E enjte, 28.03.2024, 03:47 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Gora dhe njerëzit e saj

E premte, 27.03.2015, 07:56 PM


NË DITËN E KULTURËS GORARE, TIRANË, QERSHOR 2014

GORA DHE NJERËZIT E SAJ NË FAQET E GAZETËS “BESLIDHJA GORARE”

NGA PËLLUMB GORICA

Krejt rastësisht më ra në duar gazeta “Beslidhja Gorare”.Organ i Shoqatës Kulturore Atdhetare të krahinës Gorë, Korçë. U befasova për shkrimet interesante dhe ridimesionin e ri të kësaj gazete për t’i paraqitur në një kënd më të gjërë vlerat atdhetare të kësaj krahine. Ajo ka vite që botohet, si një nisëm e bukur buruese nga shpirti i banorëve plot vlera. E mbushur me copëza reale të jetës së njerëzve të njohur e të thjeshtë dhe të gjitha këto gërshetuar me foto artistike e natyrën mbresëlënëse, që të bëjnë për vete menjëherë.

Po e them që në krye, se është guxim të marrësh përsipër të botosh një gazete, në një kohë të tillë kur realiteti i kësaj bote komerciale dhe të ashpër globale, në rendjen e tij ka një indiferencë dhe shpërfillje, që nganjëherë për çudi shkon në mendime absurde. Ndryshyeshmëria midis mendimit dhe realizimit është larg sa ç’është dëshira nga e realja. Por, duhet të guxosh që të bësh diçka e të vlerësohesh. Për fat të mirë, mendimeve progresiste u bëhen gjithmon pararojë njerëzit adapt, duke gjetur mjetin e duhur për të revokuar traditat, historinë, vlerat, Besimi në vetvete është edhe një aftësi e njeriut që shmang të kundërtat, duke sfiduar opinione, paragjykime. Të nderosh kulturën, thesaret, punën, njerëzit, përpjekjet për liri, pavarsi, arsim, dije, kulturë, patriotizëm etjer, është detyrë tepër fisnike. “Beslidhja Gorare” tashmë është në pjesën e atyre gazetave që e duan të vërtetën, që promovojnë vlerat, ndonëse, përmes modestisë ajo pasqyron historinë e kulturën shpirtërore të krahinës së saj. Natyrisht dhe botimi i saj është mirpritur e  ka lënë mbresa në opinionin e gjërë publik, të nisjes së një rrugë të gjatë e pa kthim. Këtu besoj se duhet gjetur shkaku se përse u prit me aq kuriozitet kjo gazetë e vogël e modeste krahinore, duke bërë bujë, pa harruar vështirësitë. Është koha kur sot duhen propoganduar ato, përballë sfidave, që po fshijnë gjithçka pa mëshirë; si të kaluarën e largët, ashtu edhe të tashmen, sepse tek e shkuara dhe e sotmja janë ngulur thellë dhe ushqehen rrënjët. Kështu, në sajë të patriotizmit dhe atdhedashurisë, që rreh në zemrat e banorëve të saj, Gora në çdo etapë të zhvillimeve kombëtare, ka qenë pjesë përbërëse dhe faktor i rëndësishëm i ngjarjeve historike. Ngjarjet e zhvilluara aty e kanë bërë atë të njohur sa më tepër që kalojnë vitet me dëshmitë, dokumentat, dimesionet e legjendave që ngjajnë si të reja. Njëkohësisht për të gjitha këto ngjarje historike, ajo s’harron edhe figurat historike që kanë marrë pjesë me kontributin e tyre të pazëvëndësueshëm dhe ndikimin e padiskutueshëm, duke luajtur rol të rëndësishëm si në jetën e krahinës, por edhe në lëvizjet patriotike e ngjarjet historike të kombit. Figura të tilla si: Kajo Babjeni, Ismail Derdusha, Xhelo Selca, Feim Zbogji, Ismail Strelca, Tosun Derdusha, Fetah Goca, Koci Plovishti, Cane Lozhani, Pasho Krushova, Pasho Kolaneci, Asllan Dolaneci,Telha Senishti, Teki Kolaneci etjer e kanë nderuar krahinën e Gorës.

Lashtësinë në krahinën e Gorës e dëshmojnë një numër i konsiderueshëm zbulimesh arkeologjike, mjaft dokumenta të vlefshme historike si dhe një numër i madh toponimesh.  Të dhënat për historinë e hershme flasin se në këto troje ka jetuar fisi i Desaretëve, që lidhet me hershmërinë dhe autoktosinë  e tyre. Por, historia e kësaj treve ka njohur nëpër shekuj mjaft pushtime, shkatërrime, djegie, shpërngulje, epidemi etj, duke u shndrruar kështu edhe në një shesh lufte mes ushtrive pushtuese. Shumë ndryshime kanë ndodhur në emërtimet, ndarjet administrative, por edhe të juridiksioneve. Këto ndryshime i ndesh edhe në toponimet e mikrotoponimet, të cilat dëshmojnë edhe për vendosjen  e ardhacakëve (vllehëve).

Por, Gora shquhet edhe për një florë dhe faunë të pasur e cila  pasqyrohet  me një reliev të kombinuar me lartësi malesh, përrenj, pllaja, qafa, brigje, kodra. Krahina e Gorës dallohet për temperamentin e saj punëdashës. Blegtoria prej pyjeve dhe kullotave ka qenë mjeshtëria kryesore, sepse banorët përjetë kanë jetuar me mundin dhe me djersën e tyre. Në jetën e përditshme, në Gorë dhe nga gorarët lëvrohen ndenja të bukura  për traditat, dashurinë, fisnikërinë, respektin e punës e sa ndenja të tjera të shpirtit njerzor. Gorës dhe gorarëve asnjëherë nuk ju ka munguar bujaria, dhe  mikpritja me krahinat fqinje dhe banorët e tyre, të cilën e ndjen edhe sot, të fortë e të patundur, si dikur gjyshërit e tyre me burimin e gëzimit të sinqertë të jetës, bisedave të ngrohta njerëzore, humorit shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit, nga këngët, që duket sikur nuk shterojnë kurrë.

Traditat, që ndër vite e deri më sot kanë ndryshuar e po ndryshojnë në funksion  të zhvillimeve në raport me kushtet social ekonomike, kanë tretur çdo ditë e më shumë gjurmët e tyre shekullore. Si bartës të një tradite të pasur kulturore kanë thurur veshjet e tyre me karakteristika të veçanta. Festat e shumta popullore e familjare, si  pjesë të kulturës së tyre i kanë bërë gorarët të  shquhen. Fejesat, dasmat, dhe lindjen e fëmijëve, ata i kanë konsideruar si ngjarjet më të gëzuara të jetës së tyre, ndaj  dhe i kanë kryer gjithmonë me rite të ndryshme, dolli, këngë, lojra. E kjo u shfaq edhe në ditën e kulturës gorare, të cilën ata e kanë kthyer në traditë.  Por, duke u mbledhur shpesh për të qënë pranë njëri –tjetrit me fjalën, këngët e vallet kanë përcjellë jehonën e vendlindjes së tyre, Gorës me histori, kulturë, peisazh e miqësi.

Është fakt, që shumica e banorëve të Gorës këto 20 vitet e fundit janë shpërndarë në Shqipëri, por edhe nëpër shtetet e Europës deri në Amerikën e largët. Të detyruar të largohen nga vendi i tyre në kërkim të diçkaje më të mirë, mes vështirësive e mungesës së kushteve më elementare të jetes. Sa më shumë që kalojnë vitet nostalgjia dhe malli shtohen për të kaluarën. E kur vitet ikin herë pas here është shkruar në faqet e gazetës “Beslidhja Gorare” me ndjenja të përjetuara e cila po lexohet dhe është mirpritur, çka përbën padyshim një ndjenjë krenarie për gorarët. Pesë vite më parë me kënaqësinë jo vetëm kur u organizuan, por me gazetën ku komunikojnë, gorarët komentojnë t’u sjellë gëzime edhe të tjerëve e sigurisht ndjehen të lidhur ngushtë. Ndaj, kur lexojnë gazetën “Beslidhja Gorare” mësojnë më shumë për  krahinën e tyre, duke marrë informacione të shumta për vendbanimet, ngjarjet, figurat patriotike, kohët e errëta, por edhe histori interesante të ditëve të sotme. Këtu sakrificat dhe kontributet nderohen e nuk harrohen, pa i hiperbolizuar ato, por të shkruara thjesht e bukur në episode, portrete, studime pa tejzgjatje, me një stil të ngrohtë. Një kontribut i veçantë e vlerë shpirtërore që i ngjan unikes në trajtimin e vëzhgimeve të jetës dhe hollësive të saj për gorarët, në hapsirën  e duhur të kësaj gazete, duke kryer kështu një mision të rëndësishëm e natyrisht me efektin e vet. Kështu mund të shkruajmë për sesionin shkencor të realizuar për Beslidhjen gorare, të pesëmbëdhjetë kapedanëve të kësaj krahine më 1906. Plot intelektualë gorarë, të respektuar dhe të nderuar e midis tyre edhe Bujar Vila, Bashkim Jahollari, Elisabeta Kamberi, Bujar Bujari, Besim Shyti, Arben Roko, Haki Tahirllari, Adrian Tahiri, Bardhi Skënderi, Kujtim Gora, Albana Tahiri, Abedin Gora, Syrja Jahollari, Gentian Pere, Islam Bakollari, Fari Muçollari, Zane Llazi, Guri Mersinllari etjer kanë sjellë diçka të re në botkuptim dhe koncepte. Ndërkohë që gjithkush që e ndjen për detyrë të shkruaj e kontriboj realisht duhet të bëhet pjesë e kësaj sipërmarrje, me shqetsimet e tyre në komunitet. Arti dhe kultura e kësaj krahine vjen e shkruar edhe prej penave krijuese të gazetarëve, poetëve, shkrimtarëve gorarë, të cilët sjellin vazhdimisht mushtin e krijimtarisë së tyre si: Koçi Tahiri, Ymer Nurka, Ergert Cenolli, Celnik Petriti, Zydi Kroi, Agron Agolli, Kozeta Zavalani, Bektazh Konica, Lumturi Ymeri, Nexhip Bashllari, Bardhi Sejdarasi, etjer. Vlera të tilla s’duhet të rrinë në hije, por të vlersohen për atë që japin. Koçi Tahiri për kontributin e tij si drejtues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Beslidhja Gorare” dhe gazetës  me të njënjtin emër, patjetër meriton respekt të veçantë. Koçi është një burrë energjik dhe me një vrull si askush tjetër nga Gora. Ai është njëri nga ata gorarë që e ka dashur librin, kulturën, duke u bërë kësisoj autor i kryesor i  botimit të saj dhe pesë librave. I njohur për këto aftësi dhe komunikimin që ka me të gjitha moshat, ka reflektuar kulturë përmes portretit gjurmlënës, duke derdhur kontributin e tij më së shumti veçoritë e krahinës me shpirtin e dashuruar për vendlindjen. Në bisedë me të sigurisht mëson për vështirësitë, angazhimet shoqërore të shoqatës, por edhe të gazetës, e për më tepër që ajo botohet çdo muaj. I shfleton faqet e kësaj gazete, që të tërheqin me tematikën, pasqyrimin e jetës së krahinës, respektin për figurat e ngjarjet që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjjen e kohës, si një dritare revokuese e traditave më të mira të saj.

- Ne kemi vlera si krahinë- pohon Koçi me një krenari të ligjshme,- e duke revokuar këto vlera të shumta ne jemi shumë të përqëndruar. Ndaj, gazeta “Beslidhja Gorare” është më afër banorëve të krahinës. Ne mburremi me Gorën dhe kemi pse të mburremi se aty të shlodhen sytë nga gjelbërimi, të mbushen mushkritë me ajër të pastër, të zgjerohet zemra nga kënaqësia për madhështinë e vlerave -të thotë me modesti Koci.

Cilido që është gorar, kënaqet me emrin e mirë të krahinës, krenohet me bukurinë e peisazhit të saj, romantikën, traditat, përpjekjet për mbijetesë në kohëra dhe shpirtin e tyre, gazetën “Beslidhja Gorare”. Sigurisht është e  pamjaftueshme të vlersosh në këto pak radhë, të shkruara nxitimthi për këtë gazetë, për Gorën këtë krahinë të njohur e traditave luftarake. Nuk mund të mos ndjehesh i kënaqur kur e përmend dhe vlerson meritat, vlerat e tyre. Kjo tregon se sa mirnjohës do të jenë brezat që do të vijnë e do të shërbejnë për të ardhmen, duke ja rritur emrin më shumë e më mirë kësaj krahine.


TAKIMET E SHOQATËS BESLIDHJA GORARE

GAZETA '' BESLIDHJA GORARE''



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora