E marte, 14.07.2020, 12:12 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Shkreli: Shqetësimet e Kongresit mbi median në Turqi

E marte, 24.03.2015, 09:33 PM


SHQETËSIMET E KONGRESIT AMERIKAN MBI LIRINË E MEDIAS NË TURQI

Nga Frank Shkreli

Zyra e Senatorit demokrat të shtetit të New Yorkut, Charles E. Schumer njoftoi javën që kaloi se ai dhe mbi 70-senatorë të Shteteve të Bashkuara -- republikanë dhe demokratë -- i dërguan një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry që të interesohet mbi atë që ligjvënsit amerikanë thonë se është një frikësim dhe kërcënim i vazhdueshëm ndaj medias dhe një praktikë censurimi e shtypit në Turqi, nga ana e administratës së Presidentit Taip Erdogan.  Senatorët amerikanë theksojnë, në letrën e tyre se kohët e fundit, dy gazetarë që drejtojnë media të rëndësishme në Turqi dhe të cilët njihen si kritikë të administratës së Presidentit Erdogan, janë arrestuar. Para këtij incidenti, shumë gazetarë kanë humbur punën pasi kishin shkruar artikuj kritikë ndaj Presidentit Erdogan dhe administratës së tij.

Duke venë në dukje  traditën e gjatë të Turqisë ndaj demokracisë dhe tolerancës ndaj mendimeve ndryshe dhe të kundërta, Senatori Schumer dhe kolegët e tij në Senatin amerikan shprehin shqetësimet e tyre mbi frikësimin e medias në atë vend dhe i bëjnë thirrje Departmentit Amerikan të Shtetit që të bashkpunojë me qeverinë turke për të zgjidhur këtë çështje në mënyrë paqësore dhe sa më parë që jetë e mundur.

Senatori Schumer dhe 74 senatorë të Shteteve të Bashkuara të cilët nënshkruan letrën drejtuar Sekretarit Kerry – që mund të jetë ndër paralajmërimet më të forta të Kongresit amerikan ndaj Turqisë -- thonë se duke u bazuar në lajmet e botuara në median dhe shtypin turk dhe amerikan, administrata e Presidentit Erdogan ka frikëson dhe ngacmongazetarë turq, të cilët ajo i konsideron si kritikë të qeverisë së tanishme.  Senatorët shkruajnë në letrën e tyre drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit,  se më 14 dhjetor ishte arrestuar krye-redaktori i gazetës Zaman, (i cili tani është liruar) një gazetë kjo me qarkullim të gjërë anë e mbanë Turqisë, si dhe pronari i Grupit të Medias Samanyolu i cili, sipas senatorëve, fatkeqsisht mbetet nën arrest.  Të dy këta, thonë ligjvënsit amerikanë, janë të njohur si kritikë të administratës Erdogan.  Senatori Schumer dhe kolegët e tij i bëjnë thirrje kryediplomatit amerikan që, "ta bisedojë këtë çështje me Presidentin Erdogan dhe me përfaqsues të administratës së tij, në një mënyrë që të inkurajojë një zgjidhje të

shpejtë, të nevojshme dhe paqësore të këtyre rasteve."

Senatorët vunë në dukje se këto raste arrestimesh dhe frikësimesh të përfaqsuesve të medias janë një devijim nga tradita e gjatë e Turqisë ndaj demokracisë dhe tolerancës, duke thekësuar se, "Si një demokraci me një traditë të gjatë tolerance dhe diskutimi të lirë dhe si një vend partner i vlefshëm i Amerikës në shumë ndërmarrje, qeveria e tanishme e Turqisë nën Presidentin Erdogan duhet të ndërpresë shtypjet ndaj lirisë së shtypit  dhe njëkohsisht t'u japë fund frikësimeve flagrante ndaj pjestarve të medias të cilët shprehin mendime ose raportojnë mbi ngjarjet, në një mënyrë që regjimi mendon se janë në kundërshtim me interasat e tij.

Është e rrallë që në Senatin amerikan të shfaqet një unanimitet i tillë për çfardo kauze, por në letrën që u nënshkrua nga shumica e senatorëve amerikanë (73 nga 100 senatorët gjithsejt), thuhet gjithashtu se Sekretari i Shtetit John Kerry duhet të përqëndrojë vëmendjen rreth prirjeve shqetësuese ndaj sjelljeve jo demokratike në radhët e qeverisë së presidentit turk Erdogan dhe njëkohsisht t'i bëjë thirrje qeverisë turke që të zbatojë parimet bazë të demokracisë, përfshirë edhe lirinë e shtypit, diçka që për një kohë të gjatë konsiderohej si një vlerë në Turqi, tha ndër të tjera, Senatori demokrat Charles Schumer.

Ndërsa kolegu i tij republikan dhe bashk-autori i letrës drejtuar Departmentit Amerikan të Shtetit, Senatori Roger Wicker i shtetit Mississippi u shpreh se, "Administrata e Presidentit Erdogan duhet të mbahet përgjegjëse për këto shkelje të rënda ndaj fjalës së lire dhe lirisë së medias. Arrestimi i gazetarëve dhe censurimi i medias janë shënja të një regjimi autoritar dhe jo të një demokracie të mirëfilltë. Shpresoj që Sekretari Kerry do të zgjidhë së shpejti këto zhvillime shqetësuese", tha Senatori republikan i shtetit Mississippi.

Ndërkaq, në një deklaratë që bëri në Dhomën e Senatit, një ditë para se të botohej letra e Senatorëve drejtuar John Kerry-t, Senatori Patrick Leahy u ngrit për të denoncuar masat e qeverisë turke ndaj lirisë së medias duke thënë se, "Jo vetëm që këto masa nuk janë në përputhje me normat dhe vlerat që pritet të zbatohen nga Turqia, një vend aleat i NATO-s."  Ato masa shtoi Senatori Leahy, jo vetëm që " Dhunojnë vet angazhimet që ka marrë përsipër Turqia në bazë të marrveshjeve ndërkombëtare, por nxisin edhe kundërshtime dhe mospajtime të mëtejshme dhe njëherazi vërtetojnë akuzat që janë bërë  kundër Administratës së Erdoganit."   Senatori Leahy shprehu zhgënjimin dhe shqetësimin e tij si dhe të shumë eskpertëve  të marrëdhënjve amerikano-turke se një, "zmbrapsje nga demokracia  në Turqi, do të dobësonte partneritetin tonë të rëndësishëm strategjik në atë rajon."   Senatori i shtetit Vermont deklaroi se bashkohet me të gjithë ata që kanë bërë thirrje për zgjidhjen e menjëhershme të këtyre rasteve dhe që t'i,  "Jepet fund arrestimeve nga ana e qeverisë turke të personave që ushtrojnë të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes.  Komuniteti ndërkombëtar dhe njerëzit vullnet mirë presin më shumë nga qeveria e këtij kombi të madh. Populli turk meriton më mirë se kaq", përfundoi deklaratën e tij në Dhomën e Senatit amerikan, Senatori Patrick Leahy.

Reagimet ishin të shpejta kundër kësaj letre të Kongresit amerikan, nga ambasadori turk në Washington, nga media pro-Erdogan në Turqi e cila pretendoi se kongresmnët kishin marrë ryshvet për të shkruar një letër të tillë dhe nga vet Presidenti Taip Erdogani cili gjatë një vizite në Meksikë, i cilësoi anëtarët e Kongresit amerikan si “ligjvënës me qira”.  Disa nga kongresmenët që kanë nënshkruar letrën thanë se reagimeve zyrtare turke  “u mungon respekti”.

Ndërsa gazeta turke Zaman sjellë reagimin e një prej zërave të opozitës, grupit parlamentar  të partisë turke MHP, nepërmmjet nënkryetarit të saj, Oktay Vural, i cili u shpreh për median se letra e senatorëve amerikanë erdhi tepër vonë. Oktay Vural tha se, “Liria e shtypit ësht liria e kombit tonë. Nuk mund të ndërmarrësh operacione kundër pjesëtarve të medias vetëm e vetëm sepse ata botojnë lajme për korrupcionin. Ne nuk e meritojmë një gjë të tillë. Presioni kundër medias”, shoti ai, “ka arritur pikën që po dëmton interesat turke.”

Pa marrë parasyshë reagimet zyrtare turke ndaj shqetësimeve të Kongresit amerikan mbi mungesën e lirisë së shtypit dhe mbi kërcnimet dhe arrestimet që u bëhen gazetarve turq, trajtimi i gazetarëve turq nga administrata e Presidentit Erdogan njihet mirë dhe është publikuar nga organizata të njohura ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe me lirinë e medias në mbarë botën, siç Human Rights Watch.

Një tjetër ent ndërkombëtar i të drejtave të njeriut, siç është liria e fjalës, organizata prestigjoze që merret me mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë fjalës anë e mbanë botës, "Korrespondentët Pa Kufij" (Reporters Without Borders) e rendit Turqinë në vendin e 154 nga 180 vendet në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2014.  Turqia, sipas kësaj organizate është ndër vendet që vazhdimisht ka numrin më të madh të gazetarve të arrestuar në botë, se bashku me vendet siç janë Kina dhe Irani.

Letra e Kongresit amerikan drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit është një mbështetje me rëndësi e lirisë së fjalës dhe të lirisë së punës së gazetarve jo vetëm në Turqi por në mbarë botën.  Kjo mbështetje nga senatorët amerikanë e lirisë së medias në Turqi ka rëndësi edhe për pjesë të tjera të botës ku mungon, ku keqpërdoret, ose ku shkelet liria e medias. Sepse arrestimi ose keqtrajtimi i një gazetari, vetëm e vetëm sepse shpreh mendime ose shkruan për diçka që nuk i pëlqejnë , si për shembëll, autoriteteve qeveritare në Turqi ose në Kinë, është një sulm kundër çdo gazetari kudo në botë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora