Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Misteri i vrasjes së një legjende

| E diele, 29.03.2015, 06:46 PM |


Nëpër tisin e misterit të vrasjes së një legjende

Nga Albert Vataj

Sot 90 vite më parë vdiq Bajram Curri, një prej figura emblematike të historisë së ngritjes krye dhe qëndresës malësore. Ai tashmë kishte ngjitur kreshtën e legjendës për të mbetur përgjithmonë atje i harlisun në mistikën dhe madhështinë, në mëtimin dhe kumtin sëmbues të gjeneratave, ngasës i flakërimës zjarrmëtare të patriotizmit dhe vlerave më të epërme të krenarisë dhe mburrjes nacionale.

Gjithçka që rreket të dëshmojë ajo ditë e kobshme e 29 marsit të 90 viteve më parë, mbetet ende e mbështjellë me tisin e misterit. Ndërsa kanë kaluar kaq vite, ende e vërtëta e vrasjes së bujshme rri pezull mbi mitikën e atyre maleve të Dragobisë sot e asaj dite, si për të ngasur kureshtinë, e trazuar prej amshimit legjendën, Bajram Curri.

Një histori e denj për të kapërthyer kufijtë e mitit. Sot pas 90 vitesh, qëkur kjo piskamë e thekshmë bjeshkësh, ky trazim i makthshëm i një vdekjeje, mjegulla që i rrethvjen është ende e trashë, si vetë hukama e bjeshkëve në Dragobi. U vra apo u vetvra? Kush e vrau Bajram Currin? U tradhëtua dhe pse? Ishin shqiptar apo serbë ata që e ndoqën deri ku ai hoqi shpirt? Janë këto pikëpyetje që mbajnë të gozhduar të vërtetën e bujshme të kësaj ngjarjeje. Ngase është thënë, është dëshmuar dhe përfolur nëpër malësinë e Gjakovës, e pamundur mbetet të mos zbardhet e vërteta. Dikujt i ka interesuar dhe vazhdon t'i interesojë, që Kutia e Pandorës të mbetet e mbyllur përgjithnjë.

Gjithqysh, 90-vite duket se vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për të zbardhur të vërtetën, një të vërtetë ndryshe nga ajo me të cilën është ushqyer opinioni publik, janë faktuar faqet e historisë, e cila mund të jetë edhe vetë e vërteta e pamohueshme.