E merkure, 30.09.2020, 10:40 PM (GMT+1)

Personalitete

Albert Vataj: Ndërmëndje për zëëmblin Sandër Prosi

E merkure, 25.03.2015, 09:46 PM


Ndërmëndje për zëëmblin dhe të hishmin e aktrimit, Sandër Prosi

Nga Albert Vataj

Sot 30 vite më parë u nda nga jeta Sandër Prosi, zëëmbli i skenës, stomatologu që magjepsi me personalitetin dhe karakteret e tij, me mishërimin që ai u dha roleve, personazheve, karaktereve, për t'i jetësuar ato në kujtesën e përgjithmonshme.

Më 25 mars 1985 Sandër Prosi, ndërsa ishte me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur" në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen e papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.

Kinematografia shqiptare pa shumësinë e personazheve të Prosit, pa lojën e tij do të kishte mangët një nga gurët e themelt të mozaikut të saj. Çdo mungim është një sprovë e bashkëjetimit në amshim, përmes veprës dhe kujtimeve. Çdo ikje është një shndrrim, edhe ajo e Sandër Prosit kësisoj ndodhi, ai tashmë është një mbamëndje e përgjithmonshme e teatrit dhe filmit.

Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël, tek ai personazhet emblematike të historisë së kombit shqiptar, rivijnë me atë shkëlqim shpërthimtar për të ngritur peshë vetëdijen tonë, për të rrokur më fuqishëm të drejtën tonë të krenarisë nacionale!

Dhaskal Todri dhe Ismail Qemali s’mund të përsëriten më, por ne jemi të pasur pasi Sandër Prosi na i ka skalitur në dublat e fimave këto figura, dhe ne kemi pse të mburremi. Të gjitha rolet e tij janë ajo gravura e qëndisur me fije shpirti. një qiell llamburitës me yjë kur ne harroheme në ndërmëndje dhe kujtime.

Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920, për tu shuar më 25 mars 1985. Pasi mbaroi shkollën fillore, do të vazhdonte gjimnazin e Tiranës. Asokohe merr pjesë në dramën "Vilhelm Teli", si sprovë fillimore e aktrimit. Austria është destinacioni i radhës, ku do të studiojë për stomatologji, dipllomë të cilën nuk e mori. Është viti 1947 kohë kur Sandër Prosi do të hidhet në sfidën e aktrimit duke u bërë pjesë e konkursit në Teatrit Popullor, për ta fituar atë. Prej këndej nisi rrugëtimi i tij i gjatë në promovimin e vlerave të tij interpretuese, në aftësinë për të depërtuar thellë në personalitetin dhe konstruktin sentimental të personazheve, të cilët i jetësoi me kaq vërtetësi sa të ngjan sikur ishte vetë që luante historitë e tij. Nuk do të kishte të reshtur ngjitja në skenat e teatrit e futja në sheshgjirimet e filmave për të shënuar kështu 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

“Ishte i madh edhe në rolet e vogla, mbamendet të jetë shprehur në një përvjetor të ndarjes me të, regjisori Viktor Gjika, pasi për të nuk kishte role të mëdha e të vogla, ai punonte që t’i bënte të mëdha edhe rolet e vogla dhe ja arrinte". Kritiku Josif Papagjoni mësohet të ketë thënë për Prosin se: “Çdo fjalë e thënë për të nuk është shumë, dhe të gjitha fjalët nuk mjaftojnë për të”. Por ajo çka është e sigurtë, çdo fjalë e thënë është një penel më shumë për të ravijëzuar portretin e tij, Sandër Prosit, kontit të hijshëm të skenës dhe ekranit shqiptar.

Për Pirro Manin, Sandër Prosi ishte ndryshe, askush nuk mund të harrojë që qeshurën e tij të bukur, aq sa edhe fisnike.

Ai e dorëzoi frymën e tij të fundit atëherë kur ende mund të mbushte me emocion përmes lojës virtuoze dhe shpirtit të pasur, të cilin i'a mishëroi të gjithë roleve që e kthyen këtë personalitet në një gurthemel të qenësishëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Ai tashmë më shumë se "Nderi i Kombit", Urdhër të cilin i'a akorduan me rastin e 25-vjetorit të ndarjes nga jeta, është shëmbëllim i të bukurës, i të fismes, atërores në kujtesën historike të aktrimit dhe memuarin e atyre që jetuan emocionalisht me personazhet që skaliti me pasion e përkushtim. Në përjetësi udhëtoftë ky shpirt i pasur, ky njeri madh, kjo ndërmendje e përgjithmonshme e së bukurës.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora