E enjte, 28.03.2024, 10:38 AM (GMT)

Kulturë

Meri Lalaj: Bashkëshortë

E enjte, 19.03.2015, 07:53 PM


Bashkëshortë

Tregim nga Meri Lalaj

Arta hapi derën e apartamentit, u fut në korridor, lëshoi përtokë rrjetën me perime dhe filloi të zhvishej. Duke hequr shallin e pallton e duke zbathur këpucët po i fliste së bijës me zë përkëdhelës:

-Ku është vogëlushja, pupulushja e mamit?... Mos ka shkuar në pyll për këpurdha?.. O Bora, mami të ka sjellë karota prej lepurushit, bizele prej princeshës... dhe karamele nga të ketrit Fik...

Asnjë përgjigje. Por në kuzhinë dhe në aneksin e saj kishte dritë.

-Besnik! – Thirri Arta.

-Hajde, moj, hajde këtu... leri teatrot!... iu përgjigj vrazhdë i shoqi.

-Ç’ka ndodhur? -Pyeti Arta duke u futur në aneks.

-Ja, shikoje tët bijë e ke të sëmurë, ndërsa ti bredh lart e poshtë.

-Unë bredh Besnik?!... Të lashë shënim se po shkoja në mbledhje, pastaj bleva ushqime për nesër...

-Të mos vije në mbledhje!... Ç’është kjo mbledhje të shtunën pasdite?...

Arta u përkul mbi vajzën duke e shtrënguar fort krahët e saj.

-O, ma! O, ma! –Fliste e vogla e shtrirë në nim pranë sobës me buzët flakë të kuqe nga temperatura dhe sytë e zmadhuar e të shndritshëm. Vajza mezi merrte frymë. Arta i preku pulsin, rrahjet ishin aq të shpeshta sa nuk po i numëronte dot.

-Kur u sëmur? – E pyeti Besnikun.

-Në drekë... pasi kishte ngrënë drekë kish vjellë... më tha edukatorja... Mjekja e kopshtit e kish vizituar dhe... i ka mbledhur gryka... – Tha ai me inat. –po sa shumë u vonove, ta hajë djalli, ta hajë!

-Po ku ta dija unë, o Niku!... Çfarë i ke dhënë?

-Pak çaj me limon, po mezi e piu... dhe aspirinë. Tani duhet të shkoj në farmaci t’i fillojmë penicilinë. Duhej t’ia kishim filluar dy orë më parë...

-po mirë. Lajmëro edhe Halimen që të vijë t’ia bëjë gjilpërën. Unë do ve shiringën që të ziejë. Po i ve edhe njëherë termometrin vajzës... Ti ik shpejt.

Besniku doli në rrugë i nevrikosur dhe shumë i mërzitur. Ai e donte fort Borën, vogëlushen e tij, e donte me shpirtin. Dridhej për të kur mendonte se mund t’i ndodhte ndonjë aksident apo të sëmurej. Ajo ishte fëmijë e shëndetshme, pat kaluar veç ato të foshnjërisë, jo dhëmbët, jo pak rrufë e diarre e asgjë tjetër. “Tani penicilinë!... I paskërka mbledhur gryka... Dreq, o punë!...”

Farmacia afër pallatit të tyre ishte e mbyllur me inventar. Besnikut i hipën xhindet, shau me vete e vazhdoi rrugën për në farmacinë në anën tjetër të qytetit. Nga që ish tepër i shqetësuar kapte ballin e shtrëngonte me dorë se donte patjetër ta largonte atë mendimin e keq, që nuk po i shqitej që nga çasti kur e kishte marrë Borën nga kopshti...

Besniku kishte edhe katër vëllezër të tjerë. Dikur kishin pasur një motër të vogël, e cila mori të ftohur papritur. Mjeku i kish dhënë penicilinë, por gjyshja apo dikush tjetër (ndoshta babai) kishin këmbëngulur që të mos ia fillonin menjëherë mjekimin me antibiotik duke menduar se mund se do të përmirësohej me shurupe e me të ngrohta. Motra e vogël vdiq. Kaq ish në moshë sa Bora, katër a pesë vjeçe. “Bo bo, po përse nuk po e heq dot nga mendja!?” Dhe sado që përpiqej të mendonte diçka të gëzuar për vajzën e tij, nuk i largohej nga përfytyrimi fytyra dyllë e verdhë e motrës së vdekurme fjongon e kuqe majë flokëve dhe me atë shprehjen e habisë fëminore: “po përse qani? Përse jeni mbledhur? Ku do më çoni kështu?”

Arta i hoqi termometrin së bijës, për tri vija do të shënonte 41 gradë celcius. Ajo u tremb, por praktike siç ish gjithnjë, i vuri në kokë një pecetë të njomur me ujë e uthull. Vajza fliste përçart, shikimi iu shtrembërua dhe trupi i dridhej i tëri. Arta vendosi mbi sobë një çajnik me ujë që të vakej, pastaj mori dy çarçafë, njërin e shtriu përmbi nimin e kuzhinës, tjetrin e njomi me ujët e çajnikut. E zhveshi vajzën lakuriq dhe e mbështolli me çarçafin e lagur. Atë minutë në kuzhinë u fut Besniku, ai vështroi i alarmuar:

-Arta, mos u çmende? – i ulëriu. –Çfarë po i bën vajzës moj, se e plevitose...

Arta fare e qetë e hoqi Borën nga çarçafi i lagur dhe e mbështolli me të thatin.

-Ty po të flas, ç’janë këto eksperimente filmash, na u bëre edhe pediatre tani... Lermë ta marr Borën time...

Arta e shtyu Besnikun me shpatulla se ishte duke fshirë trupin e vogëlushes. Ai i inatosur e tërhoqi me forcë me të dyja duart, e ktheu me egërsi përballë vetes, ngriti pëllëmbën dhe e goditi në fytyrë. Ndërkaq rrëmbeu të bijën e filloi që ta veshë me ngut.

-Dhe dëgjove, ik, vajza është e imja... vetëm e imja! Ti ik... Shko ku të duash... nuk të shoh dot me sy, e torturove Borën time!...

Besniku pasi e veshi vajzën e shtriu në minder. Arta rrinte pa lëvizur me duart e kryqëzuara në gjoks. Ra zilja e derës. Erdhi Halimja, infermierja. I bëri vajzës gjilpërën. Kish sjellë me vete edhe një flakon analginë ia dha gjysmën për ta pirë. Burrë e grua qëndronin të heshtur, lëviznin me ngathtësi dhe hijet e tyre të stërmëdha përplaseshin mureve të dhomës. Infermierja u mundua t’i qetësojë duke u thënë se fëmijët kështu e kanë, aty sëmuren aty shërohen. Ja mbani mend fjalën time, nesër Bora do të zgjohet posi dallëndyshe, unë do të vij përsëri t’ia bëj penicilinën, mos thërrisni infermieren e ambulancës së lagjes. Tani, natën e mirë dhe mos u bëni merak.

Arta e përcolli Halimen deri tek dera e jashtme dhe u ul tek divani i kuzhinës. Që aty shihte vetëm kokën e së bijës me syçkat mbyllur. Besnikun nuk e shihte se ish më në brendësi të aneksit. Ajo donte të fliste me të dhe të çmbështillte atë lëmshin e madh që i ish mbledhur në grykë e nuk e linte të mirrte frymë lirisht, por kish frikë se mos fillonte të qante dhe nuk donte npë asnjë mënyrë që Besniku ta shikonte të përlotur. Ai nuk i duronte dot lotët. Ndihej më e qetë pasi e dinte se vajza ish larg rrezikut kështu Arta i përmblodhi të gjitha forcat e duke shtrënguar në duar një kaçavidë, që sesi u ndodh aty tek mbështetsja e divanit, foli e qetë duke u mëshuar fjalëve:

-Ti më përzure,... por unë nuk po iki, nuk do të ik! Jo vetëm sepse është natë e më duhet... t’u shpjegoj të tjerëve se jam grindur me burrin... se më ka goditur burri im... Por edhe sepse unë nuk kam se ku të vete... Unë nuk kam as nënë... as baba,... as motër e vëlla... Unë vetëm vajzën kam... (në asnjë mënyrë nuk mund t’i thosh: “Të kam edhe ty”) I kafshoi e nuk i la t’i dilnin fjalët e rëndomta: “Unë për hir të vajzës po qëndroj këtu!”

Kaloi një copë herë e gjatë. Ata të dy nuk flisnin. Arta hodhi sytë nëpër shtëpi. Çfarë rrëmuje! Çarçafë, ndërresa, tenxhere e lugë hedhur pa kujdes andej e këtej. Ajo u ngrit ngadalë si e mpirë dhe filloi të verë rregull. Kishin kaluar dymbëdhjetë vite qëkur Arta kish takuar Besnikun. Atëhere ishte nxënëse në shkollën e mesme. Patën qenë shokë të ngushtë për shtatë vite me radhë, pastaj ishin fejuar e martuar. Pandehte se njihte çdo mendim e çdo qelizë të burrit të vet. E dinte se ai qe shumë i rrëmbyer e gjaknxehtë dhe ajo i hapte udhë derisa t’i kalonte vrulli i parë i inatit. Por që ta godiste, nuk ia kish marrë mendja kurrë. Gjithnjë pat menduar se po ngriti dorë burri kundrejt gruas, nuk kishe përse ta doje dhe ta mbaje më atë burrë.

Besniku ish gjithçka për të: nënë, babë, motër, vëlla. Ai i pat ndenjur pranë kur i kishin vdekur prindërit në fillim babai, pastaj nëna. Shpeshherë ai e përkëdhelte: “Çfarë po bën vajza ime e madhe?”

Njëherë në kohët e para të martesës, kur u kthye një ditë Besniku në shtëpi për drekë, e kish gjetur Artën në korridor hipur majë karriges që e kish vënë mbi një tryezë.

-Hej, çun-o – dhe kish lëshuar një vërshëllimë ajo.

-Ç’bën aty, moj çapkëne?

-Ja, i vura një tel pak më të trashë siguresës se u këput, siç duket nga elektromotori i makinës larëse.

Ajo u hodh nga tryeza dhe ai e priti në krahët e vet duke i thënë “Vajza ime është e zonja për gjithçka!”

-Po ta kesh burrin inxhinier, doemos që do të mësosh diçka.

Në të vërtetë Artës i vinte përdorësh për të rregulluar me vida e pinca ndonëse ishte ekonomiste.

Vajza u qetësua. Besniku e mori në krahë dhe e shpuri në shtratin e saj në dhomën e gjumit. Arta bëri gati një supë e hodhi në dy pjata dhe bashkëshortët u ulën në tryezë për të ngrënë pa folur fare. Ajo u ngrit për të larë enët, kurse ai u fut prapë në dhomën e gjumit duke marrë një libër me vete. Arta vendosi të flinte vetëm në divanin e kuzhinës, kështu nxori një nënkresë e dy batanije, kur hyri Besniku.

-Arta, eja të flesh! – Zëri i tij ish i zbutur dhe jo urdhërues.

Arta u shtri në anën e saj të shtratit, shoi dritën e natës dhe i ktheu kurrizin Besnikut. Kur u zgjua në mëngjes po mendohej për atë që kish ndodhur në mbrëmje, ndjeu se dorën e saj nën jorgan e kish mbështjellë dora e Besnikut. Ajo nuk lëvizi fare. Rrotulloi paksa kokën dhe hapi sytë. Besniku flinte me kokën mbështetur mbi nënkresën e lartë, (Arta gjithnjë flinte me nënkresë të ulët). Duke e ndier vështrimin e saj, ai i hapi sytë. Dhe sa çudi, i hapi pikërisht si në mëngjesin e parë, kur kishin fjetur të dy bashkë. (Arta shpesh i thosh Besnikut: “Kur fle pa ty më merr malli shumë për mënyrën se se zgjohesh në mëngjes.”)

Ai buzëqeshi:

-U zgjua vajza ime e madhja, -tha me zë ledhatues. –E vogla ka fjetur shumë mirë. –Dhe zgjati duart duke e mbështjellë në krahët e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora