Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Riokupimi i Kosovës, më 1945

| E diele, 29.03.2015, 09:00 PM |


RIOKUPIMI I KOSOVËS, MË 1945

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945, dhe pas ngritjes së murit më makabër të ndarjes ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështja e Kosovës dhe e trevave tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbetej e pazgjidhur. Në Kuvendin e Prizrenit, mbajtur më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945 çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur . Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit, ato jo vetëm që nuk u respektuan , por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u likuiduan.

Kuvendi i Prizrenit, (8-10 korrik 1945)

Në Rezolutën e Kuvendit të Prizrenit (Mbledhja e dytë e “Këshillit Nacionalçlirimtar” të Kosovës, Prizren, korrik 1945), u shpall se Kosova  “ me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë Federale në kuadër të Federatës Jugosllave” . Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje  në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan . E tërë kjo që pasoi ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare.

Gjatë hulumtimeve që kam bërë për hartimin e kësaj teme vetvetiu mu imponua pyetja se kur  dhe kush mori vendim për aneksimin e Kosovës me zonat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, dhe copëtimi i saj midis Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Kuvendi i Prizrenit  nuk ishte as i pari e as i fundit i cili solli vendime që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga Kuvendi i Prizrenit pushtetarët jugosllav kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”

REZOLUTA E KUVENDIT POPULLOR TË KËSHILLIT NACIONALÇLIRIMTAR TË KOSOVËS DHE RRAFSHIT TË DUKAGJINIT

Prizren, 10 korrik 945

Kuvendi Popullor i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit konstaton faktin e gëzueshëm se rrethanat në Krahinë janë rregulluar dhe janë normalizuar deri në atë masë sa është bërë e mundshme që të zhvillohet puna e përshtatshme në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, ekonomike e kulturore. Ky fakt pasurohet edhe në ngritjen e të gjitha organeve të pushtetit popullor, në zgjedhjen e këshillave popullore të vendit, këshillave popullore të rrethit dhe të Kuvendit Popullor, si dhe në mbledhjen e këtij Kuvendi Popullor, në organizimin e gjykatave dhe të organeve të tjera të pushtetit civil që i kanë marrë përsipër të gjitha punët në Krahinë pas heqjes së Pushtetit Ushtarak. Popullsia e kësaj Krahine gëzon sot begatitë e veta të demokracisë së re jugosllave dhe të pushtetit me të vërtetë popullor i cili ka dalë nga lufta shumëvjeçare e të gjithë popujve të Jugosllavisë kundër okupatorit fashist. Meqenëse puna në përforcimin e mëtejshëm dhe në zhvillimin të organeve të tashme të pushtetit popullor dhe puna në lidhjen e tyre me masat e gjera popullore është kusht për mbrojtjen dhe përforcimin e mëtejshëm dhe në zhvillimin e mëtejshëm e fitoreve të Luftës Nacionalçlirimtare, meqenëse të gjitha këto janë ndihma jonë për Jugosllavinë Demokratike Federative, atëherë detyra e çdo qytetari është që t’i ndihmojë këshillit popullor dhe t’i kontrollojë në punën e tyre.

Fakti më i ndritshëm në jetën e sotme të kësaj Krahine është ndryshimi me themel që është bërë në marrëdhëniet midis popullsisë së kombësisë shqiptare dhe serbëve e malazezëve në saje të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe të politikës së saj për barazinë dhe vëllazërimin midis të gjithë popujve të Jugosllavisë. I është dhënë fund njëherë e përgjithmonë politikës së zhvillimit të përçarjes dhe të luftës së ndërsjellë të shqiptarëve dhe serbëve, të cilën, në dëm të njërit dhe të popullit tjetër, e kanë përkrahur dhe e kanë nxitur regjimet e mëparshme antipopullore, si në Perandorinë e dikurshme Turke, ashtu edhe në Jugosllavinë e vjetër, e gjithashtu edhe pushtetit i okupatorit gjatë viteve të fundit. Për këtë arsye, zhvillimi i mëtejshëm, thellimi dhe përforcimi i vëllazërimit dhe i bashkimit që tashmë është arritur, është detyrë e shenjët e çdo qytetari  të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit pa marrë parasysh përkatësin fetare e kombëtare- dhe parim prijës në punën e të gjitha organeve të pushtetit popullor te ne.

Popullsia shqiptare gëzon sot barazi të vërtetë dhe ka të gjitha mundësit që, në bashkëpunim me popullsinë serbe e malazeze dhe me ndihmën e Serbisë demokratike dhe të mbar Jugosllavisë Demokratike Federative, t’i angazhojë të gjitha forcat për zhvillimin e vet të plotë kulturor dhe përparimin ekonomik e shoqëror. Popullsia shqiptare e ka sot organizatën e vet politike kombëtare-Komitetin Shqiptar , i cili është pjesë përbërëse e Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar në Krahinë. Një prej fitoreve më të rëndësishme që gëzojnë sot shqiptarët në Jugosllavi është barazia e gjuhës shqipe në administratën shtetërore dhe shkollat në gjuhën mësimore shqipe. E vetëdijshme për këtë pozitë të barabartë, popullsia shqiptare ka dhënë me mija bijë të vet në Armatën e lavdishme jugosllave, kurse shumë shqiptarë që, të mashtruar nga reaksioni, kanë qenë në shërbim të okupatorit, janë çliruar nga ndikimi i dëmshëm i reaksionarëve dhe sot po bashkëpunojnë me gjithë zemër në ndërtimin e jetës së re të Krahinës sonë. Prandaj puna në rindërtimin e vendit, në ndërtimin dhe forcimin ekonomik, është vazhdim i pandashëm i luftës ]çlirimtare, kusht për krijimin e jetës më të mirë e më të lumtur dhe, për këtë arsye, i bënë të obliguar të gjithë qytetarët e Krahinës sonë që të marrin pjesë në të.

Për shkak të rrethanave të vështira, që kanë mbretëruar para një viti e gjysmë në Krahinë, popullsia e kësaj Krahine nuk ka pasur mundësi që të përfaqësohet në seancën e Dytë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë në Jajce në nëntor të vitit 943. Për këtë arsye, populli i kësaj Krahine, me anë të Kuvendit të vet Popullor, të zgjedhur lirisht, vetëm tash mund ta shprehë në mënyrë të lirë pajtimin e vet të plot me vendimet historike të KAÇKAJ, me të cilat i është vënë themeli i fortë Jugosllavisë së re Demokratike Federative dhe lirisë e barazisë së popujve dhe pakicave kombëtare të saj.

Kuvendi Popullor Krahinor i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit deklaron unanimisht se popullsia e kësaj Krahine , si edhe të gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk e ka pranuar copëtimin e Krahinës së vet, që kanë bërë okupatorët, as copëtimin e Jugosllavisë, dhe shfaq dëshirën e tërë popullsisë së Krahinës që kjo t’i bashkohet Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj. Populli i kësaj Krahine është i bindur se në qeverinë popullore të Serbisë do të gjejë mbrojtje të plotë dhe se nga pushteti popullor i mbarë Jugosllavisë do të jetë i ndihmuar me gjithë zemër në ngritjen e vet politike, kombëtare, ekonomike e kulturore, kurse përfaqësuesit e kësaj Krahine  në Kuvendin Popullor të Serbisë dhe në KAÇKJ do të kontribuojnë me të gjitha forcat e veta për ndërtimin e Serbisë demokratike dhe të Jugosllavisë Demokratike Federative .

Ky është dokumenti me të cilën “vërteton” se Kosova dhe populli i saj “me dashjen e tyre” u futën në kuadrin e Serbisë Demokratike.

Në të vërtet, me 9-12 nëntor 1944 në Beograd, në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, para se sa Tito të priste një grup shqiptarësh nga Kosova që vinin për tu interesuar për fatin e saj  jetik  u bë fjalë për Kosovën. Thënë më drejt, për Kosovën ishte bërë fjalë edhe me 2 shtator të vitit 1944, kur Shtabi Kryesor i UNÇ dhe AP të Kosovës, me urdhrin e Shtabit Suprem të UNÇ dhe APJ u vu nën komandën e Shtabit Kryesor të UNÇ dhe AP të Serbisë. Prej kësaj kohe, Shtabi Kryesor i UNÇ të Kosovës u bë Shtab Operativ i UNÇ dhe AP të Kosovës.

Në shkurt të vitit 1945, në KQ të PKJ-së u organizua një mbledhje, ku veç debateve tjera u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte se “Kosova e Metohija  t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria  të hyjë në federatën jugosllave”, por, meqenëse  rrethanat ndërkombëtare nuk janë të favorshme  për një hap të tillë- për bashkimin  e Kosovës me Shqipërinë  dhe hyrjen e Shqipërisë në federatën jugosllave,  Kosova dhe Metohija si autonomi  duhet ti bashkohen Serbisë , por kishte edhe aso propozime që Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një histori të ngjashme dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.

Në dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt me 7-9 prill të vitit 1945 në Beograd, nga Kosova merrnin pjesë si mysafirë Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë  diskutuan  dhe sipas dokumentit thuhej se shprehën dëshirën në emër të popullit të Kosovës që “Kosova të jetë nën Serbinë federale” . dhe nga këto diskutime që u bënë në Beograd mund të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të diskutimeve që u bënë nga dy mysafir, e dihej mirë në bazë të dokumenteve historike se Kosova dhe populli i saj asnjëherë nuk diskutoi, u pyet dhe votoi që ajo të ngeli në kuadrin e Serbisë federale.

Andaj, për të dal vendimet e ligjshme u thirr Kuvendi i Dytë i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Mbledhja e Kuvendit u mbajt me 8-10 korrik 1945, dhe i tërë ky tubim kaloi me presione  nga më të ndryshmet ngase aty merrnin pjesë shumë atdhetarë e patriotë të shquar të cilët as me çmimin e jetës nuk pranonin që tokat shqiptare të ngelnin nën ish- Jugosllavi.

Ata që e kundërshtuan një hap të tillë, më vonë u njekën, u burgosën pa arsyetim, e disa edhe u likuiduan tinëzisht nga organet e OZN-ës. Të tillët ishin shumë, por po përmendim vetëm disa nga ata që i përkisnin anës së Gjilanit si : Ramiz Cërrnica, Adem Stanqiqi, Hasan Dylgjeri e ndonjë tjetër. Por, me këtë rast do të ndalesha vetëm tek reagimi i patriotit të shquar të Anamoravës, Ramiz Cërrnicën  i cili në kuvend doli haptas kundër qëndrimeve gllabëruese të Serbisë duke thënë se “Ne jemi shqiptar, kemi një gjuhë e një gjak me shqiptarët e Shqipërisë... Ku keni parë ju në historinë e njerëzimit që fëmija t’ia kthej shpinën nënës e ta përqafojë njerkën? Kjo s’është as e logjikshme  e as e pranueshme për ne shqiptarët , por pas këtij diskutimi, në sallë pasoi një tollovi e paparë. Disa nga udhëheqësit kërkuan që ti ndërpritet fjala, disa kërkuan që të nxirret jashtë dhe dolën shumë propozime të tjera. Por, kalvari i Ramiz Cërrnicës nuk përfundoi me kaq, ai më vonë u ndjek dhe u arrestua nga organet e OZN-es, ku u dënua me 20 vjet burg të rëndë. Edhe pas daljes nga burgu, atë nuk e lanë të qet njëherë  edhe anëtarët e tjerë që morën pjesë në kuvend dhe nuk u pajtuan me vendimet që u morën në te, u përcollën nga udbashët dhe disa nga ta kaluan vite të tëra nëpër burgjet jugosllave.

Aneksimi i Kosovës nga Serbia do të shohim më vonë se, ishte vetëm maja e Ajsbergut të padrejtësive që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Sepse çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësia që i bëhej popullit shqiptar në ish-Jugosllavi e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërrmuese në tri republika jugosllave: në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi . Kosova, jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën jo vetëm trevat e banuara   kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.

Në të vërtet, me 9-12 nëntor 1944 në Beograd, në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, para se sa Tito të priste një grup shqiptarësh nga Kosova që vinin për tu interesuar për fatin e saj  jetik  u bë fjalë për Kosovën. Thënë më drejt, për Kosovën ishte bërë fjalë edhe me 2 shtator të vitit 1944, kur Shtabi Kryesor i UNÇ dhe AP të Kosovës, me urdhrin e Shtabit Suprem të UNÇ dhe APJ u vu nën komandën e Shtabit Kryesor të UNÇ dhe AP të Serbisë. Prej kësaj kohe, Shtabi Kryesor i UNÇ të Kosovës u bë Shtab Operativ i UNÇ dhe AP të Kosovës.

Në shkurt të vitit 1945, në KQ të PKJ-së u organizua një mbledhje, ku veç debateve tjera u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte se “Kosova e Metohija  t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria  të hyjë në federatën jugosllave”, por, meqenëse  rrethanat ndërkombëtare nuk janë të favorshme  për një hap të tillë- për bashkimin  e Kosovës me Shqipërinë  dhe hyrjen e Shqipërisë në federatën jugosllave,  Kosova dhe Metohija si autonomi  duhet ti bashkohen Serbisë . Kishte edhe aso propozime që Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një “histori të ngjashme” dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.

Në dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt me 7-9 prill të vitit 1945 në Beograd, nga Kosova merrnin pjesë si mysafirë Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë  diskutuan  dhe sipas dokumentit thuhej se shprehën “dëshirën” në emër të popullit të Kosovës që “Kosova të jetë nën Serbinë federale” . Në diskutimin e Dushan Mugoshës në mes tjerash veçojmë këtë kur ai në emër të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit “përcjellë përshëndetjet  dhe dëshirat se popujt e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, t’i bashkohemi Serbisë federale vëllazërore”. Duke shprehur këtë “vullnet”  të Këshillit Krahinor  “Nacionalçlirimtar”, shpreh “dëshirën e popullit shqiptar”, të popullit serb e malazias .

Po në këtë frymë diskutoi edhe mysafiri tjetër nga Kosova, Mehmet Hoxha, i cili me diskutimin e tij vërtetoi fjalët e të mëparshmit  duke thënë se “Dëshira, të cilën e shprehu shoku Mugosha, që Kosova e Rrafshi i Dukagjinit  t’i bashkohen  Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit”, por “e forcon dhe i jep siguri” se do të ketë po ato të drejta  që i kanë edhe popujt e tjerë të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit . Nga këto diskutime që u bënë në Beograd mund të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të diskutimeve që u bënë nga dy mysafir, e dihej mirë në bazë të dokumenteve historike se Kosova dhe populli i saj asnjëherë nuk diskutoi, nuk u pyet dhe nuk votoi që ajo të ngeli në kuadrin e Serbisë federale.

Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për të marrë “pëlqimin, e popullit në një Kuvend” sado formal që të jetë, meqë para opinionit të gjerë donte që ta justifikojë tradhtinë e menduar  me aq perfiditet.

Andaj, për të dal “vendimet e ligjshme” u thirr Kuvendi i Dytë i Këshillit Krahinor “Nacionalçlirimtar” i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Mbledhja e Kuvendit u mbajt me 8-10 korrik 1945, dhe i tërë ky tubim kaloi me presione  nga më të ndryshmet ngase aty merrnin pjesë shumë atdhetarë e patriotë të shquar të cilët as me çmimin e jetës nuk pranonin që tokat shqiptare të ngelnin nën ish- Jugosllavi.

Ata që e kundërshtuan një hap të tillë, më vonë u njekën, u burgosën pa arsyetim, e disa edhe u likuiduan tinëzisht nga organet e OZN-ës. Të tillët ishin shumë, por po përmendim vetëm rastin e patriotit të shquar të Anamoravës, Ramiz Cërrnicën  i cili në kuvend doli haptas kundër qëndrimeve gllabëruese të Serbisë duke thënë se “Ne jemi shqiptar, kemi një gjuhë e një gjak me shqiptarët e Shqipërisë... Ku keni parë ju në historinë e njerëzimit që fëmija t’ia kthej shpinën nënës e ta përqafojë njerkën? Kjo s’është as e logjikshme  e as e pranueshme për ne shqiptarët , por pas këtij diskutimi, në sallë pasoi një tollovi e paparë. Disa nga udhëheqësit kërkuan që ti ndërpritet fjala, disa kërkuan që të nxirret jashtë dhe dolën shumë propozime të tjera. Por, kalvari i Ramiz Cërrnicës nuk përfundoi me kaq, ai më vonë u ndjek dhe u arrestua nga organet e OZN-es, ku u dënua me 20 vjet burg të rëndë. Edhe pas daljes nga burgu, atë nuk e lanë të qet njëherit  edhe anëtarët e tjerë që morën pjesë në kuvend dhe nuk u pajtuan me vendimet që u morën në te, u përcollën nga udbashët dhe disa nga ta kaluan vite të tëra nëpër burgjet jugosllave.

Aneksimi i Kosovës nga Serbia do të shohim më vonë se, ishte vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Sepse çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësia që i bëhej popullit shqiptar në ish-Jugosllavi e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërmuese në tri republika jugosllave: në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi . Kosova, jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën jo vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Veri-Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.

Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas mbarimit të luftës, të gjitha problemet, që lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ato u shtruan dhe u tentuan të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së Titos. Gjatë luftës, udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej nga vetë popujt që jetonin atje, me mirëkuptim, nga partitë e regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri e në Jugosllavi, pas fitores mbi fashizmin .

Gjatë luftës vazhdimisht ishte folur e shkruar se pas saj ( luftës), do të respektohet Deklarata e Moskës, u miratua në tetor 1943 , e cila kërkonte të “zbatohej bashkëpunimi më i ngushtë në udhëheqjen e luftës dhe në të gjitha çështjet, të cilat kanë të bëjnë me kapitullimin  dhe çarmatimin  e shteteve armike.

Karta e Atlantikut,  e cila ishte nënshkrua  ndërmjet V. Çerçilit dhe F. D. Ruzveltit. Në këtë dokument të rëndësishëm në mes tjerash thuhet “kthimi i të drejtave sovrane  dhe të vetëadministrimit atyre popujve , të cilëve u janë marrë ato dhe respektimi i të drejtave të të gjithë popujve ,  që të zgjedhin  formën e vet të qeverisjes ( 14 gusht 1941)

Deklarata e Teheranit, e cila ishte miratua më 1 tetor 1943, u nënshkrua ndërmjet  Ruzveltit, Çerçilit dhe Stalinit. Kjo deklaratë garantonte se të gjithë popujve  aleatë në Luftën Antifashiste t’u njihet e drejta për të rregulluar marrëdhëniet e veta “sipas aspiratave  të tyre të ndryshme dhe sipas ndërgjegjes së tyre vetanake”

Letra e Titos u botua në dhjetor të vitit 1942, në gazetën “Proleter”, me titull “Çështja kombëtare në Jugosllavi në dritën e Luftës Nacionalçlirimtare”. Në mes tjerash në lidhje me çështjen e shqiptarëve thuhej se  “Çështja e Maqedonisë, çështja e Kosovës e Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e Kroacisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnës e Hercegovinës do të zgjidhet lehtë ashtu siç dëshirojnë të gjithë, sepse do ta zgjidhë populli, kurse këtë  të drejtë e fiton çdo popull, me pushkë në dorë, në këtë luftën e sotme Nacionalçlirimtare”

Rezoluta e Bujanit, u miratua me 31 dhjetor 1943 dhe me 1 e 2 janar 1944, në fshatin  Bunjaj të Malësisë së Gjakovës, në Mbledhjen Themeluese të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës  e Dukagjinit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë 49 delegatë ( 43 shqiptarë, 6 serbë e malazezë). Përveç Rezolutës që është një dokument me një rëndësi të madhe historike, u soll edhe Proklamata e Kryesisë së KNÇ-së së Kosovës, në të cilën thuhet: “Liria e juaj, qëndron në luftën tuaj, sepse vetëm lufta e armatosur, e përbashkët kundër okupuesit dhe ndihmësve të tij është rruga me të cilën sigurohet liria dhe e drejta për vetëvendosje dhe shkëputje”. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe udhëheqsia e re prej 9 vetave ( 7 shqiptarë, 2 serbë e malazezë).

Në ish-Jugosllavi në fund të luftës, deklarohej se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të saj, këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse territoret shqiptare përbënin një tërsi territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja  gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale . Të gjitha këto, ndikuan që te populli shqiptarë të rritet pakënaqësia. Këtë më vonë e pranuan edhe vet udhëheqësit jugosllav.

Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin më dinak sllavo-komunist, dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe për kundër sakrificave të mëdha që bënë në luftën antifashiste, nuk përfituan nga rasti në përmbushjen  e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata, pas legalizimit  të ri-okupimit  në Kuvendin e Prizrenit, u detyruan të ndiqnin një politikë më ndryshe dhe më të pranuar në kohë e hapësirë. Se, lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk do të pushoi, natyrisht me forma të reja, të imponuar nga situatat e krijuara.

Ato forca nacionaliste dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Shi për këtë, ishte e natyrshme  që të bëhej një organizim i atillë, sepse ku ka okupim dhe robëri, lind edhe rezistenca e qëndresa e popullit.

Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë. Në Drenicë dhe në shumë vende të tjera të Kosovës bëhej gjenocid i vërtet. Edhe pse ishte e pushtuar Kosova, ajo edhe më tej trajtohej si zonë e rrezikshme dhe e pasigurt për shkak se banohej me një popullsi shumicë jo sllave, e shtypur dhe e diskriminuar . Andaj edhe ekzistonte frika tek okupuesi.

Me këtë gjendje të imponuar, ku “liria” dhe “barazia” e popullit shqiptar ishin shndërruar në robëri nga një pakicë kombëtare –serbët dhe malazezet, kuptohet se populli liridashës nuk ishte i kënaqur. Meqë popullata shqiptare që jetonte përgjatë kufirit me shtetin amë, edhe zyrtarisht ishin shpallur si element i pabesueshëm , për këtë arsye edhe ndiqeshin, burgoseshin, torturoheshin, detyroheshin të shpërnguleshin, madje edhe vriteshin dhe askush nuk merrej në përgjegjësi. Fundja, të gjitha  masakrat, që ua bënë shqiptarëve, ishin të legalizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Naçertania “ e Garashaninit, elaboratet e I. Andriqit, I . Vukotiqit, elaboratet I,II të Vasa Çubrilloviqit, të cilat vazhduan  të zbatohen me përpikëri si dhe projekte të tjera të mëvonshme.

Duke e parë tradhtinë e madhe  që ndodhi me 8-10 korrik  1945, forcat nacionaliste shqiptare u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin  e forcave demokratike në vendet perëndimore. Ilegalja shqiptare duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre.

Viti 1945, vlen të cekët se tek populli shqiptarë do të kujtohet si viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës, sepse do të pushkatohen disa dhjetëra mijëra veta, shumë të tjerë do të zhdukën pa gjurmë, mbi 30 mijë do të futën në burgje dhe do të vendosën në kampe, qindra mijëra të tjerë do të marinë botën në sy ( si në Turqi, Greqi e vende të tjera), e shumë të tjerë do të vriten jashtë Kosovës  . Të gjitha këto do të bëhen nën maskën e njëfarë “Vëllazërim-bashkimit” iluzor.

Administrimi ushtarak në Kosovë

Ndërsa Pushteti i Administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në kohën  kur organet më të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së, vendosën  që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij. Qëllimet e këtij pushteti ishin :

1. Administrimi ushtarak synonte  t’u mohonte  shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,

2. T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë së pasluftës.

3. Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet  shpërthimin  e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore,

4. Të thyente rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të ndryshme të Kosovës .

5. Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare, që do ti vije në ndihmë Kosovës, dhe

6. Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.

Administrimi ushtarak në Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos  dhe e tërë kjo u konceptua edhe si riorganizim i formacioneve  ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua  me formimin e brigadave dhe të divizioneve të reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në Kosovë, që u organizua në disa pjesë të saj. Gjatë ekzistencës së pushtetit ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin  e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në radhët e “brigadave të punës” . Rruga që përshkuan këta të rinj ishte shumë e vështirë, për arsye të presioneve të shtabeve jugosllave.

Ndryshime të shumta u bënë në organizimin e reparteve ushtarake, në kuadrin komandues të këtyre reparteve dhe të seksioneve të shtabit të qarkut. Për drejtimin e tyre u caktuan kuadro serbe e malazeze, të cilët në shumë raste u thirrën nga rajonet e tjera të Jugosllavisë. Nga detyra u shkarkua Fadil Hoxha, i cili në këtë kohë ishte komandant i Shtabit Kryesor, e më pas i Shtabit Operativ të Kosovës. Shef i Shtabit Operativ për Kosovë u emërua Dushan Vukotiqi, i cili deri në atë kohë kishte qenë zëvendës komandant i Divizionit të 46- të jugosllav. Shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq,  i cili u dërgua nga Shtabi Kryesor i Serbisë.

Mu nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe qëllimi i administrimit ushtarak.

Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet  ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit Suprem . Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë, populli filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.

Ndërsa me 19 shkurt 1945 (11 ditë pasi u vendos administrimi ushtarak), në Prishtinë, OZNA dhe ushtarakët thirrën mbledhjen e Komitetit Krahinor të PKJ- së dhe morën vendim që organizata partiake e Kosovës t’i bashkëngjitej organizatës partiake të Serbisë . Për të gjitha këto ndërmarrje populli e as anëtarësia nuk pyetej fare. Por, edhe sikur të pyeteshin, përfaqësimi i shqiptarëve në radhët e PKJ-së ishte shumë i vogël. Nga kjo del se pas luftës aspiratat kombëtare të popullit shqiptar në ish—Jugosllavi nuk u morën parasysh, por u   shtypen me dhunë e terror. Udhëheqja e PKJ-së dhe politika serbe i shfrytëzuan si marrëdhëniet që u krijuan ndërmjet PKJ-së dhe PKSh-së ashtu dhe parullat për  “vëllazërimin, bashkëpunimin e internacionalizmin”, për realizimin e qëllimeve të veta grabitqare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar  që u manifestua edhe më vonë.

Po qe se shqyrtojmë hollësisht dokumentet ushtarake (LANÇ) dhe partiake (PKJ), nxjerrim përfundime, se Kosova si njësi autonome nuk lindi pas vitit 1945, por autonomitetin e saj e gjejmë shumë  më herët. Ajo gjatë gjithë viteve të luftës pati të drejta të barabarta, si edhe republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, ç’është e vërteta, populli shqiptar asnjëherë nuk e shikoi me “admirim” pushtetin e ri, që kishte gdhirë mbi Kosovën pa dashjen e saj. Edhe në dokumentet partiake të kohës thuhet se shqiptarët me vështirësi pranonin të anëtarësoheshin në radhët e PKJ-së. Ta zëmë se vetëm në mars të vitit 1945, në Kosovë kishte 1020 anëtarë të PKJ-së, prej tyre vetëm 328 ishin shqiptarë, ose 33% nga numri i përgjithshëm . Përbërja kombëtare ndryshonte  edhe në komitetet partiake të rretheve. Pas lufte, organizata partiake në Kosovë u nda në shtatë komitete partiake të rretheve. Vetëm në komitetin e rrethit partiak të Gjakovës, sekretar i organizatës ishte shqiptar ( Xhevdet Hamza). I cekëm sekretarët e komiteteve  vetëm e vetëm që ilustrimi i padrejtësive  në përfaqësimin e strukturës kombëtare të jetë më argumentues.

Diskriminimi kombëtar vërehet edhe në udhëheqësin më të lartë partiake të Kosovës. Sekretar politik i Byrosë së Komitetit të Partisë për Qarkun e Kosovës ishte Milladin Popoviqi, sekretar organizativ ishte Dushan Mugosha, ndërsa anëtar të saj ishin :Pavle Joviqeviq, Spasoje Gjakoviq, Ismet Shaqiri, Fadil Hoxha, Boshko Çakiq, Xhavit Nimani, Kërsta Filipoviq dhe Mita Milkoviq. Po kjo gjendje e organizimit partiak për nga struktura kombëtare u ruajt edhe pas vrasjes së Milladin Popoviqit     ( 13 mars 1945), e cila zgjati deri më vitin 1968, kur  për herë të parë u zgjodh një shqiptar- Veli Deva. Mund të themi lirshëm se e tërë kjo ishte bërë me paramendim, ngase organet partiake luanin një rol shumë të madh për vendosjen e fateve të kombeve në ish-Jugosllavi.

Dhe do të shtoja se, asnjë komb në ish- Jugosllavi nuk ishte i ndarë në dysh dhe i copëtuar si shqiptarët, ku gjysma e tij quhej komb dhe gjysma tjetër kombësi. Asnjë komb në ish-Jugosllavi nuk ishte më i ekspozuar ndaj dhunës, dhe, nuk e ka përballuar atë, ashtu sikur se e përjetoi populli shqiptar, dhe, asnjë kombi, nuk i është rrezikuar ekzistenca e substancës kombëtare, sikur e shqiptarëve.

Më 8-13 maj 1945, në Beograd u mbajt Kongresi Themelues i PK të Serbisë. Në të, përveç konstatimit se “është zgjidhur çështja e pakicave kombëtare”, që e zuri në gojë sekretari politik i Komitetit Krahinor të PKS-së për Kosovë- Gjoka Pajkoviqi. Ai në mes tjerash kishte cekur edhe dobësitë dhe gabimet e shumta  që u bënë ndaj popullit të Kosovës.

Po në këtë tubim, për të njëjtat gabime foli edhe Aleksandër Rankoviqi,  njeriu më i dëshmuar për krimet që kishte bërë ndaj shqiptarëve . Këto dy dëshmi dolën mu nga ata, që nuk kursyen asgjë për likuidimin e shqiptarëve. Shtrohet pyetja athua pse e bënë këtë?! Për të lehtësuar ndërgjegjen e tyre, apo për të fshehur masakrat e tjera, që u bënë në mënyrën më tinëzare, në natën e historisë. Mendoj, se, kjo e dyta është shumë më afër mendjes, e në favor të saj flasin shumë likuidime dhe shumë varre masive  të shqiptarëve, si në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e për të cilat askush nga kompetentët nuk mori përgjegjësinë.

Planet për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare ishin, që ato të serbizohen dhe të sllavizohen, prandaj me nguti, menjëherë pas “çlirimit” në vende kyçe  udhëheqëse në Kosovë, u caktuan  serbët e malazezët si në gjyqe e vende të tjera . U hoq Gjyqi Krahinor dhe me kërkesën e drejtpërdrejt të Dushan Mugoshës, u krijuan katër gjykata qarqesh: në Pejë, në Prizren, në Prishtinë dhe në Gjilan ( me qendër në Ferizaj), ku të katër kryetarët e gjykatave  ishin serbomalazezë: Petar Shoshkiq, Dragutin Jakiq, Voja Stankoviq dhe Svetozar Nediq  . Serbët e malazezët  dominonin edhe në Këshillin Krahinor, në Komitetin Krahinor dhe në çdo vend tjetër me rëndësi politike.

Kosova e dërrmuar nga pushteti ushtarak, me 8-10 korrik 1945 do të arrij në Konferencën e Dytë të Këshillit NÇ për Kosovë që u mbajt në Prizren. Siç është tani veç e ditur, kjo konferencë u mbajt nën presion dhe nën kërcënimet e grykës së pushkëve. Pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin serbët e malazezët, por për të krijuar huti te delegatët shqiptarë ata  kishin vënë plisa  të bardhë në koka.

Në mënyrë arbitrare, ky kuvend, shpalli të paligjshme dhe korrigjoi vullnetin dhe aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, të shprehura në Konferencën e Parë të Këshillit NÇ për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, të mbajtur në fshatin Bunjaj të Malësisë së Gjakovës ( 31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944). Konferenca u mbajt në  kohë lufte dhe pikërisht në atë kohë kur edhe kombet e tjera të Jugosllavisë themeluan organet më të larta të pushtetit të dala nga LANÇ-i, në kohën kur çdo komb po realizonte sipas dëshirës e vullnetit të tij të drejtën për vetëvendosje, por për shqiptarët sipas të gjitha gjasave nuk vlenin këto parime.

Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar, mbledhja e Bunjanit ( 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944), përcaktoi si synim madhor bashkimin e tokave shqiptare. Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem, edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saja. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes  së popullit shqiptarë për luftën e sakrificën që bënë. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim, ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullatën shqiptare.

Të tëra këto padrejtësi me arsye  krijuan tek shqiptarët pakënaqësi. Shi për këtë, një organizim më i shpejt dhe më i mirë pritej nga patriotët e intelektualët. Në këtë periudhë dhe nën këtë trysni të vazhdueshme  lindën dhe vepruan forcat nacionaliste që në mënyrë të organizuar, nëpër mes të organizatave ilegale artikuluan qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë.

Edhe pse pushteti jugosllav i dinte qëllimet e nacionalizmës shqiptare, ajo propagandonte  se, këto organizata ishin armiqësore, nacionaliste, separatiste, dhe që vepronin pa sukses, të nxitura nga shtetet perëndimore.

Në këto momente kritike të historisë, nacionalizma shqiptare ende zotëronte një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta  po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën.

Bërthamën e forcave nacionaliste për formimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare e gjejmë diku në nëntor 1944. Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës më 1 dhjetor 1944 , lindi ideja që në çdo pjesë të Kosovës, aty ku jetojnë shqiptarët të formohen organizatat ilegale si dhe grupet më të vogla të ilegales shqiptare. Në vazhdën e këtij aktiviteti të lëvizjeve atdhetare, u formuan shumë organizata patriotike shqiptare, me një distancë kohore të caktuar, e, që manifestoheshin  sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste  siç ishin : Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH), Besa Kombëtare (BK), Organizata nr.2  dhe Këshilli i të Dymbëdhjetëve  e disa të tjera më pak të njohura.

Në këto grupime  nacionaliste përfaqësoheshin gjerësisht inteligjencia e re  shqiptare e cila aspironte për një Shqipëri të bashkuar dhe demokratike.

Nga ana tjetër, është e domosdoshme të nënvizohet se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial nga nacionalizmat e tjerë ballkanik. Ai në veprimtarinë e vet nuk ishte ekstrem, nuk kishte parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohej në fundamentalizëm fetar dhe në ekskluzivizmin etnik  .

Formimi i Komitetit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës, 27-28 mars 1945

Pas çlirimit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, me të madhe u ndje nevoja për përvetësimin e masave të gjera popullore në përgjithësi e në veçanti shprehej interesimi për popullatën shqiptare. Organet e pushtetit jugosllav si dhe vetë Komiteti Qendror i PKJ-së ishin të interesuar që në mënyrën më të qetë dhe të mundshme të kryenin qëllimet uzurpatore ndaj Kosovës dhe pa zhurmë të realizonin planet e mëhershme për aneksimin e Kosovës. Situata politike dhe ushtarake përcillej me vëmendje të posaçme në Shqipëri por në veçanti përcilleshin lëvizjet dhe qëndrimet e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë. Udhëheqësit jugosllav ishin të njoftuar për formimin e Komitetit Nacional-Demokratik Shqiptar. Ata e ndjenin rrezikun dhe ishin të informuar për përkrahjen që po i epte popullata shqiptare në Kosovë duke i mbrojtur dhe duke iu bashkangjitur me të madhe organizatës. Duke e parë këtë rrezik, Komiteti Qendror i PKJ-së, propozon që në Kosovë të formohet një organizatë politike masive e shqiptarëve që do të veprojë në bazë të Platformës të Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar të Kosovës-Metohisë.

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, përkatësisht Byroja e tij në Beograd  miratoi vendimin që të formohej Komiteti Nacional i Shqiptarëve të Kosovës dhe të Metohisë. Urdhri vinte nga lart që kjo organizatë mundësisht të formohej sa më shpejt  dhe në këtë mënyrë do të krijohej mundësia për përfshirjen  e shqiptarëve  dhe mobilizimin e tyre për zbatimin e Platformës së Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë. Njoftimin për qëndrimin e formimit të Komitetit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit e kishte marr përsipër që t’ia bënte  Milladin Popoviqit dhe Fadil Hoxhës, Millovan Gjillasi dhe Aleksander Rankoviqi. Lidhur me formimin e KNSHKD, u luajt edhe një lojë me plotë hile, ngase tek popullata shqiptare e Kosovës u krijua një huti e paparë. Për njerëzit e painformuar mirë u krijua bindja se Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar ishte po i njëjti ky komitet që vepronte nën patronatin e PKJ-së. Andaj nuk është për tu habitur pse anëtarësimi i shqiptarëve ishte tejet i madh. Menjëherë pas këtij qëndrimi në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit filluan përgatitjet . Mbaheshin tubimet e shqiptarëve nëpër rrethe dhe qendra të mëdha në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët. Në mbledhjet me masa, bëhej informimi i situatës politike dhe  zgjidheshin delegatet për tubimin kryesor të Komitetit Nacional të Shqiptarëve. Kërkesë e pushtetarëve ishte që të gjithë delegatet që propozoheshin për këtë Konferencë  Themeluese duhet të ishin shqiptarët me orientim komunist dhe të ishin të orientuar kah LNÇ-ja

Konferenca Themeluese e Komitetit Nacional të Shqiptarëve u mbajt me 27 e 28 mars të vitit 1945 në Prishtinë. Në të morën pjesë mbi 400 delegat nga të gjitha viset e Kosovës e të Dukagjinit. Në të merrnin pjesë përfaqësuesit nga Shtabi Operativë të UNÇJ dhe AP për Kosovë e Metohi, Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar  për Kosovë e Metohi. Në konferencë u lexuan shumë referate politike nga udhëheqësit e ushtrisë dhe të PKJ-së . Po ashtu në të u caktuan edhe detyrat e KNSH-së, të cilat ishin: Të ndihmohej populli shqiptar për shfrytëzimin e fryteve të LNÇ-së; për afirmimin kombëtar, për çlirimin social, për ngritjen politike, kulturore, arsimore, të mësonte për historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, të ndihmonte organet e pushtetit popullor në zgjedhjen e të gjitha problemeve në frymën e interesave dhe kërkesave të popullit. Bukur dukej në letër dhe shumë joshëse ishin premtimet e pushtetarëve po të kishin qenë të sinqerta.  Faktet dëshmojnë çart, që në atë kohë, në kushtet e pushtetit ushtarak në Kosovë e në vise të tjera të shqiptare, Komiteti Nacional Shqiptar ishte sajua për efekte mashtruese në plan të brendshëm e atë ndërkombëtar. Përmes një manovre të tillë të organizmave të tilla synohej të arriheshin disa qëllime:

1. Të hutoheshin dhe në një mënyrë të qetësoheshin masat shqiptare të pakënaqura me zhvillimet politike në Kosovë që për çdo moment pritej eskalimi i tyre në front të hapur luftarak.

2. Forcat e armatosura shqiptare të cilat ishin duke luftuar në brendësi të Jugosllavisë, të mendonin se në Kosovë ishte çdo gjë në rregull dhe shqiptaret që në fillim kishin organizatën e tyre legale që përfshinte të gjithë shqiptarët dhe nëpër mes saj mbronin qëllimet e tyre kombëtare.

3.  Tensionet që mbretëronin në pjesën veriore të Shqipërisë si në Shkodër, Tropojë, Kukës, Peshkopi e Pogradec, rrethe të cilat përfshiheshin në të ashtuquajturën “vija strategjike” e përparuar e ish- Jugosllavisë, prej nga, si dhe më parë synohej për dominim në brigjet shqiptare të Adriatikut.

4. Që ishte edhe pika më e rëndësishme se nëpër mes të formimit të KNSH, të krijohej në opinionin ndërkombëtar e në Fuqitë e Mëdha aleate bindja  se Jugosllavia përbën “modelin e zgjidhjes demokratike” të çështjes kombëtare në përputhje me aktet ndërkombëtare të miratuara gjatë kohës së luftës e në vazhdim .

Konferenca e cila kishte zgjatur dy ditë, në fund kishte zgjedhur Plenumin e KNSH-së prej 100 vetash dhe Sekretariatin prej 10 vetave, në të cilën u zgjodhën: Fadil Hoxha- kryetar, Rifat Berisha- nënkryetar i parë, Hasan Kryeziu- nënkryetar i dytë, Xhavit Nimani- sekretar dhe anëtarët: Mehmet Hoxha, Kolë Shiroka, Rexhep Butovci, Mumin Jakupi, Nexhip Beqa dhe Pajazit Hamiti. Po ashtu konferenca zgjodhi edhe një delegacion që do të shkoi në Beograd dhe të takohej me Josip Broz Titon, për t’ia paraqitur të gjitha kërkesat dhe të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohej populli shqiptar  në fund të luftës.

Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovë e Metohi me qëllim që të kishte ndikim edhe tek rinia shqiptare, mori vendim që në kuadër të KNSH, të formohej edhe organizata e Rinisë Shqiptare për Kosovë e Metohi. Konferenca Themeluese u mbajt me 30 prill të vitit 1945. Në Konferencën Themeluese të Rinisë Shqiptare, u përcaktua edhe struktura organizative. Në nivel të krahinës kishte Konferencën dhe Këshillin Krahinor të Rinisë Shqiptare, ndërsa nëpër rrethe: plenume, këshilla dhe sekretariate. Në Konferencë u zgjodh edhe udhëheqësja e saj: kryetar-Xhafer Vokshi, Nexhat Basha- nënkryetar, Ramadan Vraniqi- sekretar, Safete Nimani- arkëtare. Anëtarë të Kryesisë u zgjodhën: Mehmet Shoshi, Kadri Reufi, Sadete Bekteshi, Asllan Fazlia, Mustafa Shala, Tafil Hoxha, Murteza Luzha, Izedin Osmani dhe Riza Azemi.  Gjatë tërë veprimtarisë së vet Këshilli Krahinor i Rinisë Shqiptare luajti një rol të madh në sensibilizimin e çështjes shqiptare në ato vite. Organi kryesor i saj ishte “Zani i rinisë shqiptare” që u botua në qershor të vitit 1945.

Veprimtaria e Komitetit Nacional të Shqiptarëve, me kalimin e viteve kishte humbur edhe rëndësinë e saj ngase dal ngadalë u s’vesh nga detyrat politike dhe kishte një rol dytësor në krahasim me organizatat tjera politike. Ajo veproi si organizatë e pavarur deri më 1953, por më këtë vit shkrihet në Lidhjen Socialiste të Popullit Punues të Kosovës dhe të Metohisë. Në LSPP-së, veprimtarin e vazhdoi si një komision i veçantë që merrej kryesisht me çështjen e traditës,, të kulturës dhe të historisë kombëtare, por pa lënë anash edhe veprimtarinë e pajtimeve të gjaqeve, sipas traditës shqiptare . Më vonë edhe puna në formë komision u ndërpre duke i dhënë karakter institucional, u shndërruar në Institutin Albanologjik më 1 qershor 1953. Por duke e parë rëndësinë dhe ndikimin e Institutit, organet e pushtetit më 25 dhjetor 1955 e mbyllin për ta hapur përsëri më 28 shkurt 1967. E siç dihej, Instituti Albanologjik gjatë kohës së Jugosllavisë pati shumë  peripeci në rrugën e saj. Më 8 mars 1994 ndërtesa e Institutit  u mor me dhunë duke i dëbuar e torturuar shkencëtarë që ishin në të. Edhe pse përjetoi këto katrahura, për asnjë puna hulumtuese-shkencore nuk u ndal dhe në qershor të vitit 1999, Instituti Albanologjik prapë iu kthye jetës dhe punës normale shkencore.

Delegacioni i Komitetit Nacional të Shqiptarëve në takim me Titon (4 prill 1945)

Josip Broz Tito delegacionin e shqiptarëve e pranoi me 4 prill 1945, në Beograd dhe me ta kishte zhvillua një takim maratonik lidhur me situatën politike në Kosovë dhe të drejtat e tyre për vetëvendosje. Duke i parë rrjedhat politike, të muajve të parë të vitit 1945, gjenocidin e terrorin e paparë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në shumë anë të Kosovës, delegacioni i KNSH merr qëndrimin që të bisedohet shtruar për çështjen e Kosovës me vetë Titon. Ngase, gjatë luftës ishte premtuar e thënë shumë herë për vetëvendosjen e popujve. Duke u nisur nga këto premtime populli shqiptar, mori pjesë aktive  në luftë për çlirimin nga fashizmi, dhe për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm. Vizita e delegacionit shqiptarë në Beograd u zhvillua me 4 prill 1945, dhe sipas dokumenteve thuhej se temë kryesore ishte statusi i ardhshëm i Kosovës dhe çështja agrare.

Në delegacion merrnin pjesë: 1. Mehmet Hoxha (Gjakovë), 2. Halim Spahija (Prizren), 3. Mehmet Krileva (Gjilan), 4. Qamil Luzha (Gjakovë), 5. Demë Taraku (Pejë), 6. Ahmet Nishku, 7. Ahmet Nallbani (Prizren), 8. Hilmi Zariqi (Drenicë), 9. Rifat Berisha (Drenicë), 10. Ismajl Hoxha (Kaçanik), 11. Ahmet Efendia (Mitrovicë), 12. Xhevat Sojev (Gjilan), 13. Vesel Rexhepi (Gjilan), 14. Kolë Delhysa (Prizren), 15. Ibrahim Cërnilla (Gadime), 16. Ahmet Salihu (Prishtinë), 17. Ukë Sejdi Grabanica, 18. Emrush Miftari, 19. Sheh Danjolli, 20. Dushan Mugosha, 21. Hasan Kryeziu, 22. Ahmet Shushka (Rrethi i Prishtinës), 23. Muharrem Pasha (Pejë) dhe 24. Simo Vasileviq, arkëtar (Prizren).

Delegacioni i përbërë prej këtyre personave ishte i vendosur që nga Titoja të kërkojë plotësimin e kërkesave të shqiptarëve për vetëvendosje, me përjashtim të tre vetave.

Pjesëmarrësit që e morën fjalën shprehën hapur shqetësimin e tyre për atë që po përgatitej. Pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta kishte bë e dhënë patrioti Halim Spahia. Pas arsyetimit të J.B.Titos "Se ishin marrë vesh (J.B.Tito) me Enver Hoxhën që për shkak të rrezikut që do t'u kanosej fryteve të LNÇ nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, të mbetet përkohësisht Kosova në përbërje të Jugosllavisë së Re" . Atëherë, Halim Spahia kishte parashtrua kërkesën për krijimin e një Republike të veçantë unike për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi. Mirëpo edhe kjo kërkesë hasi në kundërshtim të J.B.Titos dhe të udhëheqësisë më të lartë  Jugosllave e të Serbisë, me motivacion se shqiptarët nuk kanë të drejtë që të kenë republikën e tyre në Jugosllavi, pasi nuk janë komb, por pakicë kombëtare. Pas këtyre replikave të rrepta të Halim Spahisë me udhëheqësin në të lartë Jugosllave e të Serbisë, ky e lëshoi këtë takim, duke deklaruar në dalje publikisht para tërë asaj turme që priste para rezidencës, rezultatet e këtij takimi historik për ardhmërinë e Kosovës, me këto fjalë: "Po ju njoftoi se prej sot e pati Kosova, sepse ajo është shitur". Kryetari i Delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, Mehmet Hoxha, u mundua që të bind Halim Spahinë për të shkuar bashkërisht në Presidiumin e Serbisë që të nënshkruajnë hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale. Mirëpo, Halim Spahia pa u hamendur, iu drejtua anëtarëve të delegacionit që gjendeshin aty me këto fjalë: "Ne erdhëm te J.B. Titoja që t'i parashtrojmë kërkesat tona të vendosura që nuk u morën në shqyrtim dhe nuk kemi pse të shkojmë në Presidiumin e Serbisë, apo gjetiu në Beograd. Ejani burra të shkojmë sa më parë në Kosovën tonë, se na presin punë të mëdha dhe tejet urgjente për ardhmërinë e kombit tonë"

Ata (Delegacioni shqiptar), kishin përgatitur me shkrim shtatë kërkesa, të cilat ia dorëzuan Titos, dhe në ato pika kërkohej :

1. Ligji agrar të përmirësohet

2. Administrata të mbahet në gjuhën shqipe në Kosovë

3. Të sillën arsimtarët nga Shqipëria në Kosovë

4. Shitblerja e tokave që janë bërë me kërcënime nga serbët mos të pranohen

5. Të burgosurit pa faj me u fal

6. Të garantohet përdorimi i Flamurit Kombëtar dhe

7. Të njihej e drejta për vetëvendosje

Të pesë (5) pikat e para sipas një deklarate të Qamil Luzhës, Tito i pranoi, por dy të fundit publikisht i refuzoi, dhe nga kjo ishte shumë e qartë se çka po i priste shqiptarët.

Në Konferencën e Tretë të PKJ-së për Kosovë e Metohi, Bllagoje Neshkoviqi, mohonte çdo pjesëmarrje të shqiptarëve  në LANÇ, duke  thënë: “Ju në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo çast mund të çohen në kryengritje”, për të   vazhduar më tutje se “ sa i përket fitores politike është e qartë se për të as që mund të flitet, sepse ne jemi mjaft larg prej saj. Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare .

Këto vlerësime bëheshin kur Tito në bisedimet me delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në prill të vitit 1945, në një mënyrë ai pranonte, por edhe në një tjetër e qortonte delegacionin se ata nuk ishin me LANÇ-in. Në kongresin Themelues të PKS-së 8-12 maj 1945 , e prezanton diskutimin me delegacionin shqiptar, duke iu rrëfyer të pranishmëve se çfarë iu kishte thënë shqiptarëve në takim: “Ne e dimë se ju keni qenë me ushtrinë gjermane dhe se keni luftuar kundër nesh, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne do të iu thërrasim në përgjegjësi...Ne nuk duam që shqiptarët në Kosovë të jenë qytetar të rendit të dytë apo të tretë. Ne duam që ju të keni të drejtat tuaja, barazi, të keni gjuhën tuaj, mësuesit tuaj, të ndiheni si në vendin tuaj . (Me gjasë Tito-ja kishte harruar se shqiptarët ishin në tokat e tyre, e ata -serbet  ishin vetë okupuesit, që donin të ndjeheshin si në vendin e vet).

Formimi i Shtabit Suprem të Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare në Kosovë

Pa dyshim se Shtabi Suprem i Kosovës  ishte fryt i pamohueshëm i aktivitetit të forcave nacionaliste shqiptare, që vepronin në Zonën IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Ish- anëtarët e Shtabit të kësaj zone, me 1 dhjetor 1944 u takuan në fshatin Tërpezë dhe formuan Shtabin Suprem të Kosovës. Në takim merrnin pjesë krerët e Lëvizjes Kombëtare siç ishin : Adem Gllavica, Mulla Idriz Gjilani, Qazim Llugaxhiu, prof. Ibrahim Kelmendi e shumë të tjerë. Pas një diskutimi të gjatë e të gjithanshëm  të situatës në Kosovë, u zgjodh udhëheqja  e re  e Shtabit Suprem të Kosovës. Komandant i SH.S.K u zgjodh Adem (Selim) Gllavica dhe zëvendës i tij u zgjodh Qazim Llugaxhiu.

Kuvendi Themelues  i Shtabit Suprem  për Kosovën u mbajt  në ndërtesën e xhandarmërisë  në fshatin Tërpezë të Moravës së Epërme, ku merrnin pjesë edhe shumë nacionalist të njohur si: Luan Gashi, Hamdi Gashi (Mramur), Selim Maqestena, Mehmeti i Zi, Bahtir Dumnica, Abdyl Henci etj.

Gjatë kësaj kohe u shtrua nevoja  e ngutshme  dhe e domosdoshme që krerët  e lëvizjes  të vepronin në ilegalitet të thellë. Kjo do të thoshte që duhej të bëhej një organizim tjetër, të cilën e impononte rrjedha e ngjarjeve, nga ai i mëparshmi. Gjatë kësaj periudhe, u formuan, vepruan dhe njëherit u zbuluan shumë patriot të shquar. Shumë veta u pushkatuan dhe shumë të tjerë u dënuan me shumë vite burgu. Kështu  me 15-16 gusht të vitit 1945, Adem Gllavica si komandant i Shtabit Suprem të Kosovës mori qëndrim që t’i ftojë krerët e ilegales shqiptare, dhe përfaqësuesit e të gjitha organizatave  të NDSH-së. Tubimi u mbajt në Kopilaçë , me 15-16 gusht, vend ndërmjet Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit. Në këtë takim kishin ardhur krerët kryesor të forcave nacionaliste si: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, Ibrahim Haki- Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi, Dinë Hoxha, Qazim Llugaxhiu, Sylë Hotla etj. Po ashtu në këtë tubim merrnin pjesë edhe shumë anëtar të LNDSH-së si: Qemal Ali Skenderi, Mexhid Haki –Zyberi, Xhemail Bllaca etj, që përfaqësonin KQ të NDSH-së  në Shkup.

Tubimi i Kopilaçës zgjati  dy ditë, dhe nga aty dolën qëndrimet më të rëndësishme historike, lëvizja e rezistencës shqiptare do ta konsiderojë tubimin si Kongresi III i Ballit Kombëtar ose si do të quhej më vonë si Kongresi i Parë i NDSH-së.

Vendimet që kishin rëndësi e peshë të madhe për lëvizjen ishin: Lëvizja e Rezistencës Shqiptare u vendos të quhej ”Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”, Ndër vendimet e tjera, kongresi mori qëndrim, që Komiteti Qendror i NDSH-së në Shkup, të jetë organi më i lartë partiak i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Të gjithë nacionalistët, që luftonin për lirimin e tokave shqiptare të quhen “Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare” . Po në këtë kongres u vendos se duke pasur parasysh numrin e madh të luftëtarëve, të njësive dhe grupeve që ndodheshin në terren dhe ishin nën armatim, që të bëhet një organizim më i mirë dhe më i avancuar.

Në kongres u formuan pesë batalione. Secili batalion në kuadrin e vet do të ketë edhe Shtabin komandues, i cili nën urdhrat e tij do të veprojë aty ku paraqitet nevoja. Po në këtë tubim u caktuan edhe komandantët e batalioneve  sipas terrenit se nga ishin luftëtarët. Komandant i Batalionit të Parë, i cili si terren veprimi do të kishte Malet e Kopilaçës dhe pjesën kryesore të Karadakut, u caktua patrioti Hasan Kabashi. Ndërsa, Batalioni i Dytë u caktua të vepronte në malet e Presedelit me udhëheqës Bajrush Xhaklin. Batalioni i Tretë, i cili do të vepronte në malet e Keçekollës u caktua të udhëhiqet nga Rexhep Okllapi. Si udhëheqës i Batalionit të Katërt u caktua Shaban Haliti dhe do të vepronte në Malet e Jezercit dhe të Budakovës. Ndërsa në Malet e Kaçanikut  dhe të Shkupit u caktua të vepronte Batalioni i Pestë me udhëheqës Din Hoxhën, i cili ishte një luftëtar i rryer dhe kishte një eksperiencë të begat organizuese.

Po në këtë tubim u formua edhe “Shtabi i luftës”. Komandant Suprem i “Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare” u caktua Hysen Tërpeza . Në Shtabin e Luftës u caktuan të merrnin pjesë Adem Gllavica, Luan Gashi dhe Ibrahim Kelmendi, që ishin të caktuar në sektorin e propagandës, por i cili do të veprojë edhe në zonat e Shkupit  e Tetovës nën përkujdesjen e Ibrahim Kelmendit, dhe në zonat e Therandës (ish-Suharekës) e Prizrenit nën përkujdesjen e Luan Gashit. Nga ky kongres Shtabi Suprem aprovoi edhe platformën që populli shqiptar t’i drejtohej me një proklamatë.

Proklamata e cila u hartua nga Adem Gllavica, Abdullah Musliu e Ibrahim Cërnilla- Grainca, përfshinte pikat kryesore të situatës aktuale në Kosovë, siç ishin : aktet e tradhtisë komuniste, të komunistëve jugosllavë ndaj aleatëve komunistë e antifashistë shqiptarë, mandej në një pjesë të madhe u përfshin format e dhunës jugosllave ndaj popullit shqiptar . Veç tjerash në të hidhet poshtë  çdo lidhje e imponuar e Kosovës me Serbinë dhe me Jugosllavinë.

Për tërë aktivitetin që zhvillonte Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare dhe anëtarët e Organizatave ilegale, OZNA ishte e njoftuar dhe çdo lëvizje  të tyre e përcillte me një kujdes të veçantë. Ajo kishte ndërmarrë masa ndëshkuese kundër forcave nacionaliste, anëtarëve të NDSH-es dhe familjeve të tyre. Shpeshherë ndodhte, që në aksionet e shumta UPDSH-ja të largohej me humbje të mëdha, ngase OZNA, e përcillte çdo lëvizje të tyre, andaj nuk ishte e rastit që të zbuloheshin. Për të gjitha këto që ndodhnin në Kosovë ishin të njoftuar Mithat Frashëri dhe Muharrem Bajraktari. Ishte krejt e natyrshme, që në fillim të tetorit  1945, nga këta të vijë një kërkesë për kalimin e forcave të rezistencës për në Greqi. Ndaj kësaj kërkese reaguan  shumë personalitete të nacionalizmës, por ndaj saj reagoi edhe KQ i NDSH-së në Shkup.

Krerët e Shtabit luftarak të UPDSH-së dhe të lëvizjes së rezistencës shqiptare, pas kërkesës së Muharrem Bajraktarit dhe Mithat Frashërit, para vetës kishin dy alternativa: Alternativa e parë ishte : të rrinë në Kosovë, të zhvillojnë një  lloj lufte, që do të ndryshonte nga ajo që ishte zhvilluar deri më atëherë, e që pas situatës së nderë, që ishte krijuar në vend, mund të pasonte me viktima të mëdha, si në luftëtarë po ashtu edhe në popullatën e përgjithshme shqiptare, ngase në mënyrë intensive  filloi të bëhej ndjekja dhe arrestimi  i jatakëve  të ilegalëve dhe i të gjithë atyre, që strehonin  dhe ndihmonin luftëtarët e lirisë.

Alternativa e dytë ishte: që për krerët e lëvizjes ishte edhe më e afërt dhe më e pranueshme  për ta, largimi jashtë vendit ishte një shans i mirë, për të shpëtuar luftëtarët dhe, për të kursyer popullatën nga maltretimet e OZNA-së dhe të UDB-es. Qëndrimi u mor, të përkrahet alternativa e parë, sepse rruga më e mirë ishte mërgimi i luftëtarëve jashtë atdheut, që më vonë për të hyrë në shërbim të planeve  globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, ndërsa çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga ana jugosllave do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit të dy vendeve fqinje, të Shqipërisë dhe Jugosllavisë .

Me 28 nëntor 1945, Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UPDSH, Hysen  Tërpeza me Batalionin e Parë mori qëndrim që të kalojë kufirin . Ky batalion fillimisht kapte rreth 100 veta, por në udhëtim e sipër numri i luftëtarëve  sa vinte e shtohej. Kështu në kalim të kufirit ky grup arriti në mbi 300 luftëtarë. Largimin e luftëtarëve, populli e përcillte me një shqetësim të madh dhe me lot në sy. Çdo kund kah kaluan ata u përcollën me pikëllim. Athua vallë, këta trima të lirisë i përcillte vetëm populli, apo me kujdesin më të madh i përcillte edhe OZNA dhe bashkëpunëtorët e saj. Për largimin e luftëtarëve  me kohë ishte e njoftuar ushtria jugosllave. Kështu në territorin e Maqedonisë, afër kufirit jugosllavo-grek hasën në pritën e Armatës jugosllave, ku pasoi një luftë e rreptë në mes tyre.

Për të dal jashtë vendit  mori qëndrim edhe Batalioni i Dytë i udhëhequr  nga Adem Gllavica. Ky grup, më 31 dhjetor 1945, kaloi kufirin jugosllavo- grek. Në rrugë e sipër, sikurse Batalionit të Parë, në pritë i kishin dal  forca të mëdha  të ushtrisë jugosllave. Edhe në këtë përleshje pati humbje të mëdha nga të dy palët.

Këtij grupi nuk iu bashkua  Ajet Gërguri, i cili me disa luftëtarë u kthye në Drenicë dhe vazhdoi luftën e armatosur derisa u zbulua  dhe u arrestua. Edhe pse këta dy luftëtarë (Ajet Gërguri dhe Adem Gllavica), nuk u pajtuan rreth qëndrimit apo  daljes jashtë atdheut, megjithatë edhe pse ishin larg njëri- tjetrit ata mbajtën lidhje të vazhdueshme ndërmjet veti, duke këmbyer mendime e ndihma, që për këtë i raportonin KQ të NDSH-së në Shkup.

Edhe pse këto grupe e lëshuan Kosovën, konsolidimi i ri u bë shumë shpejt  dhe, në Kosovë vepronin më tepër se 55 grupe ilegale si dhe organizatat patriotike- politike si LNDSH-ja, “Besa Kombëtare” e Prof. Ymer Berishës, “Organizata NO-2 “ e Ajet Gërgurit dhe që të gjitha mbanin lidhje të ngushta me KQ të NDSH-së në Shkup.

Pas luftës nacionalizmi shqiptar do të zhvillohej në emigracionin e detyruar, ndërsa ato forca apo elemente, që mbetën në trevat etnike shqiptare në ish- Jugosllavi do të ndesheshin me këto regjime në një betejë të pabarabartë, fundi i së cilës ishte tragjik për ilegalen shqiptare.

Në një dokument (Rekapitulim), që ishte përgatitur në zyrat e UDB-es, më 1947, e që kishte hiq më pak se 220 faqe shkrim, në mes tjerash thuhej se, në Kosovë, në nëntor-1944 dhe gjatë vitit 1945, vepronin 55 grupe të armatosura, të udhëhequra nga ana e një parie komanduese që e përbënte një efektiv prej 60 vetave më të vendosur   Grupet në fjalë, rreth vetes grumbullonin mbi 1375 veta. Megjithatë, grupi më i pa kompromis dhe më i vendosur për luftë kundër hordhive sllave ishte efektivi i përbërë prej 375 vetave. Grupi ishte heterogjen në të cilën merrnin pjesë intelektual (mbi 90 veta), fshatar (234 veta), ushtarak (36 veta), etj. Mirëpo në rast nevoje ky grup grumbullonte edhe deri 3.000- 4.000 veta.

Intelektualët e shquar që iu kishin përgjigjur zërit të atdheut ishin të shumtë, me fakultete të mbaruara në perëndim dhe ushtarak të njohur, që më vonë formuan organizata dhe grupe ilegale e që deri në fund do të luftojnë për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Në vazhdim do i përmendi vetëm disa nga ata si: Ymer Berisha, Luan Gashi, Gjon Sereqi, Qazim Sefa, Mulla Idrizi, Adem Gllavica, Halim Spahija, Tahir Deda, Ibrahim Lutfiu, Hasan Rema, Rexhep Abdullahu, Haki Myderriz Sermaxhaj, Halim Orana, e shumë e shumë të tjerë.

Pa dyshim, se forcat nacionaliste që nga orët e para u udhëhoqën nga intelektual të dalluar. Vlen të veçohet aktiviteti dhe puna e pa kompromis e Prof. Ymer Berishës, si figurë që lente mbresa dhe të epte kurajo se liria është afër dhe patjetër duhej fituar.

Vrasja e prof. Berishës e cila ndodhi me 10 korrik 1946  për ilegalen shqiptare ishte një humbje e madhe. Kjo u vërtetua me mbajtjen e Kongresit të V të  LNDSH-së. Kongresi i V u thirr të mbahet me 25 qershor 1946 në malet e Lipovicës, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë nga ana e udhëheqësve  të NDSH-së pati sukses, sepse kongresi u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në Kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte ndër më masivët gjatë veprimtarisë ilegale. Në këtë tubim të madh të forcave nacionaliste  u shqyrtua situata  në rrethana të një shtetrrethimi të plotë ushtarak jugosllav dhe mori vendime që brenda 2-3 muajve  të ardhshëm  të bëhej tërheqja e njësiteve të armatosura nga Kosova  dhe tokat shqiptare nën okupimin serbosllavë dhe dalja e tyre përmes Shqipërisë dhe Greqisë në Evropë e gjetkë në botë, ku do të punohej në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe ku do të bëheshin përgatitjet për një kryengritje e për një luftë gjithëshqiptare kundër copëtimit të tokave të Shqipërisë etnike .

Megjithatë, në kongres sikurse para “Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare”  dominuan dy opsione kryesore:  Qëndrimi në Kosovë, pa marrë parasysh rrethanat dhe kushtet, dhe opsioni tjetër, mbështeste zbarkimin e përkohshëm të komitetit në Shqipëri, ku do të bashkërenditeshin forcat gjithëshqiptare. Krahu militant kishte mbështetur opsionin e parë,  edhe pas një konsultimi të gjatë sikur ishte arritur marrëveshja  për formimin  e një formacioni të armatosur për depërtim në Shqipëri.

Më vonë, pasuan burgosjet, arrestimet dhe operacionet e vazhdueshme të reparteve jugosllave për gjëja “spastrimin e vendit nga mbeturinat e reaksionit” siç i quanin ata forcat nacionaliste. Ato u shoqëruan me masat për çarmatosjen e popullsisë civile. Aksionet për mbledhjen e armëve  u karakterizuan  nga keqtrajtimet dhe torturimi në masë i popullit shqiptar. Gjenocidi antishqiptar u mpleks me shantazhin dhe me terrorin psikologjik, me anën e të cilëve  u synua  për ta mbajtur  popullin shqiptar në ato treva nën presion, për ta detyruar atë që të linte tokat e veta. Rreth 120.000 shqiptarë hynin në listat e të dyshimtëve politikë, të përpiluara nga UDB-eja jugosllave dhe që ndiqeshin prej saj.

Ish- Jugosllavia dhe Serbia, mendonin se vetëm me pranga, me burgje, e me dhunë do të arrinin  të mbanin një popull të tërë të robëruar dhe në kolonizim të përjetshëm. Ata pandehnin  se me arrestime e me dënime,  me dënime drakonike burgimi do ta gjunjëzojnë  një popull të tërë. Do ta detyrojë atë që të heqë dorë nga  aspiratat e tyre shekullore, për një bashkim gjithëkombëtar dhe për një Shqipëri as të madhe e as të vogël, por për një Shqipëri të vërtetë në kufijtë e saj etnik.

Megjithatë, qëllimet dhe aspiratat e forcave nacionaliste vazhduan të jetojnë ndër shqiptarët si vazhdimësi e lëvizjes së përgjithshme qytetëruese properëndimore, e qëndresës për çlirim të përgjithshëm kombëtar, të mbështetur në traditat e çmueshme të lëvizjes çlirimtare, themelet e së cilës u vunë që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( 1878 ), për të vazhduar edhe gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike, gjatë Luftës së Parë Botërore e deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore , e në vazhdimësi deri më vitin 1998.

Kjo edhe ishte qëllimi suprem i gjithë ilegales shqiptare. E këtë amanet të përcjellë brez pas brezi e gjeneratë pas gjenerate, ia doli ta kurorëzoi me sukses bija më e devotshme e këtij populli, e dalë nga gjiri i saj i përflakur – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.


Shënim: Fundshënimet janë hequr për arsye teknike