E shtune, 20.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Risto: Politika duhet të jetë një sy i kthjellët që i vëzhgon të gjitha vlerat

E enjte, 17.07.2008, 12:11 PM


Petraq Risto: Politika duhet të jetë një sy i kthjellët që i vëzhgon të gjitha vlerat, jo për t’i marrë në qafë

Shkrimtarët duhet të kenë godinën e vet

Nga Albert Zholi

Petraq Risto ka lindur në Durrës më 9 qershor 1952. Shkollimin parauniversitar e kreu në vendlindje. Më 1971-1975, kryen studimet e larta për Gazetari në Universitetin e Tiranës e më vonë një vit pasuniversitar si kritik teatri në Akademinë e Arteve të Bukura. Ka punuar si gazetar dhe libretist. Që prej shtatëmbëdhjetë vjetësh drejton Shtëpinë Botuese “Globus R.”. Është autor i mbi njëzetë librave me poezi, romane, tregime etj., ku do të veçonim vëllimet poetike “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Zgjohu princesha ime”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”; librat me tregime “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”, si dhe romanet “Avioni Madam Baterflaj 9/11” dhe “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”.Ka publikuar poezi dhe libra në vende të ndryshme të botës. Në Meksikë vëllimin poetik “Kujdestar i dallëndysheve”, në Rumani vëllimin poetik “Gjuetia e kuajve të detit” dhe pret të botoj së shpejti në Francë librin me poezi të zgjedhura “Mjalti i varreve është i hidhur”. Jeta ka ligjësitë e veta. E ndërsa ajo ecën njeriu ndalet dhe shikon diçka nga e kaluara. Mediton apo mendon se ku ka gabuar. Si janë këto kujtime për Petraqin ?  Kam lindur dhe jam shkolluar në qytetin bregdetar të Durrësit. Gjithnjë kam qenë nxënës i sjellshëm, por edhe i shkathët, harrakat i ndrojtur, përfaqësoja klasën apo shkollën në konkurse të ndryshme, jo vetëm letrare. Luaja shumë mirë futboll, basketboll, shah, etj. Me shokët kam shkuar shumë mirë, me mësuesit, gjithashtu. Në shkollën e mesme isha përfaqësues i qytetit në një konkurs të madh letrar në radio (atëherë nuk kishte televizion) dhe ne, nxënësit durrsakë, zumë vendin e parë në Republikë. Natyrisht në shkollë më pëlqenin lëndët humanitare, letërsia, historia etj. Në dy vitet e para isha nxënës i mirë edhe në lëndët ekzakte, matematikë e fizikë, por përqendrimi im në krijimtarinë letrare, leximet e shumta etj., ia kthyen përfundimisht timonin Anijes. Kur keni shkruar për herë të parë në bankat e shkollës dhe çfarë?Kam shkruar që më moshë të vogël, mbase 9 vjeçare. Natyrisht poezi. Shumë nga ato fletore i ruaj ende edhe sot.  Ndoshta kështu u vendos dhe e ardhmja juaj për të studiuar ? Ndoshta. Studiova për gazetari përgjithësisht në vitet e liberalizmit 1971-1974. Kishim shumë ëndrra për jetën. Shkruaja poezi intensivisht, si i magnetizuar. Mbaj mend në verë punoja në radio plazhi, Durrës. Një ditë, në mëngjes herët, kur në bregun e plazhit kish mjegull të madhe, dola për një kontroll emulacioni, për të parë se cili nga sektorët e plazhit ishte më i pastër. Nga larg dallova një siluetë të vetmuar. “Ky ose duhet të jetë ndonjë i marrë, ose ndonjë poet”, i thashë vetes. Kur u afrova pashë që ishte Ismail Kadareja. Mbase edhe ai diçka të tillë do të kish menduar. Por unë isha natyrë e ndrojtur, u shkëmbyem dhe nuk guxova t’i afrohesha. Disa muaj më vonë, kur isha student në Tiranë, guxova dhe i dhashë Kadaresë një dosje me poezi. Kur pa ngulmimin tim, ai i pranoi poezitë, më dha numrin e telefonit të shtëpisë dhe pas tre javësh u takuam. Më foli konkretisht për poezitë emia metaforike. Pastaj, në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve, i tha redaktorit të poezisë së revistës “Nëntori”, tani mikut tim Sulejman Mato: “Botoi këtij djalit se është shumë i talentuar”. Që atëherë nuk iu “vardisa” më Kadaresë.Pas këtij momenti krijimtaria hyri në pjesën më të madhe të jetës. Çfarë ke veçuar nga   ditët e krijimtarisë?Isha student në vitin e fundit, 1974. Në sallën e madhe të Lidhjes së Shkrimtarëve mbahej një mbledhje reflektuese për Plenumin e IV të Komitetit Qendror të Partisë. Një shkrimtar i kritikuar ashpër, për të shpërndarë radhët e fajit edhe te të tjerët “kish gjuajtur” te një cikli im botuar te faqja letrare e “Zërit të Rinisë” edhe një poezi, sipas tij ekzistencialiste. Ai e citoi dhe unë dridhesha. Moikom Zeqo, të cilin e kisha në krahë e që në atë Plenum ishte kritikuar disa herë, më qetësoi disi. Por ka qenë një kohë e vështirë, me shumë frikë e shumë përpjekje për të tradhtuar veten e për t’u bërë të angazhuar... Që atëherë hierarkia letrare ngriu dhe, çuditërisht, vazhdon të qëndrojë e ngrirë, megjithëse klima rrotull është e nxehtë... Kush është më primare te një shkrimtar: talenti apo puna?Mbi të gjitha është talenti. Talenti është si bërthama për frytin. Dëgjoj shpesh që disa krijues, relativisht të rinj, flasin në media dhe veçojnë gjithë shokët e kursit, apo dhe të zborit dhe i bëjnë gjeni apo talente të mëdhenj dhe, si pa dashje, harrojnë se talentet e vërtetë ka në çdo brez, se talent i veçantë mund të jetë dikush që ai nuk e njeh. Natyrisht talentet e vërtetë janë shumë të paktë... Puna është e domosdoshme, madje është pjesë e talentit. Por në kushtet tona dhe për brezin tonë rëndësi të veçantë ka liria. Pra, liria e krijuesit. Unë më shumë kam punuar në këto vitet të lirisë reale, i çliruar nga prangat e diktatit politik. Cilët kanë qenë idhujt tuaj në letërsi dhe muzikë brenda dhe jashtë Shqipërisë.Në fillimet e mia ishte Migjeni, De Rada, Kadareja, Arapi, Poradeci, Mjeda, Serembe... Nga të huajt pëlqeja Majakovskin, Uitmanin, Ricosin, Hikmetin, Nerudën, Lorkën në poezi, apo Asturiasin, Dostojevskin, Gogolin, Kamynë dhe Heminguein në prozë. Tani më pëlqejnë shumë Markezi, Eliot-i, Pound-i, Paz, Alende, Saramago, Sabato, Eko. Mendoj se realizmi magjik i shkon shumë trevës së Ballkanit, këtij realiteti gjysmë fantastik... Më kënaq shumë dhe Kasëm Trebeshina, të cilin më vjen keq që e njoha vonë. Ai e njeh kaq mirë realitetin shqiptar, është tepër human dhe di të hyjë me dashuri dhe inteligjencë në thelbin e fateve njerëzore. Në muzikë... Në adoleshencë i kam parë të gjithë filmat muzikorë të kohës, kam dëgjuar dhe dëgjoj klasikët Bethoven, Moxart, Vagner, zërin e Pavarotit e Boçelit, nga muzika moderne pëlqej këngët e interpretuara nga Celin Dion, Çelentano, Majkëll Xheksoni.Ju tashmë keni dhe një shtëpi botuese. A e ndihmon më shumë krijuesin ky lloj profesioni ?Në jetën time kam punuar dhjetë vjet si gazetar, shtatë vjet si libretist i teatrit të kukullave të Tiranës dhe tani 17 vjet si botues, pra, po kaq përvojë pune edhe si privat. Punë e bukur, por edhe e vështirë. Ligjet e konkurrencës janë të ashpra dhe mua më duhet të dyzohem, të jem dhe poet edhe tregtar, gjë që tingëllon si kazan paradoksi. Megjithatë, duke qenë një botues i zbutur nga poezia, besoj se kam ndihmuar në dritëbotimin e shumë librave cilësorë. Them se për një krijues puna e botuesit është luks, por duhet të ketë rreth vetes një staf të kualifikuar, gjë që unë personalisht ende nuk e kam arritur; kjo bën që kohën e krijuesit shpesh ta gllabëroj ai tjetri “kipcbotuesi”.Sot ka një inflacion botimesh, mendimi juaj për to?Është e vërtetë, ka shumë botime, aq sa duket sikur bota është prej letre. Megjithatë mendoj se kjo është e pashmangshme dhe nuk është fenomen vetëm shqiptar. Fundja, edhe paratë janë prej letre... Këtu ka rëndësi ndërhyrja e kritikës së specializuar.Thuajse kritika shqiptare në krijimtarinë letrare është inekzistente, vallë ka ndikuar ajo në krijimtari?Kritika jonë letrare është e zbehtë. Shkollat tona, katedrat universitare nuk po përgatisin kritikë të rinj. Por edhe nuk ka joshje që të specializohesh për kritikë. Mendoj se kritika nuk ndikon drejtpërdrejtë në krijimtari, por ndikon në rritjen artificiale të vlerave, në çimentimin e hierarkisë së vjetër, në mbështetjen e klaneve që bëjnë letërsi nën mesataren, por që, duam s’duam, ende i mbajnë frerët... A është marrë kritika me librat e tu të botuar në këto vite? Për shembull me vëllimin poetikë “Lojë shahu në shekullin XXI” (2004), “Engjëlli me virus H5N1” (2006), apo me vëllimin e muajve të fundit të titulluar “Hallelulja”?Po, janë shkruar disa reçenca dhe ese, kryesisht nga krijuesit Moikom Zeqo, Anton Papleka, Alfred Uçi, Agim Shehu, Natasha Lushaj, Vaid Hyzoti, Sokrat Paskali, Lavdimir Marku, Granit Zela, Qazim Shehu, etj. Kam marrë shumë e-maile nga miq e shokë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga ShBA-ja, Franca, Greqia, Belgjika, Kanadaja, Gjermania, Meksika, Rumania... Ka shkruar dhe shtypi e media e huaj. Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë më veçoi si fitues në grupin e Poetëve më të mirë në Evropë dhe Amerikë për vitin 2007. Para pak ditësh u botua në SHBA u botua antologjia me poetët dhe poezitë më të mira të vitit 2007 dhe ky libër në faqen e parë hapet me CV time dhe poezinë e zgjedhur po nga unë titulluar “Gjuetia e kuajve të detit” dhe kthyer në anglisht nga ime bijë Sidorela, që jeton, studion dhe punon në Nju Jork. Kurse po gjatë vitit të kaluar nga Noble House fitova Çmimin Poet Fellow për Poezinë 2007... Më i vlerësuar ndjeheni jashtë, apo këtu...Jo, edhe këtu jam i vlerësuar, por më shumë nëpër tryezat e klubeve... Para pak javësh poeti i njohur Xhevahir Spahiu, në praninë time, u tha disa miqve krijues e kritikë që ishin me ne në tryezë “Petraq Risto ka lëvizur poezinë shqipe nga pika e vdekjes”... Atë çast u emocionova shumë dhe vura re se piruni që mbaja në dorën e djathtë, u përkul vetvetiu, pa e shtrënguar dhe mori formën e shkronjës U... Askush nuk e vuri re dhe unë me kujdes e ktheva pirunin sërish në gjendjen para se të shkarkoja atë energji të çuditshme. U befasova dhe nuk e prisja nga një poet tjetër atë përcaktim si të menduar e të sinqertë. Kjo të gëzon. Konsiderata të tilla kam marrë me dhjetëra nga miqtë e mi... Luan Rama nga Parisi, i cili, bashkë me Solange D’Angely, i kanë kthyer poezitë e mia në frëngjisht, flet me superlativa për poezinë, aq sa unë sikletosem. Po kështu, poeti i njohur kosovar Xhevdet Bajraj, (i ciliprej vitesh punon si pedagog në Universitetin e Meksikos, sëbashku me dy poetë meksikanas, Ricardo Romero Vallejo dhe Pedro Reygadas, të tre përkthyes të poezive të mia në Meksikë me librin “Kujdestar i dallëndysheve”, që këto ditë pres ta marrë në duar), shprehet se libri im radhitet në një nivel me poezinë bashkëkohore meksikane. Natyrisht, ka dhe nga ata miq që përpiqen t’u shmangen konsideratave. Por edhe kjo është normale në shoqërinë e krijuesve. Para disa ditësh ndoqa intervistën e nobelistit Orhan Pambuk në emisionin televiziv “Shqip” (të ripërsëritur) dhe më bëri përshtypje të veçantë e qeshura metaforike, si e kasnecit të qeshjes - Zarathustras, e qeshura asgjësuese, e këtij shkrimtari të madh, kur Rudina Xhunga e pyeti se ç’thonë tani shkrimtarët turq, të cilët nuk e pritën mirë marrjen e Çmimit Nobel. Qeshi. Qeshi. Qeshi...Po çmime letrare nga juritë shqiptare a keni marrë?...Ende më kumbon në vesh e qeshura e Orhan Pambukut... Nga juritë shqiptare?... Jo. Madje më duket se nuk do arrijë të marrë çmime nga juritë shqiptare. Duhet të jesh akrobat letrar, të dish mirë tabelën e pjesëtimit... Mbaj mend para dy vjetësh unë nuk merrja çmim dhe nga një juri e thjeshtë në një vend të vockël, periferik, në një kohë kur isha seleksionuar nga juria e madhe amerikane dhe qeshë ftuar për të konkurruar në Las Vegas për të fituar dhjetëra mijëra dollarë. Edhe tani në fund të muajit korrik jam ftuar po në Las Vegas në një simpozium të madh për poezinë, ku do jepen dhe shumë çmime letrare. Në këtë rast poezitë e mia “Trëndafili i kuq që dikur kish qenë njeri”, “Nju Jorku pa dallëndyshe” dhe “Gjuetia e kuajve të detit”, arritën në finale, do të botohen këtë vjeshtë në Antologji të mëdha, madje  të recituara dhe në CD, së bashku me poetë të njohur nga të gjithëkontinentet. Do të shkoni në Las Vegas?Kisha shumë dëshirë, por nuk do të shkoj, sepse së shpejti këtu në Shqipëri, në mes të gushtit, kam dasmën e vajzës së madhe, Sidorelës, e cila jeton dhe punon në Nju Jork, pra, kemi halle të tjera.Sa afër është politika shqiptare me krijuesit, po në vendimmarrje si është roli i krijuesve?Krijuesit janë përgjithësisht jashtë politikës dhe mendoj se duhet të jenë jashtë politikës, në kuptimin e drejtpërdrejtë. Por politika normalisht duhet të mbështesë krijuesit. Të mbështesë krijuesit e vërtetë. Të mbështesë krijuesit e talentuar,  krijuesit me vlera. Më në fund mos të marrin çmime vetëm klanet politike... Kjo duhet të fillojë nga intelektualët krijues dhe e para duhet ta japë shembullin Ministria... Shteti, Ministria e Kulturës duhet të bëjë kujdes për përkthimin e krijuesve të talentuar, të cilët synojnë kuota të larta letrare dhe jo të “danielstillëve”...Duhet të ketë shkollë kritike, por edhe shkollë për përkthyesit, specializime jashtë shtetit... Vdiq i madh Jusuf Vrioni dhe ra zija. Kadareja kërkon përkthyes, të gjithë kërkojnë përkthyes... Këtu politika mund të ndërhyjë, të investojë ... Jemi pa gazeta dhe revista letrare serioze... Letrarët janë katandisurnë një tufë paraplegjikësh që shtyjnë karrocat e njeri-tjetrit; organizohen vetëm që të marrin ndonjë mikroçmim 100 dollarësh: X në qytetin e Y-nit dhe Y-ni në qytetin e X-it. Politika duhet të jetë një sy i kthjellët që i vëzhgon të gjitha vlerat, jo për t’i marrë në qafë, por për t’i përqafuar. Mendimi juaj për godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ajo ju mor në mënyrë arbitrare. A duhet të kenë krijuesit një godinë të tyre?U grindën dy shoqata shkrimtarësh dhe fitoi i treti që në këtë rast, si rastësisht,  ishte shteti... Mendoj se godina nuk duhej t’u merrej shkrimtarëve. Ajo duhej të mbetej e shkrimtarëve, por e shkrimtarëve të ndarë në disa klube letrare, me një financë të kontrolluar nga shteti. Shkrimtarët duhet të kenë godinën e vet, klubin e vet, bibliotekën e vet, (e cila tashmë nuk i dihet se ku ka përfunduar)... A jeni marrë me politikë  dhe përse?Jo, nuk jam marrë me politikë. Jam natyrë emocionale, politika të do të ftohtë. Pastaj politika të ha kohë. Shumë nga shkrimtarët tanë të mirë që u morën me politikë gati e braktisën letërsinë. Në raste të tilla duhet thënë: letërsia tregohet më e zgjuar dhe të braktis. Njerëzit e duhur, ata që e konceptojnë politikën si profesion dhe jo si biznes. Por kjo racë më duket se nuk ka ekzistuar kurrë.Kur flasim per tiparet njerezore....Pëlqejë sinqeritetin dhe pasionin për punën. Kritikoj dembelizmin, kritikoj dhe alibitë e fajtorëve.A ekziston dashuria e vërtetë?Dashuria është ajër, marrëdhënia e njeriut me natyrën, me inteligjencën, me mishin. Me të bukurën...Ç’është familja për ju?Familja është një domosdoshmëri e mrekullueshme dhe pse kërkon shumë kohë dhe angazhim. Nuk besoj se shkrimtarët apo muzikantët pa familje kanë prodhuar më shumë vlera se ata me familje.Sa jeni i lidhur me librin, po me shtypin?Me librin jam i lidhur që në vogëli. Në bibliotekën e Durrësit, por edhe të kryeqytetit janë me qindra kartelat me emrin tim... Në shtëpi kam një bibliotekë të pasur që e kam ngritur vetë. Me shtypin, dëgjoj diçka,  shfrytëzoj internetin... Përgjithësisht nuk blej gazeta.Jeni xheloz ndaj kolegëve dhe përse?Nuk jam natyrë që çlirojë energji të tilla negative. Sukseset e miqve më gëzojnë, kam përshtypjen se shpesh kolegët letrarë dua t’i bëjë miq; mbase jap më shumë dashuri se sa marrë.Ushqimi i preferuar.Frutat e detit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora