraponte dhe arrinte çdokund.  Këto ditë ai vizitonte posaçërishte të sëmurët e, të tillë, në famulli, i kishim nja pesëmbëdhjetë vetë. Kujdesej shumë dhe fliste vetëm për ta. Kishte frikë mos po vdisnin, në ato rrethana, pa sakramende. Vraponte tek ata, sikur të ishte kohë paqeje e jo ferr. Sot, një oficer i kishte thënë: Mos lëviz shumë, prifto, për të mirën tënde! Ky, me butësi i ishte përgjegjur: Vetëm kryej detyrën time të shenjtë, nuk mundmos i vizitoj për çdo ditë të sëmurit e mi!

(Fragment nxjerrë nga libri; “Flijimi Ngadhënjyes” – Marjan Sebaj Sopi, fq. 43 – 56., Shoqata HEKAS „NIKË PRELA“ FERIZAJ 2006)



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora