E shtune, 20.04.2024, 01:28 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Mehmeti: Hashim Dulger (1906-1999)

E merkure, 25.03.2015, 10:12 PM


HASHIM DULGER (1906 - 16.VI.1999)

Njeriun që e hëngër kurbeti, malli për Atdheun dhe çështja Kombëtare

“Brenda përbrenda partitë mund të mos kenë pajtime, por, për përjashta duhet të jenë në një vend”

Nga Gani Mehmeti

Hashimi u lind në Pakashticë në vitin 1906, në një familje të pasur të kohës, por nga jeta e padurueshme që ishte bërë në Kosovë pas pushtimit të saj nga Serbia në vitin 1912, familja e tij shpërngulet nga Pakashtica, për t`u vendosur në Yzynqypri të Edrenesë në Turqi, kur Hashimi ishte vetëm 9 vjeçar, pra në vitin 1915.  Që në fëmijëri mbeti pa diellin e ngrohtë të vendlindjes, për të mos e ndier kurrë ma atë gjatë gjithë jetës  së tij vend të ngrohtësisë së rrezeve të tij, gjeti përvëlimin e zemrës nga malli e dashuria që ndjente ndaj saj (vendlindjes), të cilën e kishte dashur aq shumë, sa rrallëherë i kishin kaluar orët pa e përkujtuar.

Hashimi tërë aktivitetin e tij gjatë gjithë jetës ia kishte kushtuar Atdheut. Ai, edhe pse i shpërngulur në fëmijëri, jo që nuk ia ktheu shpinën Gjuhës shqipe, por e foli aq bukur, aq rrjedhshëm dhe me aq ëmbëlsi, sa nuk mundje të kuptoje se ai ishte rritur në Turqi. Ai ua mësoi gjuhën shqipe edhe dy vëllezërve tjerë dhe katër motrave të tij që ishin më të rinj, prej të cilëve akëcili kishte lindur atje, në Turqi. Ai i qortonte edhe të tjerët në Turqi, të habitur pas pasurisë e që donin ta harronin Gjuhën shqipe.

Hashimi tërë ëndrrat e tij, çfarëdo qofshin ato, i shihte vetëm dhe vetëm në Pakashticën e tij të lindjes. Ai kurrë nuk mendonte në gjuhën turke, por vetëm në shqip.

-           Po, ëndrrat, ku I sheh  ëndrrat? - Ishte pyetja jonë në Yzynqupri, në vitin 1985.

-           Kurrë, askund tjetër, përveç në Kosovë, madje në Pakashticë. – ishte përgjigja e Hashimit.

Nga viti 1966, kur për herë të parë pas 45 vitesh i jepet rasti ta vizitojë Kosovën, ai kishte vazhduar me vizita gati-gati për çdo vit. Deri atëherë në Turqi kishin ditur shumë pak për të mbeturit në Kosovë. Kishin menduar se nuk ka mbetur askush më nga shqiptarët prej Serbisë. Kur në vitin 1978, i ishte dhënë rasti të prezantonte në një orë mësimi në njërën nga paralelet serbe të Gjimnazit “8 Nëntori” në Podujevë, tek profesori  Nexhmi Sejdiu, sheh se nxënësit serbë detyroheshin të mësonin gjuhën shqipe e edhe të flasin, aty në klasë, i rrjedhin lotët, duke thënë: “Ne që e lëshuam vendin tonë qenkemi treguar të ligj dhe të papërgjegjshëm ndaj jush dhe ndaj Atdheut! Ne kemi menduar se ju keni mbaruar, kemi menduar se ju jeni asimiluar, kemi menduar se ju jeni vrarë, prerë, masakruar të gjithë nga qeveria serbe, derisa  mendonim se ne kemi shpëtuar, tani shoh të kundërtën; se ju paskit shpëtuar dhe ne paskemi mbaruar! Por, ju lumtë në qëndresën Tuaj për Gjuhën, Kombin, Kosovën dhe gjithë Atdheun e shqiptarëve kahdo e kudo që janë. Jo vetëm unë, por të gjithë ne ua kemi lakminë!”

Për dy vjet me radhë kishte punuar në Gjermani. Hashimi kishte qenë mjeshtër i ndërtimtarisë dhe këtu kishte pasur firmën e tij deri me dyzet punëtorë, në vitet 1964 - 1966. Fitimi i këtyre dy viteve, për Hashimin ishte i mjaftueshëm dhe e la Gjermaninë. U kthye në Yzynqypri, i la paratë në një bankë, ku tani rronte vetëm nga kamata e tyre, përveç që e kishte blerë edhe një shtëpi. Dulger  turqit e quajtkan mjeshtrin, pra Hashimi u quajt Hashim Dulger, që do të thotë Hashim Mjeshtri.

Hashimi  la pas vetes vetëm një vajzë të adaptuar.

Vdiq më 16 qershor të vitit 1999, por me gjasë, ai kishte jetuar vetëm në komë për plot 8 ditë, nga që e kishte lëshuar zemra, vetëm dy ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës për tërheqjen e Serbisë nga Kosova.

Në vitin 1988, kur në Kosovë tek sa po flitej për sistemin shumëpartiak, kur ne ende nuk dinim mirë për këtë sistem,  në ndejë me Hashim Dulgerin në Dumnicë të Llapit tek kushëriri yne Rrahim Qerimi, i thash:

-           Kushëri, shumë parti në Turqi, si mund të bëjnë mesvete ato?

-           Po, tha. Janë shumë parti për përbrenda, po për përjashtë janë në një vend!

Pas kësaj përgjigje, unë mbeta pa tekst, sepse brendapërbrenda mund të kenë konfrontime partitë, mirëpo, kur është fjala për përjashta, duhet, vërtet të jenë ne një vend, pra të  bashkuara. Ndryshe nuk mbahet shteti.

Mirëpo, partitë tona, duke e shikuar vetëm interesin e tyre personal e partiak, shpesh rrezikohen shtetet, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosoovë.

Le te mbledhin mendje, pra.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora